Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Fjala plotë e Ministrit të METE, z. Nasip Naço, për projektligjin e privatizimit të Albpetrol

Bazuar në strategjinë e privatizimit të ndërrmarrë nga qeveria shqiptare, paraqesim sot tek ju projektligjin “Për përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë “Albpetrol” SH.A Patos”.
Baza e projektligjit të sotëm, është ligji nr. 8306 i datës 14.3.1998, , i cili në nenin pesë të tij nënvizon se “përcaktimi i formës dhe i strukturës së formulës të privatizimit me kapital shtetëror me rëndësi të veçantë bëhet me ligj”. Sektorë të rëndësisë së veçantë, sipas nenit katër të këtij ligji që sapo përmenda janë: industria e energjitikës dhe mineraleve, e naftës dhe e gazit (pra ajo që po diskutojmë sot), postat, telekomunikacionet, pyjet dhe ujërat, rrugët automobilistike e hekurudhore, portet detare, aeroportet, transporti ajror dhe hekurudhor, si dhe sektori i bankave të nivelit të dytë me kapital tërësisht shtetëror e shoqëritë e sigurimeve me kapital tërësisht shtetëror.
Të nderuar kolegë deputetë,
Për përcaktimin e formës dhe të strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë “Albpetrol”, nisur dhe nga eksperienca e viteve të mëparshme, kemi pasur tre mundësi:
E para, privatizimi dhe shitja e një pjesë të aksioneve, pra rreth 76 për qind.
E dyta, nëse do të jepej me koncension, pra me marrëveshje hidrokarbure.
E treta, nëse do të bënim privatizim plotë të saj, 100 për qind, siç është sjellë edhe ky projektligj sot në Parlament.
Duke dashur të sqaroj me radhë, do të doja mirëkuptimin tuaj të më dëgjoni me vëmendje, pasi është e rëndësishme për privatizimin e këtij sektori strategjik.
Nisur nga eksperienca e deritanishme, ky lloj privatizimi, pra rreth 76 për qind e aksioneve të kompanive shtetërore, nuk ka rezultuar plotësisht i suksesshëm, sipas mendimit tonë, pasi në praktikën e përditshme në administrimin e pronës publike, kemi hasur probleme të shumta dhe nuk kemi arritur të marrim plotësisht dividentin, ne në emër të shtetit, apo aksionerët me paketë minorance që kanë përfituar nga privatizimi.
Po ashtu, duke qenë në minorancë, nuk kemi mundur të ndikojmë si dhe sa duhet edhe në përmirësimin e menaxhimit të këtyre kompanive të privatizuara në këtë formë.
Për këtë arsye, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës shumë shpejt do të sjellë në parlament ndryshimet përkatëse ligjore për t’i dhënë mundësi paketës e aksioneve minoritare të rentabilizohet nëpërmjet edhe shitjes së këtyre aksioneve edhe në tregjet finaciare.
Mundësinë e dytë kishim koncensionet apo marrëveshjet hidrokarbure.
Në fushën e hidrokarbureve, duke filluar që prej vitit 2004, janë lidhur disa marrëveshje koncensionare (hidrokarbure), të cilat i kanë shkëputur pjesë pjesë çdo vit shoqërisë Albpetrol, asete dhe një fond të konsiderueshëm pusesh dhe vendburime nafte dhe gazi.
Përvec kësaj, në marrëveshjet hidrokarbure të lidhura me kuadrin ligjor të asaj kohe, shteti shqiptar u vinte në dispozicion koncensionarëve asetet e mundshme pa shpërblim, siç janë puset e naftës që zotëroheshin nga Albpetrol sh.a; pajisjet teknologjike të nxjerrjes dhe depozitimit të hidrokarbureve; infrastruktutrën e transportimit të naftës e gazit, si dhe infrastrukturën ekzistuese për transportin rrugor; ndërtesat dhe ambjentet që aktualisht ka në adminsitrim Albpetral sh.a.; linjat e transmetimit të energjisë elektrike dhe të ujit; makineri, pajisje të përdoruara për prodhimin e hidrokarbureev dhe për shërbimet në vendburime; të dhënat dhe studimet, informacionet e disponueshme, etj.
