Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Ilir Meta i dhuroi ekonominë shqiptare grekëve

Ilir Meta i dhuroi ekonominë shqiptare grekëve
Puna e parë që bëri Meta pasi u dekretua nga Presidenti si kryeministër ishte që me rastin e formimit të qeverisë, të hiqte qafe Edi Ramën të cilin e shikonte si një rival në parti dhe eventualisht edhe në qeveri. Preç Zogaj shkruan në librin me kujtime

 

“Paradhoma e një presidenti” se: “Kryeministri më thirri në zyrë dhe më propozoi të merrja postin e ministrit të Kulturës në vend të Edi Ramës”. (Preç Zogaj: “Paradhoma e një presidenti”, Shtëpia botuese “Ora”, Tiranë 2001, f. 292) Por Preç Zogaj, i cili në atë kohë ishte këshilltar politik i Meidanit, e dinte se Edi Rama kishte mbështetjen e Sorosit dhe nuk donte të bëhej pjesë e një skeme për eliminimin politik të Edi Ramës. Kështu që Edi Rama mbeti ministër i Kulturës.
Nano ishte fuqizuar pas rizgjedhjes në krye të PS dhe filloi t’ i nxjerrë Metës probleme. Me të ardhur Meta në pushtet, që në nëntor 1999, Nano bëri një provë të asaj që më pas do të njihej si Lëvizja për katarsis, duke nxitur një numër zyrtarësh të lartë që të bënin akuza publike për korrupsion ndaj qeverisë “Meta”, posaçërisht ndaj ministrit të mbrojtjes dhe atij të punëve të brendshme. Një gjeneral foli publikisht për abuzimet me tenderat në Ministrinë e Mbrojtjes. Një oficer i lartë i policisë dha një intervistë në media ku tërthorazi atakohej qeveria. Meta, i cili e ndjeu se po i rrëshqiste toka nën këmbë që në muajin e parë të qeverisjes, reagoi me forcë, duke u kërkuar ministrave të tij që të ndëshkonin ashpër të gjithë ata vartës të tyre që do të bënin gjëra të tilla në të ardhmen. Ai thirri befasisht një mbledhje qeverie në 29 nëntor, edhe pse ishte ditë pushimi si festë. Meta u shfaq para kamerave në versionin “Mehmet Shehu”, imazh të cilin kërkonte ta kultivonte për veten. Meta lëshoi kërcënime pa adresë për gjetjen e vrasësve të vrasësve të Azem Hajdarit, por aluzioni ishte për Fatos Nanon. Meta e qortoi publikisht ministrin e Rendit Publik që lejonte oficerët e tij që të jepnin deklarata publike. Pastaj Meta e kërcënoi dhe e fyeu publikisht gjeneralin që denoncoi abuzimet qeveritare.
Si kryeministër Meta bëri gjithçka për t’ u bërë i pëlqyeshëm për Greqinë, ashtu siç kishte bërë edhe kur ishte zëvendëskryeministër. Në kohën që Meta ishte në pushtet, kompanitë greke fituan tenderat për ndërtimin e rrugëve në Shqipëri dhe e bënë punën me cilësi shumë të keqe, duke shpenzuar vetëm fare pak nga paratë e marra. Në kohën që Meta ishte kryeministër u zgjeruan shumë depozitat greke të karburantit në Portin e Durrësit, edhe pse Banka Botërore ishte shprehur se edhe ato që ishin vënë atje nga Nano pengonin investimin e saj për zgjerimin e portit. Meta i dha Greqisë edhe licencën e dytë për telefoninë mobile, pasi të parën ia kishte dhënë kur kishte qenë në qeveri si zëvendës i Majkos. Në luftën për tregun e karburanteve, Meta shkarkoi dy ministra të qeverisë, Preç Zogajn dhe Zef Preçin, as dy muaj pas emërimit. Zogaj shkruan në kujtimet: “E ruaj ende në kujtesë flakërimin e kuqe të kartonave kur u votua shkarkimi, pa asnjë shpjegim, i dy ministrave josocialistë, katolikë, veriorë, shqiptarë dje, shqiptarë sot, shqiptarë nesër!” (Preç Zogaj: “Paradhoma e një presidenti”, Shtëpia botuese “Ora”, Tiranë 2001, f. 304)
Si kryeministër, Meta u përpoq të krijonte përshtypjen se ekipi i tij qeverisës përbëhej nga intelektualë të shkolluar në Perëndim. Pjesë e këtij miti të rremë ishte Dritan Prifti, i proklamuar sikur ishte shkolluar në SHBA, madje se kishte kryer edhe një master në Harvard. Në fakt Dritani në këtë kohë shkoi shpesh në SHBA, por për arsye mjekësore. Si është e vërteta e kësaj historisë së masterit të Harvardit të Dritanitë E vërteta është se emri i Dritan Priftit si njeri që ka kryer një master në Harvard figuron vetëm në dokumentet e Fondacionit “Kokkalis” (shiko:
http:iiwww.kokkalisfoundation.gripage.ashxëpid=17&cid=15&apid=14&qcid=71&mid=7)  
Fjala është për një kurs veror të organizuar në Harvard në marrëveshje me këtë fondacion, për të cilin Dritani thotë se ka vazhduar një vit. Sëmundja që kaloi truri i Dritanit është e tillë që truri kalon kriza periodike në ciklin e 7-8 viteve, që zgjasin 1 vit. Dhe pikërisht kur bie kriza e parë e trurit të Dritanit, Ilir Meta shkon dhe e bën ministër! Ec e merre vesh këtë, punë, herën e parë kur sëmundja e Dritanit u keqësua, Ilir Meta e bëri shef të kabinetit të tij kryeministror, në vitin 2000. Dritani në jetëshkrimin e vet zyrtar shkruan se në këtë periudhë ka qenë edhe: “Këshilltar kryesor i Kryeministrit mbi të gjitha fushat e qeverisjes dhe politikave publike. Menaxhoi dhe koordinoi stafin e Kryeministrit”.

