Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Faturat abuzive të CEZ-it dhe roli i Gjykatës

Muajt e fundit vihet re një dyndje e kërkesave të CEZ-it drejtuar Gjykatës, me objekt lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për faturat e palikuiduara të energjisë elektrike. Në pamje të parë çdo gjë duket normale, pasi vetë ligjvënësi i ka parashikuar këto fatura si titull ekzekutiv. Por, në fakt, midis faturave ligjore ka dhe nga ato të lëshuara në kundërshtim me ligjin. Të tilla janë:
1-Fatura afrofe. Të tilla janë ato fatura në të cilat nuk shënohet as leximi i mëparshëm i matësit, as leximi aktual, as konsumi real mujor, por bëhet një faturim i rrumbullakosur me hamendje dhe me subjektivitet të plotë. Këto fatura bëhen ndaj abonentëve që nuk janë të pajisur me matës. Nga përmbajtja e ligjit nr. 8662, datë 18.09.2000, shtuar me ligjin nr. 8735, datë 01.02.2001, rezulton se këto fatura nuk janë lëshuar në përputhje me nenin 36 të ligjit nr. 7928, datë 27.04.1995 e, për pasojë, nuk përbëjnë titull ekzekutiv.
Neni i sipërpërmendur përcakton se fatura tatimore duhet të përmbajë, midis të tjerash, sasinë e kilovatëve të konsumuar, çmimin për kilovat, vlerën pa TVSH, vlerën me TVSH. Këto të dhëna mungojnë në faturat afrofe. Kjo nënkupton që Gjykata duhet të rrëzojë kërkesën për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për këto fatura që nuk janë plotësuar në përputhje me nenin 36 të sipërpërmendur, pasi ato fatura nuk përbëjnë titull ekzekutiv.
2-Fatura ku faturohet dëm ekonomik. Në praktikën gjyqësore janë hasur fatura ku krejt në mënyrë subjektive, faturuesi ka shënuar një shumë lekësh në ngarkim të abonentit në zërin “dëm ekonomik”. Edhe kjo tip fature nuk përbën titull ekzekutiv në kuptim të dispozitave të përmendura në pikën 1. Dëmi ekonomik nuk mund të përcaktohet në mënyrë subjektive të njëanshme nga faturuesi. Nëse pretendohet një dëm i tillë, është Gjykata që me ekspert vlerëson nëse ekziston apo jo dëmi dhe në ç’masë. Kështu që kërkesa për lëshim urdhri ekzekutiv për këtë tip fature duhet rrëzuar, pasi fatura nuk përbën titull ekzekutiv.
3-Faturat e periudhës para privatizimit, pra para se CEZ të bëhej pronar i 76% të kapitalit, gjë që ka ndodhur më 10.12.2007. Në praktikën gjyqësore gjenden me shumicë raste kur kërkohet lëshimi i urdhrit të ekzekutimit për periudha kur CEZ-i nuk ishte pronar. Mendimi im është se CEZ nuk legjitimohet që të kërkojë lëshimin e urdhrit të ekzekutimit për këto fatura. Kjo sepse CEZ, në momentin e privatizimit ka privatizuar asetet e kompanisë së mëparshme, por jo borxhet (faturimet e pa arkëtuara) e saj. Për rrjedhojë mendoj se kërkesa për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit që i përkasin periudhës para 10.12.2007 duhet rrëzuar për mungesë legjitimiteti aktiv të kërkuesit.
4-Faturat për banesat e pabanuara. Një tjetër abuzim ndodh me faturimin ndaj abonentëve jorezidentë në Shqipëri. Është fakt i njohur se mjaft nga emigrantët shqiptarë që punojnë jashtë shtetit kanë blerë banesa kryesisht në bregdet dhe i shfrytëzojnë ato vetëm për disa javë në vit kur vijnë me pushime. Pavarësisht nga një fakt i tillë, CEZ vazhdon faturimin ndaj tyre për 12 muajt e vitit. Edhe për këto fatura Gjykata nuk duhet të lëshojë urdhrin e ekzekutimit.
5-Përmbledhëse e faturave ku llogariten kamatëvonesat. Kjo është një tjetër mënyrë abuzive e faturimit e hasur në praktikën gjyqësore që ndëshkon qytetarët. Në kërkesat për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit “CEZ Shpërndarja” sh.a. bën një pasqyrë përmbledhëse ku liston faturat e papaguara dhe anash tyre edhe kamatëvonesat. Këto kamatëvonesa në vlerë pothuajse janë të barabarta me vlerën e faturave. Edhe për kamatëvonesat Gjykata nuk duhet të lëshojë urdhrin e ekzekutimit sepse:
a)Ato nuk janë pjesë e faturës tatimore mujore të konsumit të energjisë, të cilën legjislatori e ka përcaktuar si titull ekzekutiv në nenin 1 të ligjit nr. 8662, datë 18.09.2000, shtuar me ligjin nr. 8735, datë 01.02.2001, ku thuhet: “Fatura tatimore e konsumit të energjisë elektrike, sipas modelit të caktuar nga Ministria e Financave, në zbatim të nenit nr. 36 të ligjit nr. 7928, datë 27.4.1995
‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar’, është titull ekzekutiv dhe ngarkohen zyrat e Përmbarimit me ekzekutimin e tyre”.
b)Asgjë nuk e ka penguar CEZ-in që të kërkonte lëshimin e urdhrit të ekzekutimit që në momentin e lindjes së detyrimit, pra të mos priste derisa shumë e kamatëvonesave të barazohej me atë të detyrimit sipas faturës.
Roli i Gjykatës, misioni bazë i së cilës është dhënia e drejtësisë, është determinant në parandalimin e këtyre abuzimeve. Ndonjëherë shqyrtimi i kërkesave me objekt lëshimin e urdhrit të ekzekutimit konsiderohet si rutinë, ose si një gjykim që nuk kërkon njohuri a vëmendje të posaçme, apo akoma më keq, si një çështje që me ligj do të ishte mirë t’i përkiste administratës gjyqësore.
Ndërsa po t’u referohemi pasojave sociale dhe zgjerimit të fenomenit (shkaqe këto që nxitën autorin e këtij shkrimi), është koha që shqyrtimit të këtyre kërkesave t’u kushtojmë vëmendjen e duhur. Një zgjidhje efikase ndoshta do të ishte thirrja e abonentit në gjykim në cilësinë e personit të tretë, i cili ka interes në çështje, siç përcakton neni 193 i Kodit të Procedurës Civile. Nga ana tjetër, thirrja e personit të tretë do të shkaktonte mosrespektimin e afatit pesëditor të vendosur nga Legjislativi, brenda të cilit duhet të shqyrtohet kërkesa për lëshimin e urdhrit të ekzekutimit.
Në praktikën gjyqësore ndonjëherë haset mentaliteti se edhe po u gabua me lëshimin e urdhrit të ekzekutimit, abonenti mund t’i drejtohet Gjykatës me padi për pavlefshmëri titulli ekzekutiv, siç përcakton neni 609 i Kodit të Procedurës Civile. Mirëpo në këtë rast i dëmtuar është qytetari, i cili, përveç taksës 12 mijë lekë për paraqitjen e kërkesëpadisë, duhet të shkëputet nga puna për të ndjekur seancat gjyqësore, të caktojë avokat, shto këtu edhe shqetësimin psikologjik që i krijohet atij.
VLADIMIR SKENDERI, GJYQTAR në Gjykatën e rrethit Durrës

Gazeta Panorama, 26.01.2012