Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Shtohen ankesat e konsumatorëve ndaj CEZ

Shtohen ankesat e konsumatorëve pranë Entit Rregullator të Energjisë (ERE) për mbifaturime dhe cilësi të dobët të furnizimit me energji elektrike nga ana e kompanisë “CEZ Shpërndarje”. Drejtori juridik i Entit Rregullator, Eduard Elezi, tha për RTV SCAN se, deri më sot janë depozituar 454 ankesa nga konsumatorët dhe pjesa më e madhe e tyre kanë marrë zgjidhje.
Megjithatë konsumatorët vazhdojnë të vuajnë furnizimin jocilësor me energji apo problemet me faturat që kushtojnë shumë. Përsa i përket kërkesës për rishikimin e çmimit të energjisë nga Koorporata prodhuese, ajo transmetuese dhe vetë “CEZ Shpërndarje”, Elezi thotë se, do të shqyrtohen programet e investimit dhe kostot e kompanive, përpara se të merret një vendim.
Drejtori juridik i Entit Rregullator tha gjithashtu se, projekt-kontrata e energjisë elektrike që rregullon marrëdhëniet tregtare mes konsumatorit dhe kompanisë furnizuese, do të miratohet brenda javës së ardhshme. Pavarësisht ekzistencës së kontratës mes kompanisë shpërndarëse të energjisë elektrike dhe konsumatorëve, këta të fundit vuajnë shpesh herë ndërprerje të panjoftuara të furnizimit, krahas faturës mujore financiare që sa vjen e shtohet.

TV Scan, 07.10.2011