Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kasat fiskale shtypen për procedurë

Projekti që i kushtoi taksapaguesve rreth 16 milionë euro nuk po shërben për asgjë.
Më shumë se një vit pas vendosjes së kasave fiskale për të gjitha bizneset, punonjësit e tatimeve tregojnë se procesi po kthehet në një procedurë pa kuptim dhe pa efekt në menaxhimin e mbledhjes së të ardhurave. Ka shumë biznese që nuk i printojnë faturat, duke ulur shitjet reale të raportuara, por ka edhe shumë biznese të tjera që shtypin herë pas here kasën për të kryer raportime që nuk kanë vlerë, pasi statusi i tyre si biznes i vogël nuk ndryshon, thonë ekspertët e tatimeve, të cilët këto ditë janë nën ethet e një beteje politike të brendshme.
Kasat u vendosën vitin e kaluar nën besimin që do të formalizonin mbledhjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, burimin më të rëndësishëm të të ardhurave të qeverisë. Por pikërisht në vitin e parë të përdorimit të kasave, arkëtimet e administratës tatimore në formën e TVSH-së kanë rënë. Në prill të këtij viti, arkëtimet e TVSH-së ishin 37 për qind më të ulëta se sa në prill 2010, kur kasat nuk kishin hyrë ende në përdorim masiv. Për të gjithë periudhën janar-korrik, tatimet kanë arkëtuar 14 miliardë lekë TVSH, ose 16.7 për qind më pak se e njëjta periudhë e vitit 2010.
Metodat e fshehjes
Ekspertët e tatimeve kanë bërë një listë me metodat e përdorura nga bizneset e mëdha për të mos raportuar shitjet me kasë. E para dhe më e përdorshmja është ajo e vjetra: shite një mall dhe mos e shëno në kasë. Tatimorët kanë të drejtë të vendosin gjobë deri në 100 mijë lekë në rast se zbulojnë një rast të tillë dhe për këtë arsye, bizneset i janë drejtuar metodave të tjera. Mënyra e dytë është lëshimi i një fature të printuar, që në fakt nuk ka dalë nga kasa, por nga një kompjuter i çfarëdoshëm. Metoda e tretë është printimi i disa faturave për t’i pasur rezervë në rast se vijnë tatimorët. Lokalet p.sh, e marrin faturën pasi përfundojnë kafenë klientët dhe ia transferojnë faturën klientit pasardhës.
Ndërsa bizneset e rëndësishme si dyqanet nëpër qendrat tregtare apo lokalet e restorantet luksoze kanë shpikur marifete të ndryshme për të fshehur shitjet, një kategori tjetër biznesesh, si byrektoret apo parukieret kanë filluar të shtypin herë pas here kasën fiskale nga frika se, nëse nuk raportohet asgjë në tatime, mund të gjobiten. Për bizneset e vogla, nuk ka ndonjë rëndësi nëse raportohen shitjet reale, më shumë apo më pak, pasi statusi i tyre si tatimpagues nuk ndryshon. Ato do të vijojnë të funksionojnë si biznes i vogël me taksa fikse që paguhen në bashki, pavarësisht nëse e shtypin apo jo kasën fiskale.
Vetë tatimorët, pasi ndërmorën një fushatë të vakët nëpër lokalet e bllokut për të detyruar përmes gjobave lëshimin e faturave fiskale, nuk kanë kryer asnjë ballafaqim, duke përdorur të dhënat e kasës, gjë që e ka kthyer procesin në një lojë të pakuptimtë ku tatimorët bëjnë sikur kontrollojnë dhe tatimpaguesit bëjnë sikur paguajnë taksa.
Kasat fiskale iu shitën me detyrim të gjithë shqiptarëve që kryejnë një aktivitet tregtar, pavarësisht llojit të aktivitetit apo nivelit të xhiros së tyre. Kështu, një byrektore në Bulqizë u detyrua të blejë një pajisje me vlerë 500 euro dhe nga ky vit do të detyrohet të kryejë një kontroll periodik të funksionimit të pajisjes me vlerë prej afro 90 eurosh. Pas protestave të shumta si dhe nën ethet e zgjedhjeve vendore të këtij viti, qeveria vendosi të paguajë vetë koston e instalimit të pajisjeve fiskale dhe pagoi rreth 16 milionë euro, para që përfunduan në xhepat e kompanive që shitën kasat fiskale.
Aktualisht qeveria e mbledh 70 për qind të TVSH-së në doganë, mbi çmimin e importit të mallrave. Kjo do të thotë që pasi kalon traun e doganës, malli thjesht humbet. Për shumë mallra, dihet se çmimi i doganës është sa një e treta e çmimit të shitjes me pakicë. Për veshjet, çmimet me pakicë janë shpesh pesë apo dhjetë herë më të larta se sa çmimet e importit. Shkurt, ekspertët e tatimeve besojnë se një pjesë e konsiderueshme e konsumit nuk taksohet. Shkaqet e mostaksimit nuk lidhen aq shumë me pamundësinë e një administrimi më të mirë tatimor, por me numrin e stërmadh të bizneseve ku tatimorët nuk ndjehen mjaftueshmërisht të fuqishëm për të kryer kontrolle.

Gazeta Shqip, 04.10.2011