Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosovë: Privatizimi i Distribucionit i jep fund planit ABC

Politika e Korporatës Energjetike të Kosovës që konsumatorët t’i furnizojë me energji elektrike sipas planit ABC, i ka ardhur fundi pas gjashtë vite të zbatimit të saj. Pas privatizimit të Distribucionit dhe Furnizimit (KEDS), nuk do të mundë të zbatohet politika e KEK-ut, që shpeshherë është cilësuar se shkel të drejtat e njeriut.
Plani ABC i furnizimit, i cili i kategorizon konsumatorët ishte miratuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë me propozim të KEK-ut. Blerësi i KEDS-it pritet t’i caktojë në mënyrë të pavarur rregullat e furnizimit me energji elektrike për të gjithë konsumatorët.
Burimet brenda Komitetit të Privatizimit të KEDS-it kanë bërë të ditur se në pakon tenderuese nuk është e përfshirë politika ABC, e cila zbatohet nga KEK-u, tash e një kohë të gjatë. Ai ka sqaruar se kjo është një politikë e KEK-ut e cila nuk do t’i imponohet KEDS-it privat.
“Deri më tani nuk është diskutuar për planin ABC, sipas të cilit KEK-u i kategorizon konsumatorët. Për këtë plan mund të bisedohet apo thënë më ndryshe mund të vendosë vetë kompania private, sepse kjo është një politikë publike. Ndoshta nuk i konvenon politika ABC kompanisë private dhe vendos një politikë të re, që t’i furnizojë ata që paguajnë dhe i shkyç ata që nuk paguajnë”, ka thënë ky burim i gazetës. “Nëse furnizimi do të jetë i pandërprerë për të gjitha kategoritë, apo do të ketë reduktime të njëjta për të gjithë, kjo çështje do të vendoset nga kompania private KEDS, pas privatizimit të kësaj ndërmarrjeje”.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik nuk i ka dhënë përgjigje të drejtpërdrejtë pyetjes së gazetës rreth politikës ABC e cila është aplikuar tash e disa vite, nga KEK-u.
“Një nga objektivat kryesore të privatizimit të Distribucionit dhe Furnizimit të KEK-ut është rritja e efikasitetit dhe e cilësisë në shërbime ndaj konsumatorit, sidomos ndaj atyre që paguajnë. Ndërsa, politikat për ndëshkimin e atyre konsumatorëve që nuk paguajnë dhe keqpërdorin me energjinë do të vendosen nga kompania e ardhshme private në pajtueshmëri me rregullatorin dhe dispozitat ligjore në vend”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për informim të MZHE-së. “Çdo përgjigje tjetër lidhur me këto pyetje do të ishte hipotetike”.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, në një konferencë për energjetikën kishte thënë se Qeveria do të sigurojë energji elektrike të mjaftueshme që KEDS të shpërndajë te konsumatorët. Nëse prodhimi vendës nuk e mbulon kërkesën, energjia do të mund të sigurohej përmes importit.
Komiteti i Privatizimit të Distribucionit, të martën, ka miratuar marrëveshjen për import të energjisë elektrike që pritet të bëhet nga KEK-u i mbetur. Ndërsa, Qeveria do të subvencionojë vetëm ndryshimin e çmimit.
“Ta zëmë, nëse ZRRE-ja e cakton se çmimi për një megavat energji elektrike të prodhuar nga KEK-u i mbetur do të jetë 30 euro, ky do të jetë çmimi që KEDS-i privat do të paguajë. Ndërsa, nëse rryma e importuar do të kushtojë 45 euro, Qeveria do të mbulojë koston prej 15 eurosh për megavat, e investitori privat do të paguajë 30 euro, aq sa caktohet nga ZRRE-ja”, ka shpjeguar ky burim i gazetës.
Behxhet Shala, drejtor ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, ka thënë se politika ABC i shkel të drejtat e njeriut. Ai ka thënë se nuk mund të dënohet një lagje se një pjesë nuk është pagues i rregullt i faturave të energjisë elektrike.
Ai thotë se blerësi i Distribucionit dhe i Furnizimit nuk duhet të ndjekë shembullin e KEK-ut dhe nuk duhet ta zbatojë më planin ABC.
“Ai i cili do ta privatizojë KEK-un duhet dhe do të shkojë në opsionin se kush paguan do të ketë rrymë dhe ata që nuk paguajnë nuk do të kenë rrymë. Pra, do të jenë dy kategori ata, që paguajnë rrymën dhe që kanë rrymë dhe ata që nuk e paguajnë nuk do të kenë”, ka thënë Shala, duke shtuar se kështu veprohet në të gjitha vendet e botës.
Në mbledhjen e 29 nëntorit të vitit 2005, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë kishte miratuar “Politikën ABC” të Korporatës Energjetike të Kosovës. Kjo korporatë tash e gjashtë vite e zbaton këtë politikë e cila i kategorizon konsumatorët. Konsumatorët e mirë (kategoria A) ishte paraparë të ketë furnizim pandërprerë, ndërsa konsumatorët e ulët (kategoria B dhe C) do të furnizoheshin me reduktime varësisht nga prodhimi i energjisë dhe niveli i kërkesës për energji.

Gazeta Koha Ditore, 25.11.2011