Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Zbardhet skema e kontrabandës së naftës

Zbardhet skema e kontrabandës së naftës

Prokuroria: 20-30 për qind e prodhimit tregtohej në “të zezë”

Nafta virgin nuk përpunohet jashtë shtetit, por përzihet në depozita

Shqipëria ka rezerva të kufizuara nafte në nëntokë. Nxjerrja dhe përpunimi i saj lë shumë për të dëshiruar. Megjithatë, tregtarët e “arit të zi” nuk kanë reshtur që edhe me këto rezerva të vogla nafte të pasurohen. Një skemë mashtrimi, aq më shumë kontrabande, po del në dritë kohët e fundit. Strukturat shtetërore janë të përlyera deri në grykë në këtë aferë.

Nafta bruto nxirret nga nëntoka e Qarkut të Fierit, Beratit dhe Vlorës. Pasi mblidhet nga kompania shtetërore “Albpetrol” i kalon kompanisë tjetër, ARMO. Kjo e fundit e përpunon dhe nga nafta bruto nxirret e ashtuquajtura naftë D2, aq shumë e dëshiruar nga mjetet bujqësore dhe mjetet e tonazhit të rëndë, për shkak të çmimit të saj, disi me të ulët nga çmimi i naftës së eksportuar. Mbetja e përpunimit të naftës D2 quhet virgin, e cila, sipas të dhënave shtetërore, nëse përpunohet me të gjitha makineritë ka sërish naftë të pastër. Kjo naftë, pra virgin, për t’u përpunuar duhet të eksportohet jashtë vendit, kryesisht në shtetin italian dhe gjerman. Kompanitë shqiptare kanë lidhur marrëveshje, të paktën, kështu kanë deklaruar në dogana dhe tatime, me kompani të huaja, të cilët e përpunojnë këtë naftë. Nga përpunimi thuhet se fitohet rreth 50-50 për qind e sasisë së dërguar për përpunim. Një pjesë e naftës, si taksë, e mban fabrika e përpunimit dhe pjesa tjetër duhet të sillet sërish në Shqipëri.

Megjithatë, ka dyshime se kjo skemë, e cila është zyrtare, nuk ndodh. Struktura dhe individë të veçantë falsifikojnë dokumentet e naftës virgin dhe në vend që ta dërgojnë për përpunim jashtë territorit shqiptar e fusin në përdorim. Të prekur në këtë rast janë të gjithë shtetasit shqiptarë, me ose pa mjete. Së pari, kjo naftë dëmton mjetet që e përdorin dhe së dyti, ndot në maksimum ambientin. Askush, deri para disa ditësh, nuk e ka marrë guximin për të denoncuar një aferë të tillë. I pari ishte ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, i cili, për nga posti që mbante duhet të dinte çdo marifet për këtë mashtrim që rëndon më së shumti në kurriz të shtetasve shqiptarë. Ndërsa tashmë në lojë kanë hyrë edhe strukturat e drejtësisë, të cilat kanë filluar një verifikim të gjerë. Brenda 28 orëve nga çelja e procedimit penal që mban numrin 4155 në Prokurorinë e Tiranës janë kryer një sërë hetimesh dhe marrje informacioni në mënyrë konfidenciale. Janë nisur kërkesa për marrje dokumentesh në kompaninë “Albpetrol”, ARMO dhe në Drejtoritë e Doganave dhe Tatimeve.

Paraprakisht, ekzistojnë dyshime të arsyetuara se nafta virgin nuk është dërguar jashtë shtetit, por është përzier me naftën vendase. Dyshimet e Priftit, por edhe të prokurorisë, janë se zv/drejtori i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, në bashkëpunim me personat punonjës të doganave dhe tatimeve këtë mbetje të naftës të tipit virgin e përpilonin me letra sikur dilte jashtë Shqipërisë, ndërsa nga ana tjetër e shisnin në tregun e brendshëm, duke e përzier me naftën cilësore dhe shitur për naftë të mirë.

Hetimet kanë filluar dhe sot pritet marrja e dëshmisë së Priftit. Më pas do të sekuestrohen dokumente në dogana, tatime dhe në Ministrinë e Energjetikës. Seksioni i Drejtorisë së Hidrokarbureve është një nga pikat kyçe të hetimeve, nga ku mund të zbulohen të gjitha faktet. Pritet që pasi të kryhen të gjitha procedurat e hetimit, akuza mund të thërrasë për dëshmi edhe Kuliçajn.

Megjithatë, përpara këtyre procedurave të zakonshme hetimore, njësia Task-Forcë dyshon se rreth 20-30 për qind e prodhimit të naftës shqiptare tregtohet në “të zezë”, e cila përkthehet me një fitim vjetor me shumë miliona euro. Të dhënat e para hetimore kanë zbuluar edhe një rast sesi cisternat me naftë të nisura nga Fieri në Vlorë me naftë virgin nuk përfundojnë në Itali e Gjermani, por derdhen në depozitat me naftë të pastër të eksportuar. Kjo naftë, pra virgin, hidhet në depozitat me karburant e papërpunuar dhe shitet në treg me të njëjtin çmim si naftë e pastër.

Ka dyshime se formalisht nga Fieri janë nisur në drejtim të Vlorës 10 cisterna në një periudhe disamujore, pasi grumbulloheshin mbetjet tek ARMO. Sipas skemës së dyshuar, një prej cisternave dërgohej me anije nga Vlora në Itali ose Gjermani, ndërsa botet e tjera, ktheheshin brenda Shqipërisë dhe hidheshin në depozitat e karburanteve.

 

 

Gazeta Shqip, 15.10.2010