Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosovë: Paralajmërohet krijimi i rezervave shtetërore të naftës

Gjatë një debati që u mbajt të enjten, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka sugjeruar se krijimi i rezervave shtetërore të naftës dhe derivateve të saj tashmë është bërë imperativ i kohës për shtetin e ri të Kosovës me përvojë katërvjeçare. Organizatore e takimit ka qenë OEK-u dhe Kuvendi i Shoqatës së Ndërmarrjeve që merren me qarkullimin e naftës, gazrave dhe lubrifikanteve në Kosovë. Në rend dite ndërkaq ishte prezantimi i përvojave ligjore për krijimin e rezervave shtetërore të naftës në shtetet e ndryshme të BE-së dhe të rajonit, si dhe strategjia e rregullimit ligjor për rezervat obligative të naftës në nivel të Kosovës. Duke e shpallur të hapur debatin, eksperti i ekonomisë, Gërxhaliu, ka thënë se rezervat shtetërore janë mekanizëm dhe një masë mbrojtëse me shumë rëndësi të çdo vendi që krijohen për situata të jashtëzakonshme. Por, sipas tij, do të jetë vetë ligji ai që do t’i përcaktojë procedurat dhe mirëmbajtjen e rezervave shtetërore. Gëxhaliu tha se bartja e përvojave për krijimin e rezervave shtetërore të naftës që do të dalin nga ky takim do të jenë shumë të rëndësishme për Kosovën, pasi tashmë krijimi i rezervave është bërë imperativ i kohës. Kryetari OEK-ut i ka porositur pjesëmarrësit se “sa më shumë që të ketë rezerva shtetërore të naftës, aq më e madhe do të jetë siguria e shtetit tonë të ri”. Panelisti Anton Grabeljsek, ndryshe konsulent i TAEX-it dhe ekspert i angazhuar në MTI, bëri para të pranishmëve një prezantim të përvojave të rregullativave ligjore për rezervat shtetërore në shtetet e ndryshme të rajonit, si në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi, BeH, Kroaci dhe Slloveni, por edhe në vendet e BE-së SHBA e Japoni.
Ndërsa Ibush Luzha, drejtor i Drejtorisë për Licencim në MTI, tha se Kosova ka marrë si obligim nga KE-ja krijimin e rezervave shtetërore të naftës, por ato deri tash, në mungesë të parave, nuk janë përmbushur si obligime dhe po punohet në atë drejtim. Kjo pasi, sipas Luzhës, aktualisht Kosova nuk ka kapacitete të rezervuarëve, ku do të mund të grumbulloheshin stoqet e rezervave shtetërore të naftës. Por, Luzha ka premtuar se Ligji i ri për Naftën dhe Derivatet e saj, ku është duke u punuar me përkushtim, premtoi se do të jetë shumë më i tërësishëm i plotë dhe më i implementueshëm. Ndërsa kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Nazmi Bytyçi, ka thënë se gjatë hartimit të këtij ligji, hartuesit e tij, Qeveria e Kuvendi, duhet të marrë parasysh vërejtjet dhe sugjerimet e shoqatës së tyre.

Gazeta Kosova Sot, 20.01.2012