Njeriu nuk mund të mos pyesë se kush paska qenë vërtet kryeministër në atë kohë, Ilir Meta apo Dritan Prifti, dhe si paska drejtuar ky Ilir Meta qeverinë duke pasur këshilltar kryesor një njeri, truri i të cilit tashmë është çertifikuar si shumë difektoz nga mjekë të shquar perëndimorë, pikërisht në periudhën kur ka qenë këshilltar i Ilir Metës. Kur Ilir Meta ishte kryeministër dhe gjendej për vizitë në SHBA, bëri dhe një vizitë në Universitetin e Harvardit. Në delegacion ishte dhe Dritan Prifti, i cili atëherë ishte ministër. Dritan Prifti atëherë, ashtu si sot, nuk pushonte së treguari historitë e tij të Harvardit, ku pretendonte se kishte kryer një master. Edhe gjatë rrugës së gjatë me avion, Dritan Prifti nuk pushoi së treguari se si profesorët në Harvard linin kokën për të, se si kishte biseduar në Harvard me këtë apo atë njeri të shquar., sesi vetë dekani do të hapte krahët sapo ta shihte etj., etj.

Por në mëngjesin e ditës që Ilir Meta do të shkonte në Harvard, Dritan Prifti nuk po zbriste nga dhoma e tij në hotel në hollin ku po e prisnin. Iliri u interesua dhe i thanë se Dritani thoshte se ishte shumë i sëmurë.

-Sa keq që të qëlloi,- i tha Ilir Meta, i cili shkoi menjëhëherë ta shikonte në dhomë-sot që do të shkojmë në Harvard! Kushedi sa do të jesh mërzitur, Dritan!
-E pra,- iu përgjigj Dritani- më kishte marrë shumë malli për Harvardin dhe për profesorët e mi! Por nuk kam ç’ të bëj.

Kur Meta u bë kryeministër, ai ende vuante, në rrethet e gjera të së majtës, reputacionin e krijuar gjatë kohës që PS qe në opozitë, si një “delfin i Berishës”- përcaktim që ia bëri Nano, i cili e akuzonte se bashkëpunonte me Berishën për të zënë vendin e Nanos. Edhe për të fshirë këto hije të imazhit të vet, Meta u përpoq që të krijonte për veten imazhin se ai ishte një “dorë e fortë”, madje atij i pëlqente kur disa servilë nga rrethi i tij filluan që ta krahasojnë me ish-kryeministrin e kohës së komunizmit, Mehmet Shehun. Pandeli Majko në një intervistë që dha për Blendi Fevziun në Tv Klan, në ditët pas dorëheqjes së tij, kur u pyet për marrëdhëniet që do të kishte kryeministri i ri Meta me kryetarin e PS Fatos Nano u shpreh: “Ilir Meta është nga ata burra që kërkon ta kapë demin për brirësh, por kur e kap, por kur e kap (Majko e përsëriti dy herë këtë frazë), atëhere nënshtrohet demi”.

