Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosovë: Organizata STARS, tarifat e reja të enrgjisë nxisin valë shtrenjtimesh. Reagon KEK-u

Kërkesa e Korporatës Energjetike të Kosovës për shtrenjtimin energjisë elektrike  në masën 23 për qind, është e kuptueshme vetëm në kuadër të kornizave bilancore të KEK-ut, mirëpo , miratimi i saj do të paraqet ngarkesë të madhe për konsumatorët dhe njëkohësisht mund të jetë gjenerator i inflacionit, i cili edhe ashtu është në rritje.
Norma e rritjes të cilën e kërkon KEK-u nuk buron nga ambienti ekonomik, e as nga trendet inflatore në vend. Ajo vjen pas trysnisë së shpenzimeve operative që sivjet duhet t’i bëjë KEK-u.  Ato janë në përputhje me të hyrat prej 239 milionë euro, apo 23 për qind më të larta, përkatësisht 45 milionë euro.
Duke pasur parasysh edhe rregullat e reja për llogaritjen e tarifave, për shtrenjtimin e energjisë elektrike ndikim më të madh ka kostoja e importit të e energjisë në një shumë prej 44 milionë eurosh. Paratë duhet të sigurohen nga të hyrat e KEK-ut, së paku 21 milionë euro,  dhe si subvencion nga Qeveira e Kosovës, i cili është 50 për qind më i ulët se në vitin 2010.
Në të njëjtën kohë prapa kësaj kërkese  qëndron insistimi i kësaj korporate që me çmime të rritura të mbuloj performancën e dobët. Sa do që nuk mund të mohohen të arriturat e shënuara viteve të fundit, kur humbjet u zvogëluan 11 për qind, megjithatë këtu ende qëndrojnë potenciale të mëdha financiare.
Kjo është e qartë  kur përmendet se kërkesat e KEK-ut nga konsumatorët sillen rreth 400 milionë euro, kurse 40 për qind e energjisë humbet. Për zvogëlimin humbjeve teknike, të cilat aktualisht janë 16,6 për qind, duhen investime, mirëpo është krejtësisht reale të kërkohet zvogëlimi i humbjeve komerciale. 
Për këtë duhet mobilizim i shumë institucioneve shtetërore,në të njëjtën kohë edhe një qasje shumë më e përgjegjshme dhe me profesionale e punëtorëve të KEK-ut. Ata nuk duhet të dorëzohen përballë presioneve të ndryshme për fshirjen e borxheve, ndërsa korporata të përforcoj mekanizimin kontrollues dhe ndëshkues për parandalimin e keqpërdorimeve dhe të mitëmarrjes nga punëtorët e saj ën teren.
Me masa të këtilla, sikur të arrihet që të arkëtohen 10 për qind të shumës së borxhit, atëherë KEK-u siguron gati të gjitha paratë e kërkuara përmes rritjes së tarifave.
Shtrenjtimi i energjisë elektrike  nuk duhet të ndodhë as për faktin se çmimi i saj është më i ulëti krahasuar me shtet e rajonit.
Një kilovat orë energji elektrike në Kosovë është 44  për qind në lirë se në Shqipëri, pastaj  me Bosnjën – 10 për qind; Bullgarinë -30,3 për qind; Kroacinë – 49,7 për qind; Maqedoninë – 28 për qind; Malin e Zi- 16,5 për qind; Rumaninë – 37,6 për qind dhe  Serbinë – 16,1 për qind.
Por, kur bëhen këto krahasime duhet pasur parasysh se Kosova ka nivelin më të lartë të varfërisë dhe të papunësisë në krahasim me shtetet e përmendura, ndërsa GDP-ja e saj për kokë banori  është 2,5 herë më e ulët se në Shqipëri e në Bosnjë e Hercegovinë, apo gati katër herë më e ulët se në Mal të Zi.
Kjo dëshmon se moment social në të cilin gjendet Kosova nuk arsyeton në asnjë mënyrë shtrentimine energjisë elektrike 23 për qind. Për më keq, një rritje e këtillë  do të ishte nxiste një cikël të ri të shtrenjtimit të prodhimeve dhe shërbimeve vendore.
Duke u bazuar në të gjitha faktet e përmendura  kërkojmë:
a) Që Zyra e Rregullatorit të Energjisë gjatë shqyrtimit të kërkesës së KEK-ut të analizoj deri në detaje momentin social në të cilin është vendi;
b) Të insistoj që nevojat të KEK-ut për para shtesë të mbulohen nga rritja e arkëtimit të borxheve të vjetra dhe zvogëlimit të humbjeve;
c) Që Qeveria e Kosovës të kërkoj mobilizim të të gjitha institucioneve që mund të ndihmojnë KEK-un për arkëtimin e borxheve;
d) Po ashtu Qeveria e Kosovës  të kërkoj nga KEK-u dhe nag ZRRE-ja që për muajt me temperature polare të ngrisë limitin e sasisë së energjisë së lejuar për konsum për familjet në asistencë sociale, së paku 50 për qind.

Sqarim ndaj reagimit të Organizatës STARS    
KEK sh.a. shpreh mospajtime në lidhje me reagimin e organizatës STARS rreth aplikimit tarifor. Kjo organizatë thotë se kërkesa për rritje vije si pasojë e shpenzimeve operative të korporatës. Kjo nuk qëndron, sepse në aplikimin për rritje të tarifave, korporata nuk ka paraparë rritje në shpenzimet operative, përkundrazi ka paraparë zvogëlim të tyre.
Sa i përket humbjeve komerciale, korporata edhe në aplikimin tarifor ka paraparë zvogëlim të tyre dhe trendet edhe këtë vit janë pozitive, pra në janar 2012 në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar kemi zvogëlim prej 6 për qind.
Kjo organizatë thirret edhe në mungesën e përformancës së korporatës. Ky konstatim nuk qëndron sepse korporata gjatë vjetëve të fundit ka treguar përformancë për lakmi. Është shënuar rritje e vazhdueshme në të gjithë parametrat, si në prodhim të qymyrit, të energjisë elektrike, të faturimit dhe të inkasimit. Madje, në dy parametrat e fundit rritja ka qenë vazhdimisht dyshifrore.
Sa i përket kërkesës së organizatës për zvogëlim të borxhit, korporata e ka këtë mision. Aplikimi tarifor bëhet për t’u mbuluar kostoja e prodhimit dhe distribuimit të energjisë elektrike, pra për energjinë që prodhohet, shpërndahet dhe u faturohet konsumatorëve brenda një viti.
Sa i përket kërkesës për 23 për qind, ky ka qenë obligim ligjor i korporatës në bazë të metodologjisë tarifore të aprovuar nga ZRRE, që është obligative për KEK-un. Por, në aplikim kjo përqindje nuk është strikte, sepse janë ofruar edhe dy variante, pra për rritje 12 për qind, deri në variantin e fundit ku kërkohet që rritja të jetë 9 për qind.

energjia.al, 14.02.2012