Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Moti i keq – ndikimi në ekonomi

Emergjencat: Stuhi në buxhet Ministria e Financave po i nxjerr lekët me pikatore, pasi nuk e disponon fondin e plotë. Situata në Veri me 60 komunat e bashkitë e bllokuara dhe energjia, rrezikojnë ekonominë Një muaj emergjencë, për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme në Veri dhe disa zona në Jug, shkaktuar nga moti i keq me reshje dëbore, vuri në provë qeverinë sa i takon menaxhimit. Bora solli bllokimin e rrugëve për të paktën 60 komuna dhe bashki, në qarqet Shkodër, Dibër, Kukës dhe Korçë, ndërsa mbi 200 mijë banorë hasën vështirësi për të siguruar ushqime, ku nuk munguan edhe rastet e fatkeqësive me pasojë vdekjen. Reagimi i Ministrisë së Brendshme erdhi pas dy javësh, me akordimin e një fondi prej 40 milionë lekësh, ku mesatarisht i binte rreth 670 mijë lekë për njësi vendore të bllokuara. Urdhri është i prerë: fondi do të përdoret vetëm për hapjen e rrugëve dhe asgjë tjetër, duke mos përjashtuar edhe furnizimin me karburant. Sakaq, ndihmat me pako nga toka janë shoqëruar me transportin nga ajri me anë të helikopterëve, ndërsa ankesat e banorëve për mungesë ushqimi ishin të theksuara. Nuk ka një të dhënë të saktë sesa është fondi i akorduar nga Ministria e Financave për Ministrinë e Brendshme, vetëm për menaxhimin e emergjencës civile, por ajo që dihet me siguri është fakti se buxheti i shtetit po vuan për shkak të disa pasojave. Nevoja për ndihma dhe nga ana tjetër, kërkesa e vazhdueshme e KESH-it për fonde për të siguruar importe të mjaftueshme, e vendosën qeverinë në situatë të vështirë. Në arkën e saj janë vendosur në dispozicion për të gjithë vendin rreth 2 miliardë lekë, vetëm për ngjarjet e paparashikuara. Ky fond është përdorur për KESH-in, ndërsa për menaxhimin e emergjencave Ministria e Financave ka përdorur skemën e kompensimit përmes ministrive. Mungesa e parave nuk ishte vetëm ky tipar i situatës. Debati mbi menaxhimin e situatës përfshiu forcat politike dhe ekspertët. Opozita nuk vonoi me planin e saj, ndërsa Kryeministri kërkoi më shumë solidaritet mes banorëve. Eksperti i njohur i ekonomisë, Artan Hoxha, vëren faktin se, ndoshta duhet të ishte bërë më mirë, por ama, shton ai, krahasuar me vitet e kaluara, ndërhyrja e qeverisë me mjete të ndryshme është rritur. Sakaq, lajmet për borxhin shqiptar dhe shërbimin e tij nuk janë të mira, duke shkaktuar komplikim edhe më të madh. Interesi i bonove me afat 12-vjeçar arriti në 7.2 për qind, nga 7 për qind që ishte dy javë më parë. Qeveria kishte nevojë të dëshpërueshme për fonde, kur ende nuk ishim në situatë emergjente nga moti, ndërsa tani bashkë me KESH-in, çështja bëhet më e vështirë, madje deri në atë pikë sa shumë firma rrugësh nuk kanë marrë ende paratë për punët e kryera. Ndikimet në ekonomi Askush nuk mund të thotë me siguri se çfarë pasojash do të ketë për ekonominë e vendit situata e krijuar në disa zona për shkak të borës, duke pasur parasysh edhe faktin tjetër se shkrirja në ditët e ardhshme mund të shkaktojë edhe përmbytje. KESH pret me padurim këtë reaksion pasi Fierza ndodhet nën nivelin e 260 metrave mbi nivelin e detit, ndërsa prodhimi është afro 15 milionë kilovatë, kurse pjesa tjetër importohet me çmime stratosferike. Që këtu nis diskutimi mbi mundësinë e shkurtimit të buxhetit. Ministri i Financave e ka pranuar, ndërsa Kryeministri deklaroi hapur se do të mbështeste korporatën për blerjen e dritave nga jashtë, pavarësisht kostove. Tregtia u pezullua tërësisht me qytetet e Kosovës dhe Tiranën ka filluar të japë shenjat e para të rritjes së çmimeve në qytetin e Kukësit. Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Bujqësisë, familjet e këtyre zonave po përballen me vështirësi të furnizimit me ushqim për kafshët. Temperaturat e ulëta pritet të zvogëlojnë prodhimin e drurëve frutorë të Dibrës, ndërsa në Ultësirën e Shkodrës, ajo çka mund të parashikohet tani është vetëm një vonesë 7-10% në prodhimin e perimeve. Moti i keq ka gjunjëzuar edhe një biznes “të çeliktë” si “Kurum”, i cili prej rreth një viti ka ngritur uzinën e përpunimit të çelikut në Kukës. Administratori i “Kurum”, Zeki Kaya, shprehet se, bizneset kanë ngrirë në zonën e Kukësit dhe pjesa më e madhe e rrugëve janë të pakalueshme. “Për fat të keq, ne nuk mund të fillojmë në mënyrë intensive aktivitetin industrial për disa arsye që janë përtej kontrollit tonë”, thotë z. Kaya. Ai shton se, edhe tregtia e jashtme është tërësisht e bllokuar. Sipas administratorit të “Kurum”, “tregtia jonë me Kosovën është ndikuar shumë negativisht, ndaj duam të shikojmë në mënyrë urgjente privatizimin e të gjitha rrugëve, përfshirë rrugën Tiranë-Durrës”. Dëmtime vlerësohet të këtë pësuar një tjetër biznes i mbuluar nga bora. Ndonëse nuk kanë ende një përllogaritje, përfaqësuesit e minierës së kromit në Bulqizë (ACR) tregojnë se aktiviteti ka rënë, pasi një pjesë e mirë e punëtorëve që banojnë në fshatrat përreth nuk kanë arritur të vijnë në punë. Nga ana tjetër, ata shtojnë se u janë rritur kostot e shpenzimeve, pasi kanë vënë në funksion pompat e tërheqjes së ujit nga galeritë. Problemi imediat, ushqimi për kafshët Drejtuesit e Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se po ndjekin me vëmendje situatën e krijuar nga reshjet e borës në zonat e Veriut dhe të Jugut të Shqipërisë. Sigurisht që parësore në këtë situatë është sigurimi i jetës së njerëzve dhe i ushqimit për popullsinë e zonave të izoluara, por përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë pohojnë se po vëzhgojnë sektorin e në mënyrë të veçantë, bazën ushqimore të blegtorisë. Zëvendësministri i Bujqësisë Ndoc Fasllia, thotë se, “nuk ka pasur probleme serioze sa i përket të ushqyerit të blegtorisë deri në mes të javës së kaluar”. Por ai thekson se, probleme kanë filluar të shfaqen në Qarkun e Kukësit, në zonën Kolesjan- Kala e Dodës, pasi për shkak të bllokimit të rrugëve është i pamundur transportimi i bazës ushqimore pranë stallave të bagëtive. Nisur nga tradita e viteve të kaluara, shumë fermerë të kësaj zone blejnë bazë ushqimore (jonxhë, bar etj.) në Kosovë duke e porositur dhe paguar atë gjatë vjeshtës për ta përdorur pastaj në dimër. Baza ushqimore e porositur dhe e parapaguar në Kosovë deri më tani nuk mund të transportohet, për shkak të bllokimit të rrugëve. Në zonën e Dibrës, problemit aktual të bazës ushqimore i shtohet edhe dëmtimi i pemëve frutore e vreshtat. Një fakt i pohuar nga vetë banorët, por i konstatuar edhe nga Ministria e Bujqësisë. “Evidentimi i saktë i numrit të pemëve të dëmtuara është i vështirë për momentin, por me përmirësimin e situatës, Ministria e Bujqësisë me strukturat e saj në rajone do