Në këto marrëveshje hidrokarbure të lidhura, shtatë prej tyre, duke filluar që nga vitit 2004, shteti shqiptar, pavarësisht rritjes së prodhimit, nuk përfitonte momentalisht të ardhura direkte në buxhetin e shtetit.
Ndërkohë që Albpetroli merrte prodhimin paraekzistues për puset që i kalonin koncesionarit, që do të thotë miliona dollarë kalonin në buxhetin e Albpetrolit duke u përdorur vetëm për të mbajtur aktualisht në punë rreth 4000 punonjës.
Për këtë arsye, në vitin 2008 u rikonceptuan marrëdhëniet fiskale në shfrytëzimin e burimeve natyrore, duke futur taksën për rentën minerare në masën 10% të prodhimit të shitur, të ardhura që shkojnë direkt në Buxhetin e Shtetit, (konkretisht nga viti 2008 janë arkëtuar rreth 90 milionë dollarë, që kanë kaluar në buxhetin e shtetit). Nik bëhej kjo nga vitit 2004 deri në vitin 2008.
Të kalojmë të mundësia e tretë e privatizimit, privatizimi 100 për qind.
Përsa theksova dhe më sipër, bashkë me stafin e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës propozojmë dhe sjellim këtë projektligj për privatizimin 100 për qind të aseteve dhe të drejtave të tjera të kompanisë Albpetrol, nëpërmjet të cilit bëhet e mundur që për shtetin shqiptar të sigurohet edhe një sasi e konsiderueshme e vlerave monetare që në fillim të këtij operacioni, nëpërmjet shitjes të aseteve që administron Albpetrol sh.a., siç janë toka dhe çdo pus dhe objekt të trupëzuar që aktualisht janë në inventarin e Albpetrol; pajisjet teknologjike të nxjerrjes dhe depozitimit të hidrokarbureve; infrastruktutrën e transportimit të naftës e gazit, si dhe infrastrukturën ekzistuese për transportin rrugor; linjat e transmetimit të energjisë elektrike, të ujit; makineri, pajisje të përdoruara për prodhimin e hidrokarbureev dhe për sherbimet në vendburime; të dhënat, studimet dhe informacionet e disponueshme, etj., duke përfshirë edhe të drejtat dhe lejet që shoqëria disponon, të cilat në vetvete kanë një vlerë të konsiderueshme në treg.
Pra, të gjitha ato asete që ndër vite u janë dhënë koncensionarëve pa shpërblim, sot nëpërmjet këtij ligji, kërkohet që të shiten me tender të hapur ndërkombëtar për të marrë një vlerë të maksimalizuar fitimi dhe për të arkëtuar direkt në buxhetin e Shtetit, që do të përdoren për investime të rëndësishme për më shumë rrugë, për më shumë shkolla, për më shumë spitale, për më shumë investime, për të hapur edhe ato tunele që mungojnë, për të ndërtuar edhe ato autostrada që i mungojnë sot Shqipërisë.
Të nderuar kolegë deputetë.
Nëpërmjet variantit që propozojmë për shitjen 100 për qind të aksioneve të kompanisë Albpetrol sh.a., nuk do përfitohet vetëm ato që parashtrova më sipër nga shitja e menjëhershme dhe arkëtimi në buxhetin e Shtetit, por në bazë të ligjit nr. 7746, datë 28.07.1993, “ Për hidrokarburet (kërkimi dhe prodhimi)”, të ndryshuar, do të vazhdohet të merren edhe të ardhura nga shfrytëzimi i rezervave hidrokarbure si renta minerare, tatim fitimi, taksa të ndryshme, të cilat do të arkëtohen direkt në Buxhetin e Shtetit.
Të nderuar kolegë deputetë.
Projektligji që po paraqesim sot është përgatitur në bashkëpunim me konsulentin Patton Bogs, një kompani konsulente amerikane, e cila është përzgjedhur pas konkurimit me nëntë kompani të tjera.
Me këtë kompani është lidhur një kontratë shërbimi-konsulence për privatizimin e shoqërisë Albpetrol sh.a Fier. Kjo kompani do të japë shërbimet e përcaktuara në termat e referencës dhe do të përgatisë gjithë dokumentacionin e nevojshëm, përfshirë dhe data-room-in që do të ofrohet për promovimin e procesit të privatizimit investitorëve potencialë për përgatitjen e ofertave.
