Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

NASIP NAÇO: Koha për bursën shqiptare

Prej disa vitesh Shqipëria është duke iu shmangur një prej krizave më të rënda ekonomike që ka kapluar Europën dhe botën. Për shkak edhe të politikave të kujdesshme financiare të miradministrimit strikt të pronës publike dhe të lëvizjeve strategjike ekonomike, vendi ynë ka arritur jo vetëm të mos preket deri tani nga kriza, por edhe të ketë rritje ekonomike, jo në nivelet e mëparshme, por gjithsesi, të kënaqshme. Megjithatë, ambicia jonë, si një vend në zhvillim, nuk është të përballojmë krizën, por të rrisim zhvillimin ekonomik, madje me hapa të shpejtë.
Një nga e elementet bazë për këtë synim është edhe bursa, apo tregu i kapitaleve. Themelimi i bursës shqiptare është bërë që prej tetorit të largët të vitit 1996, por deri më sot, pra për rreth 16 vjet, asnjë kompani nuk është listuar në këtë bursë. Për shkaqe politike, për pamundësi ekonomike apo për gjithçka tjetër, bursa shqiptare nuk ka funksionuar. E, në këtë mënyrë, në shtetin tonë ka lulëzuar informaliteti, shmangia e detyrimeve, përfitimet e padukshme, por edhe të dukshme, duke shfrytëzuar mangësitë ligjore. Ka ardhur koha që vendi ynë ta ketë këtë ingranazh kaq të rëndësishëm për ekonominë dhe financat e tij, këtë ndihmesë të madhe për formalitetin e ekonomisë dhe ndihmën e paçmuar financiare që i jepet shtetit. Një amendim në nenin 105 në ligjin “Për titujt”, iniciativë e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës në bashkëpunim me Bursën e Tiranës, është projektligji që do të paraqitet shumë shpejt në Kuvend nga METE. Unë premtova para pak javësh në Kuvendin e Shqipërisë, gjatë mbrojtjes së miratimit të ligjit për shitjen 100% të paketës së shoqërisë “Albtelekom”, se do të sjellim në Kuvend ndryshimet përkatëse ligjore për t’i dhënë mundësi paketës së aksioneve minoritare në shoqëritë e mëdha, të rentabilizohen nëpërmjet shitjes së tyre edhe në tregjet financiare. Me pak fjalë, me vënien në funksionim të bursës pas miratimit të ndryshimeve në ligjin “Për titujt“, çdo aksioner në minorancë në të gjitha shoqëritë e mëdha shqiptare, ku hyn edhe shteti ynë, mund të shesë, të përfitojë apo të shtojë aksionet e tij në Bursën shqiptare, duke vendosur vetë për pasurinë e tyre, sado e vogël qoftë.
Privatizimet shqiptare deri tani në shumicën e rasteve kanë rezultuar të suksesshme, por ka pasur raste, atje ku shteti dhe qytetarë shqiptarë kanë mbajtur një pakicë aksionesh, ku këta të fundit nuk kanë mundur të përfitojnë nga këto aksione duke marrë dividentin apo të ndikohej sa dhe si duhet në përmirësimin e menaxhimit të këtyre kompanive. Pikërisht hyrja në punë e bursës rregullon këtë handikap të madh. Jo vetëm që çdo qytetar shqiptar merr dividentin për çdo aksion, por listimi në bursë detyron dhe çdo kompani të shtojë investimet, me qëllim që të rrisë vlerën e aksioneve të saj në treg. Nga ana tjetër, Bursa shqiptare nxit dhe zhvillon tregun e kapitaleve dhe njëkohësisht krijon likuiditet në treg. Por, përveç rritjes ekonomike dhe financiare, krijimi i një tregu kapitalesh të suksesshëm ndihmon në promovimin e vendit tonë si një shtet ligjor funksional, sipas standardeve ndërkombëtare.
Krijimi i tregut të kapitaleve është një magnet për investime dhe për zhvillimin e sektorit privat, duke ndihmuar në lëvizjen e kapitaleve, në vënien në funksionim të kapitaleve “të fjetura”, si dhe minimizon rrezikun e skandaleve financiare.
Një nga përfitimet më të mëdha të krijimit të këtij tregu është eliminimi i informalitetit. Kjo ka ndodhur me të gjitha vendet e rajonit, të cilat, me anë të detyrimeve ligjore, e kanë kanalizuar tregun e aksioneve në Bursë, që është një treg i organizuar dhe i mirëkontrolluar.
Nga ana tjetër, në mungesë të një tradite financiare në tregun e letrave me vlerë, konsiderimi dhe aplikimi i kësaj nisme nga ana jonë, pra e qeverisë, do të rrisë besueshmërinë në treg si dhe do të japë një mesazh të fuqishëm bashkëpunimi për biznesin vendas dhe të huaj. Po ashtu do të rritej transparenca e shoqërive aksionere, pasi emetimi i letrave me vlerë në Bursë kërkon domosdoshmërisht transparencë të treguesve ekonomikë dhe pasqyrave financiare. Kjo praktikë, ka rezultuar e suksesshme në vendet fqinje, si Maqedoni, Mal i Zi, Kroaci etj.
Sipas të gjitha të dhënave paraprake, vendi ynë ka nevojë për vënien në eficiencë të Bursës së Tiranës. Kjo do t’i rrisë atij jo vetëm kredibilitetin financiar dhe ekonomik, por edhe do të t’i japë një goditje të fortë informalitetit, fenomeneve korruptive dhe abuzimeve me interesat e aksionerëve apo investitorëve të vegjël. Jemi përpara hedhjes së një hapi të rëndësishëm përsa i përket të ardhmes së vendit tonë. Le ta hedhim të gjithë së bashku.

Gazeta Panorama, 31.01.2012