Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Reforma në “Albpetrol”, naftëtarët: Trajtim ose revolta të pakontrolluara

Sindikata, takim me Ministrinë e Punës dhe të Ekonomisë. Tre vjet pagë dhe miratim statusi
Plani i Ministrisë së Ekonomisë dhe Tregtisë për të dhënë me koncesion ndërmarrjen shtetërore të naftës “Albpetrol”, po shqetëson naftëtarët, për shkak se ky proces do të shoqërohet me largime masive nga puna. Reforma parashikon largimin e të paktën 2500 naftëtarëve që punojnë aktualisht për “Albpetrol” dhe të 220 të tjerëve të “Stream Oil&Gas”. Kjo e fundit ka bërë gati shkresën me largimet nga puna, e ndarë në dy periudha, gusht dhe shtator, kurse ndërmarrja shtetërore e prodhimit të naftës pritet ta nisë reformën në fillim të muajit shtator. Sindikata thotë se nuk përjashtohet mundësia e largimit nga puna e 3000 naftëtarëve, për ta lënë kompaninë vetëm me 300-400 punonjës. Në takimin e zhvilluar me ministrin e Ekonomisë, Nasip Naço, në mesin e muajit korrik, sindikata i ka bërë të ditur kërkesat për trajtimin financiar të naftëtarëve, si dhe një sërë kushtesh. Problem qëndron fakti se ministria nuk e ka ende të qartë se cilën formë do të zgjedhë për shndërrimin e pronarit të “Albpetrolit”, nëse do të jetë me koncesion apo me anë të privatizimit.
Sakaq, dje, grupimi sindikalist i Shqipërisë ka zhvilluar dy takime, përkatësisht me drejtues të Ministrisë së Ekonomisë dhe Ministrisë së Punës, ku janë dorëzuar kërkesat lidhur me trajtimin financiar të naftëtarëve që preken nga reforma. Në shkresën e dorëzuar, e cila një kopje disponohet nga gazeta “Shqip”, ndër të tjera sindikata u bën thirrje dy ministrive që të gjejnë zgjidhje mbi fatin e 3000 mijë minatorëve, në të kundërt do të ketë protesta të pakontrolluara. “Jemi duke bërë përpjekje që t’i japim zgjidhje sa më të shpejtë ekonomike naftëtarëve para se të gjenden në mes të rrugëve si të papunë. Në të kundërt, protestat e tyre do të jenë të pakontrolluara dhe askush nga sindikata nuk mban përgjegjësi”, thotë për gazetën njëri nga anëtarët e grupit negociator me dy ministritë.
Shqetësimi i sindikatës lidhet edhe me rastet precedente, si me privatizimin e ARMO-s apo të dhënies me koncesion të disa puseve të “Albpetrolit”, ku ngelën të papunë me qindra naftëtarëve dhe ku vendimet e qeverisë për trajtimin financiar të tyre nuk u respektuan. “Në VKM nr. 275, datë 26.04.2010, nuk përcaktohet asgjë për trajtimin e punonjësve, si edhe nuk delegohet asnjë detyrë për ministrinë në këtë drejtim. Për këtë qëllim kemi kërkuar takim me Kryeministrin, si dhe kemi bërë peticionin me nr. prot.35, datë 31.07.2010, drejtuar të gjitha institucioneve, përfshi edhe Avokatin e Popullit, Prokurorinë dhe KLSH-në”, thuhet në letrën dërguar dje ministrit të Ekonomisë. Sindikata mendon se në VKM të përfshihet trajtim financiar prej 2-3 vjetësh page individuale për çdo naftëtar (pagë bazë + vjetërsi), e cila të përballohet nga likuidimet e “Albpetrolit” ose të koncesionarit. “Lidhur me shkresën e ‘Stream Oil&Gas’, do të donim takim të veçantë me Ju (ministrin), që duke pasur parasysh revoltën e pakontrolluar të naftëtarëve, do të ishte mirë sa më shpejt të jetë e mundur”, thuhet në letër. Ndërkohë, gjatë kësaj kohe, sindikata kërkon aprovimin e statusit të naftëtarit, si edhe uljen e moshës së pensionit.

Gazeta Shqip, 03.08.2011