Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Rritet sërish çmimi i karburanteve Shoqata: Shkak, bursat

Konsumatorët shqiptarë po përballen me një rritje të re të cmimit të karburanteve. Në disa pika karburantesh në kryeqytet çmimi i naftës dhe benzinës ka kapërcyer 180 lekë për litër- Përfaqësuesit e shoqatës së shoqërive të hidrokarbureve shpjegojnë se rritja e cmimit në tregun tonë është pasojë e bursave ndërkombëtare.
“Ditët e fundit ka pasur një rritje shqetësuese të cmimit të shitjes jo vetëm në tregun europian por edhe më gjerë. Në momentet që flasim brenti i Europës lëviz deri tek 123 dollarë për fuci, ose për të qenë më të saktë po ju them që çmimi pa transport në momentin që flasim, i 1 toni karburanti është rreth 1 mijë e 17 dollarë, po t’i shtoni edhe koston e transportit, të jeni të bindur që sot çmimi aktual për 1 ton karburant shkon midis 1mijë e 80 deri në 1 mijë e 90 dollarë për ton. Ky element që ka të bëjë me tregun ndërkombëtar, sigurisht që ka ndikim e vet edhe në Shqipëri, për shkakun e thjeshtë se 70-75% e konsumit brenda vendit, sigurohet nëpërmjet importit”, -tha Koordinatori i Shoqatës së Hidrokarbureve Bardhi Sejdarasi.
Rritja e cmimit të karburanteve nuk është frenuar as nga rënia e ndjeshme e dollarit në bursa, monedhë në të cilën kuotohet ari i zi. Sipas shoqatës së shoqërive të hidrokarbureve, shtrenjtimi i naftës në tregjet botërore është shumë herë më i lartë se rënia e monedhës amerikane.
“Është e vërtetë që kohët e fundit ka pasur një ndryshim të këmbimit të monedhës vendase me dollarin amerikan, gjë që na ka bërë që të gjithëve të mendonim se do të kishim ulje të cmimit në treg, por po kaq e vërtetë është që kjo ulje, rreth 15-20% e dollarit në këmbim me lekun shqiptar është shoqëruar nga një rritje shumë e madhe e tregut të shitjes, pra të një toni karburant në rafineritë afër nesh. Ne furnizohemi aktualisht nga rafineri italiane apo greke”, – shtoi Sejdarasi
Rritja e cmimit të naftës dhe benzinës vijon tashmë prej disa muajsh, duke arritur në tregun tonë nivele të paregjistruara më parë. Shtrenjtimi i karburanteve është edhe një nga arsyet e rritjes së kostos së jetesës në vend. Sipas Institutit të Statistikave muajin e kaluar çmimi i naftës u rrit me 4.2% dhe ai i benzinës me 3.7%.

www.balkanweb.com, 20.04.2011