info@energjia.al

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka vizituar sot  Ndërmarrjem Trepça.

“Në mëngjesin e sotëm, si pjesë e premtimeve për të rregulluar problemet e Trepçës, isha në vizitë në këtë ndërmarrje ku u takova me ekzekutivin dhe sindikatën.”

“Ishte një takim mjaftë i mirë dhe besoj që jemi në rrugën e duhur për të rregulluar shumicën e problemeve që hasin punëtorët e Trepçës”, ka theksuar ministri Lluka.

Vizita tjetër u planifikua të bëhet në fund të këtij muaji për të monitoruar progresin e premtimeve nga secila palë.

Ndërkohë ministri Lluka ka thënë se ata i ka informuar se Qeveria e Kosovës, në bazë të ligjit mbi Trepçën të sponsoruar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, ka bërë shpalljen e pozitave për Drejtorët e Bordit Mbikqyrës, që është hapi i parë konkret drejtë aktivizimit të këtij gjigandi ekonomik.

Në këtë bord, nga 9 pozita të hapura, 2 do të përfaqësohen nga punëtoret e Trepçës!

“Ministria e Zhvillimit Ekonomik është duke i ndërmarrë të gjithat hapat e nevojshëm që i hapin rrugë zhvillimit të kësaj ndërmarrje, andaj vlerësoj se nisja e procesit për zgjedhjen e Bordit të Trepçës, do t’i paraprij hapave të tjerë konkretë që ka paraparë MZHE siç janë hartimi i Statutit dhe regjistrimi i ndërmarrjes si Trepça SHA”, ka thënë në fund ministri Lluka.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  13.11.2017

Qeveria e Kosovës duket se nuk do të rrijë më duarkryq kur bëhet fjalë për funksionimin  e gjigantit ekonomik kosovar “Trepça”, kjo duke u bazuar në ligjin e miratuar në Kuvendin e Kosovës para gati një viti, shkruan Gazeta “Zëri”. Që kur është miratuar Ligji për “Trepçën” në Kuvendin e Kosovës Qeveria e Isa Mustafës nuk kishte arritur që të formojë dy bordet, atë Mbikëqyrës dhe Bordin Menaxhues, pa të cilët nuk mundet që ligji të quhet i zbatueshëm.

Bordet nuk ka arritur t’i formojë as Qeveria e re e Republikës së Kosovës, që udhëhiqet nga Ramush Haradinaj.

Haradinaj u ka rekomanduar tri ministrive që të veprojnë shpejt për ta zbatuar Ligjin për “Trepçën”, ndërkohë njëri prej ministrave, ai i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka ka premtuar në Mitrovicë, të martën, se Bordi Menaxhues i “Trepçës” do të formohet së shpejti.

Sipas tij, në nëntor do të shpallet konkursi për anëtarë të Bordit Menaxhues të “Trepçës”, gjë që do t’i hapë rrugë investimeve në “Trepçë”.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, i cili ka qëndruar në Mitrovicë të martën dhe ka takuar kryetarin Agim Bahtiri, ka siguruar se Mitrovica do ta ketë mbështetjen e Qeverisë së Kosovës në të gjitha fushat e zhvillimit.

Scan Tv,  04.11.2017

Miratimi i rishikimit të projektligjit për buxhetin e 2017-së, në një ndër pikat kryesore të tij ka paraparë edhe mbulimin e shpenzimeve të cilat rrjedhin nga kontrata për planin e riorganizimit të Trepçës në shumën prej 598 mijë e 920 euro direkt nga buxheti i shtetit, shkruan Indeksonline.

Sipas ekspertëve të ekonomisë gjiganti i Trepçës tash e 17 vite po vazhdon të marrë para nga buxheti i taksapaguesve në vend që të kontribuoj në shtimin e buxhetit.

Analisti i çështjeve ekonomike Naim Gashi, ka thënë për Indeksonline se Trepça që nga paslufta e këtej ka qenë në absorbues i mjeteve të buxhetit të Kosovës dhe një kontribuues siç do të duhej të ishte një kompani mineralesh dhe metalurgjike siç ka qenë në të kaluarën.

“Aktualisht kostoja e investimeve në Trepçë në vitet e pasluftës i tejkalon të gjitha kapacitetet prodhuese që i ka ajo, ku janë investuar qindra miliona euro, pjesa dërrmuese nga Qeveria e Kosovës dhe një pjesë nga donatorët. Trepça po vazhdon të absorboj për çdo vit mjete nga buxheti i Kosovës, sepse ajo në vitet e fundit ka pasur një keq menaxhim  të jashtëzakonshëm sepse një kompani minerare kur nuk mundet ti përballoj kostot e prodhimit në fakt vihet në pyetje se çfarë është ajo”, ka thënë ai.

