Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Koncesionet në energjetikë, prishen 5 kontrata

Koncesionet në energjetikë, prishen 5 kontrata
Për shkak të probleme që ka hasur Ministria e Ekonomisë, me zbatimin e kontratave koncesionare në hidrocentrale, ka prishur 5 prej tyre. Sipas një raporti konfidencial, që disponon gazeta “MAPO” nga Ministria e Ekonomisë, rezulton se vetëm 30 vepra koncensionare në sektorin energjetik rezultojnë të jenë në fazën e ndërtimit, nga 264 të tilla. Prioriteti më i madh i qeverisë Berisha për veprat koncesionare rezulton me një shifër deficitare, duke bërë raportin e koncesioneve në total, me ato që kanë nisur e janë në proces dhe ato që kanë përfunduar. Burime nga Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, bëjnë me dije për “MAPO” se në kohën kur ky institucion drejtohej nga Dritan Prifti, janë hequr licenca për 5 kompani, për mungesë totale investimi. Të njëjtat burime nga ministria në fjalë, tregojnë se në zbatim të politikave të Qeverisë Shqiptare në fushën e energjetikës dhe në bazë të ligjit për koncesionet Nr. 9663, dt. 18.12.2006, i ndryshuar, gjatë periudhës 2007-2010: janë nënshkruar gjithsej 98 kontrata koncesioni, prej të cilave 96 të formës ”BOT” (ndërtim –shfrytëzim-transferim) dhe 2 kontrata të formës ”ROT” (rehabilitim-shfrytëzim-transferim). Duke iu referuar kontratave të nënshkruara, parashikoheshin të ndërtoheshin 264 hidrocentrale, me fuqi totale të instaluar rreth 1055 MW dhe prodhim mesatar vjetor të energjisë elektrike prej 4.5 miliardë kwh. Vlera e investimit e parashikuar për ndërtimin dhe rehabilitimin e këtyre hidrocentraleve është 244.8 miliardë lekë. Kanë filluar punimet e ndërtimit mbi 30 hidrocentrale; prej të cilave janë në fazë të avancuar të punimeve 10 HEC-e, që pritet të përfundojnë deri në fund të vitit. Ndërsa ka hyrë në fazën e shfrytëzimit HEC-i Tervol, me fuqi të instaluar prej 12 MW dhe HEC-i Bishnica 2, me fuqi të instaluar 2500 KW. Sipas burimeve, mbi 30 për qind të kontratave koncesionare në hidrocentrale, ose nuk kanë filluar fare nga ndërtimi, ose kanë kryer punime minimale, edhe pse për shumicën e tyre ka mbaruar afati ligjor i ndërtimit. Edhe ato kontrata, të cilave ende nuk u ka mbaruar afati, janë në një fazë të hershme dhe është e pamundur të mbarojnë në kohë. Ndërsa në këtë rast, ligji parashikon që në rast mosrespektimi të afateve në kontratë, qeveria ka të drejtë të prishë në mënyrë të njëanshme kontratat, duke u hequr lejen e koncesionit kompanive fituese. Por, të gjendur përballë një bilanci negativ, për sa i përket mosrealizimit të koncesioneve, qeveria me një VKM të datës 16 qershor, shtyu afatet për mbi 85 për qind të kontratave. Pasi duke iu referuar ligjit, pjesa më e madhe e koncesioneve ishin të paligjshme. Kjo çështje ka qenë shumë e debatuar kohët e fundit, ndërsa një vit më parë, me ardhjen e tij në detyrë, ish-ministri Dritan Prifti kishte deklaruar se ministria kishte dështuar në aplikimin e koncesioneve, prandaj do të ishte prioritet i punës së tij, aplikimi i këtyre kontratave. Megjithatë, edhe pas një viti, kur ministri Prifti nuk është më në këtë detyrë, kontratat koncesionare të realizuar numërohen vetëm 30.

 

Gazeta Mapo, 15.10.2010