të bëjë një evidentim të saktë dhe do të japë edhe rekomandimet e nevojshme teknike për fermerët”, thotë z. Fasllia. Problemet e vërejtura aktualisht janë vetëm maja e ajsbergut të kostove që sollën reshjet pa mbarim për ditë të tëra. Në zonat e thella malore, bujqësia është më pak e zhvilluar dhe rrjedhimisht edhe dëmi është më i ulët (aktualisht nuk ka pasur të mbjella). Por temperaturat kanë shtrirë efektin edhe në një zonë të angazhuar në prodhimin e perimeve e rritjen e bimëve dekorative. Vetëm pak ditë më parë, një prej kultivuesve kryesorë të bimëve dekorative në Ultësirën e Shkodrës, shpalli falimentin e aktivitetit të tij. Agron Jaku nga Komuna e Dajçit tregon se i dha fund angazhimit të tij në rritjen e pemëve, pas gjashtë vitesh dështimi. Dy vitet e kaluara, prodhimet e tij u dëmtuan nga përmbytja. Temperaturat e ulëta kanë dëmtuar rreth 70% të aktivitetit bujqësor të kësaj zone. Më pak janë prekur prodhuesit e perimeve në sera. Sipas vlerësimeve nga Ministria e Bujqësisë, “rënia e ndjeshme e temperaturave ditët e fundit ka krijuar probleme për kultivuesit e perimeve në sera në Ultësirën Perëndimore të vendit. Për shkak të motit të ftohtë, prodhimi nga serat këtë vit mund të vijë me 7-10 ditë vonesë, krahasuar me sezonin normal”. Zv. ministri Fasllia shpjegon se, Ministria e Bujqësisë me strukturat e saj në varësi, është pjesë e shtabeve të emergjencës të ngritura në të 4 qarqet dhe po mban kontakte të vazhdueshme me fermerët. Ndërhyrja 500 Ishin forcat e ushtrisë. Ky numër erdhi në rritje, nga 220 që ishte në ditët e para 100 Numri i mjeteve të transportit dhe tonazhit të lartë, në dispozicion të hapjes së rrugëve 180 Kilometra, pjesa e rrugëve të bllokuara, ose 6 për qind ndaj totalit, thonë Transportet Dëmet sipas qyteteve Pemët frutore – Dibër Perime e drurë dekorativë- Nënshkodër Rreziku, mungesa e ushqimit për kafshë Burimi: MBUMK Si të menaxhohen emergjencat Nga Ismail Beka Shoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar (GIZ) Ndryshimet klimaterike këto vitet e fundit e kanë prishur rregullsinë e fenomeneve natyrore. Ndaj, duhet të punojmë dhe të planifikojmë sikur çdo vit mund të kemi ngjarje të tilla apo edhe më të vështira Me shqetësim të madh si qytetar, por edhe me lidhjet e punës me mjaft zona malore të Shqipërisë, po e përjetoj këtë situatë të pazakontë dhe uroj që të kalojë sa më shpejt e të ketë sa më pak dëme. Por në kuadrin e diskutimeve për menaxhimin e kësaj situate dhe të tjera si kjo që kanë ndodhur në dimrat e kaluar (me përmbytje apo izolim bore në dimër e zjarret e pyjeve në verë), është qartësisht e kuptueshme se është bërë shumë e vështirë të parashikohet në kohë dhe të ndërhyhet shpejt. Me një sistem të tillë menaxhimi, ku çdo gjë vendoset në një sistem qendror të centralizuar, e ka bërë shumë të vështirë dhe të kushtueshëm. E pajustifikueshme është që të mbetemi te trajtimi i këtyre situatave si ngjarje të ndodhura një herë në 30-50 apo 100 vjet. Ndryshimet klimaterike në botë, por edhe në Shqipëri, këto vitet e fundit, e kanë prishur rregullsinë e këtyre fenomeneve natyrore. Ndaj, kjo na dikton të punojmë dhe të planifikojmë sikur çdo vit mund të kemi ngjarje të tilla apo edhe për t’u përgatitur për raste më të vështira se këto. Ajo që vjen sot në të gjithë informacionin e ditës, ka të bëjë me disa nga problemet