Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Interesi iranian për minierat dhe hidrocentralet në Shqipëri

Interesi iranian për minierat dhe hidrocentralet në Shqipëri
Zbulohen planet pas takimit mes kreun e Dhomës së Tregtisë, Jaka me ambasadorin

Irani po shikon mundësinë e bashkëpunimit me biznesin shqiptar, duke u njohur më parë me fushat se ku mund të investohet dhe cilat janë prioritetet. Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, zhvilloi dje një takim me ambasadorin e Republikës Islamike të Iranit, Ali Amouie, ku gjatë bisedës u fol për disa fusha të mundshme bashkëpunimi. Pasi të dyja palët bënë një ekspoze të sektorit ekonomik në tërësi, kaluan më pas në detajet e bashkëpunimit. “Në fushën e ekonomisë Irani ka potencialet e tij të veçanta, është vendi më i fuqishëm në rajon dhe gjithashtu një pikë lidhëse me tregjet e Azisë, por edhe të Europës. Fushat dominante janë nafta dhe gazi, rol që e bën të veçantë në Europë, por edhe në botë”, tha Amouie. Sipas tij, tregjet e dy vendeve nuk kanë njohje dhe fare pak bashkëpunim.

“Mendoj se në Shqipëri duhet të jetë prezenca e investitorëve iranianë. Gjithashtu Ministria jonë e Bujqësisë është shprehur e gatshme për një bashkëpunim me Ministrinë tuaj të Bujqësisë. Më tej do të doja të propozoja fushën e minierave, ndërtimin e anijeve, hidrocentraleve, fusha në të cilat ne kemi eksperiencë”, tha ambasadori. Nga ana e tij, Jaka propozoi krijimin e një platforme bashkëpunimi mes ambasadës dhe Dhomës së Tregtisë, të ndarë në tri faza. “Është e vërtetë që Shqipëria ka një nivel të pakonsiderueshëm për sa u përket marrëdhënieve tregtare me Iranin, por, nga ana tjetër, në tregun shqiptar hyjnë produkte iraniane përmes vendeve të treta, si gazi, nafta, frutat e thata e të tjerë”, tha Jaka.

Gjatë takimit, kryetari Jaka vuri theksin në disa nga fushat që paraqesin interes për investitorët si: gazi, nafta, prodhimet bujqësore, sektori i qilimave e tapeteve, por gjithashtu edhe turizmi (kulturor, ranor e malor), apo edhe shfrytëzimi i nëntokës dhe mbitokës, energjetika etj. Irani eksporton në tregjet europiane mallra me vlerë prej afro 45 miliardë dollarësh në vit.

 

 

Gazeta Shqip, 15.10.2010