Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Vjedhin 4 milionë euro, 20 faturistë të energjisë në hetim

Çështja penale ndaj faturistëve dhe zyrtarëve të tjerë të CEZ-it është regjistruar me akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.
Tiranë Mbi 20 faturistë dhe zyrtarë të tjerë të kompanisë CEZ janë përfshirë në një super-hetim të nisur nga Prokuroria e Tiranës për mbifaturimin e klientëve dhe faturat afrofe. Hetimi ka nisur në janar të këtij viti, pas ankesave të shumta të qytetarëve se faturat e tyre të konsumit të energjisë ishin të fryra në mënyrë fiktive. Vetëm pranë zyrës së ankesave të kompanisë CEZ janë depozituar 14 mijë ankesa nga qytetarë dhe subjekte të ndryshme, të cilët pretendojnë se u është faturuar shumë më tepër energji nga sa kanë konsumuar. Të gjitha këto ankesa janë verifikuar në kuadër të hetimit që po kryhet nga njësia Task- Forcë dhe ka rezultuar se këto pretendime kanë qenë të bazuara. Si zanafillë të situatës së krijuar me mbifaturimet apo faturat afrofe, prokuroria ka gjetur një vendim të bordit drejtues të CEZ të vitit 2010. Në vendimin e miratuar nga kjo kompani janë përcaktuar edhe dy terma që u kanë dhënë të drejtën faturistëve të përpilojnë fatura me objekt “dëm ekonomik” dhe “energji e pamatur”. Të dy këta terma janë kundërshtuar nga bordi i Entit Rregullator të Energjisë, i cili madje ka gjobitur kompaninë CEZ Shpërndarje me 350 mijë lekë, pas ankesave të qytetarëve për mbifaturim apo fatura afrofe. Por, pavarësisht këtij ndëshkimi administrativ, faturistët kanë vazhduar po njëlloj duke dërguar në banesat e qytetarëve fatura të fryra të konsumit të energjisë elektrike. Sipas vendimit të ERE-s rezulton se “Të gjitha faturimet e kryera nga ana e CEZ Shpërndarje sh.a. ndaj klientëve familjarë dhe jofamiljarë, me emërtimin ‘dëm ekonomik’ apo ‘energji e pamatur’ pas hyrjes në fuqi të ligjit Nr. 9997, datë 22.09.2008, janë të paligjshme”. Por edhe pas këtij vendimi, situata për familjarët dhe bizneset nuk ka ndryshuar. Ankesat e shumta kanë detyruar prokurorinë të mbledhë të gjitha çështjet në një dosje të vetme, hetimi i së cilës i ka quajtur të bazuara këto ankesa. Çështja penale ndaj faturistëve dhe zyrtarëve të tjerë të CEZ-it është regjistruar me akuzën e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën” dhe “falsifikimit të dokumenteve”. Në morinë e ankesave rezulton se fatura të caktuara janë lëshuar në orën 02:00 ose 03:00 të mëngjesit, çka teknikisht e bën të pamundur kontrollin e matësit të energjisë në këto orare. Burime të rezervuara pohojnë se dëmi që u është shkaktuar qytetarëve apo bizneseve nga mbifaturimi i konsumit të energjisë dhe faturat afrofe shkon në shumën e 4 milionë eurove. Qytetarët që janë ankuar, tregojnë se për muaj me radhë faturat e energjisë kanë pasur dyfishin e energjisë së konsumuar prej tyre, pasi në të njëjtën periudhë të viteve të mëparshme ata kanë konsumuar shumë më pak energji. Mbifaturimet ndaj qytetarëve, sipas hetimit rezultojnë të jenë kryer që prej vitit 2008 dhe situata ka qenë pa zgjidhje, pavarësisht vendimeve të bordit të ERE-s që kërkonte ndalimin e mbifaturimeve dhe afrofeve. Hetimi për këtë çështje tashmë po shkon drejt fundit, pasi ka nisur në janar të këtij viti, ndërsa prokuroria pritet të dalë me vendim për superdosjen hetimore.
CEZ: Për faturat “energji e pamatur” dhe “dëm ekonomik” zbatojmë ligjin
CEZ Shpërndarje reagoi dje për gazetën MAPO në lidhje me lajmin e hetimit të 20 faturistëve dhe zyrtarëve të saj. CEZ tha se do të kishte një qëndrim pasi të njihej plotësisht me çështjen dhe materialet e drejtësisë, por paraprakisht lidhur faturat me emërtesën “dëm ekonomik” apo “energji e pamatur”, saktësoi se për këto raste CEZ zbaton në mënyrë të përpiktë legjislacionin në fuqi.
VENDIM Nr.90 Datë 15.11.2010
PËR DENIMIN ME GJOBE TE CEZ SHPERNDARJE SH.A PER SHKELJET E KONSTATUARA LIDHUR ME MOSZBATIMIN NGA ANA E SAJ TE VENDIMEVE TE ERE-s
Në mbështetje të nenit 9 dhe nenit 64 pika ”ç” të Ligjit Nr. 9072, datë 22.05.2003, “Për Sektorin e Energjisë Elektrike”, të ndryshuar, Bordi i Komisionerëve të Entit Rregullator të Energjisë (ERE), në mbledhjen e tij të datës 15.11.2010, pasi shqyrtoi relacionin e Drejtorisë Juridike dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, mbi dënimin me gjobë të CEZ Shpërndarje sh.a., për shkeljet e konstatuara lidhur me moszbatimin nga ana e saj të vendimeve të ERE-s, si dhe u njoh me pretendimet e shoqërisë CEZ Shpërndarja sh.a (prezent në mbledhje), të pasqyruara dhe në procesverbalin bashkëlidhur këtij vendimi,
Vendosi :
1- Dënimin me gjobë në shumën 350 000 lekë të shoqërisë CEZ Shpërndarje Sha, “Për moszbatim të kushteve të përcaktuara në licencë dhe konkretisht të pikës 3.1, të Licencës për Aktivitetin e Furnizimit Publik me Pakicë të Energjisë Elektrike”.
2- Të gjitha faturimet e kryera nga ana e CEZ Shpërndarje sh.a. ndaj klientëve familjarë dhe jofamiljarë, me emërtimin “Dëm ekonomik” apo “Energji e pamatur” pas hyrjes në fuqi të ligjit Nr. 9997, datë 22.09.2008, janë të paligjshme.
3- Ngarkohet Drejtoria Juridike dhe Mbrojtjes së Konsumatorit të njoftojë CEZ Shpërndarjen për këtë vendim.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Ky vendim botohet në Fletoren Zyrtare.
KRYETARI I ERE-s
Bujar NEPRAVISHTA

Gazeta Mapo, 12.12.2011