Gashi ka theksuar se strategjia për zhvillimin në bazë të ligjit për Trepçën që është miratuar vitin e kaluar ka mbetur aty ku ka qenë sepse, ende nuk është themeluar bordi mbikëqyrës.

“Qeveria e Kosovës duhet që urgjentisht ta themeloj bordin e Trepçës, ta zgjedh një menaxher profesionist i cili ka ta shtyje që të miratohet strategjia për Trepçën e cila parashihet me ligjin i cili është miratuar vitin e kaluar dhe në këtë mënyre Trepça të jetë në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës e jo në funksion të frenimit të këtij zhvillimi sepse për çdo vite taksat e qytetarëve të Kosovës po shpenzohet miliona për ta mbajtur në ‘këmbë’  këtë kompani”, ka thënë Gashi.

Revista Monitir,  02.11.2017

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka ka arritur një marrëveshje me minatorët e Minierës së Stantërgut, me të cilën ndërpritet greva e tyre, e nisur dje, ndërsa brenda 10 ditësh kërkesat e minatorëve do të trajtohen nga institucionet kompetente për të siguruar një zgjidhje të pranueshme.

Ministri Lluka me bashkëpunëtorë sot ka qëndruar në Trepçë ku është takuar Sindikalistët e Minatorëve, menaxhmentin e Trepçës dhe minatorët, nga të cilët është njohur me kërkesat e tyre dhe mundësinë e realizimit të tyre brenda një afati sa më të shkurtër.

Kreu i MZHE-së është zotuar se sipas përgjegjësive, së bashku me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Inspektoratin e Punës, do të shqyrtohen të gjitha kërkesat e minatorëve dhe brenda 10 ditësh do të gjendet zgjidhja për sistematizimin e punëtorëve, derisa kërkesat tjera do të përmbushen brenda këtij viti.

Ndryshe, dje minatorët e Trepçës, respektivisht Minierës së Stantërgut kanë hyrë në grevë me kërkesa; përmirësimi i cilësisë së ushqimit, zbatimi i kontratës kolektive, sistematizimi i punëtorëve sipas kërkesave.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  27.10.2017

Edhe pas konstituimit të institucioneve të shtetit të Kosovës gjendja në “Trepçë” vazhdon të jetë e njëjtë, as me AKP-në e as me Qeverinë e Kosovës. Kjo e fundit nuk ka arritur ta formojë Bordin Mbikëqyrës e as atë Menaxhues pa të cilët nuk mund të zbatohet Ligji për “Trepçën”.

Ndonëse kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka urdhëruar ministrat, Valdrin Lluka (Ministria e Zhvillimit Ekonomik), Skender Reçica (Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale) dhe Bedri Hamza (Ministria e Financave) që të ndërmarrin veprime konkrete në zbatim të Ligjit për “Trepçën” ngase gjendja në gjigantin ekonomik kosovar vazhdon të jetë e njëjtë, as me AKP-në e as me Qeverinë e Kosovës.

Përveçse me vështirësi të mëdha, siç janë infrastruktura, pastaj teknologjia e vjetruar, “Trepça” është duke u përballur edhe me problemin thelbësor të funksionimit, duke përfshirë edhe vulat.

Drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava, ka thënë se është jetike fillimi i zbatimit të Ligjit për “Trepçën”, që nënkupton në radhë të parë formimin e dy bordeve: Bordin Mbikëqyrës dhe Bordin Menaxhues.

“E përsëris, duhet të ketë ndonjë autoritet që mund t’i lëvizë gjërat përpara në këtë situatë. Ndërmarrja nuk ka statut, ai duhet të miratohet në Qeverinë e Kosovës. ‘Trepça’ përballet me shumë probleme. Duhet të bëhet ristrukturim në të gjitha segmentet, edhe te punëtorët. Është obligim ligjor që të ecim tutje. Duhet të formohet edhe Bordi Mbikëqyrës. Ky bord duhet do të përbëhet prej ekspertëve. Ka edhe telashe këtu, nëse shkojmë si në bordet klasike. Pra, duhet të kemi mënyrë tjetër”, ka thënë drejtori Tmava.

Gazeta Zëri,  26.10.2017

Çdo ditë, minatorët e Trepçës lëshohen në një thellësi prej mbi tetëqind metra nën sipërfaqen e tokës për të nxjerrë xehet dhe mineralet. Me punën e tyre ata nxjerrin mbi tokë, pasurinë nëntokësore të Kosovës.

Afër hyrjes së minierës, nga një oxhak del një tym i lehtë që cila tregon se diku në thellësi të tokës po punohet.

