Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Bashkëpunimi ekonomik Gjermani-Shqipëri histori suksesi

Bashkëpunimi ekonomik Gjermani-Shqipëri histori suksesi
Në kuadër të aktiviteteve të javëve të kulturës gjermane në Shqipëri, të njohura si "Tetori Gjerman", në mjediset e Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, dje u zhvillua aktiviteti “Të ndajmë shanset së bashku”. Në këtë takim morën pjesë drejtues të bankës KfË dhe programit të GTZ-së, të cilat përfaqësojnë bashkëpunimin ekonomik gjerman për zhvillim në Shqipëri.
Në këtë aktivitet ishte i pranishëm dhe Zv. Kryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Ilir Meta, i cili duke përshëndetur këtë aktivitet vlerësoi bashkëpunimin dhe mbështetjen e qeverisë gjermane dhënë vendit tonë në këto 20 vite.
Gjatë takimit foli dhe Ambasadorja gjermane në Tiranë, znj. Carola Mueller-Holtkemper, e cila deklaroi se "qeveria gjermane do të mbështesë Shqipërinë me një fond prej rreth 545 milionë euro për zhvillimin e infrastrukturës dhe forcimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme". Ajo veçoi disa nga sektorët, ku qeveria gjermane ka investuar në 20 vite bashkëpunim dypalësh si infrastruktura, energjia elektrike, menaxhim i mbetjeve urbane, etj.
Fjala e Zv. Kryeministri dhe Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, z. Ilir Meta
Është një kënaqësi e madhe për mua të marr pjesë sot këtu në këtë aktivitet shumë të rëndësishëm, në mënyrë që vërtet të ndajmë shanset së bashku, ashtu sikurse keni gati 20 vite që kemi nisur këtë proces. Ishte ende pa u rrëzuar regjimi obskurantist komunist në Shqipëri kur falë përpjekjeve titanike të personalitetit të madh bavarez dhe gjerman, Franc Jozef Shtraus u bë e mundur që të pranohej nga qeveria e asaj kohe marrëveshja e parë e bashkëpunimit teknik që përcaktonte ndihmën gjermane për zhvillim dhe që filloi me sjelljen në Shqipëri të traktorëve dhe autokombajnave të para gjermane për zhvillimin e Shqipërisë. Që atëherë një progres i jashtëzakonshëm dhe i shkëlqyer është arritur në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Gjermania ishte i pari vend që ka nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunimin ekonomik me Shqipërinë që në tetor të vitit 1988. Nëse Shqipëria sot nuk njihet aspak në raport me atë të 20 viteve më përpara kjo padyshim është edhe falë mbështetjes së jashtëzakonshme të Gjermanisë dhënë vendi tonë gjatë këtyre dy dekadave. Për ne shqiptarët Gjermani do të thotë Europë. Do të thotë modernizim. Do të thotë teknologjia më e fundit. Do të thotë natyrisht edhe progres social. Dhe jo më kot ambasada juaj, zonja ambasadore, ishte targeti kryesor i gjithë atyre që donin të largoheshin nga Shqipëria 20 vite më parë. Ndaj unë besoj se falë kësaj ndihme dhe kësaj mbështetje Shqipëria është sot jo vetëm një anëtare e NATO-s, është më pranë se asnjëherë tjetër Bashkimit Europian dhe qytetarët tanë do të kenë fatin që në një kohë shumë të shkurtër të lëvizin pa viza drejt vendit tuaj dhe gjithë hapësirës shengen. Mbështetja dhe ndihma e Gjermanisë ka qenë e jashtëzakonshme, në përputhje me sfidat, prioritetet dhe dinamikën e zhvillimeve ekonomike e sociale nën vend. Bujqësia, infrastruktura dhe shëndetësia kanë ndjerë në mënyrë të veçantë mbështetjen e Gjermanisë, ashtu sikurse dua të theksoj mbështetjen e Gjermanisë sidomos për nxitjen dhe përkrahjen e SME-ve në vendin tonë. Po kështu edhe asistencën për procesin e privatizimeve, që ka ndihmuar për strukturimin dhe modernizimin e ekonomisë sonë. Natyrisht sfidat me të cilat ne ndeshemi po e thellojmë akoma më tej