Do të asistojë në vlerësimin dhe përzgjedhjen e investitorit më të mirë strategjik për aktivitetin e nxjerrjes dhe kërkimit të naftës.
Do të ndihmojë për përgatitjen e akteve ligjore dhe nënligjore të dokumentave të tenderit, formës së kontratës dhe dokumenteve të tjera të nevojshme që do t’u ofrohen pjesmarrësve në tender.
Do të ndërmarrë të gjitha aktivitet e nevojshme të marketingut dhe marrëdhëniet me publikun, me qëllim që të tërheqë vëmendjen e investitorëve.
Do të këshillojë dhe asistojë në përpilimin e dokumenteve të nevojshme të transaksionit dhe vlerësimit të ofertave që do të paraqiten.
Do të asistojë në realizimin e transaksionit përfundimtar, të administrojë punën përgatitore në fazën e negocimit të kontratës, do të asistojë METE dhe AKBN deri në përfundimin e marrëveshjes përkatëse me Ofertuesin e Suksesshëm.
Të nderuar kolegë deputetë.
Kjo kompani, për shërbimet e kryera do të paguhet nga buxheti i shtetit në shumën rreth 30 milionë lekë. Në kontratën e lidhur me këtë kompani është parashikuar të përfshihet edhe tarifa e Suksesit prej 2.5 për qind pa TVSH të vlerës së shitjes së shoqërisë Albpetrol.
Por, në çdo rast, kjo tarifë suksesi do të paguhet vetëm nga Ofertuesi i Suksesshëm, pra nga blerësi dhe jo nga të ardhurat e siguruara nga privatizimi.
Të nderuar kolegë deputetë.
Për vetë kompleksitetin që ka privatizimi i kompanisë shtetërore Albpetrol nëpërmjet procedurave konkuruese është përzgjedhur nëpërmjet konkurimit, sikurisht nga nëpërmjet Avokatit të Shtetit, edhe kompania CMS AdonninoAscoli&Cavasola Scamoni sh.p.k, nja kompani italiane e cila do të kryejë auditimin ekonomiko-financiar dhe ligjor për privatizimin e shoqërisë Albpetrol; përgatitjen e data-room-it me të dhënat e nevojshme të kapitalit të kësaj shoqërie; me hartimin, shqyrtimin, miratimin dhe zbatimin e programit ekonomiko-financiar; kontrollin e gjendjes së debitorëve dhe kreditorëve dhe zbatimin e ligjshmërisë për inventarizimin e pasurisë së kompanisë shtetërore Albpetrol; zbatimin e ligjshmërisë së fushën e prokurimeve, efektivitetin e investimeve, lidhjen me zbatimin e kontratave; zbatimin e ligjshmërisë në veprimet e arkës dhe bankës së lekë dhe valutë, si dhe blerjet me vlerë të vogël; zbatimin e marrëveshjeve të hidrokarbureve të lidhura me kompanitë e huaja që operojnë në sektorin e kërkimit dhe nxjerrjes së naftës etj.
Edhe kjo kompani për shërbimet e kryera ndaj shtetit shqiptar do të paguhet nga buxheti i shtetit në masën 27 milionë lekë.
Të nderuar kolegë deputetë.
Ky projektligj mund të sjellë edhe probleme sociale që lindin pas një privatizimi të një ndërrmarrjeje kaq të madhe me rreth 4 mijë punëtorë.
Për këtë arsye, në këtë projektligj, është parashikuar edhe se si do të bëhet edhe trajtimi i punonjësve të shoqërisë “Albpetrol”, pas privatizimit të saj, me të cilët do të bëhen të gjitha marrëveshjet për kontratën kolektive të punës. Ndërsa në ato raste, që sigurisht do të ketë reformë struktrore, nga të ardhurat e privatizimit punëtorët do të kenë të sigurt në çdo rast pagën e një viti dhe vjetërsinë e punës.
Të nderuar kolegë deputetë.
Në përfundim të fjalës sime, i bindur që kam bërë një pasqyrim të plotë dhe transparent të këtij procesi që kemi iniciuar, do të kërkoj votën e të gjithë deputetëve me ndryshimet përkatëse të propozuara.

energjia.al, 16.12.2011