Ilir Meta në postin e kryeministrit u përpoq që të kapte për brirësh jo një por dy “dema” të politikës shqiptare, Fatos Nanon dhe Sali Berishën. Për Nanon, Meta duhej të qe një kryeministër kalimtar, që do të rrinte në pushtet pak kohë, duke ia lëshuar Nanos postin e kryeministrit. Por, Meta, me t’ u bërë kryeministër, u bë aleat me të ashtuquajturin “klani i shkencave”, pra me Presidentin Meidani dhe kryetarin e SHISH, Fatos Klosi, duke krijuar një lidhje që Nano e gjente shumë të rrezikshme për ambicjet e klanit të tij, pasi aleanca Meta-Meidani-Klosi, praktikisht kontrollonte gjithë qendrat e pushtetit në Shqipëri, pra gjithë shtetin. Aspekti më interesant i këtij zhvillimi të ri ishte fakti se tashmë lidershipin e së majtës në pushtet e kishin shtetarë muslimanë të cilët kishin leitnantë kristianë ortodoksë, çka përbënte pikërisht të kundërtën e skemës greke për të majtën shqiptare.

Klani Meta-Meidani filloi ta pastronte administratën dhe të gjithë institucionet në përgjithësi nga mbështetësit e Fatos Nanos, duke vënë në vend të tyre metistë të bindur. Më pas, gjatë Lëvizjes për Katarsis, në vjeshtën e vitit 2001, Fatos Nano do ta akuzonte Ilir Metën për krahinarizëm të skajshëm, duke qenë se Meta, sipas Nanos e pati mbushur administratën dhe institucionet me një numër shumë të madh skraparlinjsh. Ilir Meta ndoqi dhe një politikë selektive ndaj biznesit, duke i përndjekur në të gjitha mënyrat, që nga doganat dhe deri tek tatimet biznesmenët që mbështesnin Nanon dhe duke favorizuar biznesmenët e bindur ndaj tij.
Meta, i cili kur u bë kryeministër mbajti fillimisht edhe postin e kryetarit të FRESSH, ndërsa u përpoq që të tregonte se ai gjoja përfaqësonte dhe promovonte atë çka kishte të re e majta shqiptare, në anën tjetër u dha akces qarqeve të vjetra konservatore të të së majtës së kohës së komunizmit, deri edhe familjeve të ish-Byrosë Politike, duke bërë shef të kabinetit të vet (më pas edhe Ministër të Brendshëm), Ilir Gjonin, të birin e Xhelil Gjonit, politbyroistit famëkeq të mitingut të ekstremistëve të majtë të korrikut 1990, ku u shanë ata që hynë në ambasada me eksodin e korrikut dhe u kërcënuan familjet e tyre. Gjithashtu Meta mori pranë vetes në kryeministri si jurist të birin e Prokop Murrës. Asnjë prej këtyre njerëzve nuk kishte zotësi të veçantë, por ata qenë atje vetëm për dekoracion, që Meta të merrte mbështetjen e qarqeve konservatore të së majtës. Është një gjë e njohur se Meta mbajti pranë si këshilltar privat Ramiz Alinë, me të cilin ka shumë afërsi edhe sot.

Synimi i Metës pasi u bë kryeministër ishte që, pasi PS të fitonte zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, ai të merrte një mandat tjetër për kryeministër dhe pastaj të provokonte një kongres të jashtëzakonshëm të kësaj partie në të cilin ai (Meta) do t’ i rrëmbente Nanos vendin e kryetarit të PS. Në këtë lojë Meta llogariste mbështjen e Presidentit Meidani, të cilin pastaj Meta do ta mbështeste për t’ u rizgjedhur president në vitin 2002, fill pas zgjedhjeve parlamentare. Që të realizohej ky plan duhej që të izolohej Fatos Nano. Që të bëhej kjo gjë duhej që të goditej edhe Sali Berisha, me të cilin Nano qe i lidhur politikisht si një vëlla siamez. Meta e dinte se Nano dhe Berisha do të mbështesnin gjithherë indirekt njëri-tjetrin pasi e dinin se vetëm të dy mund të mbeteshin në politikë.

