Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Akuza ndaj Kuliçajt, sot në prokurori Dritan Prifti

Akuza ndaj Kuliçajt, sot në prokurori Dritan Prifti

Ish-ministri i Ekonomisë pranon thirrjen e Task-Forcës

Denoncuesi i aferës së kontrabandës së naftës, Dritan Prifti, do të dëshmojë sot ligjërisht për këtë akuzë publike ndaj strukturave të Policisë së Shtetit. Kësaj here, Prifti, nuk do të flasë “në ajër” në media, por do të përballet me një grup hetimor i ngritur dy ditë më parë nga njësia Task-Forcë në Prokurorinë e Tiranës. Kjo e fundit ka çelur zyrtarisht hetimet për kontrabandën e naftës dhe, si hap i parë, është thirrja për dëshmi, si person që ka dijeni për objektin e hetimeve, e ish-ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti. Megjithëse ka pasur një detyrë të rëndësishme në kabinetin “Berisha” dhe në LSI, Prifti nuk ka ngurruar të akuzojë publikisht strukturat shtetërore se kryejnë kontrabandë nafte dhe arrijnë të përfitojnë miliona euro. Në disa dalje publike, deputeti i pavarur ka akuzuar zv/drejtorin e Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, si një nga personat që mund të ketë dijeni për këtë kontrabandë, megjithëse deklaron se edhe struktura të tjera shtetërore kanë gisht në këtë aferë. Sipas burimeve nga Prokuroria e Tiranës, deputeti e ka pranuar ftesën e organit të akuzës për të dëshmuar, madje ka premtuar se do t’i përmbahet deklaratës së lëshuar në media. Fletëthirrja parashikon se Prifti do të paraqitet në prokurori rreth orës 13:00.

Dy ditë më parë, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi zyrtarisht se ka nisur hetimet për akuzat e kontrabandës së hidrokarbureve bërë nga deputeti Dritan Prifti në media, ndërsa e ka ftuar për të dhënë shpjegime para njësisë Task-Forcë. “Ndër veprimet e para hetimore të njësisë së Task-Forcës, është thirrja në prokurori e deputetit Dritan Prifti, për të dhënë shpjegime në cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e çështjes së hetimit”, thanë burimet zyrtare nga akuza qendrore, e cila saktëson se deklaratat e ish-ministrit në media për kontrabandën e naftës do të jenë të plota dhe të gjithanshme, ndërsa nuk përjashtohet që të thirret në prokurori edhe Agron Kuliçaj, ish-truproja e Kryeministrit Sali Berisha, tashmë në një nga postet drejtuese në Policinë e Shtetit. “Prokuroria e Tiranës dhe njësia Task-Forcë kundër krimit ekonomik dhe korrupsionit, ka bërë regjistrimin e procedimit penal nr. 4155, viti 2010, për shpërdorim detyre dhe kontrabandës. Prokuroria e Përgjithshme rikujton edhe një herë në vëmendje të opinionit publik, se si institucion është gjithmonë e vëmendshme ndaj akuzave për korrupsion apo për shpërdorim detyre, të cilat dalin në faqet e medias. Mirëpresim çdo informacion të vlefshëm që i shërben luftës kundër këtyre fenomeneve”, deklaronte akuza qendrore, e cila ka shpejtuar në maksimum këto hetime, duke marrë në pyetje sot Priftin, për të vazhduar në ditët pasardhëse me sekuestrimet e dokumentacioneve në dogana e tatime.

 

 

Gazeta Shqip, 15.10.2010