Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Hyn në fuqi ligji për faljen e energjisë, kategoritë që përfitojnë

Përfituesit duhet të paraqiten në njësitë përkatëse të qeverisjes vendore për t’u çliruar nga detyrimet e prapambetura të faturave të energjisë, që nga viti 1992 deri më 31 dhjetor 2006
Nis zbatimin në praktikë ligji për faljen e energjisë, ndërsa institucionet përgjegjëse kanë evidentuar tashmë më shumë se 100 mijë debitorët që do të përfitojnë. Pas verifikimit të dokumenteve, përfituesit do të çlirohen nga detyrimet e prapambetura të faturave të energjisë që nga viti 1992-2006. Pas nxjerrjes së vendimit të qeverisë për t’u falur faturat e borxheve të prapambetura të dritave shtresave në nevojë dhe pensionistëve që trajtohen me pension minimal, dy institucionet përgjegjëse, Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH) dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) kanë bërë edhe verifikimin e emrave përfitues, të cilët duhet të paraqiten tashmë pranë njësive përkatëse vendore bashki, njësi bashkiake, komuna, për të ligjëruar këtë amnisti. Specialistë të Shërbimit Social Shtetëror bëjnë të ditur se duhet të interesohen vetë personat që iu përkasin kategorive përfituese nga falja e energjisë, pasi atyre edhe nëse paraqiten për shërbime të tjera pranë njësive vendore, nuk do t’ua komunikojë ndonjë punonjës këtë fakt. Ndaj, kush bën pjesë në këto kategori dhe disponon dokumentet e nevojshme, do të heqë nga libreza e dritave jo pak por 14 vite energji të shpenzuar, por të papaguar. Kështu, lista e përfituesve për shtresat në nevojë, ku përfshihen familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike, të papunët, invalidët, gratë kryefamiljare dhe personat me statusin e jetimit, është hartuar nga Shërbimi Social Shtetëror, ndërsa ajo për pensionistët me pensione minimale dhe pa burime të tjera të ardhurash, si dhe për të gjitha pensionet minimale të të gjitha kategorive, është përgatitur nga ISSH-ja. Burime zyrtare nga Shërbimi Social Shtetëror sqarojnë se nga vendimi do të përfitojnë rreth 90 mijë përfitues, ndërkohë shpjegojnë se pjesë e tyre janë edhe personat që kanë marrë ndihmë ekonomike deri në vitin 2006, por që tani nuk janë më pjesë e saj. Sipas tyre, megjithëse numri i përfituesve nga skema e ndihmës ekonomike është ulur nga viti 2006 deri më sot, në kah të kundërt ka ecur ai i invalidëve. Në këto kushte, reduktimi i numrit të personave që kanë marrë ndihmë ekonomike do të plotësohet nga shtimi i përfituesve të invaliditetit, pra me gjithë këto ndryshime, lista e Shërbimit Social do të ketë në total rreth 90 mijë përfitues, ndërsa pjesa tjetër e tyre do të jetë me kategoritë që trajtohen me pensione minimale, që i përkasin ISSH-së, e që në total shkojnë në mbi 100 mijë. Qeveria vendosi të çlirojë nga detyrimet e prapambetura të faturave të energjisë të gjithë shtresat në nevojë, duke filluar që me borxhet më të hershme në vitin 1992 e deri faturat që mbajnë datën 31 dhjetor 2006. Fatura e borxheve të prapambetura afro 14-vjeçare, arrin në 38 miliardë lekë ose 380 milionë dollarë. Vendimi përfshin periudhën që nga fillimi i detyrimeve që ekzistojnë në KESH, e deri në ditën që shpërndarja e energjisë merret nga CEZ.
Kategoritë që përfitojnë
Falja e detyrimeve të papaguara të energjisë elektrike
1. Falen detyrimet e prapambetura për energjinë elektrike, të faturuar dhe të papaguar deri më 31 dhjetor 2006, ndaj shoqërisë KESH, sh.a. nga debitorët familjarë të përcaktuar në këtë nen.
2. Falen kamatëvonesat e përllogaritura nga mospagesa e faturave të përmendura në pikën 1 të këtij neni.
3. Përfitojnë nga falja e parashikuar në pikat 1 dhe 2 të këtij neni debitorët, sipas kategorive të mëposhtme:
a) kryefamiljarët e familjeve që përfitojnë pagesën e ndihmës ekonomike;
b) familjet që kanë në përbërje anëtarë me aftësi të kufizuara, të verbër, paraplegjikë ose tetraplegjikë, të lindur ose të bërë të tillë, të cilët deklarohen të paaftë për punë me vendim të komisioneve mjekësore të posaçme dhe që përfitojnë pagesë aftësie të kufizuar, kur personi është kryefamiljar dhe nuk ka anëtarë të familjes të punësuar në sektorin publik a privat ose të vetëpunësuar në sektorin privat;
c) kryefamiljarët që përfitojnë pagesë papunësie dhe që nuk kanë të ardhura të tjera;
ç) kryefamiljarët që përfitojnë pension pleqërie dhe jetojnë të vetëm ose kanë fëmijë në ngarkim, të cilët janë pa të ardhura dhe janë të papunë;
d) kryefamiljarët që përfitojnë pension, për të gjitha kategoritë, si dhe përfituesit me trajtim të veçantë, që kanë masë përfitimi më të vogël se të ardhurat minimale që përfitojnë pensionistët, të cilët janë pa të ardhura të tjera;
dh) kryefamiljarët që përfitojnë pension invaliditeti dhe nuk kanë anëtarë të familjes të punësuar në sektorin publik a privat ose nuk janë të vetëpunësuar;
e) gratë kryefamiljare;
ë) të gjithë personat kryefamiljarë që gëzojnë statusin e jetimit.
4. Përfitojnë nga ky ligj të gjitha kategoritë e parashikuara më sipër dhe që e përfitojnë këtë status në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
5. Shoqëria KESH sh.a. bën zbritjen e këtyre detyrimeve nga bilancet financiare të saj. Për efekte fiskale, këto detyrime nuk njihen as si borxh i keq dhe as si shpenzim i njohur.

Gazeta Mapo, 31.10.2011