Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Reforma në “Albpetrol”, pritet firma e Kryeministrit për largimet nga puna

Hartohet lista e shkarkimeve të 2500 naftëtarëve. Propozimet e sindikatës për pensionet
Këtë muaj, qeveria pret të marrë një vendim që i hap rrugë reformës në ndërmarrjen shtetërore të prodhimit të naftës, “Albpetrol”. Sikurse është bërë e ditur nga “Shqip”, muaj më parë, reforma parashikon të nxjerrë në rrugë rreth 2500 naftëtarë, të cilët nuk mund t’i shërbejnë më kompanisë. Ky fakt është konfirmuar nga vetë ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, gjatë takimit me grupimin sindikalist, me argumentin se shkrirja e ndërmarrjes “ka hyrë në një rrugë pa kthim”. Aktualisht, ministria bashkë me kompaninë ka hartuar listën e punëtorëve që preken nga reforma, por nuk mund të vendosë pa marrë vendimin në mbledhje qeverie Kryeministri Berisha. Vetëm VKM-ja mund të caktojë fatin financiar të 2500 naftëtarëve, ndërsa sindikata ka nisur lëvizjet për të gjetur konsensusin.
Aktualisht “Albpetrol” ndodhet në një situatë të vështirë financiare, duke e bërë procesin e privatizimit tepër kompleks. As vetë ministria nuk është në gjendje të deklarojë skemën e shitjes së ndërmarrjes, ndërsa konsulenti amerikan ka propozuar që “Albpetrolit” t’i shtohet një vlerë, për tërheqjen e investitorëve të huaj.
Sakaq, gazeta ka siguruar një kopje të draftit për trajtimin financiar të naftëtarëve, hartuar nga sindikata dhe që pret përgjigje nga Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Punës.
Grupimi sindikalist i Shqipërisë, që mbron interesat e naftëtarëve, thotë se drafti është hartuar me kohë, por shteti ka harruar ta shqyrtojë dhe të vendosë mbi normat e pensioneve.
“Në të gjitha shtetet e industrializuara të botës ruhen diferencat në moshën e daljes në pension për vetë faktin e diferencës në jetëgjatësinë e këtij grupi shoqëror. Duhet shtuar se këta punonjës për të cilët po flasim diskriminohen me 5 deri 15 vjet jetë për daljen në pension në raport me kategoritë e tjera të punonjësve, kjo sipas ligjit 7703, datë 11.05.1993 ndryshuar me ligjin 8889, datë 25.04.2002”, thuhet në draft.
“Grupimi sindikalist i Shqipërisë, ju drejtohet juve për të mos lejuar grabitjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore, për vetë faktin që një pjesë e tyre që në moshën 50-vjeçare dhe pothuajse shumica e tyre në moshën 60 – 65-vjeçare janë të vdekur”, nënvizon nga ana tjetër një letër drejtuar këto ditë krerëve të shtetit.
Jetëgjatësia mesatare për punonjësit e profesioneve të vështira si në industritë minerare, industritë e naftës dhe të gazit, industritë metalurgjike, gjeologji, industri kimike, fabrikat e pasurimit, fonderitë etj., rezultojnë sipas studiuesve rreth 60 vjeç mesatarja.
Sindikata mendon se në kuadër të ristrukturimit dhe privatizimit të rishikohet dalja në pension para kohe e naftëtarëve për mundin dhe sakrificat që ata kanë bërë dhe bëjnë duke i dhënë ekonomisë kombëtare 35% të të ardhurave. Sa i takon daljes në pension, sindikata vlerëson se, për gratë duhet të jetë 50 vjeç, burrat 55 vjeç, kurse për punonjësit e administratës në terren 58 vjeç.

Gazeta Shqip, 14.09.2011