Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Interviste me ministrin Nasip Naço

Ja objektivat e dikasterit që drejtoj për këtë vit. Sfidat e LSI-së, gjyqi ndaj Metës dhe ç’mendoj për partinë e Topit.
Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës Nasip Naço, duke bërë një analizë të situatës në Shqipëri, shprehet optimist se Shqipëria do të kalojë pa ndonjë tronditje ekonomiko-financiare, këtë vit, në sajë të politikave të ndjekura. Duke folur në një intervistë për “Telegraf”, është shprehur se ministria që ai drejton “është e angazhuar totalisht për përballimin e çdo sfide që mund të sjellë ky vit dhe pa dyshim strategjitë tona, që mbështeten fort në strategjitë e qeverisë shqiptare na japin garancinë e plotë se 2012 jo vetëm nuk do të sjellë pezm tek qytetarët shqiptarë, por përkundrazi do të jetë një vit arritjesh të mëdha. Përsa i përket perspektivës së LSI-së, ai thekson se: “Axhenda jonë përmblidhet me dy fjalë, integrim dhe punësim. LSI ka një bërthamë të fortë ku është e ndërthurur në mënyrë të përsosur eksperienca me rininë”.
-Z. Naço, si nisi ky vit për Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës?
-Si një vit sfidash të mëdha. Jo vetëm unë si ministër i METE, por e gjithë qeveria ndodhet përballë një kundërshtari, i cili është duke tronditur shtete të mëdhenj e të fuqishëm, krizës financiare. Siç edhe parashikohet nga specialistët e fushës, në Europë dhe më gjerë, 2012 do të jetë një vit i vështirë. Dhe kur  qeveri që drejtojnë vende të pasura e të konsoliduara, i tremben çdo dite që kalon, teorikisht edhe qeveria shqiptare duhet të ndjehet e tillë. Por praktikisht nuk është kështu. Në sajë të politikave të ndjekura deri më sot si dhe në sajë të kujdesit të treguar sidomos në fushën e financës, them me bindje se Shqipëria edhe këtë vit do ta kalojë pa ndonjë tronditje të madhe ekonomiko-financiare. Madje, ne shpresojmë të kemi rritje ekonomike. Pjesë e kësaj strategjie dhe ambicie është edhe ministria që unë drejtoj. Vetëm gjatë këtyre pak ditëve të muajit janar, në ministrinë e Ekonomisë janë zhvilluar me dhjetëra takime me biznese të huaja dhe vendase të gatshme për të investuar në disa sektorë të rëndësishëm të vendit. Sigurisht që shumë shpejt këto investime do të përkthehen në vende pune. Janë në përfundim disa dhjetëra hidrocentrale të vegjël dhe të mesëm në Shqipëri, përveç atyre që kanë filluar tashmë punë, të cilat do të përkthehen në më shumë energji për vendin dhe më shumë buxhet për qeverinë shqiptare. Janë duke u nënshkruar marrëveshje të rëndësishme në fushën e tregtisë, sidomos me vendet e rajonit, që përkthehen në më shumë mallra që lëvizin brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke i dhënë frymëmarrje të gjerë iniciativës së lirë. Pra me pak fjalë, mund të them se METE është e angazhuar totalisht për përballimin e çdo sfide që mund të sjellë ky vit dhe pa dyshim strategjitë tona, që mbështeten fort në strategjitë e qeverisë shqiptare na japin garancinë e plotë se 2012 jo vetëm nuk do të sjellë pezm tek qytetarët shqiptarë, por përkundrazi do të jetë një vit arritjesh të mëdha.
-Meqë përmendët pak energjinë. Në shumë zona të vendit, madje edhe në Tiranë ka ndërprerje dritash, madje ndonjëherë edhe të tejzgjatura. Çfarë masash keni marrë ju si ministri, pavarësisht se furnizimin me energji e bën një kompani e huaj?
-Po është e drejtë dhe jam në dijeni të ndërprerjeve të herëpashershme. Por pa dashur të shfajësoj kompaninë CEZ, dua të kujtoj se të gjitha ndërprerjet e gjata, vijnë pas një lajmërimi publik, ku njoftohet vendi dhe orari. Pra qytetarët shqiptarë nuk ndodhen para një fakti të kryer dhe një veprimi arbitrar. Kjo duhet të kuptohet, sepse kështu veprohet në të gjithë botën, jo më në vendin tonë, ku ende linjat janë ato të shumë viteve më parë. Sigurisht që ne ushtrojmë presionin dhe kërkesën e llogarisë ndaj kësaj kompanie, madje në disa raste edhe kemi ndërmarrë veprimin e gjobave, me qëllim që askujt në Shqipëri të mos i mungojë energjia elektrike. Mund të sqaroj këtu se jemi në një vit thatësire, madje thatësire të madhe, e megjithatë qeveria shqiptare dhe KESH ka bërë të pamundurën për sigurimin e energjisë elektrike. Besoj se investimet e rëndësishme që po kryhen si dhe ato që po projektohen për hidrocentralet e reja, do t’i japin fund njëherë e mirë këtij problem shumëvjeçar.  Unë ndihem krenar që me iniciativën tonë u kaluan në Kuvend ligji “Për titujt ekzekutivë” dhe ligji “Për sektorin e energjisë elektrike”. Me këtë, ne i kemi kursyer shtetit 50 milionë euro të cilat përfitoheshin nga një kompani e huaj. Këto para, tashmë do të kalojnë në buxhetin e shtetit për investime të rëndësishme publike.
-Z. Naço, duke iu kthyer pak politikës. Pak ditë më parë kreu i PS Edi Rama deklaroi se në këtë janar nis viti elektoral. Si do ta komentonit?
