Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Importuesit: “Rrugët” e kontrabandës së naftës

Importuesit: “Rrugët” e kontrabandës së naftës

Luigj Alia, president i Shoqatës së Hidrokarbureve: Abuzimet, 60 mln euro

Sektori i hidrokarbureve në vend, xhiro vjetore e të cilit prek shifrën e 450 milionë dollarëve, është përfshirë kohët e fundit në akuza të forta për lidhje të zyrtarëve të lartë që bëjnë kontrabandë. Luigj Aliaj, president i Shoqatës së Hidrokarbureve në vend, tregon për gazetën “Shqip” detajet e funksionimit të tregut, të vërtetën mbi kontrabandën e naftës virgin dhe sa është e përfshirë policia në këtë sektor. Sipas Aliaj, tregu operon në kushte kaotike dhe ndien nevojën e organizimit, ndërsa abuzimet prekin shifrën e 60 milionë eurove, si shmangie e detyrimeve ndaj shtetit.

Prej disa ditësh, sektori privat i hidrokarbureve në vend është akuzuar si mjet i zyrtarëve për të bërë kontrabandë. Cili do të ishte komenti juaj?

Dua të sqaroj që në fillim se tregu i karburanteve është i ndarë në dy fusha: importi, që zotëron rreth 70 për qind të tregut dhe eksporti me 30 për qind. Lidhur me importin, nga të dhënat që ne kemi, rreth 90 për qind e karburanteve janë të përpunuara në rafineritë e naftës në Itali, me cilësi të lartë dhe të certifikuara.

Problemi qëndron në faktin se tregu operon në kushte kaotike, ku mungon struktura e organizimit, kontrolli shtetëror sipas formave të duhura. Ne kemi statistika që në treg operojnë 4-5 shoqëri të mëdha, që importojnë rregullisht dhe që zotërojnë gati 30 për qind të pikave të shitjes me pakicë, pra punojnë me sistem transparent linjash shpërndarjeje dhe furnizimi, kurse pjesa e mbetur e pikave, që i bie rreth 70 për qind, zotërohet nga biznese të vogla, të cilat punojnë për të mbijetuar. E në këto kushte mbijetese, disa veprojnë në mënyrë të paligjshme, duke përzier karburantin me lëndë të dëmshme, që kushtojnë pak, ndotin më shumë dhe bëjnë evazion.

Janë informuar instancat përkatëse lidhur me shqetësimet që po ngrini?

Ne disa herë u kemi kërkuar organeve kompetente për të reaguar, që të ndërhyjnë me ndryshime ligjore, rregulla të reja dhe forma të tjera strukturimi. Dëmin më të madh e bëjnë shoqëritë e vogla, që mundohen të mbahen në treg duke abuzuar.

Keni dijeni për përfshirjen e policisë së rendit në kontrabandë nafte?

Deklaratat që janë bërë kohët e fundit nuk duken gjë tjetër vetëm me përmbajtje politike. Me tregun tonë nuk ka punë policia, por tatimet, doganat dhe Inspektorati Qendror Teknik (IQT). Inspektorati mban përgjegjësi për çdo gjë që ndodh në tregun e hidrokarbureve sa i takon cilësisë. Ne kemi kërkuar me kohë që IQT-ja të privatizohet, të kthehet në ndërmarrje private të specializuar, sipas rregullave të BE-së. Në rast se IQT-ja nuk luan rolin që duhet të luajë, atëherë tregu i karburanteve, gjithnjë i tillë ka për të qenë, kaotik, pa rregulla dhe me cilësi të dobët nafte.

Çfarë mund të na thoni për naftën virgin, çfarë rreziku sjell ajo për tregun?

Virgin është një nënprodukt nafte, që del nga sasia bruto e prodhimit vendas, me synim për t’u bërë benzinë, por duke qenë se tregu vendas nuk disponon kushte teknike, atëherë kjo sasi lejohet për t’u tregtuar vetëm për eksport. Pra, e theksoj, nafta virgin nuk është për tregun vendas, por vetëm për eksport dhe ka një çmim mesatar që shkon te 80 lekë litri. Por duke u përzier me llojet e tjera të karburantit, ajo kthehet, po themi në naftë, që më pas shitet në 135-140 lekë për litër. Pra, diferenca nga 80 lekë në 140 lekë e bën naftën virgin shumë të dëshiruar nga abuzuesit.

Po për abuzimet me naftën virgin, që përflitet sot në media nga politika, ish-ministri i Ekonomisë etj., si qëndron e vërteta?

Lidhur me abuzimet, për të cilën flitet në media, mund të them se ka shumë raste të shkeljes së ligjit, të përzierjes së naftës me produkte që nuk i shërbejnë qëllimit (makinës). Nuk mund të flas me shifra, por është abuzuar me sasi të caktuara. Unë nuk jam kompetent të hetoj, por mjafton të shikosh dokumentet tregtare, kontratat dhe çdo gjë mund të vërtetohet. Dihet që naftën virgin e prodhon ARMO, e cila ka të drejtë ta eksportojë, kështu që institucionet kompetente e kanë mundësinë të hetojnë. Ajo që mund t’ju them është fakti se ne si shoqatë jemi ankuar gjithnjë te ministria, IQT-ja apo institucionet e tjera, lidhur me padrejtësitë që bëhen sot në treg, por askush nuk ka hedhur një hap para. Ajo që bie në sy është fakti se në tregun e hidrokarbureve, ato që goditen më tepër janë bizneset e drejta, që punojnë me produkte të certifikuara dhe që i paguajnë të gjitha taksat.

Ju i keni kërkuar Ministrisë së Financave rritjen e taksës (akcizës) për naftën virgin. A ka lidhje kjo me fenomenin në fjalë?

Absolutisht po. Nafta virgin dikur shitej pa taksa, pra nuk kishte akcizë fare, ndërsa sot u vendos të ishte 50 lekë për litër, kur ne kërkuam të ishte të paktën 70 lekë për litër. Sa më e lartë të jetë kjo taksë për këtë lloj nafte, aq më pak interes kanë abuzuesit për të prishur tregun. Kemi kërkuar rritje të akcizës edhe për nënproduktet e tjera të naftës, që dëmtojnë tregun përmes skemave të manipulimit.

Sa është sasia e naftës virgin që qarkullon sot në treg?

Nuk kam shifra të sakta, por ajo që mund të them me siguri, nisur nga trendi historik, bëhet fjalë për rreth 100 mijë tonë naftë të përzier me përbërës të dëmshëm, që ndikojnë negativisht në mjedis, te mjetet e transportit, në arkën e shtetit dhe te bizneset e drejta. Kjo sasi mund të konvertohet në rreth 60 milionë euro, në dëm të shtetit si akcizë e papaguar.

 

 

Gazeta Shqip, 15.10.2010