madhore, të cilat nuk janë vetëm fenomene të gjendjes së jashtëzakonshme, por probleme të vazhdueshme të çdo periudhe dimri ose edhe gjithëvjetore. Pra, ne sot kemi efekte që vijnë jo vetëm nga menaxhimi për momentin i krizës, por nga mungesa e ndjeshme në qeverisjen gjithëvjetore. Veçanërisht të zonave malore në Shqipëri. Kur flasim për krizën duhet ta ndajmë në dy nivele: komunë dhe fshat. Sot problemi më i madh është në nivel fshatrash, pasi ato janë shumë të shkëputur dhe i kanë të pamundur të marrin ndihma nga komuna. Njësia bazë e fshatit me kryepleqtë është mënyra më e drejtë për të vlerësuar situatën dhe për të organizuar operacionet e ndihmës. Marrim si shembull fshatin Theth, një ndër më tipikët në zonën e Dukagjinit (Komuna e Shalës), fshat që e njoh mirë dhe me banorët jam vazhdimisht në kontakt. Në Theth janë mbi 20 familje që banojnë në dimër dhe që momentalisht ndodhen krejtësisht të izoluar dhe deri tani (në datën 17.02) pa asnjë veprim konkret të ndërmarrë me asnjë lloj ndërhyrje emergjence. Si përballet Thethi me gjendjen e jashtëzakonshme të dimrit: Së pari, rrugët automobilistike që lidhin fshatrat me qendrat e komunave ose qytetet më të afërta. Vetë Thethi ndodhet 12 kilometra nga qendra e komunës dhe në rastin më të mirë në verë kjo rrugë (nëse mund të quhet e tillë) përshkruhet vetëm me furgona “të specializuar” dhe zgjat rreth një orë. Hapja ose mbajtja e hapur e tyre gjatë dimrit është detyrë e harruar. Në çdo dimër, rruga kryesore që lidh Bogën me Thethin qëndron e bllokuar sapo fillon bora e parë në muajin dhjetor dhe deri në fillimin e verës (mesi i muajit maj) nuk bëhet asnjë përpjekje për ta hapur. (Përjashtim ka bërë viti 2011, kur u arrit të hapet në fund të prillit, pasi ishin zgjedhjet për pushtetin lokal). Pra është krejtësisht e paimagjinueshme që në kushtet e kësaj bore të mund të pretendosh të hapësh këtë rrugë si emergjencë. Komunikimi: është kthyer në problemin më të madh të kësaj kohe, për faktin se në shumë fshatra nuk ka më energji elektrike, për pasojë nuk mund të karikohen celularët ose antenat e telefonisë celulare e humbasin funksionin, kur për një periudhë të gjatë nuk furnizohen me karburant nga izolimi i rrugëve. Kjo i ndodh Thethit çdo dimër, me të paktën dy komani celulare. Energjia elektrike: është luks kur zonat e thella malore të kenë furnizim të rregullt me energji në çdo periudhë të vitit, jo më në një kohë të stuhishme e me kaq borë sa ato kanë. Thethi përbën një rast shumë tipik pasi edhe në verë nuk ka energji elektrike, edhe pse është një destinacion shumë i rëndësishëm turistik. CEZ as që është prezent atje dhe në shumë fshatra të tjera. Kjo gjendje duhet njohur e në nivele qendrore duhet menduar edhe për zgjidhje alternative: Nëse do ta trajtojë vetëm për të ruajtur emergjencën e komunikimit, sot teknologjitë e reja i mundësojnë pa kosto shumë të larta ndriçimin me fotovoltaik dhe me mundësinë që edhe celularët të mund të karikohen me to. Në të njëjtën mënyrë edhe për telefoninë. Kur nuk ka asnjë mundësi komunikimi me rrjetet e telefonive celulare që operojnë në Shqipëri, mund të blihen disa telefona satelitorë (të rangut 500-600 euro) për t’jua vënë në dispozicion në fshatra të tillë dhe me to të komunikohet. Ndihmat banorëve për sigurinë nga ana shëndetësore: ky përbën problemin më të madh, për të cilin shteti