info@energjia.al

Në tryezën e mbajtur sot nga Komiteti për Energjitikë i Vetëvendosje!-s me temë “Sfidat e energjitikës – problemet në minierat e qymyrit” mbajtën prezantimet e tyre Kryetari Visar Ymeri, Drejtuesi i Komitetit për Energjetikë, Naim Hoxha, Ismet Raqa dhe Sylejman Krasniqi, inxhinierë dhe ekspertë të fushës si dhe deputetja Donika Kadaj.

Ekspertët me eksperiencë të gjatë pune në minierat e KEK-ut u shprehën për degradimin me intensitet të lartë në divizionin e qymyrit. Ata po ashtu paraqitën dhe keqpërdorimet e gjithanshme që i janë bërë këtij sektori ku më së shumti u theksua mungesa e çfarëdo vizioni, planifikimi apo strategjie.

Diskutim ngjalli edhe prezantimi i Kryetarit Visar Ymeri, në pikën e ndërtimit të Korporatës së Qymyrit, që është dhe propozim programor i Lëvizjes.

Ai shpjegoi se rithemelimi i Korporatës publike të Qymyrit do të përfshijë minierat ekzistuese, fushat e shfrytëzimit dhe zonat hulumtuese.

Ymeri u ndal po ashtu në rrezikun e shtuar që po paraqitet nga improvizimet me prapavijë interesa klienteliste sa i takon sigurisë së prodhimit të energjisë elektrike në Kosovë. E në këtë drejtim Lëvizja Vetëvendosje! do të intensifikojë veprimet e ndërhyrjet e saj veçanërisht në Kuvend.

Prof. Naim Hoxha tha se pavarësisht çështjeve që i kemi adresuar vazhdimit, situata po vazhdon të mbetet e njëjtë.

Ai pasi paraqiti problemet me vendimet e qeverive sa i takon trajtimit të pronave përreth minierave vuri theksin në nevojën emergjente të strategjisë së zhvillimit të sektorit energjitik si parakusht i zhvillimit ekonomik.

Eshtë tejet i rëndësishëm, hartimi i strategjisë zhvillimore energjetike që nuk ndalet te klishetë boshe të këtyre 18 viteve por që analizon e parashikon si do të zhvillohet si park energjitik zona e termocentraleve, se si do të mbrohet ambienti e shëndeti i popullatës dhe se si do të ndërtohen e planifikohen kapacitetet e reja energjitike.

Inxhinieri Ismet Raqa paraqiti gjendjen e minierës, projektin fillestar për hapen e saj dhe devijimin e qëllimtë nga projekt-ideja.

Gjendja e tashme e minierës dhe zonat ku po punohet sinjalizojnë për rreziqe të reja përpos atyre që tashmë dihen sa i takon banorëve aty pranë por edhe krizës për qymyr në gjashtëmujorin e parë të vitit në vijim 2018.

Kurse, inxhinieri Sylejman Krasniqi foli për shkaktarët e krizës energjetike. Problemin e shtëpive në Shipitullë dhe Hade, ai e sheh si problem që e ka zanafillën që prej vitit 2004.

“Drejtori aktual i KEK-ut do që ta reduktojë minierën vetëm në dy hektarë tokë për aq sa i kanë premtuar pronarët e tokave në Shipitullë. Kjo është shaka me opinionin sepse kjo nuk mjafton as për gjerësinë e një ekskavatori”, u shpreh ai.

Krasniqi po ashtu paraqiti të dhënat mbi abuzimet milionëshe që po bëhen me fondet publike të KEK duke kontraktuar kompani private për të larguar materialet nga djerrinat ndërkohë që automjetet e specializuara në gjendje punë si dhe punëtorët e specializuar të KEK qëndrojnë pa punë.

Kriza në këtë sektor është krijuar më vetëdije. Nuk mungojnë shembujt e ngjashëm në rajon. Është e qartë se sa i takon minierave të qymyrit brenda Korporatës Energjitike të Kosovës abuzimet kanë datë, të paktën prej vitit 2004 e deri më tash. Ato janë përgjithësisht të natyrës korruptive por edhe të qëllimshme.

Lejimi i ndërtimeve në zonat e shpallura me interes të veçantë, përreth minierave dhe devijimi i projektidesë për hapjen e minierave të reja janë dy anët e të njëjtë medalje, asaj të dobësimit të qëllimshëm të Korporatës dhe veçanërisht të divizionit të qymyrit si sektorë kyç i energjitikës në Kosovë.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  11.10.2017

Sot, Lëvizja Vetëvendosje! mbajti tryezën me temën “Situata në sektorin energjetik- prodhim, çmimi dhe investimet afatgjata”.