bashkëpunimin tonë, pasi vetë stadi më i lartë i integrimit europian ku ne kemi hyrë krijon hapësira të reja bashkëpunimi, duke përfshirë reformën e përafrimit të legjislacionit ekonomik me atë europian, fuqizimin e mëtejshëm të kapaciteteve institucionale dhe asistencën për kualifikimin profesional në të gjithë sektorët e ekonomisë sonë. Gjermania ka qenë dhe mbetet një partnere e mrekullueshme për ne. Në mënyrë të veçantë unë do të përmendja sektorin e energjisë ku angazhimi i Gjermanisë ka qenë dhe mbetet madhor, dhe me karakter strategjik jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin tonë. Ne së shpejti do të inagurojmë investimin e jashtëzakonshëm të interkonjeksionit 400 kilovolt Tiranë-Podgoricë dhe fillimin e punimeve për të njëjtin interkonjeksion Tiranë-Prishtinë, pa përmendur edhe shumë projekte të tjera në fushën e energjisë, ku një falënderim i veçantë i shkon edhe KfW për përkushtimin e saj për të zbatuar programe shumë të rëndësishme. Natyrisht edhe investimet në fushën e infrastrukturës, sidomos përmes financimit të projekteve për administrimin e ujësjellës-kanalizimeve dhe eleminimin e mbetjeve të ngurta, kanë qenë dhe mbeten shumë të rëndësishëm. Partneriteti ynë me Gjermaninë nuk do të ishte një histori suksesi sikurse është sot me të vërtetë, nëse nuk do të prekej në mënyrë konkrete edhe nga qytetarët tanë. Me këtë rast do të doja të përmendja Fefad-in apo Procredit-in, që është emri i një parë i një banke private që lindi në tregun shqiptar pas kolapsit piramidave, që u bë pionere e linjës së kreditimit për SME-të. Se sa i shkëlqyer ka qenë bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Gjermanisë këtë mund të dëshmojnë në veçanti qytetarët e Korçës apo Pogradecit, ku projektet e financuara nga qeveria gjermane kanë ndryshuar cilësisht jetën e këtyre komuniteteve duke ju dhënë 24 orë ujë pa ndërprerje, por edhe shumë qytete dhe komunitete të tjera në vendin tonë. Këtë mund ta dëshmojnë edhe banorët e Thethit, të cilët kanë përfituar aq shumë nga projekti i suksesshëm i GTZ në bashkëpunim me ministrinë tonë të Turizmit për rehabilitimin e shumë shtëpive karakteristike, në kthimin e tyre në bujtina të vërteta turistike, duke krijuar shanse të reja për zhvillimin e turizmit në këtë zonë, dhe duke qenë një model për ta zhvilluar edhe në zonë të tjera malore të vendit tonë.
Natyrisht që po të vazhdoj me përmendjen konkrete të projekteve në sajë të mbështetjes dhe financimit së qeverisë gjermane do t’ju lodhja duke ju mbajtur për orë të tëra këtu. Por, meqenëse kemi shumë projekte në proces, dua të falënderoj edhe njëherë ambasadoren e Gjermanisë, znj. Muler, KfW dhe GTZ për ftesën për të marrë pjesë në këtë aktivitet, t’ju shpreh mirënjohjen më të thellë të qeverisë sonë dhe popullit tonë, si dhe vendosmërinë tonë për t’ju përgjigjur me të njëjtën korrektesë dhe partneritet mbështetjes së jashtëzakonshme që ju na keni dhënë, dhe njëkohësisht vullnetin tonë për të krijuar një klimë sa më të favorshme për të gjithë investitorët e huaj, por në mënyrë të veçantë për investitorët gjermanë në vendin tonë.
I uroj suksese ambasadës, KfW-së dhe GTZ-së, të gjithë kompanive dhe grupeve gjermane të cilat operojnë në vendin tonë. Jam i bindur që ky bashkëpunim do të njohë nivele edhe më të larta, sepse është e qartë që sa më shumë rritet niveli i bashkëpunimit Shqipëri-Gjermani, aq më shpejt është dita që Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Europian, dhe aq më e shpejtë është dita që qytetarët tanë të provojnë standardet evropiane të jetesës në vendin tyre.

 

 

 

 

karburant.com, 15.10.2010