Testi i Metës do të qenë zgjedhjet vendore të vitit 2000. Në gusht, në prag të zgjedhjeve, Meta bëri një vizitë në SHBA. Në Washington e priti sekretarja e Departamentit të Shtetit, Allbright, dhe pas takimit u mbajt madje edhe një konferencë për median. Kjo mbështetje amerikane për qeverinë shqiptare vinte për shkak të situatës së pastabilizuar në Ballkan, në një kohë që pas disa luftrave qe në prag edhe një në Maqedoni. Por Meta e interpretonte këtë mbështetje sikur i jepej atij personalisht për të qenë diktatori i Shqipërisë. Si pengesë afatshkurtër për këtë Meta shihte Fatos Nanon, ndërsa si pengesë afatgjatë shihte Edi Ramën, se ky kishte mbështetje ndërkombëtare. Ndonëse Meta fliste gjithë ditën kundër Berishës, ky ishte armiku më i dashur për të, se ekzistenca e Berishës në politikë, në krye të opozitës ishte alibia që Meta të sundonte me dorë të fortë. Në zgjedhjet vendore të vitit 2000 Meta provoi që ta eliminonte politikisht Edi Ramën me anë të një skenari të kordinuar me Berishën.

Në zgjedhjet vendore të vitit 2000, Besnik Mustafaj konkuroi në PD për të qenë kandidat i kësaj partie për kryetar i Bashkisë së Tiranës, përballë Edi Ramës, që atë vit kandidonte për herë të parë. Besniku pati qartësisht mbështetjen e Berishës përballë dy konkurentëve të tjerë, Bamir Topit dhe Spartak Ngjelës. Dalja e Besnik Mustafajt si kandidat i mbështetur qartësisht nga Berisha u bë shkak që të fillonte një linjë e ngatërruar spekulimesh për një intrigë të madhe politike në linjën Berisha-Meta (atëherë Meta ishte kryeministër). Kandidatura e Besnik Mustafajt kishte dalë si rezultat i një marrëveshjeje të fshehtë Berisha-Meta, për të eliminuar politikisht Edi Ramën, ngjitjen e të cilit Meta e shikonte me alarm, duke e parë si rival afatgjatë në PS. Gruaja e Besnikut dhe gruaja e Metës, ishin kushërira (të dyja ishin me origjinë dibrane) dhe Besniku kishte miqësi familjare me Metën, madje kur ishte ambasador në Paris, e kishte pritur atë dhe Monikën në shtëpi me shumë përzemërsi. Pra, Besniku si kryetar bashkie i kryeqytetit do të ishte i dëgjueshëm ndaj Metës, madje shumë më tepër se Edi Rama. Zgjedhja e Besnikut do kishte dhe avantazhin tjetër për Metën që do të amortizonte protestat e opozitës për humbjen e zgjedhjeve në pjesën më të madhe të bashkive dhe komunave të vendit. Rama u alarmua shumë nga kandidatura e Besnikut dhe alarmoi edhe ambasadorin e atëhershëm amerikan në Tiranë, Limprecht, i cili ishte mbështetës i madh i Ramës dhe madje ishte bërë anekdotik në Tiranë, deri edhe me vdekjen e tij, për shkak se ishte bërë pjesë e shoqërisë së një grupi femrash pranë Edi Ramës, të cilat njiheshin si mantenuta të trafikantëve të drogës. Limprecht bëri gjithçka për të mbështetur Ramën, deri edhe duke dalë gjatë fushatës zgjedhore përkrah Ramës, me arsyetime të ndryshme, por qartësisht për të treguar mbështetjen e tij për të.
Edi Rama nxiti edhe Bamir Topin që të dilte si konkurent në garën brenda PD për kandidat për kryetar të bashkisë së Tiranës. Atë vit përzgjedhja e kandidatit u bë me votim nga konventa e demokratëve të Tiranës. Kur garën në PD e fitoi Mustafaj, Topi u largua i pakënaqur me grupin e tij të mbështetësve nga tiranasit autoktonë, siç i quante ai, duke lëshuar akuza se votimi ishte manipuluar nga Shaban Memia, në dobi të Mustafajt, me urdhër të Berishës. Kështu Berisha, për shkak të mbështetjes për Mustafajn, krijoi një të çarë serioze me Topin, e dyta pas asaj të një viti më parë, kur Topi kishte konkururar pa sukses për postin e kryetarit të PD të Tiranës. Por Mustafaj humbi në zgjedhje përballë Edi Ramës.

