Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Meta: Prokuroria është marrë peng, po favorizon Priftin. Reagimi i Priftit

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, reagoi pas vendimit të Gjykatës së Lartë. Sipas Metës, mes Prokurorisë dhe deputetit Dritan Prifti, ekziston një marrëdhënie pengmarrjeje.
“Gjykata vepron mbi bazën e procedurave, por nuk mund të kërkojë tërheqje të provave sepse nuk është në interes të saj, aq më tepër që të tërheqë të vetmen provë origjinale që është video.”, u shpreh Meta.
Meta theksoi se tërheqja e provave bëhet për të favorizuar Priftin. Ish kryeministri pretendoi gjithashtu se dëshmia e Priftit është e rreme dhe se kjo dëshmohet nga veprimi i fundit i organit të akuzës.
Prokuroria ka kërkuar që video e dytë e përgjimit mes Priftit dhe ish-drejtorit të Meterologjisë, Leonard Beqirit, të mos konsiderohet si provë. Kjo kërkesë u pranua nga ana e Gjykatës së Lartë, çka solli dhe reagimin e Metës. Ndërkohë, deputeti Dritan Prifti është dëshmitari kyç i çështjes. Ai ka qënë i pranishëm gjatë ditës së sotme në ambientet e gjykatës në pritje për të dhënë dëshminë e tij. Seanca e radhës pritet të zhvillohet më 25 korrik ndërkohë, Prifti deklaroi se do të paraqitet në rast thirrje pasi  është detyra e tij si qytetar dhe se misionit që ka nisur do t’i shkojë deri në fund.

Prifti: Meta nuk kupton as veprimet e avokatëve të tij
Pas deklaratës së Kryetarit të LSI-së Ilir Meta, menjëherë ka reaguar në lidhje me seancën gjyqësore të zhvilluar sot deputeti Dritan Prifti.
“Dëgjova deklaratën e Z. Meta pas vendimit të sotëm të Gjykatës së lartë. Nuk jam njohur me vendimin e plotë, por nga fjalët e Z. Meta dua të sqaroj se: Vertetohet dhe njëherë që Z. Meta nuk kupton as veprimet e avokatëve të tij. Ai fatkeqësisht nuk kupton që gjykata sot ka zbatuar kërkesën që vetë Meta bëri për pavlefshmëri të videove. Gjykata sot zbatoi atë që vendosi në seancën e mëparshme. Pavlefshmërinë e ekspertimit e kërkoj Ilir Meta. Gjykata nuk mund të lejojë një provë që vetë e ka nxjerrë të pavlefshme. Prokuroria zbatoi vendimin e gjykatës për pavlefshmëri të ekspertimit që rrëzoi provën video Prifti Beqiri. Video Prifti-Beqiri s’ka asnjë vlerë për gjyqin e Metës por është filmim privat në shtëpi pa asnjë lidhje me detyrën time dhe të z.Beqiri. Video Prifti-Beqiri kërkohet nga Meta për shantazh mbi mua si dëshmitar. E këshilloj Ilir Metën që betejën mos ta zhvillojë me mua por me drejtësinë.”, shkruan Prifti në një deklaratë shpërndarë për mediet.
Vetëm pak orë më parë, në një prononcim, pas përfundimit të seancës së parë për video-përgjimin, Meta akuzoi organin e Prokurorisë se po merr në mbrojtje përgjuesin e tij Dritan Priftin dhe po e favorizon atë.

Gazeta Shekulli, 22.07.2011