Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

“Albpetrol”, mister bilanci dhe çfarë do të privatizohet

Kuvendi shtyn miratimin. Shpresat, te “vendburimi 1.8 milionë USD”.
Kanë kaluar tre muaj nga bërja publike e planit për të shitur 100 për qind asetet e ndërmarrjes shtetërore të “Albpetrol” dhe ende nuk ka një përcaktim të qartë rreth formulës se çfarë dhe si do të shitet. Së fundmi, Ministria e Ekonomisë ndryshoi ligjin, duke ofruar variantin e ri të dhënies së licencës për shfrytëzimin e puseve për 25 vjet, njëlloj sikurse vepron me kompanitë koncesionare. Ndryshimet kanë ardhur këto ditë në Kuvend dhe dje ishte mundësia konkrete për të mësuar rreth vlerës së kompanisë, bilanceve të saj, se çfarë do të shitet, çfarë i mbetet shtetit, apo fundja, ku qëndron interesi i kompanisë së huaj që do ta blejë. Procesi duket tepër kompleks, ndërsa disa pyetje të deputetëve të mazhorancës nuk morën përgjigje, pasi përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë nuk ishin të përgatitur. Pyetjet ishin rreth puseve të naftës që janë pronë e shtetit, pra ata që dalin në shitje, apo çfarë kanë marrë firmat e huaja me koncesion, si përcaktohet faktori R (fitimi i kompanive të huaja), të ardhurat e shtetit etj. Deputetët e opozitës u larguan nga mbledhja, që e konsideruan të padrejtë miratimin e ligjit, pasi nuk ishin njohur me përmbajtjen për shkak të kohës së shkurtër. “Kam shumë pikëpyetje për procesin dhe dua të shtroj disa çështje, por më parë më nevojitet të njihem, të konsultohem me ligjin”, u shpreh zëvendëskryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, socialisti Eduard Shalsi.
Procesi i shitjes
“Albpetrol” dhe shoqëria e re do zëvendësojë shtetin. Në ato pjesë ku ka marrëveshje për hidrokarburet, do të ketë detyrime”, ka sqaruar zëvendësministri i Ekonomisë, Eno Bozdo. “Albpetrol”, që dikur ka pasur monopolin për nxjerrjen dhe prodhimin e naftës në Shqipëri, ka nënshkruar shtatë marrëveshje hidrokarbure me tri shoqëri të huaja. Sipas marrëveshjeve, të gjitha shoqëritë e huaja, që kanë marrë puse me koncesion nga “Albpetrol”, pasi mbulojnë kostot e investimit, detyrohen ta ndajnë prodhimin në mënyrë të barabartë me shtetin. Por, pas privatizimit, këtë pjesë të prodhimit nuk do ta marrë më shteti, por shoqëria private që do blejë “Albpetrol”. “Dhe me këtë, ne realizojmë dy gjëra: e para nuk prekim kontratat aktuale, por mbi të gjitha i japim vlerë procesit të privatizimit. Shteti shqiptar, padyshim që fiton dhe ky operacion që i delegohet ‘Albpetrol’ përmirësohet në çmim”, shtoi zëvendësministri. Nga deklaratat del e paqartë nëse do të shitet edhe e drejta që “Albpetrol” ka ndaj shoqërive koncesionare, vlera e të cilave është tepër e lartë, apo vetëm pjesa e vendburimeve ku shteti zotëron 100% pronësi.
Asetet pa vlerë
Aktualisht “Albpetrol” zotëron 1264 puse aktive, që prodhojnë një sasi nafte prej rreth 135 mijë tonësh në vit, me vlerë rreth 48 milionë dollarë, ndërsa duke zbritur kostot operative, del një e ardhur 29 milionë dollarë. Por edhe këtu duhen llogaritur detyrimet e tjera ligjore, si dhe shpenzimet. Zëvendësministri Bozdo tha se një vendburim me vlerë, ku shteti zotëron tërësisht kontroll është ai i Amonicës në Vlorë. Nëse shpresat janë te kjo zonë, atëherë qeveria nuk ka se çfarë përfiton, ose ndryshe, investitori nuk ka interes, pasi të ardhurat në vit nuk janë më shumë se 1.8 milionë dollarë, në një kohë që janë të punësuar 120 punonjës. Deri më sot nuk ka një bilanc të publikuar nga shteti, sa i takon puseve që janë në pronësi 100 për qind të “Albpetrol”, nuk është e qartë sasia që prodhohet, pasi duhet ndarë mes ndërmarrjes shtetërore dhe koncesionarëve që kanë lidhur marrëveshje, si “Bankers” apo “Stream Oil”.
Deri më sot, “Albpetrol” ka pasur taksa preferenciale, pasi ishte kompani e vetë shtetit. Përmes ligjit të ndryshuar, qeveria ka vendosur t’i rrisë ato, duke i barazuar me taksat që paguajnë shoqëritë e tjera të kërkimit dhe prodhimit të naftës.

Naço: Fitimi i kompanisë, 1.1 milionë USD në 2011-n
Të dhënat e 7-mujorit, 427 mijë tonë të shitur.
Ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, në debatet e zhvilluara pak kohë më parë në Kuvend me opozitën, tentoi të sqaronte procedurën e shitjes së “Albpetrol”, ku bëri publike dhe disa të dhëna. “Kompania, së bashku me shoqëritë koncesionare, ka arritur të dyfishojë prodhimin e naftës në gjashtë vitet e fundit. Në vitin 2010 janë prodhuar 726 mijë tonë naftë, ndërsa në 6 muajt e 2011-s kemi një prodhim prej mbi 427 mijë tonësh, që do të thotë se në fund të vitit, prodhimi vjetor shkon në 870 mijë tonë”, deklaroi ministri. Nga të dhënat del qartë se mungon ndarja mes sasisë që nxjerr vetë “Albpetrol” dhe firmat koncesionare. Më tej, ministri thotë se, fitimi i kompanisë për 7-mujorin e vitit 2011 nga 600 mijë dollarë të parashikuar shkoi në 1.1 milionë. Në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kompania kishte një fitim 580 mijë dollarë, ndërsa në total për të gjithë vitin ishte 965 mijë dollarë. Rezervat gjeologjike të vlerësuara në vendburimet ekzistuese janë rreth 440 milionë tonë naftë në shtresë, por rezultati neto varet nga teknologjia që përdoret për nxjerrjen e sasisë.
Pavarësisht se të ardhurat e kompanive koncesionare arrijnë në qindra milionë dollarë në një vit, nga renta minerare, sipas ministrit të Ekonomisë, në katër vitet e fundit, shteti shqiptar ka përfituar vetëm 90 milionë dollarë.
Për privatizimin e “Albpetrol”, punonjësit kërkojnë pjesëmarrjen me aksione, sikurse kanë vepruar vendet e tjera të rajonit, kurse për pensionet, lista e propozimeve është e gjatë. Sindikata vlerëson se naftëtarët nuk mund të qëndrojnë gjatë në punë dhe nuk mund të presin pensionin në moshën 65 vjeç, kur mesatarja e vdekshmërisë është 60 vjeç.

Gazeta Shqip, 21.02.2012