Pas zgjedhjeve Meta e ndjeu veten më të fortë dhe bëri një gjest kuptimplotë për t’ i pëlqyer Greqisë. Në 11 tetor 2000 në Tiranë u luajt ndeshja e futbollit mes Shqipërisë dhe Greqisë për fazën kualifikuese të Botërorit 2002. Shqipëria arriti një fitore historike 2-0 në këtë ndeshje me konotacion të fortë politik dhe nacionalist. Pas ndeshjes në Sheshin "Skënderbej" në Tiranë, mbi 100 mijë njerëz festuan fitoren, duke kënduar Hymnin Kombëtar dhe duke brohoritur slogane nacionaliste nën flamujt kuq e zi dhe fishekzjarret, në atë që mund të quhet si manifestimi më madhështor i nacionalizmit shqiptar këto dhjetë vitet e fundit . Dhe atë mbrëmje ky shesh nuk ishte i vetmi vend në Tiranë ku festohej në këtë mënyrë, as i vetmi vend në Shqipëri, madje as i vetmi vend në hapësirën shqiptare. Festime për fitoren atë natë pati edhe në qytete dhe fshatra të tjera të Shqipërisë londineze si dhe përtej kufirit, në Kosovë dhe në Shqipërinë Lindore, apo edhe kudo në botë ku ka shqiptarë. Manifestimi nacionalist, që ishte duke u zhvilluar në shesh, me gjasë nisi të shqetësonte dikënd në nivelet e larta shtetërore shqiptare dhe ato të diplomacisë greke në Tiranë. Prandaj me urdhër të kryeministrit Meta, në shesh hyri vrullshëm policia, kinse për të hequr bllokimin e trafikut. Disa autovetura dhe motoçikleta të policisë nisën të përshkojnë kryq e tërthor sheshin me qëllimin e qartë për t’i shpërndarë njerëzit. Me gjasë, kjo ishte mënyra e zgjedhur nga pushtetarët për t’i treguar faktorit ndërkombëtar se ata nuk e bashkëndanin këtë shfaqje nacionalizmi të qytetarëve të tyre. Njerëzit përgjigjeshin duke brohoritur dhe valëvitur flamujt kombëtarë. Me këtë veprim Meta i dha një kumt të qartë Greqisë.
Kur opozita e drejtuar nga Berisha kaloi në protesta pas zgjedhjeve vendore të vjeshtës 2000, të cilat ajo i quajti të manipuluara, zgjedhje ku e majta fitoi mbi 80% të bashkive dhe komunave, çka e zhdukte praktikisht opozitën nga pushteti vendor, Meta reagoi duke ushtruar ndaj opozitës një dhunë policore të shpërpjestuar, që qartas ishte e llogaritur për të pohuar Meta kultin e tij të Mehmet Shehut të ri. Kulmi i këtij spektakli të egër u arrit në 28 nëntor 2000, kur selia qendrore e PD në Tiranë u rrethua me autoblinda dhe me forca policore speciale, të cilat kishin si detyrë që ta ndalonin Berishën dhe ta dërgonin në polici ku ai kërkohej për organizim mitingjesh pa leje dhe eventualisht edhe për organizimin e një kryengritjeje të armatosur, nisur nga versioni që kishte dhënë policia për ngjarjet e asaj dite në Tropojë.
Enigma më e madhe e asaj që ndodhi në natën e 28 nëntorit 2000 në Tiranë, është se përse Berisha doli nga selia e PD pas mesnatës, kur e dinte se automjetin e tij do ta ndalonte policia e cila kishte rrethuar krejt zonën. Derisa Berisha e njihte planin e kundërshtarit, i cili ishte krejt i lexueshëm nga dislokimi i forcave policore përreth selisë së PD, atëherë ai nuk kishte përse t’ ja bënte më të lehtë zbatimin e skenarit kundërshtarit. Nëse Berisha do ta kalonte natën në selinë e PD atëherë gjërat komplikoheshin