Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Devoll Hydropower prezanton projektin e ndërtimit të tre hidrocentraleve në lumin Devoll

Zv. ministri i ekonomisë Dervishaj: ”Ndërtimi i hidrocentraleve krahas prodhimit të energjisë do të do të zhvillojë jetën e komunitetit”
Brenda 2013-s do të fillojnë punimet për ndërtimin e tre hidrocentraleve në rrjedhën e lumit Devoll. Në rrjedhën e këtij lumi, sipas projektit fitues, do të ndërtohen Hidrocentralet e Banjës, Moglicës dhe Kokëlit. Në një takim me drejtuesit e kompanisë fituese të projektit dhe përfaqësues të pushtetit lokal në Gramsh, zëvendësministri i Ekonomisë, Sokol Dervishaj, e ka cilësuar projektin si më të rëndësishmin në fushën e energjetikës që do t’i hapë rrugë të reja zhvillimi zonës. “ Ky është projekti më i madh dhe më i rëndësishëm hidroenergjetik i 40 viteve të fundit. Është një linjë prej 60 km që prek zonën e Korçës dhe Gramshit me ndërtimin e tri digave që krahas prodhimit të energjisë elektrike do t’i hapë rrugë të reja zhvillimit të komunitetit të zonës.” – është shprehur Dervishaj. Në takimin e djeshëm në Gramsh Dervishaj ka diskutuar me përfaqësuesit e pushtetit lokal dhe drejtuesit e kompanisë fituese alternativat për zgjidhjen e problemit të zhvendosjes apo zëvendësimin e objekteve që do të përmbyten dhe preken nga ndërtimi i rezervuarve të hidrocentraleve, kompensimin e të prekurve dhe ndryshimin dhe rindërtimin e infrastrukturës rrugore. Nga ndërtimi i hidrocentraleve, sipas drejtorit të përgjithshëm të projektit, do të preken nga përmbytjet 12 komuna. Ku përfshihen disa fshatra, rrjete rrugore, toka bujqësore, shkolla, ujësjellësa etj. Banorët që do të preken do të kompensohen nga firma. Kompania fituese e koncesionit për të planifikuar, ndërtuar,  shfrytëzuar dhe transferuar tre hidrocentrale në lumin Devoll,  ka prezantuar ditën e djeshme projektin e detajuar hidroenergjetik mbi këtë lum. Sipas tyre, kohëzgjatja për ndërtimin e tri hidrocentraleve do të jetë 6 vjet. Menaxheri i Grupeve të Interesit të kompanisë Devoll “Hydropower Ewoud Oosterwijh” gjatë fjalës së tij është shprehur se ky është një nga projektet hidro energjetike më të mëdha në Ballkan. Ai bën me dije se në lumin Devoll do të ndërtohen tre hidrocentrale me prodhim mesatar vjetor të energjisë 800 Gwh. Hidrocentrali me kapacitetin më të madh prodhues do të jetë ai i Moglicës me një prodhim mesatar vjetor të energjisë 450 Gwh, pas tij për nga kapaciteti vjen hidrocentrali i Banjës me prodhim 250 Gwh dhe ai i Kokëlit me prodhim mesatar vjetor 100 Gwh. Menaxheri thekson se sapo ka përfunduar faza parandërtimore e projektit hidroenergjetik të Devollit. Kjo fazë filloi në 1 prill 2009. “ Në fazën parandërtimore janë bërë shpime gjeologjike, studime hidrologjike, studime topografike dhe studime sizmike. Gjithashtu në këtë fazë është bërë edhe vlerësimi i ndikimit social dhe mjedisor,  si dhe janë kryer punime për rritjen e sigurisë në strukturën ekzistuese të digës së banjës”, – shpjegoi menaxheri.
Hapësirat e reja për punësim
Drejtori i përgjithshëm i projektit “Helwig Ueberacer” në fjalën e tij ka sqaruar se nga hidrocentralet të furnizojnë me energji rreth 150.000 banorë. Sipas tij, ndërtimi i këtyre digave hidrike do t’i japë mundësi zonës të zhvillojë  turizmin, peshkimin dhe do të krijojë hapësira punësimi. “Projekti do të krijojë një numër të madh vendesh pune. Devoll Hydropower SH.A do të punësojë direkt një numër të kufizuar punonjësish. Punësimi më i madh do të kryhet nga konsulentët dhe kontraktorët. Për këto vende pune do të nevojiten punonjës së kualifikuar. Firma do të inkurajojë kontraktorët të punësojnë banorë vendas dhe do të bëjë trajnime për banorët në mënyrë që t’i kualifikojë për punësim.” –  deklaroi Ueberacer.
Projekti
Projekti hidroenergjetik i Devollit përfshin planifikimin dhe ndërtimin e tri hidrocentraleve përgjatë luginës së lumit Devoll dhe linjat e nevojshme të transmisionit për lidhjen e HEC-ve me rrjetin kombëtar të energjisë. I pari do të fillojë nderimi i Hecit të Banjës, 40 km në jug të Tiranës, më pas Heci Kokël rreth 30 km mbi digën e Banjës në rrethin e Gramshit dhe në fund do të ndërtohet hidrocentrali i Moglicës në rrethin e Korçës, më i madhi i projektit dhe njëkohësisht hidrocentrali me digën më të lartë në Ballkan. Kapaciteti i instaluar i të tre Hec-ve  është planifikuar të jetë 280 Mw. Kompania Devoll Hydropower me aksionerët e saj EVN dhe Statkraft,  u përzgjodhën si fitues të koncesionit për të shfrytëzuar potencialin hidroenergjetik të Luginës së Devollit, më 1 prill 2009.

Gazeta Standard, 08.09.2011