Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Qeveria, nismë për krijimin e bursës së energjisë

Pas miratimit të Ligjit të ri për Sektorin e Energjisë Elektrike, Shqipëria po ndërmerr hapat konkrete për liberalizimin e tregut të energjisë. Ligji përcakton një kalendar të qartë se në çfarë mase dhe në cilat afate do të realizohet hapja e tregut. Në funksion të këtij procesi, shumë shpejt do të realizohet dhe ndërhyrja ligjore për krijimin e modelit të ri të tregut.

Pjesë e tregut të energjisë, që synon në themel rritjen e transparencës në shitblerjet e energjisë, do të jetë edhe bursa e energjisë. Ajo do të jetë mekanizmi që do të realizojë transaksionet fizike dhe financiare të flukseve të energjisë. Suksesi i kësaj burse do të varet edhe nga sasia e flukseve të energjisë që do të tregtohen në të.

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri  tha se Shqipëria po bën hapat e saj drejt liberalizmit të tregut. “Ju e dini tashmë që Parlamenti shqiptar miratoi Ligjin e ri të Energjisë Elektrike, i cili përcakton edhe një skedulë për liberalizimin e mëtejshëm të tregut.  Gjithashtu, po bëhen hapa me vendet fqinje për të bashkuar tregjet, pra për të krijuar tregje më të mëdha se sa një vend, siç është rasti me Kosovën. Janë edhe disa përpjekje nën mbikëqyrjen e Komunitetit të Energjisë për krijimin e zyrave të përbashkëta të alokimit të kapaciteteve, gjë që i bën tregjet e këtyre vendeve më të lidhur me njëri-tjetrin dhe më likuid. Në momentin që janë më likuid, ka më shumë garanci financiare edhe për investimet”, nënvizoi ministri Gjiknuri.

Ambasadori norvegjez Z.Jan Braathu shprehu bindjen se me mbështetjen e qeverisë së tij, Shqipëria do të arrijë objektivin për liberalizimin e tregut të energjisë dhe për krijimin e bursës.

“Kemi një vizion përtej saj, është një vizion që e ndajmë me qeverinë tuaj dhe me qeveritë e vendeve përtej Shqipërisë, si me Kosovën përshembull, për një treg rajonal energjie. Ky është hapi i parë, është hapi i rëndësishëm dhe nëqoftëse ne ecim në linjën e duhur atëherë do ta shikojmë këtë zhvillim edhe më tej. Ne do të përforcojmë dhe do të konsolidojmë pozicionin e Shqipërisë në Europën jugore”, u shpreh ambasadori.

Në këtë kontekst, Shqipëria do të shfrytëzojë bashkëpunimin e qeverisë së Norvegjisë për të realizuar projektin e krijimit të tregut dhe bursës së energjisë në Shqipëri. Përvoja norvegjeze synohet të shfrytëzohet si një histori suksesi në krijimin dhe funksionimin e tregut të energjisë.

Në kuadër edhe të procesit të iniciuar nga Konferenca e Berlinit për vendet e Ballkanit, po orientohet fuqizimi i lidhjeve të interkonjeksionit mes vendeve të rajonit. Shqipëria ka tanimë funksionale linjën e transmetimit me Malin e Zi dhe me Greqinë. Vitin e ardhshëm përfundon linja e interkonjeksionit me Kosovën dhe fillon ndërtimi i linjës me Maqedoninë.

Paralelisht me këtë, Shqipëria po merr masat për të krijuar tregun e energjisë dhe bursën e saj të energjisë. Në një hap të dytë, synohet që edhe përmes shembullit norvegjez të kalohet në një treg dhe bursë rajonale të energjisë.

Ligji i sektorit të Energjisë Elektrike parashikon që brenda vitit 2018 deri 30% e tregut të energjisë të jetë e liberalizuar.

Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Z.Damian Gjiknuri në tryezën “Nisma për krijimin e tregut dhe bursës së energjisë në Shqipëri”.

Falenderoj zotin ambasador, qeverinë norvegjeze, që ka bërë të mundur ekzistencën e këtij projekti. Gjithashtu, falenderoj edhe Komunitetin e Energjisë, i cili do të ofrojë asistencën e nevojshme, në mënyrë që ky projekt të jetë i suksesshëm. Për publikun shqiptar duhet të kuptohet se çfarë përfaqëson? Është pikërisht ajo që e tha edhe ambasadori  pak më parë, kemi mundësi për herë të parë që të fillojmë të krijojmë tregun e energjisë. Shqipëria, siç e dini, nuk ka një treg energjie, ka qenë një sistem energjetik tërësisht shtetëror, i mbyllur, i subvencionuar apo kryesisht i varur nga shteti. Kjo shkon përkundër trendit të zhvillimeve ndërkombëtare që është hapja e tregjeve. Vetëm hapja e tregjeve dhe liberalizimi i tyre, krijimi vërtet i një tregu do të jetë një lloj makine që do të nxisë dhe do të garantojë investimet. Është e qartë se investimet e huaja, apo çdo lloj investimi në rritjen e kapaciteteve dhe në shtimin e prodhimit të energjisë do të kërkonte një treg.

Shqipëria është vend i vogël, ka sfidë në këtë drejtim dhe nuk është kollaj të krijosh një treg në një vend të vogël. Këtu kemi operatorë siç është Stattkraft apo edhe investitorë të tjerë nga Turqia të cilët kanë marrë përsipër investimin me riskun e tyre për gjetjen e tregut të energjisë. Shqipëria nga ana tjetër po bën hapat e saj drejt liberalizmit të këtij tregu. Ju e dini tashmë që Parlamenti shqiptar miratoi Ligjin e ri të Energjisë Elektrike, i cili përcakton edhe një skedulë për liberalizimin e mëtejshëm të tregut.

