Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Vlora si grykëderdhje naftësjellësi, ‘malli në breg, mbetjet në det’

Veprohet si të ishte një gjë normale, pa asnjë lloj druajtje si të ishin anije pushtuesish apo kolonizuese. Gjiri i Vlorës dëmtohet shpesh nga anije të ndryshme tregtare si dhe ato të transportit të karburanteve. Në mënyrë flagrante, vetëm ditën e sotme, kanë shkarkuar mbetje në ujrat e detit, shumë afër me bregun. Vaji dhe mbetjet të cilat janë shkarkuar nga dy anije, pasi kishin përfunduar procesin e zbarkimit të mallrave. Gjithashtu, më shpesh, ato kryejnë pastrimin e karburantit në gjirin e Vlorës, duke e kthyer atë si në një grykëderdhje naftësjellësi. Larjet e motorëve dhe ndërrimi i karburantit në serbatorët gjigantë bëhen pikërisht në kushte flagrante. E gjitha kjo ndodh në sytë e pushuesve dhe të gjithë qytetarëve të tjerë. Edhe pse ekziston një Konventa për Mbrojtjen e Mjedisit Detar dhe Zonës Bregdetare të Detit Mesdhe, duket se me këto raste të përsëritura nuk zbatohet. Por edhe ligji mbi ujërat dhe detet përmban masa penalizuese në bazë të shkallës së ndotjes. Minimalja shkon në 100 mijë euro dhe më pas rishikimi i licencës për mos zbatueshmëri të legjislacionit të përcaktuar në kontratën e subjektit.
Zëri i qytetarit
Qytetarët dhe pushuesit i bëjnë thirrje organeve kompetente për këtë masakër që po i shkaktohet detit. Plazhistët e shumtë në qytetin e Vlorës kërkojnë që kjo gjë të parandalohet dhe shkelësit të ndëshkohen pasi në të kundërt dëmet do të jenë të shumëfishta. “Nuk është normale. Autoritetet përkatëse duhet ët marrin masa urgjentisht për të bërë të mundur ndalimin e këtyre hedhjeve të mbeturinave”, shprehet një 40-vjeçare nga Vlora. “Vijmë për të shijuar panoramën e bukur që të ofron deti i Vlorës. Fakti që anija po derdh mbeturinat e saj pa e çarë kokën fare tregon që deti i Vlorës po mbushet dita ditës me mbeturina si naftë, vaj etj., ndërkohë që nga autoritetet si portuale e ato të mjedisit nuk prononcohen për këtë fakt”, ankohet një pushues.

Gazeta Shekulli, 08.06.2011