Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bistrica 1-2, shqiptarët paguan këstet e kredisë 33 milionë euro

Prej 10 vitesh shlyem interesat, tani HEC-et i blen privati
Shitja e hidrocentraleve Ulzë, Shkopet, Bistrica 1 dhe Bistrica 2 ka shkaktuar shumë debat në rrethin e ekspertëve, ku një pjesë e mirë shpreh dyshime rreth procesit që kërkon të ndërmarrë qeveria shqiptare. Veprat publike janë ndërtuar me paratë e shqiptarëve dhe janë mirëmbajtur këto vite po nga taksat që janë paguar, madje për rehabilitimin e HEC-eve qeveria ka marrë kredi në bankat e huaja.
Rasti konkret i takon dy hidrocentraleve të Bistricës, në jug të vendit, pranë Sarandës. Objektet u vlerësuan nga gjermanët si asete me shumë peshë që kishte KESH dhe siguri për rajonin e Jugut sa i takon furnizimit me energji elektrike. Për këtë qëllim, pas disa negociatave, u arrit të merrej një kredi me vlerë 33 milionë euro, që konsistonte në rehabilitimin e dy HEC-eve dhe forcimin e linjave elektrike transmetuese. Kredia u akordua nga banka gjermane për zhvillim, KfW, në vitin 2002, kurse interesi që duhet të paguhej është 0.75 për qind.
Në këta 10 vjet, pothuajse projekti i ndarë në dy faza konsiderohet i mbyllur me sukses, pasi KfW kontraktoi kompaninë e njohur gjermane, “Siemens” për vendosjen e aparaturave të teknologjisë së lartë. Për shkak të investimit me vlerë disa milionë euro, kredi e marrë nga qeveria shqiptare, sot të dyja HEC-et, me kapacitet 28 megavat prodhojnë mbi 150 milionë kilovat energji elektrike në vit, ose 20 milionë kilovat më tepër, nga koha kur ende nuk ishte kryer ndërhyrja.
Aktualisht për kredinë në fjalë, shqiptarët janë duke paguar interesa vjetore me kosto 0.75 për qind, procedurë që ndiqet nga Ministria e Financave, duke qenë se menaxhon të ardhurat e taksapaguesve. Në disa raste, pagesat kanë qenë më të larta sesa interesi, për shkak se pala shqiptare nuk është treguar korrekt me projektin. Një raport i KLSH zbulon se për shkak të një pasaktësie dhe vonese në pastrimin e tubave shkarkues, qeveria pagoi mbi 1 milionë euro penalitete. Gjithsesi, sot projekti ndodhet në fazën e tij më optimale dhe ku pritet një rritje e prodhimit, konfirmim që vjen nga drejtuesit e KESH.
Pavarësisht këtyre fakteve, qeveria e ka nxjerrë në shitje HEC-et e Bistricës, duke injoruar mundin për kthimin e objektit në eficencë të plotë. Tjetër problem shikohet shlyerja në të ardhmen e kredisë së mbetur. Ministria e Financave thotë se duhen edhe 20 vjet deri në mbylljen e huas dhe nëse qeveria e realizon privatizimin brenda këtij viti, firma private që do e blejë duhet të llogarisë edhe këtë kosto, në të kundërt, do të veprohet si me rastin e OSSH, ku disa borxhe të kësaj kompanie po i paguan KESH, pavarësisht privatizimit të shpërndarjes nga shoqëria private CEZ.

Gazeta Shqip, 03.06.2011