Minatorët hyjnë e dalin tek hyrja kryesore e Minierës së Stantërgut, e cila gjendet në Mitrovicë, sipër së cilës është vendosur një shenjë e madhe me mbishkrimin, “Me fat!”.

Para se të lëshohen qindra metra në thellësi të tokës, ata veshin rrobat e punës- çizmet, pantallonat, xhaketat dhe mbi kokë vendosin helmetën me dritë, mjete këto, pa të cilat nuk lejohet hyrja në minierë.

Kur veshin gardërobën e përshtatshme, minatorët janë të gatshëm për të filluar punën nëntokë.

Për të zbritur tek punishtet, mblidhen te “kafazi”, siç e quajnë ata, ashensorin i cili daton që nga viti 1954. Një sinjal tregon që ashensori fillon të ulet poshtë me të cilin zbresin deri në horizontin e 10-të nga 12 nivele sa ka gjithsej.

Thellësia është deri në 800 metra nën sipërfaqen e tokës.

Sapo të zbresësh poshtë në horizontin e 10, për të shkuar më pas në këmbë deri në horizontin e 11, ajri është i nxehtë, në vende- vende temperaturat janë të larta e diku shumë të ulëta. Derisa në disa nga punishtet përveç temperaturave të larta, ajri është i tymosur.

Lagështia e ajrit në disa vende në galerinë e minierës ndihet dukshëm.

Rrahman Beqiri, vozitës i makinave të rënda, tha se mungesa e mirëfilltë e filtrimit të ajrit dhe makineritë e vjetruara e bëjnë më të rrezikshme punën në këtë minierë.

“Një ditë e punës në minierë është me shumë vështirësi të mëdha- zgjimi herët në mëngjes, përgatitja. Vështirësitë, me të cilat përballemi, janë makineri të amortizuara që në disa vende tjera të botës janë edhe jashtë përdorimit. Por, ne punojmë nuk bën të ndalemi”, thotë Beqiri, i cili punon në Trepçë që nga viti 1983.

Kombinati Trepça përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që grupohen kryesisht në tri komplekse të mëdha: në Miniera me Flotacione, në Parkun Industrial në Mitrovicë dhe në Kompleksin e Shkritoreve.

Trepça ishte në mesin e ndërmarrjeve më të mëdha në ish-Jugosllavi. Por, pas luftës e deri në tetor të vitit të kaluar kur Qeveria e Kosovës miratoi Ligjin për Trepçën, nuk dihej se çfarë do të ndodhte me këtë kombinat.

Sipas të dhënave zyrtare nga viti 1945 e deri në periudhën para vitit 1990, miniera prodhonte rreth 600 mijë tonë xehe në vit. Kurse sot, nga aty nxirren 150 mijë tonë xehe.

Edhe kapacitetet e saj humane janë zvogëluar po ashtu përgjatë viteve, duke u reduktuar në 1,400 punëtorë nga mbi 20,000 sa ishin të punësuar në këtë kombinat dikur.

Kosova asnjëherë nuk ka bërë një vlerësim të detajuar për vlerën reale të kombinatit metalurgjik “Trepça”.

I vetmi studim për të gjitha resurset natyrore të Kosovës që është bërë në vitin 1992, ka vlerësuar se potenciali material i Trepçës mund të jetë 85 miliardë dollarë amerikanë.

Shpresat mundin rrezikun

Rrogat aktuale të punëtorëve sillen nga 600 deri në 800 euro, varësisht përvojës dhe përgatitjes profesionale. Por, asnjë nga ata nuk ka sigurim shëndetësor apo jetësor.

Fehmi Hajredini, është mbikëqyrës në horizontin e 11-të. Ai tha se “në çdo hap që sillesh, në minierë është e rrezikshme”.

“Zakonisht në minierë ka vende të rrezikshme sidomos në punishte ku punohet, ka vende ku shkëmbinjtë janë të qarë dhe aty duhet kujdes i madh, por për fat të mirë ndodhin shumë rrallë fatkeqësitë në minierë”, tha Hajredini.

Ai tregoi se ka pasur disa minatorë që janë lënduar gjatë punës, dhe disa të tjerë që kanë vdekur në minierë.

“Para lufte mu në horizontin e 10 në punishten 140 ka pas ndodhur ku dy minatorë kanë vdekur. Dy ndërrime kanë punuar për të thyer shkëmbinjtë për t’i nxjerr trupat e pajetë. Është përjetim i rëndë të shohësh kolegun duke u mbytur”, tha ai.

Mosha mesatare e minatorëve tregon drejtori i minierës së Stantërgut, Qazim Jashari është 55 vjeç.

“Unë kam minator 64 vjet që punon prej tij nuk mund të pritet shumë, pasi që fuqia e ka lëshuar mosha e ka bërë të veten, tërë kohen ka punuar në minierë ai është i dërmuar. Po presim që tani ligji të na ndihmojë, na kanë premtuar që do të bëjmë diçka që të ulemi moshën e pensionimit të minatorit”, thotë Jashari.