Në fjalën e tij hyrëse, Kryetari Visar Ymeri u ndal tek gjendja e rëndë në sektorin energjetik, me fokus të veçantë rrezikun e sigurisë së  prodhimit vendas të energjisë elektrike për shkak të problemeve me thëngjillin, rritjen e vazhdueshme të çmimit të rrymës dhe funksionimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE).

Ai tha se përkundër burime të mjaftueshme që i kemi, pushteti në Kosovë ka dështuar që të krijojë stabilitet dhe qëndrueshmëri në sektorin energjetik.

“Prej se është shpallur Kosova e pavarur ka një tendencë të shtuar privatizuese për sa i përket sektorit të energjetikës, dhe kjo e ka ndikuar drejtpërdrejt edhe funksionimin e institucioneve që janë të ndërlidhura dhe që kanë ndikim të drejtpërdrejt në këtë sektor, e më së shumti këtu ZRrE-në”, theksoi Ymeri, duke treguar se si KEDS/KESCO aktualisht ka për qëllim maksimalizimin e profitit e jo furnizimin me energji elektrike për qytetarët, si dhe duke kujtuar se pas privatizimit kemi pasur tri momente të rritjes së çmimit të rrymës.

Drejtuesi i Komitetit për Energjetikë, prof. Naim Hoxha, tha se KEDS/KESCO përveç se nuk ka realizuar premtimet e dhëna, ka larguar njerëz nga puna dhe vetëm sa e ka përkeqësuar gjendjen në sektorin e energjetikës.

“Zhvillimet që po shkojnë kah privatizimi komplet i energjisë elektrike nuk janë në drejtim të zhvillimit të përgjithshëm të Kosovës. Mungesa e një strategjie të përgjithshme zhvillimore të Kosovës, e pamundëson edhe zgjidhjen e problemit të energjetikës”, tha veç tjerash profesori Hoxha.

Nga ana tjetër, Nagip Krasniqi tha se ka pasur vetëm qasje ad hoc në planifikimin e projekteve për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, si dhe tregoi mbi problemet në lidhje me projektin për termocentralin “Kosova e Re”, probleme këto që fillojnë qysh në fazën e tenderimit.

Krasniqi tha se nëse qasja ndaj sektorit energjetik vazhdon të jetë e tillë, së shpejti Kosova do të ketë kolaps energjetik, si dhe do të ketë impakt të jashtëzakonshëm në tarifa të energjisë elektrike, krejt kjo si pasojë e importit të madh e në pamundësi të ndërtimit të kapaciteteve për prodhim të energjisë elektrike.

Në fjalën e tij, Visar Azemi nga Drejtues i Konsorciumit Kosovar i Organizatave të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID), tha se ndër problemet kryesore të sektorit të energjisë është mungesa e prioriteteve në këtë fushë, dhe problemi i energjisë nuk zgjidhet me ndërtimin e një termocentrali të ri.

Kritika në adresë të ZRRE-së dhe privatizimit të KEDS-it pati profesori Ruzhdi Sefa, funksionimi i të cilave tha se varet kryekëput nga interesat e qarqeve të pushtetit dhe përreth pushtetit, teksa Burim Ejupi nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) theksoi si problem humbjen e energjisë, duke shtuar se problemi kryesor këtu është vjedhja e energjisë.

Ai theksoi se 16.65% ka humbje komerciale të rrymës, ku 12.65% e kësaj është nga vjedhja, kurse 4% është shifër nga mospagesa e rrymës prej qytetarëve në Komunat me shumicë serbe.

Deputetja Donika Kadaj-Bujupi tha se në Kosovë për një kohë të gjatë ka pasur shpërfillje të vazhdueshme të burimeve njerëzore dhe natyrore. Ajo tha se Kosovës i ka kushtuar shtrenjtë procesi i  privatizimit në sektorin e energjisë ndër të tjera me humbjen e vendeve të punës, si dhe tha se abuzimi i burimeve natyrore bëhet me qëllime dhe interesa të pushtetarëve dhe grupeve të ndryshme të interesit.

