Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Manipulimi me naftën “Virxhin”, ja skema e kontrabandës së karburanteve

Manipulimi me naftën “Virxhin”, ja skema e kontrabandës së karburanteve
Kontrabanda e hidrokarbureve e përfolur aq shumë ditët e fundit dhe e denoncuar nga ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, nuk ka si destinacion vende të tjera, por ajo kryhet vetëm brenda vendit. Organizimi i kësaj kontrabande nuk ka për qëllim thyerjen e ndonjë embargoje apo kufiri, por thjesht pasurimin e kompanive apo subjekteve të caktuara, nëpërmjet lojës me cilësinë e hidrokarbureve në dëm të konsumatorit shqiptar. Gazeta “Albania” zbulon në këtë numër një pjesë të abuzimit që bëhet me naftën që prodhohet pikërisht në vend dhe po si destinacion ka tregun vendas. Për këtë rast gazeta ka shfrytëzuar burime pranë shoqërive prodhuese dhe subjekteve të import-eksportit të hidrokarbureve, të cilat kanë treguar për gazetën se si funksionon skema. Sipas këtyre burimeve, kjo kontrabandë luhet e gjitha në kurriz të konsumatorit të pambrojtur duke e shitur këtë naftë për një produkt të cilësisë së parë (Euro Diezel ose D1). Por në fat nafta e tipit “naftë virxhin” e cila prodhohet në Ballsh dhe në zona të tjera naftëmbajtëse, është vetëm lëndë e parë për prodhimin e benzinës, por që në fakt përzihet me naftën dhe benzinën e importit duke shtuar sasinë dhe duke fituar në çmim gjatë shitjes me pakicë.
Skema
Burimet e mësipërme thanë për gazetën se: “Nafta virxhin e ka origjinën nga nëntoka shqiptare dhe vjen pas një përpunimi të parë të naftës bruto. Pasi bën përpunimin e parë dhe del si produkti ‘virxhine’ ajo niset nëpërmjet porteve të Vlorës ose Durrësit për në drejtim të Italisë nga kompanitë prodhuese shqiptare, për t’u rafinuar më tej dhe për të prodhuar benzinën. Por duke qenë se ka një çmim të lirë kjo naftë blihet sërish nga tregtarët dhe grosistët shqiptarë që në bazë të porosive e ndryshojnë destinacionin e anijes cisternë që në det. Kështu pa përfunduar në portet dhe rafineritë italiane, kjo naftë shkarkohet në magazinat doganore (depozitat) e portit të Shëngjinit ose në Porto Romano në Durrës. Nga andej, ky produkt blihet më pas nga tregtuesit e pakicës me një çmim shumë më të lirë nga hidrokarburet e importit dhe përzihet me naftën D1 ose me benzinën duke shtuar sasinë e saj në depozitat e tyre, por duke prishur ndërkohë cilësinë e karburantit dhe për pasojë duke rritur ndotjen dhe prishur motorët e makinave”.
Shoqata
Shoqata Kombëtare e Shoqërive të Hidrokarbureve e pyetur nga gazeta, e ka pranuar dje faktin e ekzistencës së abuzimeve me cilësinë e hidrokarbureve në vendin tonë. Drejtues të kësaj shoqate thanë për “Albania”-n se, “aktualisht në vend ekzistojnë vetëm 5 kompani të mëdha të cilat janë të licencuara nga shteti shqiptar për tregtimin me pakicë dhe shumicë të hidrokarbureve dhe që janë të certifikuara me normat e SGS-së. Pjesa tjetër e kompanive ose subjekteve private të pakicës, por që përbëjnë mbi 80 për qind të tregut në vend, punojnë në formë abuzive dhe nuk kontrollohen nga organet shtetërore duke abuzuar për pasojë dhe me cilësinë e karburanteve”. Po sipas kësaj shoqate, kostoja e naftës virxhine në tregun e shumicës është shumë e lirë për t’u blerë. Ajo shkon në 50-60 lekë për litër në një kohë që ka edhe një akcizë jo më të lartë se 5 lekë. Në fillim nafta virxhine merrej me anë të tenderëve të organizuar nga shteti dhe shitej jashtë vendit si ëndë e parë për t’u rafinuar dhe për të shërbyer në prodhimin e benzinës, por pas prishjes së kësaj skeme dhe liberalizimit të tregut, virxhina tani mund të blihet nga cilido subjekt privat.
Gjobat
IQT-ja gjatë tre muajve të fundit ka vendosur 80 gjoba për subjektet që tregtojnë karburante jashtë cilësisë. Grupet e inspektimit të IQT-së kanë ushtruar gjatë këtyre tre muajve rreth 2000 kontrolle dhe i kanë propozuar Ministrisë së Ekonomisë heqjen e licencës për 16 subjekte, të cilat nuk plotësonin kushtet e tregtimit të karburantit dhe të gazit të lëngshëm. Gjatë kësaj periudhe nuk janë ushtruar më kontrolle individuale të inspektorëve në njësitë e tregtimit, si të naftës dhe të gazit të lëngshëm, por me grupe inspektorësh. IQT-ë po merr masa të vazhdueshme për ndërgjegjësimin e të gjitha subjekteve që abuzojnë me cilësinë e karburantit.
Kostoja e abuzimit, sa vidhen konsumatorët
Janë të paktën 150 milionë euro që u vidhen çdo vit shqiptarëve si rezultat i abuzimit të tregtarëve të pakicës të karburanteve në vend. Në këtë përfundim ka dalë Konfindustria gjatë një analize të kostove shtesë, të cilat u faturohen konsumatorëve, bizneseve dhe ekonominë shqiptare në përgjithësi, nga cilësia, sasia dhe çmimi i karburanteve në vend. Konsumatorët janë edhe më të dëmtuarit, pasi mbi ta bie 3-fish pesha e abuzimit me karburantet. Konfindustria ka përllogaritur se mbi konsumatorin rëndojnë edhe kosto shtesë, të tilla si dëmtimi i shëndetit, i automjeteve, ndotja mjedisore etj. Kjo shoqatë vazhdon të këmbëngulë në idenë e ngritjes së një enti që do të vinte në binarët e duhur tregun e karburanteve. Por, sipas Konfindustrisë, “shteti vijon të tregohet indiferent, duke mos marrë asnjë masë”. Në lidhje me këtë çështje edhe Autoriteti i Konkurrencës ka ndërmarrë një hetim, por që më shumë se cilësinë gjatë tregtimit me pakicë, ky institucion është marrë me pozitat “monopol” që zënë në tregun vendas disa kompani të tregtimit të hidrokarbureve.

 

Gazeta Albania, 15.10.2010