Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Renta minerare dhe karboni shtuan të ardhurat në buxhet

Rritja e ngarkesës fiskale përmirësoi bilancin.
Të ardhurat e qeverisë nga renta minerare u rritën ndjeshëm këtë vit, pjesërisht për shkak të rritjes së taksës dhe pjesërisht për shkak të çmimeve më të larta të lëndëve të para. Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Financave. Qeveria arkëtoi 2.6 miliardë lekë (rreth 18.6 milionë euro) për periudhën janar-korrik të këtij viti, me rritje 56 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur qenë arkëtuar 1.7 miliardë lekë. Renta minerare është një taksë që paguhet nga shfrytëzuesit e lëndëve të para të vendit si nafta, kromi çimento etj.
Në të njëjtën kohë, qeveria arkëtoi 1 miliard lekë, me rritje 160 për qind nga taksa e karbonit, një taksë që paguhet për konsumin e karburantit.
Gjatë vitit të kaluar pati rritje të nivelit të taksës së karbonit nga 0.5 lekë dhe 1 lekë për benzinën dhe gazoilin në 1.5, 3 dhe 3 lekë përkatësisht për benzinën, gazoilin dhe qymyrin, çka ka sjellë dhe efektet pozitive mbi të ardhurat që u thanë më lart; për disa nga mineralet e shtojcës 2 të ligjit të taksave kombëtare pati rritje të nivelit të rentës minerare. Meqenëse këto ndryshime kanë hyrë në fuqi në gjysmën e dytë të vitit 2010, efekti i tyre ndikon mbi të ardhurat e periudhës që po analizojmë krahasimisht me vitin e kaluar, – thuhet në një raport të Ministrisë së Financave.
Shfrytëzimi i lëndëve të para në Shqipëri gjatë viteve të fundit është rritur ndjeshëm, veçanërisht për shkak të çmimeve më të larta të naftës e mineraleve në tregun ndërkombëtar. Shfrytëzimi i burimeve naftëmbajtëse të jugut është shtuar së bashku me burimet e kromit apo bakrit në veri, ndërsa nuk ka mbetur prapa edhe shfrytëzimi i gurit gëlqeror që shërben si lëndë e parë për prodhimin e çimentos.

Gazeta Shqip, 20.09.2011