Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

CEZ vjedh shqiptarët nëpërmjet taksës së televizorit, lavazhot dhe bodrumet paguajnë për RTSH

CEZ Shpërndarje është ndoshta kompania me monstruoze e huaj që ka mbërritur në vendin tonë prej disa vitesh. Meqenëse qeveria shqiptare i ka lënë në dorë vjeljen e taksës së televizorit nëpërmjet faturave të saj, kjo kompani ka vendosur që të taksojë çdo banesë apo subjekt që ka kontratë me të, pavarësisht nëse ka aparat televiziv brenda apo jo. Kështu, qytetarë të shumtë ankohen se CEZ po takson për televizorin, ambiente të tilla si garazhe, bodrume, dyqane, markete, zyra etj. E megjithëse shumica e pronarëve të këtyre ambienteve e kanë të padobishëm një aparat televiziv, nuk kanë preferuar të mbajnë një të tillë në këto ambiente. Por CEZ as që do t’ia dijë për këtë fakt ndaj ka krijuar një standard të saj. Çdo banesë apo subjekt që ka kontratë energjie, do të paguajë dhe taksën e televizorit prej 1 mijë lekësh të vjetra në muaj. Por ky standard bie kryekëput ndesh me Udhëzimin e ministrit të Financave Ridvan Bode, sipas të cilit, kjo tarifë llogaritet dhe paguhet nga përdoruesit familjarë vetëm për një marrës televiziv, pavarësisht nga numri i aparateve që kanë në familje. Pra e thënë ndryshe, edhe pse një familje mund te ketë tre televizorë në shtëpi, taksën do të paguajë vetëm për një, pra 12 mijë lekë. Ndërsa për përdoruesit e tjerë jo familjarë, sipas të njëjtit Udhëzim, kjo tarifë paguhet për çdo aparat televiziv. E ndërsa  abonentëve familjarë ua vjel muaj për muaj këtë taksë siç e do dhe ligji, CEZ e shkel këtë të fundit tek abonentët e tjerë jo familjarë, siç mund të jenë subjekte të tjera private. Megjithëse subjekte të tilla si garazhet, lavazhot, zyrat etj., nuk kanë arsye për të mbajtur një televizor në këto ambiente, CEZ i takson me 1 mijë lekëshin standard siç paguajnë çdo muaj dhe familjarët. Kjo është një vjedhje e pastër e CEZ, e cila që kur ka marrë në dorëzim shërbimin, e shpërndarjes së energjisë, nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka rrjepur qytetarët shqiptarë nëpërmjet lloje-lloje metodash të kamufluara keq me risi të botës së përparuar në teknologji.
Udhëzimet e Bodes për taksën e televizorit
Një faqen zyrtare të CEZ Shpërndarje, thuhet se taksa vjetore e televizorit vilet bazuar në Udhëzimin e Ministrisë së Financave, sipas të cilit çdo muaj paguhet një tarifë prej 1 mijë lekësh të vjetra për përdorimin e aparateve televizivë. Por çfarë thonë Udhëzimet e Ministrisë së Financave?! Në Udhëzimin Nr.1, datë 8.1.2009 “Për përcaktimin e tarifës së shërbimit për përdorimin e aparateve televizive”, thuhet se në mbështetje të nenit 102, pika 4 të Kushtetutës dhe nenit 11 të ligjit nr.9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare”, Ministri i Financave dhe Drejtori i Përgjithshëm i Radiotelevizionit Shqiptar, udhëzojnë:  Tarifa llogaritet dhe paguhet nga përdoruesit familjarë vetëm për një marrës televiziv, pavarësisht nga numri i aparateve që kanë në familje. Për përdoruesit e tjerë jo familjarë kjo tarifë paguhet për çdo aparat televiziv. Mbi tarifat e shërbimit të përfshira në këtë udhëzim nuk aplikohet TVSH-ja. Për shërbimin e kryer, OSSH-ja, (tashmë CEZ) përfiton 5% komision të llogaritur mbi masën e tarifave që ka arkëtuar dhe ka transferuar në llogarinë përkatëse të thesarit. Ndërsa Udhëzimi Nr.42, datë 23.12.2010 për disa ndryshime në Udhëzimin nr.1, datë 8.1.2009 “Për përcaktimin e tarifës së shërbimit për përdorimin e aparateve televizive”, të ndryshuar, thotë se në mbështetje të nenit 102 pika 4 të Kushtetutës dhe nenit 11 të ligjit nr.9975, datë 28.7.2008 “Për taksat kombëtare” të ndryshuar, Ministri i Financave dhe Drejtori i Përgjithshëm i Radiotelevizionit Shqiptar, udhëzojnë: Në udhëzimin nr.1, datë 8.1.2009 “Për përcaktimin e tarifës së shërbimit për përdorimin e aparateve televizive” të ndryshuar, bëhen ndryshimet e mëposhtme: Tarifa e shërbimit për përdorimin e aparateve televizive është 100 (njëqind) lekë në çdo muaj kalendarik. Me vjeljen e kësaj tarife ngarkohen zyra e pagesës së energjisë elektrike. Vjelja e kësaj tarife bëhet çdo muaj”. Faturat tatimore të energjisë elektrike të “CEZ Shpërndarje” do të kenë në fund, si një zë më vete, tarifën e shërbimit për përdorimin e aparateve televizive, sipas udhëzimit të Ministrit të Financave nr.17/4, datë 26.12.2008 “Për disa shtesa dhe ndryshime në udhëzimin nr.17, datë 13.5.2008 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”. Pagesat e tarifës vërtetohen për përdoruesit në librezën e pagesës së energjisë elektrike, ku shënohet “tarifa e paguar për muajin.., data e pagesës, si dhe firma dhe vula e punonjësit të ngarkuar me vjeljen e kësaj tarife. Këto dy udhëzime që plotësojnë njëri tjetrin, tregojnë qartë se si manipulon CEZ me taksën e televizorit, duke vendosur për çdo kontratë energjie një taksë televizori.

Gazeta Sot, 14.08.2011