për kundërshtarin e tij. Mëngjesi do ta gjente selinë e PD të rrethuar me shumë forca policore dhe autoblinda, gjë që ishte pikërisht ajo që donte Berisha. Kjo pamje do të tërhiqte median ndërkombëtare. Nëse Meta ishte i vendosur që ta arrestonte Berishën, atëherë këtij të fundit i konvenonte që kjo të ndodhte në zyrën e tij, pasi policia të hynte me forcë në selinë e PD. Aq më tepër nëse kishte skenar për vrasjen e Berishës, siç u pretendua, ai duhej të kishte qendruar në zyrë atë natë, se vrasja mund të kryhej shumë më lehtë gjatë rrugëtimit pas mesnate nga zyra në shtëpi. Pse Berisha doli atëherë nga selia e PD atë natë. Tre njerëz mund t’ i përgjigjen kësaj pyetjeje nga të cilët dy, Berisha dhe Meta, nuk do të flasin kurrë për këtë çështje. I treti është Mero Baze. Mero Baze, i cili tashmë ka botuar një libër ku rrëfen historinë e aleancës Berisha-Meta, duke e mbajtur veten për dëshmitar i prapaskenave të saj, hesht për një episod i cili është më i errëti në marrëdhëniet Meta-Berisha. Mero Baze duhet t’ i përgjigjet pyetjes se përse Berisha në natën e 28-29 nëntorit 2000 doli nga selia e PD dhe u nis për në shtëpi, vetëm pesë minuta pasi Mero Baze hyri në selinë e PD, do të thotë në zyrën e Berishës. Çfarë kumti solli Mero Baze dhe nga cili erdhi ky kumtë Mero Baze i solli Berishës kumtin e Ilir Metës se doktori do të ndalohej nga policia, do të shoqërohej në mjediset e policisë, por nuk do të arrestohej. Vetëm sa do të bëhej një ritual dhe Berisha do të lihej i lirë.
Kjo gjë shkonte në favor të të dyve, Ilir Metës dhe Sali Berishës, por më së shumti në favor të Berishës. Meta në dukje fitonte pikë tek e majta si njeriu që bëri atë që nuk e bënë dot paraardhësit e tij socialistë. Por Berisha fitonte pikë edhe më shumë se dilte që ai ishte njeri që nuk mund të arrestohej. Kështu që paradoksisht, 28 nëntori 2000 u bë dita kur Berisha rifitoi fuqinë morale që e kishte humbur pas rënies nga pushteti në 1997. Në mëngjesin e 29 nëntorit 2000, Berisha doli në një konferencë për shtyp me pamje triumfatori. Shqiptarët e kuptuan atë ditë se Berisha kishte mbështetjen e qendrave ndërkombëtare të cilat qëndronin mbi ambasadorët perëndimorë që ishin në Tiranë, duke përfshirë edhe atë amerikan. Logjika më e thjeshtë të thotë se nëse Meta nuk qe në gjendje ta arrestonte Berishën, nuk duhet ta kishte ndaluar fare atë me anë të policisë.

Duke e kuptuar këtë gjë, Ilir Meta deshi të mburret me një trofe, lidhëset e këpucëve të Berishës. Ilir Meta gjatë gjithë karrierës së tij ka imituar dhe nuk ka bërë kurrë gjëra origjinale. Këtë herë ai imitoi Berishën, i cili në vitin 1993 i mori lidhëset e këpucëve të Nanos dhe ia çoi atij, Metës, me anë të Meros. Kur Berisha u dërgua në polici, Meta urdhëroi që lidhëset e këpucëve të doktorit t’ ia dërgonin atij (Metës) në zyrë. Ndoshta i futi në të njëjtën kuti me të cilën dikur Berisha i kishte çuar lidhëset e këpucëve të Nanos. Pastaj lidhëset e këpucëve të doktorit ia dërgoi si dhuratë Genc Pollos, i cili atëherë kishte dalë si rival i Berishës.

Gazeta Sot, 15.10.2010