Komiteti për Energjitikë i Lëvizjes Vetëvendosje! do të vijojë adresimin e çështjeve që lidhen me mospërmbushjen e kontratës nga KEDS/KESCO, rritjen e padrejtë dhe të jashtëligjshme të energjisë, faturimin e “humbjeve komerciale” (vjedhjeve dhe mospagimin e komunave me shumicë serbe) mbi buxhetin edhe ashtu të paktën të familjeve që paguajnë rregullisht energjinë elektrike, si dhe problemet e jashtëzakonshme me gjenerimin e energjisë elektrike, burimi i të cilave është kryesisht Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe qeverisë në tërësi.

Çështjet e energjitikës janë një betejë për të cilën kërkohet solidaritet dhe rezistencë nga të gjitha qarqet shoqërore, nga punëtorët deri të profesorët universitarë. Ne do të përpiqemi që ta nxisim këtë solidaritet dhe këtë rezistencë.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  24.04.2017

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, ka thënë se Qeveria e Kosovës ende nuk ka bërë asgjë për Trepçën, duke iu referuar një ligji që ka pas të nxirret.

“Qeveria po heq dorë nga premtimet e veta aq pompoze se do të ketë ndryshime të mëdha në ekonomi. Trepça është dashur ta ketë ligjin për të cilin është folur para pesë muajve e ky afat përfundon nesër. Asgjë nuk është bërë në këtë drejtim për Trepçën e minatorët”, ka thënë Ymeri duke folur në debatin e lëvizjes Fol, raporton Indeksonline.

Ai po ashtu ka folur edhe për reformën tatimore ku ka thënë se kjo do ta rrit shpenzimin e konsumatorit për 1 për qind.

“Vendimet që i ka marrë kjo Qeveri, reforma tatimore është më e rëndësishmja. Bazat tatimore janë problemet në politikën fiskale që e kanë stagnuar ekonominë në Kosovë. Tatimi në rrjedhë të shtuar është rritur nga 16 në 18 për qind. Kjo e rrit shpenzimin e shportës së konsumatorit për 1 për qind. Normat tatimore janë të njëjta për 10 për qind. MTI e ka marrë një fond për kredi marrje për kompanitë e vogla dhe të mesme. Ky fond është zëvendësim i premtimit madhor nga PDK e LDK për një fond madhor të punësimit. Nuk mund të ketë rritje të ekonomisë nëse nuk kemi energji të mjaftueshme”, ka thënë i pari i Vetëvendosjes Visra Ymeri.

Telegrafi,  19.06.2015

Aksioni i sotëm Lëvizjes Vetëvendosjes u organizua për t’i kundërshtuar fuqishëm keqpërdorimet që po i bën korporata KEDS me faturat e qytetarëve duke i vjedhur ata nëpërmjet orëve digjitale.

“Qeveria e kaluar na tha se shitja e rrjetit të energjisë elektrike dhe shpërndarjes do të çrrënjos korrupsionin dhe do të furnizonte qytetarët me energji elektrike pa pengesa”.

“Institucionet e Kosovës po heshtin para këtij krimi që po i ndodh popullit të Kosovës, por kur institucionet heshtin atëherë fol populli. Andaj i bëjmë ftesë të gjithë qytetarëve të cilët janë zhvatur nga KEDS-i që të shtunën më 18 prill, ora 14:00  t\’i bashkohen protestës sonë kundër kapjes së shtetit”.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  17.04.2015