-Më vjen pak çudi, se Partia Socialiste ka që në 30 qershor të 2009 që e ka nisur fushatën elektorale; manifestime, protesta, emisione, televizione, debate. Pra gjithçka që mund të përmbajë një fushatë elektorale e ngjeshur ka qenë përgjatë këtyre viteve në axhendën e Partisë Socialiste dhe të kryetarit të saj Edi Rama. Gjithsesi kjo është axhenda e tyre, të cilën e vendosin vetë, sipas politikave të përcaktuara po vetë. Ne si qeveri jemi duke ushtruar me tërë seriozitetin detyrat tona funksionale që na kanë deleguar shumica e shqiptarëve. Mirë do të ishte që edhe opozita të ushtronte detyrat e saj funksionale, sepse për gati dy vjet ka zhvilluar opozitën e trotuareve. Unë jam i sigurt se shqiptarët do të jenë sivjet përballë dy krizave; krizës financiare dhe krizës së kryetarit të PS. Për të parën jam i sigurt se do të përballohet në mënyrën më të mirë. Për të dytën kam disa rezerva. Por fatkeqësisht kriza e dytë nuk përfshihet në axhendën tonë.
-Në skenën politike është duke u përfolur krijimi i dy partive të reja, asaj të presidentit Bamir Topi dhe të “Aleancës Kuq e Zi”. Cili është mendimi juaj?
-Menjëherë sapo këto parti të krijohen, edhe unë nëse ma kërkoni sërish, do të shpreh mendimin tim. Si jurist  e kam pak të zorshme të flas pa fakte.
-Meqë dolëm tek çështjet juridike, si ju duket performancë e Prokurorisë, sepse përveç jurist, jeni edhe prokuror me eksperiencë, përballë çështjes së kryetarit të LSI, ilir Meta?
-Shpreh keqardhjen time të thellë që prokuroria u përdor nga njerëz të caktuar për t’i shkaktuar vendit dëme që duan kohë të riparohen, ashtu siç jam i sigurt se gjykata mori një vendim shumë të drejtë dhe kjo u duk edhe nga votimi unanim i saj. Personalisht, duke parë gjithë vrerin, urrejtjen dhe pamundësinë për ta shkatërruar LSI dhe ilir Metën gjatë këtyre viteve nga krerë të caktuar në PS, gjithçka mu duk si një konspiracion i madh, strumbullar i së cilës u bë një njeri i vogël. Kjo skenë ku u luajt tragjedia e radhës për Edi Ramën dhe sprova e re fitimtare e ilir Metës, ishte një nga turpet që u vuri kapak përçartjeve politike disa vjeçare të opozitës. Unë nuk mund të parashikoj se çfarë do të pjellin sërish kokat e nxehta të PS-së kundër LSI dhe Metës. Tashmë e kanë kapërcyer cakun, sepse edhe lufta politike e ka një kufi.  Gjithsesi më vjen keq për ata mijëra socialistë që ende besojnë se kanë në krye një njeri me bindje të të majta.
-Z. Naço, cila do të jetë performanca e LSI për këtë vit?
LSI ka një axhendë të qartë që po e ndjek me rigorozitet që prej vitit 2009, ku u bë edhe bashkëqeverisëse në vend. Axhenda jonë përmblidhet me dy fjalë, integrim dhe punësim. LSI ka një bërthamë të fortë ku është e ndërthurur në mënyrë të përsosur eksperienca me rininë. Pikërisht kjo e fundit është edhe motori kryesor, që i jep fuqinë e duhur partisë sonë për të ecur përpara, për t’u zgjeruar dhe për të qenë një faktor i rëndësishëm në vend. Ditët e 2012-ës do të jenë të mbushura me angazhime, me arritje dhe siç e thashë me përballime sfidash, si për LSI-në dhe për maxhorancën, ku LSI bën pjesë. Dhe patjetër do të jetë një vit suksesesh, në radhë të parë për shqiptarët.
-Po për çështjen e presidentit, kush do të jetë qëndrimi i LSI?
-Nuk e di pse ka nisur të bëhet kaq dendur kjo pyetje, sa majtas, sa djathtas. Vendi ka një kushtetutë. Ndryshimet në këtë kushtetutë u bënë me pëlqimin e partive të mëdha, madje me propozimin e atyre që sot ngrenë zërin më shumë se të tjerë. Megjithëse LSI nuk ka qenë dakord me këto ndryshime, madje është futur edhe në grevë urie, ajo do të zbatojë kushtetutën e vendit.
-Një pyetje të fundit z.Naço. Ju si deputet i qarkut të Beratit, Kuçovës dhe Skraparit, çfarë keni bërë për to?
-Po të isha deputet i opozitës do të thosha që me dy fjalë të thëna në Kuvend kundër qeverisë e kam kryer detyrën si deputet ndaj zgjedhësve të mi. Është e sigurt që nuk është kjo detyra e deputetit kundrejt zgjedhësve, por ata që e mendojnë kështu ndoshta janë të rinj si moshë, por të vjetër, shumë të vjetër në koncepte. Veprimet e mia në adresë jo vetëm të Skraparit ku jam zgjedhur, por edhe të Beratit e Kuçovës, edhe për gjithë vendin, janë të sigluara nga firma ime dhe nga iniciativat e ndërmarra së bashku me anëtarë të tjerë të kabinetit dhe sigurisht të kryeministrit Berisha. Unë vazhdoj t’i shoh në sy zgjedhësit e mi, jo për veprime nepotike, apo individuale, por pikërisht për iniciativa dhe ndërmarrje që i shërbejnë të gjithë komunitetit.

Gazeta Metropol, 18.01.2012