ndodhet në gjendjen më të papërgatitur për sa i përket kësaj kategorie fshatrash. Në Theth nuk ka infermierë për momentin, pasi personeli i infermierëve (që rrinë në verë në Theth si personel i shtuar) është nga Shkodra dhe në këtë periudhë nuk qëndrojnë në Theth. Pra nuk ka fare asistencë shëndetësore atje. Në këto kushte është e pamundur pritja e asistencës shëndetësore nga qendra shëndetësore e Shalës. Edhe në këtë drejtim Thethi nuk përbën një rast të rrallë, pasi ka shumë fshatra të tjerë ku nuk ka fare personel shëndetësor në dimër. Ndihma ushqimore duket momentalisht si një veprimtari “spektakolare” e organizuar nga ajri e pothuajse në çdo rast edhe me gazetarë shoqërues, ku disa paketa me përmbajtje fikse që hidhen me helikopterë në fshatra, nuk arrijnë të plotësojnë nevojën dhe krijojnë më shumë pritshmëri të pamundur te fshatrat e tjera apo te banorët e tjerë brenda së njëjtës komunë. Nuk mendoj se ka më mundësi që shteti të krijojë rezerva të mëdha ushqimore fizike dhe t’i dislokojë ato në magazina të mëdha e të fillojë t’i shpërndajë në kohë krizash ose fatkeqësish. Por, ka praktika të tjera, shumë më pak të kushtueshme, por edhe më të menaxhueshme për të qenë pranë njerëzve në nevojë. Më konkretisht. Sot në çdo fshat ka dyqane private, ku fshatarët blejnë ushqimet e tyre gjithë vitin, ose zbresin edhe në qytete e blejnë me shumicë për periudha dimërore. Pronarët e dyqaneve në fshatra janë lehtë të identifikuar dhe në çdo sezon vjeshte me to mund të bëhen kalkulime për nevojat dimërore të komuniteteve të banorëve që e kalojnë dimrin në fshat dhe atyre mund t’u akordohet një fond financiar si kredi pa interes për të mbajtur ushqime rezervë (miell gruri, vaj, sheqer, fasule, koncentrat për blegtorinë) dhe në pranverë bëhet bilanci i tyre dhe shlyhet detyrimi mbrapsht, për gjithë vlerën e fondit ose duke zbritur pjesën e përdorur nga komuna si emergjencë. Po kështu, familjeve të këtyre fshatrave që jetojnë gjithë dimrin në fshat iu paguhet ndihma ekonomike dhe çdo pagesë tjetër si ndihmë sociale dhe pensione për 3-4 muaj në avancë, çka do t’ju mundësojë atyre blerjen e rezervave ushqimore në kohë. Të dyja këto operacione financiare janë shumë herë më pak të kushtueshme, por shumë efektive. Dhe kjo kërkon vetëm planifikim e qeverisje të mirë, planifikim dhe menaxhim në nivel rajonal e lokal. Përgjegjësia e momentit është shumë më tepër punë e ndihmë dhe sa më pak propogandë e politikë. Shumë shpejt pas kësaj krize duhet të përgatitemi për të ndryshuar gjendjen. Të mos e vrasim shpresën e atyre që besojnë tek e ardhmja në zonat malore dhe mbështetja e shtetit, pasi nuk mund të pranojmë që kemi një shoqëri që kërkon të integrohet në Europë, e cila për disa muaj të vitit është e izoluar nga vetë pjesa tjetër e Shqipërisë. Flet Prof. Anastas Angjeli Mjaft me justifikime, qeveria ndërhyri me vonesë Prej më shumë se një muaji, një pjesë e vendit është e izoluar nga bora, duke vënë në vështirësi me mijëra banorë. Në këndvështrimin e parë, si ju duket menaxhimi i situatës nga qeveria? Situata si këto të këtij dimri janë padyshim jo të lehta për t’u menaxhuar, por ajo që të tërheq vëmendjen është fakti se ne “po mësohemi me disa shprehje shabllon” që ky është viti më i vështirë në 25-30 vitet e fundit, apo siç theksuam vitin e kaluar kur ndodhën përmbytjet në Shkodër, apo