Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Kosovë: Importuesit e karburanteve të naftës nën hetime

Importuesit e mëdhenj të karburanteve të naftës më nuk do të kenë atë komoditet që çmimet e tyre t’i caktojnë me marrëveshje mes vete. Ata janë në shënjestër të Komisionit të Konkurrencës të Kosovës (AKK).
Javët e fundit, ky komision ka intensifikuar punën e tij për të hulumtuar arsyet e kësaj praktike të bashkërenduar në mes të importuesve për caktimin e çmimeve. Komisioni shumë shpejt do të dalë me vendimin për hetimin e rreth 30 kompanive që merren me këtë biznes.
Udhëheqës të Komisionit të Konkurrencës thonë se kanë përfunduar fazën e parë, ku të gjithë importuesit kanë plotësuar pyetësorët e këtij komisioni. Krejt ky hetim ka ardhur si pasojë e dyshimit të Komisionit për fiksimin e çmimeve nga kompanitë importuese të naftës.
Këta tregtarë mund të pësojnë të njëjtin fat, sikurse kompanitë e sigurimeve, të cilat vitin e kaluar ishin dënuar me nga 100 mijë euro për një marrëveshje të fshehtë të tyre, shkruan Express.
Drejtues të AKK-së kanë thënë se janë duke bërë punë intensive në hetimet e nisura dhe se gjatë javës mund të pritet vendimi, pasi importuesit e karburanteve të naftës i kanë kryesisht çmimet e njëjta, derisa çmimet furnizuese nuk i kanë të njëjta.
Sipas tyre, dënimet për kompanitë importuese të naftës janë nga 1 deri në 10 për qind të qarkullimit vjetor.
Përveç naftëtarëve, AKK-ja është duke hetuar edhe normat e interesit të kredive bankare.

Gazeta Koha Ditore, 18.04.2011