Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Mihali u vra te karburanti i fisit kundërshtar të Bares

Mihali u vra te karburanti i fisit kundërshtar të Bares

Dyshimet e vrasjes së Lushnjës, edhe për lidhjet e viktimës me fisin Taullau

Hetimet për vrasjen e Petraq Mihalit nuk janë bazuar vetëm në lidhje me ngjarjen e Kavajës, por edhe në një drejtim tjetër.  Informacionet e mbledhura nga policia kanë bërë që hetimet t’i kthehen ngjarjeve të vjetra të qytetit, që është bërë tashmë i njohur edhe për bandën famëkeqe të Aldo Bares. Madje, te ndonjë riorganizim i kësaj bande është përqendruar edhe kjo pistë hetimesh. Sipas burimeve nga grupi i hetimit mësohet se Mihali prej shumë vite punonte roje i makinave të karburantit, që administrohej nga një prej anëtarëve të fisit Taullau, fis ky rival me bandën e Aldo Bares, e që ka njohur edhe viktima nga përplasjet me të. Qëndrimi roje për shumë vjet me radhë i të ekzekutuarit Mihali pranë pronave të Taullaut konsiderohet nga grupi i hetimit si një akt besnikërie e madhe e tij ndaj fisit që kishte, jo pak probleme më bandën e Bares. E për këtë, kjo pistë hetimore nuk mund të përjashtohet nga puna për zbardhjen e ngjarjes së rëndë. Por, skema e vrasjes, si dhe ora është e ngjashme me po një situatë të tillë të ndodhur në të aguar të së enjtes në qytetin e Kavajës, që bëhet fjalë për vrasjen e taksistit, ka bërë që oficerët dhe prokurorët e të dy rretheve të konsultohen bashkë. Nëse të dy vrasjet do të kenë lidhje, atëherë grupi i hetimit do të shkëputet nga pista e lidhjes me Bandën e Lushnjës dhe do të përqendrohet tek ajo e një grabitjeje. Megjithatë, hetimet në vijim do të zbardhin motivin e vërtetë të vrasjes së radhës të ndodhur në Lushnjë, si dhe atë të ndodhur në Kavajë. Petraq Mihali kishte mbi 15 vjet që ishte zhvendosur nga Përmeti në Lushnjë. Ai jetonte vetëm me bashkëshorten, pasi dy fëmijët i ka jashtë vendit. Sipas burimeve nga policia lokale, ai njihet si një person jo problematik dhe me një shoqëri të madhe në qytetin myzeqar.

 

 

Gazeta Shqip, 15.10.2010