Gjithashtu, po bëhen hapa me vendet fqinje për të bashkuar tregjet, pra për të krijuar tregje më të mëdha se sa një vend, siç është rasti me Kosovën. Janë edhe disa përpjekje nën mbikëqyrjen e Komunitetit të Energjisë për krijimin e zyrave të përbashkëta të alokimit të kapaciteteve, gjë që i bën tregjet e këtyre vendeve më të lidhur me njëri-tjetrin dhe më likuid. Në momentin që janë më likuid, ka më shumë garanci financiare edhe për investimet.

Qeveria shqiptare është e vendosur të shkojë në këtë drejtim, në hapjen dhe në liberalizmin e tregut të energjisë. Pikërisht kjo asistencë e qeverisë norvegjeze, nëpërmjet shembujve të mirë dhe nëpërmjet ekspertizës më të mire do të jetë një vlerë e çmuar. Ju e dini që vendet skandinave kanë qenë pioniere të bashkimit të tregjeve  dhe kanë harmonizuar vendet e tyre për të krijuar hapësira shumë të mira dhe për burimet e tyre. Pra, burimet ujore të kombinuara me burime të tjera.

Edhe ne si Shqipëri, sëbashku me Kosovën nesër por dhe me vende të tjera në Europën Juglindore mund ti kemi këto mundësi nëse hedhim hapat e duhura në këtë drejtim. Momenti është i mirë, sektori energjetik ka një ringritje. Këtë të gjithë duhet ta pranojmë, po e thonë të gjithë, nuk është çështje as vetëmburrjeje politike, as për ti bërë qejfin arritjeve, por sektori është futur në një rrugë të mbarë. Energjia po paguhet dhe kjo është shumë e rëndësishme. A-ja e çdo tregu është që të ketë para dhe njerëzit të paguajnë energjinë. Pra, klientët që konsumojnë energji po e paguajnë atë aktualisht.

Po bëhen investime për lidhjen e Shqipërisë me vendet fqinje. Synimi të cilin ne e kemi bërë të qartë është që deri në vitin 2020, Shqipëria të jetë e lidhur me të gjitha vendet fqinje. Kjo do të thotë që mbas linjës së Kosovës,  të fillojmë me atë të Maqedonisë dhe do të përmirësojmë edhe rrjetin tonë të brendshëm. E gjithë kjo në mënyrë që tregu i energjisë të mos jetë vetëm virtual, por te jetë real dhe të ketë edhe infrastrukturën e nevojshme që e mbështet të gjithë këtë shkëmbim tregtar energjie. Qeveria po investon në këtë drejtim, ashtu siç po investohet edhe në përmirësimin e sektorit të shpërndarjes. Kjo ka të bëjë me furnizimin më të mirë të popullatës, furnizimin më të mirë të konsumatorëve, por ndikon edhe kjo sepse janë investime të nevojshme për tregun.

Nga ana tjetër, Banka Botërore ka një projekt në lidhje me mbështetjen e platformave të nevojshme, pra përmes financimeve konkrete. Në qoftë se ne tani po zhvillojmë “software-in”, po dizenjojmë një treg të mundshëm, pra kush do të jenë këto parametra, skedula se si do ta shtrijmë këtë proces, Banka Botërore do të jetë ajo që do të financojë blerjen e platformave të nevojshme dhe të gjithë infrastrukturën që kjo gjë të funksionojë.

Idea është që të krijohet një grup kordinativ në mënyrë që projekti të ecë paralel, pra siç është pjesa ‘soft’, konsulentët do të përgatisin projektet e tyre. Banka nga ana tjetër, sëbashku me Operatorin e Sistemit të Transmetimit apo me aktorët e tjerë të tregut, të fillojë paralelisht të bëjë punën e saj në mënyrë që ne të jemi gati në momentin që diçka është e dizenjuar qartë dhe kërkon patjetër materializmin me infrastrukturën e nevojshme.

Të gjitha këto janë ndikime shumë pozitive. Unë besoj se pavarësisht sfidave që ka bërja e tregut në një vend të vogël si Shqipëria është shumë e rëndësishme që ne të fillojmë këtë proces. Ne duhet të bëjmë përpjekjen tonë, të fillojmë të hapim tregun dhe të shfrytëzojmë sa më shumë burime që të jetë e mundur për gjenerimin e energjisë. Shumë shpejt do të kemi planin kombëtar të energjive të rinovueshme ku do të parashikohen edhe burime të tjera të energjisë, drafti tashmë është përgatitur, do të diskutohet me grupet e interesit dhe do të shkojë në qeveri.

Të gjitha këto do të rrisin burimet në Shqipëri, prodhimin e energjisë elektrike, investimet, por mbi të gjitha do të garantojnë që këto investime të jenë të qëndrueshme. Ky është synimi i çdo qeverie, që të krijojë një treg në një mjedis ku të investohet, pra një kuadër rregullator të qartë dhe mbi të gjitha një treg funksional e likuid. Kjo është garancia e vetme, më shumë se sa premtimet qeveritare që në të kaluarën, jo gjithmonë kanë garantuar siguri në biznes.

Falënderoj edhe njëherë Ambasadorin e Norvegjisë, shtetin norvegjez, Komunitetin e Energjisë dhe shpresoj që ky takim i parë të pasohet nga puna konkrete, me skedulë konkrete. Shumë shpejt ne do të kemi skeletin e nevojshëm se si do të funksionojë tregu i energjisë në Shqipëri dhe pse jo ajo që quhet bursa energjetike për tu shtrirë deri aty sa të kemi mundësi që energjinë ta tregtojmë brenda ditës siç e bëjnë shumë vende europiane.

Ju faleminderit dhe ju uroj sukses!

energjia.al  09.07.2015