Lëvizja Vetëvendosje! e denoncon privatizimin e distribucionit të KEK-ut si një nga krimet ekonomike më të mëdha që po kryhen ndaj popullit të Kosovës. Kalimi i pronësisë, prej asaj publike tek ajo private, në rastin e privatizimit të distribucionit do të thotë kalim i monopolit prej duarve të shoqërisë, në duar të privatit. E një monopol privat vetëm do ta dëmtojë e do ta rëndojë edhe më tej gjendjen ekonomike të shoqërisë e të shtetit në Kosovë.
Ky proces, sipas vetëvendosjes,  po bëhet larg prej syve të publikut dhe pa e përfshirë atë në vendimmarrje e edhe efekti që do të shkaktojë është zhvendosje gjithnjë e më e madhe e vendimmarrjes, prej popullit drejt privatit. Ky rast i privatizimit është kriminal që prej fillimit. Ai po ndodh me gjithë kundërshtimet e qytetarëve, e sidomos të punëtorëve të KEK, vetëm me këmbënguljen e Qeverisë Thaçi. Qeveria dëshiron t’i përdorë paratë e fituara prej privatizimit të distribucionit të KEK për të dalë nga situata e vështirë buxhetore ku e ka futur veten, por populli nuk është i gatshëm të shpronësohet për faj të qeverisë. Këtë privatizim nuk e mbrojnë dot as teoricienët e tregut të lirë, pasi vetëm për treg të lirë nuk mund të flitet kur krijohet një monopol, i cili edhe më tej ka për të mbetur i pathyeshëm.
Në komunikatën e Vetëvendosjes thuhet se “na thonë se distribucioni duhet privatizuar sepse e ka performancën e dobët. Nuk është rasti sot të merremi me mitet mbi efikasitetin, por do të shtrojmë disa çështje tjera. Nëse e marrim të saktë arsyetimin se performanca e distribucionit ishte e dobët, cilët e kanë fajin për këtë performancë? Natyrisht që drejtuesit e kësaj ndërmarrje, dhe drejtuesit dihet që janë njerëzit e emëruar nga Qeveria. Vetë keqmenaxhimi e korrupsioni, punësimi i anëtarëve partiakë, apo papërgjegjësia buron drejtpërdrejt nga menaxhmenti i vendosur aty nga Qeveria. Dhe është detyrë e këtij menaxhmenti që ta justifikojë privatizimin, duke e përkeqësuar gjendjen në ndërmarrje, që jo vetëm të bëhet i pranueshëm ndërrimi i pronësisë, por edhe që ky ndërrim pronësie të bëhet me një çmim sa më të ulët”.
Nëse humbjet e energjisë elektrike janë të mëdha sepse mungon shteti ligjor, si është e mundur atëherë që i njëjti shtet ligjor i cili nuk funksionoi për vete (lexo – për publikun) do të funksionojë për të mbajtur nën kontroll monopolin privat? Nëse ky shtet është deficient dhe i korruptuar, ai është i tillë pikërisht sepse vendos interesat private e personale përmbi interesat publike e shoqërore. Pra çfarë shteti është ai i cili kur është fjala për ta ruajtur e mirëmbajtur pasurinë publike nuk funksionon, ndërkaq pretendon se funksionon për mrekulli kur duhen shpronësuar qytetarët e vet e kur i duhet shërbyer korporatave të huaja. Ky është shteti vegël e kapitalizmit neoliberal, shteti paradoksal i kësaj qeverie.
Privatizimi i Rrjetit të Distribucionit dhe Shpërndarjes të KEK është një proces i papërgjegjshëm dhe i dëmshëm për qytetarët e Kosovës. Privatizimi i këtij rrjeti të distribuimit krijon një monopol privat, dhe e shndërron qytetarin në klient. Privatizimi i distribucionit të KEK e pamundëson ndjekjen e politikave sociale, për të ndihmuar shtresën shoqërore me të ardhura më të ulëta. Privatizimi i KEK ka për ta shtrenjtuar energjinë elektrike,  shtrenjtimi i energjisë elektrike do të shkaktojë efekt zinxhiror të shtrenjtimit të artikujve tjerë bazik për jetë.
Distribucioni i KEK nuk është pronë e Qeverisë Thaçi. Ajo mund të jetë administruesi, e në rastin tonë është administrues qëllimisht i keq, për ta justifikuar shitjen. Por, pronarë të ndërmarrjeve publike janë punëtorët e tyre, edhe qytetarët e Kosovës në përgjithësi. Ata dhe jo Qeveria Thaçi duhet ta kenë fjalën kryesore lidhur me këtë proces.
Lëvizja Vetëvendosje! do të angazhohet me gjithë kapacitetet e saj që mos të lejojë privatizimin e kësaj ndërmarrjeje publike që është me interes jetik për vendin. Do të përdorim të gjitha mjetet, institucionale dh joinstitucionale për ta mbrojtur këtë sektor të rëndësishëm të energjisë nga kthetrat e klasës politike shpronësuese. Nuk do të lejojmë që gjithë sistemi i shpërndarjes së rrymës, i ndërtuar me djersën e dy brezave të punëtorëve të kalojë në duart e huaja, vetëm për të mbuluar mungesat buxhetore të shkaktuara nga teket e pushtetit të papërgjegjshëm të Qeverisë së Hashim Thaçit. Ne do ta mbrojmë distribucionin nga privatizimi me çdo kusht!, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Gazeta Koha Ditore, 05.06.2012