kur nuk menaxhojmë situatën energjetike si duhet dhe “fajësojmë” thatësirën etj., etj. Askush dhe për më tepër qeveria nuk mund të justifikohet me qëndrime të tilla, edhe pse vërtet dimri i sivjetshëm është i rrallë dhe ka përfshirë Europën. Kjo sepse përvoja qeverisëse dhe ajo e grumbulluar për rastet e situatave emergjente nuk mungon, tanimë. E kam fjalën që sot jetojmë në shekullin e teknologjisë më të zhvilluar të informacionit dhe padyshim edhe në atë të parashikimeve meteorologjike. Kjo do të thotë se parashikime për zhvillimet e motit në hapësirën e vendit tonë ekzistojnë. Kjo nuk mund të mos jetë objekt i vëmendjes së institucioneve të ngarkuara me ligj për menaxhimin e situatave të emergjencës. Mënyra se si reagojnë këto institucione, edhe vitin e kaluar në rastin e përmbytjeve në Shkodër, edhe sivjet nga reshjet e dëborës, është sikur gjithnjë na gjejnë në “befasi, të paditur e të papërgatitur”?! Kështu ndodhi edhe këtë radhë. Reagimi ishte i vonuar institucionalisht, nuk kishte një skenar masash të ndërhyrjes emergjente me mjete infrastrukturore dhe medikamente dhe elemente të tjerë, mungonte informacioni dhe bërja publike e tij në kohë që të kishte reagimin dhe bashkëpunimin efikas të komuniteteve, organeve dhe autoriteteve. Ndërsa nga njëra anë thuhet se “…situata është e jashtëzakonshme…” ndërsa veprimet që ndërmerren, për më tepër “sjellja” e institucioneve të ngarkuara për këto situata, është sikur jemi në situatë normale. Jo, kjo nuk mund të funksionojë suksesshëm në këtë mënyrë. Ajo që bie në sy në këtë situatë është menaxhimi i fondeve publike, ku mungojnë të dhënat, se si dhe sa po shpenzohet dhe ku duket qartë se qeveria e ka të pamundur të përgjigjet në kohë. Cili mund të ishte mekanizmi i duhur financiar për të përballuar situatën? Nuk është çështja se mungojnë të dhënat. Së pari, ajo që duhet konsideruar është që, kur bëhet parashikimi buxhetor tashmë, veç fondit të kontingjencës dhe fondit rezervë, duhet të ketë një këndvështrim dhe reagim më realist si në buxhetin qendror, ashtu dhe në atë vendor, për përballimin e situatave të tilla, të cilat nga të zakonshme po kthehen në të jashtëzakonshme. Së dyti, reagimet buxhetore janë të lidhura me reagimet institucionale dhe skenarët e emergjencës që duhet të mbulohen financiarisht, çka siç e theksova më sipër, mungojnë. Së fundmi opozita edhe pse ka propozuar një platformë, sërish politika (reagimi i mazhorancës) nuk gjen gjuhën e përbashkët për zgjidhjen e problemit të emergjencës. Cili është komenti juaj? Opozita është opozitë, ajo nuk ka institucione që reagojnë praktikisht në terren për përballimin e situatave të tilla. Detyra e saj është që të jetë pranë popullsisë së goditur nga fatkeqësi të tilla dhe atë ajo po e bën mjaft mirë, të propozojë programe dhe alternativa për zgjidhjen e problemeve dhe këtë gjithashtu po e kryen. Opozita afron bashkëpunim dhe gatishmëri të plotë kooperimi. Natyrisht divergjenca alternative ka, por momenti është që mazhoranca, e cila ka përgjegjësinë për zgjidhjen e problemeve përmes institucioneve të ngarkuara me ligj, të mirëpresë këtë bashkëpunim në mënyrë më konstruktive. Situata të tilla kapërcehen me mirëkuptim e bashkëpunim mes forcave politike, institucioneve të shtetit, autoriteteve lokale, shoqërisë civile dhe komunitetit.

Revista Monitor, 20.02.2012