Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Krijimi i Sistemit Elektroenergjetik, ndërtimi i veprave të mëdha

Vetëm pas çlirimit Shqipëria mundi të ndërtonte disa vepra të mëdha të prodhimit të energjisë të afta për të përballuar jo vetëm ndriçimin, por edhe nevojat e industrisë. Kështu u ndërtua HEC-i Ulëz dhe u vu në punë në janar 1958. Ky është hidrocentrali i parë i ndërtuar në kaskadën e lumit Mat, me rezervuar dhe me digë betoni. Lartësia e digës është 64 metra, rezervuari me kapacitet 240 milion m3 ujë, (124 milion m3 përbëjnë volumin e dobishëm) dhe kuota maksimale 128,50 m (mbi nivelin e detit). Janë të instaluar 4 agregate me turbina vertikale Francis, me kapacitet 6,3 MW secila dhe fuqia e instaluar totale 25,2 MW. Prodhimi mesatar vjetor i projektuar është 115 GWh, ndërsa energjia mesatare vjetore e prodhuar në fakt për 22 vitet e fundit ka rezultuar 100 GWh. Në periudhën e viteve 2001-2003 është bërë një ndërhyrje rehabilituese në këtë HEC. Me ndërtimin e këtij HEC-i u krijuan kushtet për krijimin në vitin 1957 të Sistemit Elektroenergjetik Kombëtar, duke bërë lidhjen e objekteve të veçanta prodhuese me linja 110 kV. Sistemi Elektroenergjetik kishte rreth 60 MW fuqi të instaluar gjeneruese dhe rreth 200 km linja të tensioneve 110 kV / 35 kV.
Veprat e mëdha
Zhvillimi sasior e cilësor i sistemit filloi pas vitit 1960, pasi tashmë ishte krijuar edhe një bërthamë burimesh njerëzore shkencore-studimore dhe projektuese. Në këtë periudhë filloi të bëhet vlerësimi i potencialeve hidrologjike të vendit dhe në mënyrë të veçantë mundësia e shfrytëzimit të lumit Drin. Në periudhën 1960–1966 u ndërtuan edhe HEC-i Shkopet (24 MW), HEC Bistrica 1 (22.5MW), HEC Bistrica 2 (5 MW) si dhe TEC-i Fier (99 MW). HEC Shkopet është hidrocentrali i dytë i kaskadës së lumit Mat dhe është vënë në shfrytëzim në vitin 1963. Ai është i tipit me digë betoni me hark dhe rezervuar, lartësia e digës është 44m dhe sasia e dobishme e ujit të rezervuarit është 10 milion m3. Në HEC Shkopet janë të instaluar dy agregate me turbina të tipit Kaplan me fuqi të instaluar 12 MW secili dhe fuqia totale e instaluar e hidrocentralit është 24 MW. Prodhimi vjetor i projektuar është 90 GWh, ndërsa në fakt është realizuar si mesatare e 46 vjetëve rreth 86 GWh. Në periudhën e viteve 2002-2005, në HEC Shkopet është bërë një ndërhyrje rehabilituese. Në periudhën 1971–1986, u ndërtuan tre HEC-e të fuqishëm mbi lumin Drin, HEC Vau i Dejës (250 MW), HEC Fierzë (500 MW) dhe HEC Koman (600 MW). Këto HEC-e janë të mëdhenj jo vetëm për fuqinë e instaluar, por edhe për veprat civile si: diga, tunele shkarkimi e furnizimi, godina centrali, nënstacione etj., projektimi dhe zbatimi i të cilave është një arritje e suksesshme e projektuesve dhe zbatuesve shqiptarë.
Vau i Dejës
HEC Vau i Dejës është aktualisht hidrocentrali i fundit i kaskadës në lumin Drin, por shfrytëzimi i kaskadës së Drinit ka filluar me ndërtimin së pari të këtij hidrocentrali, i cili është vënë në shfrytëzim në vitin 1971. Ai ka një fuqi totale te instaluar prej 250MW, që përbëhet nga 5 agregate nga 50MW, ku janë instaluar turbina të tipit Francis. Në këtë HEC janë ndërtuar dy diga, ajo e Zadejes dhe e Qyrsaqit, pranë së cilës ndodhet edhe centrali. Volumi i përgjithshëm i rezervuarit është 600 milion m3, ndërsa volumi i dobishëm është 250 milion m3. Niveli maksimal i liqenit është 76m mbi nivelin e detit, me një prodhim vjetor të projektuar prej 900GWh. Në vitet 2001-2006 në këtë HEC është bërë ndërhyrje rehabilituese.
HEC Koman
Është hidrocentrali i dytë i kaskadës në lumin Drin. Ndërtimi i HEC Koman ka filluar në vitin 1978 dhe është vënë në shfrytëzim në vitin 1985. Ka një fuqi totale të instaluar prej 600MW dhe përbëhet nga 4 agregate nga 150MW, si dhe janë instaluar turbina të tipit Francis. Ky HEC është i tipit me digë dhe rezervuar. Diga është e larte 115m, volumi i përgjithshëm i liqenit është 450 milion m3, ndërsa volumi i dobishëm është 200 milionë m3. Niveli maksimal i liqenit është 176m mbi nivelin e detit, me një prodhim vjetor të projektuar prej 1800GWh. Në vitet 2001-2006 në këtë HEC është bërë një ndërhyrje rehabilituese.
HEC Fierzë
Është hidrocentrali i parë i kaskadës në lumin Drin. Punimet për ndërtimin e tij kanë filluar në vitin 1970 dhe kanë përfunduar në vitin 1978. HEC Fierzë është i tipit me digë dhe rezervuar. Diga është digë dheu me bërthamë argjile me lartësi 170m dhe gjatësi 350m. Nga diga e Fierzës është krijuar një rezervuar me një volum të përgjithshëm 2,7 miliard m3 ujë. Janë instaluar 4 agregate me turbina Francis, me fuqi 125 MW për çdo njësi dhe fuqi totale të instaluar 500 MW. Niveli maksimal i liqenit është 296m dhe prodhimi vjetor i projektuar i HEC Fierzë është 1200 GWh. Në vitet 2001- 2006 u realizua projekti i rehabilitimit të HEC Fierzë. Në të njëjtën periudhë, në sektorin termoenergjetik u ndërtuan TEC-i i Korçës (6 MW), TEC-i i Elbasanit (6 MW), u fuqizua TEC-i i Fierit me një bllok te ri 60 MW dhe ndërtohet TEC-i i Ballshit (24 MW).
Në vitin 1986, me përfundimin e HEC Koman, që është edhe objekti i fundit i ndërtuar për gjenerim energjie, fuqia e instaluar e Sistemit arriti në 1684 MW, prej të cilave, 1446 MW HEC-e; 224 MW TEC-e dhe 14 MW HEC të vegjël.

Gazeta Mapo, 30.05.2011