Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosovë: Nuk ka pasur studim të mirëfilltë për energjinë

Pas një hulumtimi tetë mujor, organizatat joqeveritare, KIPRED, GAP dhe FIQ kanë nxjerrë raportin për sektorin e energjisë elektrike, i cili pasqyron problemet e mëdha në këtë sektor me të cilat përballen Kosova, e sidomos qytetari i saj.
Në një konferencë për media të mërkurën, Krenar Gashi nga Instituti KIPRED ka deklaruar se sektori energjetik ka qenë një problem i madh për qytetarin, për të cilin shumë është diskutuar e shumë pak është ditur, raporton Kosovapress.
“I gjithë sektori i energjisë ka qenë një sektor për të cilin kemi ditur pak. Kemi ditur shumë nga ajo që kemi vuajtur nga reduktimet e energjisë elektrike, mirëpo kemi ditur pak sa i përket planeve zhvillimore të Kosovës për ta stabilizuar sektorin e energjisë”, ka thënë Gashi.
Ai ka kritikuar Qeverinë e Kosovës se në strategjinë e saj nuk ka përfshirë edhe burime alternative të energjisë elektrike.
“Kosova në politikën e saj për zhvillim është e fokusuar vetëm në një drejtim të caktuar të prodhimit të energjisë elektrike që është prodhimi i energjisë elektrike prej djegies së linjitit e që në botën perëndimore njihet si energji e ndytë, apo energji e pa pastër”, ka thënë Gashi.
Edhe përfaqësuesi nga Instituti GAP, Agron Demi, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, se në komisionet përkatëse nuk ka përfshirë përfaqësues nga shoqëria civile.
“Komiteti Drejtues i projektit, në përbërjen e tij, përveç anëtarëve qeveritar ka edhe vëzhgues ndërkombëtar, siç janë USAID, Komisioni Evropian, apo Zyra Civile Ndërkombëtare, mirëpo kanë refuzuar fillimisht që me e kyç shoqërinë civile drejtpërdrejt në punimet e Komitetit Drejtues”, ka thënë ai.
Më tej raporti nxjerr në pah edhe mungesën e zhvillimit ekonomik, e që bie në kundërshtim me fjalët e Qeverisë së Kosovës, e cila sa e sa herë po e pohon se termocentrali “Kosova e Re” do ta zhvillojë ekonominë dhe sektorin energjetik në Kosovë.
“Në fakt, studimet tona preliminare tregojnë se pikë së pari nuk ka pasur studime të thella në këtë fushë asnjëherë, dhe së dyti, termocentrali “Kosova e Re” nëse ndërtohet në këtë mënyrë dhe me këto parametra siç parashihet në projektin, i cili është duke u hulumtuar, nuk do të ndihmojë shumë në zhvillimin ekonomik të Kosovës, sidomos jo në papunësi”, ka thënë ai.
Ata kanë pohuar se problemet në sektorin energjetik në Kosovë i kanë larguar shumë investitorë të interesuar për investime në vend, andaj kanë rekomanduar që kjo çështje të shqyrtohet me më shumë seriozitet.
Në raport janë dhënë edhe konkluzionet dhe rekomandimet për Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës, ku ndër të tjera thuhet që strategjia e miratuar në Kuvend të kthehet serish për shqyrtim dhe plotësim.

Gazeta Koha Ditore, 07.09.2011