Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kroaci, ndryshohet ligji për privatizimin e INA që të shmangen paditë

Qeveria kroate e qendrës së djathtë ka kërkuar ndryshime në ligjin mbi privatizimin e kompanisë kombëtare të naftës nëpërmjet Parlamentit, për të harmonizuar ligjin e saj me atë të legjislacionit të BE-së dhe të shmangë edhe marrjen e një padie, por deputetët e opozitës e kanë denoncuar këtë fakt, duke e cilësuar si një tradhti ndaj interesave kombëtare.

Parlamenti i Kroacisë ndryshoi ligjin e vitit 2002 mbi privatizimin e kompanisë kombëtare të naftës INA, për të harmonizuar ligjin kroat të privatizimit me legjislacionin e BE-së dhe për të shmangur në këtë mënyrë paditë e mundshme. Menjëherë pas marrjes së vendimit, deputetët e opozitës janë larguar nga Parlamenti, duke denoncuar ndryshimet e propozuara si tradhti ndaj kombit.

Ndryshimet heqin dispozitat nga neni 10 i ligjit të vitit 2002, i cili i dha kontroll ekskluziv qeverisë së Zagrebit mbi ndryshimet në strukturën e pronësisë së kompanisë dhe të drejtën e vetos ndaj disa vendimeve të menaxhimit, si dhe opsionin e parë për të blerë aksione. Kroacia i ka bërë ndryshimet pasi Komisioni Europian në vitin 2017 e çoi atë në Gjykatës e Drejtësisë të BE-së, pasi nuk kishte arritur të hartonte ligjin për INA në përputhje me rregullat e BE-së për lëvizjen e lirë të kapitalit dhe lirinë e themelimit.

Në vitin 2018, Komisioni e kaloi çështjen e ligjit të mësipërm në pritje, pasi Kroacia ndërkohë po përgatiste ndryshimet e nevojshme ligjore. Më 13 shkurt të këtij viti, Kryetari i grupit parlamentar qeverisës, Bashkimi Demokratik Kroat, z. Branko Bacic tha se projektligji ishte duke u ndjekur me shumë vëmendje.

Amendamentet u parashtruan dhe u diskutuan në Parlament më 15 shkurt nën një procedurë të shpejtë. Ministri i Energjisë, Tomislav Çoriç, tha se një ndryshimi vinte nga nevoja për të harmonizuar ligjin kroat me atë të BE-së dhe për të shmangur paditë e mundshme përpara Gjykatës Europiane të Drejtësisë. Fati i kompanisë INA ka qenë prej kohësh një “mollë sherri” në Kroaci dhe një shkaktar tensionesh me Hungarinë.
Në vitin 2003 dhe 2008, kompania MOL e Hungarisë bleu 47.15% të aksioneve të kompanisë INA, duke e lënë shtetin kroat me vetëm 44.83% të aksioneve.

Në vitin 2009, kompania MOL mori menaxhimin e kompanisë INA. Megjithatë, në vitin 2011, zyra e antikorrupsionit të Kroacisë, USKOK, u shpreh se dyshonte se në periudhën 2003-2009, Kryeministri i atëhershëm i Kroacisë, Ivo Sanader, kishte marrë ryshfete prej 10 milionë eurosh nga CEO-ja i kompanisë MOL, Zsolt Hernadi, në mënyrë që ky i fundit të merrte të drejtat e menaxhimit të INA-s.

Në dhjetor të 2016-s, Kroacia humbi një proces arbitrimi kundër MOL lidhur me këtë çështje përpara Komisionit të Kombeve të Bashkuara mbi Ligjin Ndërkombëtar të Tregtisë, të zhvilluar në Gjenevë. Qeveria kroate e ka shprehur vazhdimisht se ajo ka për qëllim që t’ia blejë sërish aksionet që i shiti kompanisë MOL, por kjo nuk është realizuar ende. Në tetor të vitit të kaluar, në Zagreb u rihap gjykimi ndaj shefit të kompanisë MOL dhe Z. Sanader. Ndërsa në nëntor të 2018, Interpoli miratoi kërkesën kroate të dorëzuar që në muajin gusht për rinovimin e urdhrit të arrestit ndaj z. Hernadi.

Një ditë para miratimit të amendamenteve, deputetët e Partisë Social Demokratike të opozitës akuzuan qeverinë për dorëzimin e INA-s tek kompania MOL, duke dalë në këtë mënyrë kundër interesave kombëtare. Por anëtarët e partisë në pushtet e mbrojtën ligjin duke thënë se çdo aktor që ble aksionet e INA-s dhe që dëshiron të ketë më shumë se 50% të tyre do të duhet të informojnë Ministrin përkatës për këtë gjë si dhe të paraqesë një plan afatgjatë të menaxhimit të kompanisë.

Me ligj, për aq kohë sa qeveria kroate do të ketë qoftë edhe një pjesë të vogël të aksioneve të INA-s, i takon të emërojë dy përfaqësues të bordit të menaxhimit të kompanisë, por pa asnjë të drejtë vote.

Monitor,  09.03.2019