Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Vetëvendosje: Privatizimi i Distribucionit, krim i madh ekonomik

Lëvizja Vetëvendosje! e denoncon privatizimin e distribucionit të KEK-ut si një nga krimet ekonomike më të mëdha që po kryhen ndaj popullit të Kosovës. Kalimi i pronësisë, prej asaj publike tek ajo private, në rastin e privatizimit të distribucionit do të thotë kalim i monopolit prej duarve të shoqërisë, në duar të privatit. E një monopol privat vetëm do ta dëmtojë e do ta rëndojë edhe më tej gjendjen ekonomike të shoqërisë e të shtetit në Kosovë.
Ky proces, sipas vetëvendosjes,  po bëhet larg prej syve të publikut dhe pa e përfshirë atë në vendimmarrje e edhe efekti që do të shkaktojë është zhvendosje gjithnjë e më e madhe e vendimmarrjes, prej popullit drejt privatit. Ky rast i privatizimit është kriminal që prej fillimit. Ai po ndodh me gjithë kundërshtimet e qytetarëve, e sidomos të punëtorëve të KEK, vetëm me këmbënguljen e Qeverisë Thaçi. Qeveria dëshiron t’i përdorë paratë e fituara prej privatizimit të distribucionit të KEK për të dalë nga situata e vështirë buxhetore ku e ka futur veten, por populli nuk është i gatshëm të shpronësohet për faj të qeverisë. Këtë privatizim nuk e mbrojnë dot as teoricienët e tregut të lirë, pasi vetëm për treg të lirë nuk mund të flitet kur krijohet një monopol, i cili edhe më tej ka për të mbetur i pathyeshëm.
Në komunikatën e Vetëvendosjes thuhet se “na thonë se distribucioni duhet privatizuar sepse e ka performancën e dobët. Nuk është rasti sot të merremi me mitet mbi efikasitetin, por do të shtrojmë disa çështje tjera. Nëse e marrim të saktë arsyetimin se performanca e distribucionit ishte e dobët, cilët e kanë fajin për këtë performancë? Natyrisht që drejtuesit e kësaj ndërmarrje, dhe drejtuesit dihet që janë njerëzit e emëruar nga Qeveria. Vetë keqmenaxhimi e korrupsioni, punësimi i anëtarëve partiakë, apo papërgjegjësia buron drejtpërdrejt nga menaxhmenti i vendosur aty nga Qeveria. Dhe është detyrë e këtij menaxhmenti që ta justifikojë privatizimin, duke e përkeqësuar gjendjen në ndërmarrje, që jo vetëm të bëhet i pranueshëm ndërrimi i pronësisë, por edhe që ky ndërrim pronësie të bëhet me një çmim sa më të ulët”.
Nëse humbjet e energjisë elektrike janë të mëdha sepse mungon shteti ligjor, si është e mundur atëherë që i njëjti shtet ligjor i cili nuk funksionoi për vete (lexo – për publikun) do të funksionojë për të mbajtur nën kontroll monopolin privat? Nëse ky shtet është deficient dhe i korruptuar, ai është i tillë pikërisht sepse vendos interesat private e personale përmbi interesat publike e shoqërore. Pra çfarë shteti është ai i cili kur është fjala për ta ruajtur e mirëmbajtur pasurinë publike nuk funksionon, ndërkaq pretendon se funksionon për mrekulli kur duhen shpronësuar qytetarët e vet e kur i duhet shërbyer korporatave të huaja. Ky është shteti vegël e kapitalizmit neoliberal, shteti paradoksal i kësaj qeverie.
Privatizimi i Rrjetit të Distribucionit dhe Shpërndarjes të KEK është një proces i papërgjegjshëm dhe i dëmshëm për qytetarët e Kosovës. Privatizimi i këtij rrjeti të distribuimit krijon një monopol privat, dhe e shndërron qytetarin në klient. Privatizimi i distribucionit të KEK e pamundëson ndjekjen e politikave sociale, për të ndihmuar shtresën shoqërore me të ardhura më të ulëta. Privatizimi i KEK ka për ta shtrenjtuar energjinë elektrike,  shtrenjtimi i energjisë elektrike do të shkaktojë efekt zinxhiror të shtrenjtimit të artikujve tjerë bazik për jetë.
Distribucioni i KEK nuk është pronë e Qeverisë Thaçi. Ajo mund të jetë administruesi, e në rastin tonë është administrues qëllimisht i keq, për ta justifikuar shitjen. Por, pronarë të ndërmarrjeve publike janë punëtorët e tyre, edhe qytetarët e Kosovës në përgjithësi. Ata dhe jo Qeveria Thaçi duhet ta kenë fjalën kryesore lidhur me këtë proces.
Lëvizja Vetëvendosje! do të angazhohet me gjithë kapacitetet e saj që mos të lejojë privatizimin e kësaj ndërmarrjeje publike që është me interes jetik për vendin. Do të përdorim të gjitha mjetet, institucionale dh joinstitucionale për ta mbrojtur këtë sektor të rëndësishëm të energjisë nga kthetrat e klasës politike shpronësuese. Nuk do të lejojmë që gjithë sistemi i shpërndarjes së rrymës, i ndërtuar me djersën e dy brezave të punëtorëve të kalojë në duart e huaja, vetëm për të mbuluar mungesat buxhetore të shkaktuara nga teket e pushtetit të papërgjegjshëm të Qeverisë së Hashim Thaçit. Ne do ta mbrojmë distribucionin nga privatizimi me çdo kusht!, thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes.

Gazeta Koha Ditore, 05.06.2012