Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Pese artikuj mbi disa nga problemet e energjise ne vend!!!

“Errësira” shqiptare e shekullit të 21-të në SHBA
Një banor i fshatit Shtuf në komunën Ana e Malit të Shkodrës ka përfunduar në faqet e gazetës së njohur amerikane “Los Angelos Times”. Paradoksi qëndron në jetën e përditshme të këtyre banorëve, të izoluar mes maleve dhe që vazhdojnë të ndriçohen ende me dritën e qirinjve.
E përzgjedhur mes mijëra imazheve që vijnë nga e mbarë bota, “Los Angelos Time” e ka vendosur këtë pamje të Shqipërisë të shekullit të 21-të në rubrikën e saj të foto-lajm. Shkrepja është realizuar nga Armando Babani vetëm pak kohë më parë në këtë fshat të thellë të malësisë së Shkodrës, e cila që prej disa ditësh është izoluar edhe nga reshjet e mëdha të dëborës, ndërsa energjia elektrike është një luks për ta në këtë periudhë të vitit.

Gazeta Shqiptarja.com, 29.01.2012

CEZ gjobit tre shkolla, kryekomunari: Energjia është paguar, po bëhen abuzime
CEZ gjobit me vlerën e rreth 800 mijë lekëve tre shkolla në Komunën Ana e Malit me pretendimin se janë gjetur në matësit elektrik 54 mijë kw orë të pamatura. Ndërkohë, ka reaguar kryetari i kësaj komune, Xhevat Molla, i cili ka denoncuar në mënyrë publike një veprim të tillë, duke e quajtur të padrejtë dhe të paargumentuar. Mësohet se Komuna e Ana e Malit ka bërë padi në gjykatë. Dy shkolla 9-vjeçare dhe një e mesme janë gjobitur nga kompania CEZ me rreth 800 mijë lekë të gjitha së bashku, pasi nga kontrollet që ato kanë ushtruar ka rezultuar se nuk është paguar sasia e energjisë së harxhuar. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryekomunarit Molla, i cili ka bërë me dije se ky problem është dërguar në gjykatë. “U habitëm kur mësuam se CEZ-i paska marrë masë për gjobitjen e tre shkollave në komunën tonë. Për këto masa administrative të CEZ-it nuk është vënë asnjeri në dijeni, as drejtuesit e shkollave dhe asnjë person nga komuna. Megjithëse ne u munduam të mësonin diçka më shumë apo të marrim vesh se çfarë ka ndodhur, këto të fundit nuk kanë pranuar të na japin asnjë informacion”, – është shprehur Xhevat Molla. Ndërkaq, ky i fundit ka bërë me dije se komuna ka shlyer të gjitha detyrimet që i detyrohet CEZ-it në lidhje me konsumin e energjisë elektrike të tre shkollave në këtë zonë. “Nga sa kemi arritur të marrin vesh në rrugë të tjera, përgjigja e specialistëve të CEZ-it ka qenë se fajin e kanë drejtorët e shkollave, pasi kanë qenë këto të fundit që kanë lëvizur në mënyrë të paligjshme sahatet. Kjo është tejet absurde”, – ka thënë Molla. Sipas tij, drejtorët e shkollave nuk kanë asnjë lloj arsyeje që ta bëjnë një veprim të tillë, pasi faturat për konsumimin e energjisë të shkollave paguhen nga njësitë vendore, e në rastin konkret nga komuna Ana e Malit.

