Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Porti, depozitat greke dhe anijet e mbytura mbajnë peng kalatën lindore

Mijëra metra katror sipërfaqe ka dalë jashtë funksionit, ky fakt ka bllokuar të gjitha projektet
Kalata Lindore e Portit te Durrësit është kthyer në një “varrezë”, të madhe. Në një krah janë depozitat e kompanive greke të karburanteve dhe në anën tjetër anijet e mbytura në vite, që janë kthyer në një stok të madh hekurishtesh, e kanë nxjerrë jashtë funksioni tërësisht  këtë pjesë të portit. Tankerat e depozitave të karburanteve duhet të ishin larguar që në Mars të 2009, me vendim qeverie. Megjithëse kanë përfunduar të gjitha afatet kohore, depozitat e  karburantit që ndodhen në Portin detar të Durrësit janë akoma aty duke bllokuar një sipërfaqe të madhe kalate, por edhe duke bllokuar projektet për vënien në funksion të kalatës lindore të Portit të  Durrësit.
Moszbatimi i vendimit
Që prej vitit 2009 ato duhet të ishin zhvendosur në pontilin e ri të Porto Romanos i bërë enkas për to. Por deri tani me gjithë ndërhyrjen edhe të dy ministrive, përsëri depozitat mijëra litërshe të  hidrokarbureve vazhdojnë të jenë të  pa lëvizura në Portin e Durrësit duke zënë një pjesë të konsiderueshme të tij, si dhe duke penguar projektin për zgjerimin e portit të financuar nga Banka Botërore dhe donatorë të tjerë të fuqishëm. Dy ministritë ajo e Ekonomisë si dhe ajo e Transporteve që po merret dhe me projektin për zgjerimin e portit, akoma nuk kanë arritur të vënë në vend autoritetin e  tyre për të zhvendosur këto depozita të njohura si  “depozitat  greke”. Qeveria “Berisha” ka marrë vendimin në korrik të vitit 2007 për zhvendosjen e të gjitha depozitave me naftë dhe gaz, për t’i  transferuar ato në zonën e Porto Romanos, në periferi të qytetit të  Durrësit, aty ku mendohet se do të ndërtohet edhe parku energjetik.  Sipas vendimit, kompanive të importit të karburantit u lihej afat fundi i  dhjetorit 2008, pasi procesi i zhvendosjes së depozitave kërkonte kohë  dhe para shtesë.
Anijet e mbytura
Mijëra ton hekurishte, të anijeve të mbytura e të sekuestruara në vite, kanë mbetur, stok, në  kalatën lindore të Portit të Durrësit, duke u bërë jo vetëm imazhi i keq për këtë port, por edhe pengesë serioze për vënien në funksion të kësaj kalate në shfrytëzim për ekonominë. Prej vitesh në radën e jashtme të Portit të Durrësit, por edhe në kalatën lindore të këtij porti qëndrojnë rreth 15 anije tregtare, të cilat janë braktisur ose janë konfiskuar nga prokuroria, pronarëve të tyre. Drejtoria e portit nuk mban asnjë përgjegjësi ligjore për gjendjen e këtyre mjeteve lundruese, të cilat janë kthyer për shitje skrapi, pasi anijet e sekuestruara janë thjesht në ruajtje.
Kërkesa
Kohë më parë, Autoriteti Portual i Durrësit kontaktoi me tre kompani të specializuara duke u kërkuar nxjerrjen e këtyre anijeve të mbytura në basenin ujor. Kërkesa u bë që heqja të ishte me parametra zero nga na e portit, por ky projekt nuk u realizua, pasi, që të tre kompanitë u tërhoqën nga tenderi madje lanë edhe garancinë prej 5 milion lekësh secila. Problemi është i vjetër dhe është trashëguar duke mos i dhënë asnjë zgjidhje konkrete në vite, edhe për faktin se jo të gjitha anijet e mbytura janë pronë e shtetit, një pjesë e tyre janë pronë private, të harruara nga pronarët e tyre, të cilët në një moment të më vonë mund të kërkojnë pronësinë.
Rreziku nga depozitat
Problemi i depozitimit të naftës dhe gazit në Portin e Durrësit dhe Shëngjinit është ngritur me kohë, duke qenë se pozicioni i tyre ndodhet shumë pranë qendrave të banimit. Nisur nga shqetësimi i  vazhdueshëm dhe garantimi i sigurisë për banorët, qeveria ndërmori hapin e guximshëm për t‘i zhvendosur në zonën e Porto e Romanos, duke miratuar edhe zbatimin e projektit për ndërtimin e një pontili, nga ku do kalohej e gjithë sasia.
Depozitat e karburanteve duhet të ishin larguar që në Mars të 2009, me vendim qeverie. Megjithëse kanë përfunduar të gjitha afatet kohore, depozitat e  karburantit që ndodhen në Portin detar të Durrësit janë akoma aty duke bllokuar një sipërfaqe të madhe kalate, por edhe duke bllokuar projektet.

Gazeta Telegraf, 24.06.2011