Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Konsumi i energjisë, thatësira barazon dimrin me verën

Simetria stinore ka sjellë ndryshime, krahasuar me vitin 2010.
Ndërsa moti i thatë ka ulur ndjeshëm nivelin e prurjeve në liqenet e HEC-eve në kaskadën e Drinit në 30 m3/sek nga vlera mesatare shumëvjetore prej 50-60 m3/sek, ky vit po shoqërohet me nivele gati të barabarta të konsumit të energjisë në stinët verë-dimër. Thatësira e tejzgjatur, që ka nisur nga muaji prill, ka rritur importin e energjisë elektrike dhe nivelet e prurjeve të ujërave në basenet e hidrocentraleve kryesore mbi Drin krahasohen me prurjet në Syrin e Kaltër, ku buron lumi i Bistricës. Në muajin nëntor prurjet, sipas KESH-it, llogariten 7 herë më të ulët nga mesatarja shumëvjetore. Drejtori i Përgjithshëm i KESH-it, Engjëll Zeqo thotë për ATSH-në, se konsumi ditor i energjisë ka arritur sot në 23,5 milionë kwh, një nivel i lartë ky, kur ende nuk ka nisur të ftohtit e dimrit. “HEC-et prodhojnë vetëm 7-8 milionë kwh/ditë, ndaj KESH po importon 17,5 milionë kwh/ditë, sasi që blihet shtrenjtë, pasi rajoni ndodhet nën thatësirën e pazakontë”, tha ai. Si të mos mjaftojë kjo situatë, kompania çeke CEZ ka rritur prej më se një vit borxhin ndaj arkës së KESH-it me 55 milionë euro, si një detyrim që ka nisur nga tetori i 2010-ës deri tani. Aktualisht, ndërsa KESH importon sasinë e energjisë së kërkuar nga CEZ-i për konsumatorët, kjo e fundit importon vetëm atë sasi energjie, të barabartë me nivelin e humbjeve të saj, që llogaritet në 31%.
Konsumi dhe moti ndryshojnë shifrat e konsumit ditor të energjisë
Thatësira e tejzgjatur që nga fillimi i vitit u shoqërua dhe gjatë stinës së verës me kërkesë të rritur për energji. Në muajin gusht, konsumi i energjisë arriti 19 milionë kwh/ditë, në shtator 18.5 milionë kwh/ditë dhe në nëntor në 23,5 milionë kwh/ditë.
Në vitin 2007, kur sasia e prurjeve ishte e ngjashme me sivjet, konsumi ditor në stinën e verës ishte 12 milionë kwh, ç’ka tregon se sivjet u konsumua një rritje e energjisë prej 6.5 milionë kwh/ditë më shumë, ose rreth 25% më shumë. Tipari karakteristik i konsumit të energjisë elektrike në vitin 2010, sipas ERE-s ishte simetria thuajse e plotë e konsumit dimër-verë. Ndërsa në periudhën prill-shtator 2010 u shënua konsum mesatar konstant, simetria shoqëroi rritjen e ngarkesës simetrike në tre muajt pasardhës në dimër, ç’ka shpjegohet me ftohjen e motit dhe përdorimin gradual të energjisë elektrike për ngrohje.
Sivjet simetria stinore ka sjellë ndryshime, krahasuar me vitin 2010, duke barazuar konsumin e energjisë dimër-verë, pasi moti karakterizohet nga thatësira, një verë e nxehtë e tejzgjatur mbi mesataren vjetore, dhe për rrjedhojë, ka rritur në maksimum konsumin e energjisë elektrike. Gjatë stinës së verës u vu re një pik i ri ngarkese, që lidhet direkt me përdorimin më të madh të ftohësve familjarë, ku diferenca mes ngarkesës maksimale-minimale nuk është më e njëtrajtshme gjatë gjithë vitit. Në 2010, sipas ERE-s, kjo diferencë arriti në dimër në 200-300 MW dhe në verë, 100-150 MW, duke sjellë një rend rreth 300 MW me 30% të ngarkesës maksimale. Sipas analizës së ERE-s për vitin 2010, struktura e konsumit të energjisë ndikoi direkt në profilin e ngarkesës dhe konsumit të saj, e cila në 31 dhjetor 2010 arriti në ngarkesën maksimale, 25.83 milion kwh/ditë, ndërsa ajo minimale u shënua në muajin maj me 15.29 milionë kwh/ditë. Tipar karakteristik mes ngarkesës dhe konsumit, sipas ERE-s është “gropa” e madhe në orët mes natës dhe ditës, e cila në vitin 2010 arriti në në vleftë absolute deri 700 MW, ose 50% të ngarkeses maksimale, ç’ka tregon se shqiptarët nuk dinë të punojnë me energjinë në “turnin e tretë”. Ky fakt tregon se, ka ardhur koha që ERE të vendosë fashën orare të çmimit në konsumin e energjisë në raportin ditë-natë, sikurse ndodh në vendet e tjera në Europë e gjetkë, si një tregues i mirëmenaxhimit të energjisë që konsumohet.

Gazeta Rilindja Demokratike, 03.12.2011