Gazeta Shqiptare, 28.01.2012

Energjia: Procedim penal për Zyrën e Shërbimit të Klientit në Fier
Prokuroria e Rrethit të Fierit ka nisur një procedim penal ndaj degës së zyrës së shërbimit të klientit të kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike CEZ, që vepron në këtë qytet. Lajmi është bërë i ditur nga burime të akuzës, të cilat sqaruan se procedimi penal ndaj punonjësve të kësaj zyre për abuzime ka nisur pas kallëzimit të kryer nga disa qytetarë. Ndërkaq, mësohet se kanë qenë edhe kallëzime të kryera më parë, të cilat u janë bashkuar denoncimeve të mëvonshme, ku klientë të kompanisë CEZ akuzojnë se u është kërkuar të paguhen shuma më të mëdha nga ato që kanë shpenzuar. Tjetër fakt që i ka detyruar qytetarë të ndryshëm të kryejnë kallëzim penal për vjedhje ka qenë kërkesa e punonjësve të CEZ, të cilët u kanë kërkuar që të paguajnë kamatëvonesat e disa viteve më parë. Denoncuesit pretendojnë në kallëzimin e tyre se punonjësit e CEZ nuk iu kanë kërkuar që t’i paguajnë më parë këto kamatëvonesa, edhe pse ata kanë qenë të gatshëm t’i paguajnë ato. Mësohet se janë kamatëvonesa të papaguara që prej vitit 2008, të cilat punonjësit e CEZ kërkojnë që konsumatorët t’i shlyejnë tani dhe të gjitha njëherësh. Të ndodhur para kësaj situate denoncuesit kanë parë si rrugë të vetme të zgjidhjes së problemit të tyre prokurorinë, duke i akuzuar punonjësit e CEZ për abuzime dhe për vjedhje. Ndërkaq, burimet e organit të akuzës pohojnë se ka nisur procedimi penal për këtë çështje, por se ende nuk ka një emër konkret të marrë nën hetim. Mësohet se po verifikohen të gjitha kallëzimet dhe se ka nisur të kërkohet edhe baza ligjore mbi të cilën ushtron aktivitetin e saj kompania CEZ. Kjo kompani edhe pse pritej që të zgjidhte njëherë e përgjithmonë furnizimin me energji elektrike të konsumatorëve, prej kohësh vepron në mënyrë të papërgjegjshme, duke mos respektuar kontratën dypalëshe. Edhe hyrja në fuqi e kontratës së re, nuk ka sjellë ndonjë ndryshim. Kjo pasi ndërprerjet e energjisë elektrike vazhdojnë të jenë të shpeshta dhe pa paralajmërime në të shumtën e rasteve.

Gazeta Shqip, 27.01.2012

Jeta prej 2 muajsh me qiri
Për pak ka përfunduar ne përplasje fizike takimi mes 4 përfaqësuesve te “CEZ” dhe drejtuesve te komunës Kaçinar ne Mirditë, qe është prej dy muajsh pa drita. Përfaqësuesit e “CEZ” kane kërkuar qe banoret te paguajnë fillimisht 30% te shumës qe i detyrohen, qe te filloje ndërhyrjet për riparimin e rrjetit elektrik dhe vendosjen e transformatorit. Debatet mes palëve kane vijuar për afro 20 minuta, pa gjetur një zgjidhje. Banore dhe drejtues te komunës deklarojnë se do te bllokojnë autostradën Durrës-Kukës me date 1 shkurt, ndërsa me pas kërcënojnë me greve urie. Mungesa e energjisë prej dy muajsh e ka bere thuajse te pamundur jetesën për banoret e Kaçinarit. Kandili dhe qirinjte janë mundësia e vetme për te ndriçuar shtëpitë. Ndërkohë, nga ana e saj, kompania “CEZ” thekson se kjo zone është debitore ne masën 100%, por megjithatë do ndërhyhet për rilidhjen ne ditët ne vijim.

Vizion Plus, 27.01.2012

Gjirokastër, banorët ankohen ndaj CEZ
Më shumë se 10 mijë banorë të Dropullit të Sipërm në Gjirokastër pretendojnë se janë dëmtuar nga CEZ në mënyrë sistematike duke dëmtuar një pjesë të madhe të pajisjeve të tyre elektro-shtëpiake prej tensionit të dobët që mbërrin në këto zona.
Kryetari i komunës thotë se për shkak të luhatjeve të shpeshta në rrjetin shpërndarës elektrik, është dëmtuar i gjithë rrjeti kompjuterik i komunës dhe shumica e pajisjeve që funksionojnë me energji elektrike. Ai thotë se ka patur ndërprerje të shumta të energjisë dhe shton se fshati Koshovicë në kufi me Greqinë ka 1 muaj pa u furnizuar me energji.
Komuna ka investuar nga fondet e saj për blerjen e disa shtyllave të tensionit dhe transportit të tyre në vendin e caktuar, por edhe pas kësaj, situata nuk ka patur të zgjidhje.

TOP Channel, 27.01.2012