Në minierën e Stantërgut ka edhe punëtorë të rinj rreth të 30-tave. Njëri prej tyre është Ramadan Behrami, inxhinier, kryepunëtor i horizontit të 10-të të minierës.

Ndryshe, nga minatorët e vjetër Ramdani është më pak i lodhur nga puna e vështirë në minierë. Ai ka gjashtë vjet që punon në minierë dhe shpresat i ka të mëdha se ky gjigant metalurgjik do të rimëkëmbet dhe do t’i kthehet nami që kishte dikur.

“Kushtet për momentin janë ato që janë. Makineria në përgjithësi është e vjetruar, mjetet që janë duke punuar në horizontin e janë të vjetra 10 vjet. Është investuar shumë pak, me ato mjete është vështirë të kryhet punë. Në kushtet që janë sot prodhimi është i kënaqshëm. Por me një investim nga Qeveria qendrore, ka mundësi të bëhet më shumë prodhim”, thotë ai.

Gjiganti i ndarë në dy pjesë, në veriun e dominuar nga serbët dhe Stantërgun me minatorë shqiptarë, nuk arriti të funksionojë si duhet, për shkak të statusit të pazgjidhur dhe ndarjes, që ngjasonte edhe në vetë qytetin e Mitrovicës.

Tani për afër një vit që nga miratimi i Ligjit për Trepçën, autoritetet në Kosovë kanë filluar procedurat për zbatimit e këtij ligji që si i tillë është thënë se do të mundëson rimëkëmbjen dhe zhvillimin e kombinatit Trepça.

Telegrafi,  12.10.2017

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj u ka shkruar letra tre ministrave të Qeverisë që ai drejton, nga të cilët kërkon që të përfshihen me veprime të shpejta dhe konkrete rreth zbatimit të Ligjit për Trepçën si dhe adresimin e kërkesave tjera të minatorëve të Trepçës.

Në letrën e  Kryeministrit Haradinaj për ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, atij i kërkohet të shqyrtojë kërkesat e natyrës ligjore të parashtruara nga Ahmet Tmava, menaxher i Ndërmarrjes Trepça:

- Të miratohet Statuti i Trepça SH.A. duke u bazuar në nenin 6 të Ligjit nr.05/L-120 për Trepçën; Të bëhet regjistrimi Trepça SH.A në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve (MTI) duke ubazuar në nenin 7 të Ligjit nr.05/L-120 për Trepçën; Gjithashtu MZHE bazuar në nenin 7 të Ligjit të lartcekur të bëjë regjistrimin e njësive banesore Trepça SH.A. të cekura në nenin 2, paragrafet 2.1, 2.2 dhe 2.3 të këtij Ligji; Bazuar në nenin 3 paragrafi 3.1, 3.2 dhe 3.3 të Ligjit dhe arsyeshmërinë ekonomike dhe financiare, të formohen edhe njësitë e parapara në këtë dispozitë.

Ndërsa nga ministri, Skender Reçica, ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Kryeministri, në bazë të vlerësimeve të Tmavës kërkon që:

- Të sigurohet baza juridike për dhënien e pensioneve me 70% nga paga e punëtorëve, ashtu siç janë pensionet në disa institucione në Republikën e Kosovës;

- Të sigurohet baza juridike për pranimin e stazhit të punës për vitet 1990-1999; – Punësimi i të rinjve, dhe Zbatimi i Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës.

Dhe së fundi në letrën dërguar ministrit, Bedri Hamza, ministria e Financave, Kryeministri Haradinaj i kërkon atij që:

- Duke u bazuar në Ligjin mbi faljen e Borxheve Publike nr.05/0119, Ndërmarrja Trepça si Shoqëri Aksionare i është drejtuar Komisionit Qeveritar për përfshirje në falje të borxheve të saj të krijuara në kohën e UNMIK-ut.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  04.10.2017

Dje Kryeministri i Republikës së Kosovës, Haradinaj, i bëri vizitë Ndërmarrjes “Trepça” dhe në bisedë me menaxhmentin dhe punëtorët u shtruan për diskutim disa nga çështjet që kërkojnë zgjidhje të shpejtë.

Lëvizja për Bashkim (LB) konsideron se duke qenë se Ndërmarrja “Trepça” është nga çështjet që nuk e kanë pasur trajtimin e duhur institucional, është inkurajuese vizita e kryeministrit dhe temat që ai i hapi për zgjidhje.

“Kryeministrit ia rikujtojmë edhe një herë se me Ligjin për Trepçën u hoqën pengesat juridike që ndikuan në moszhvillimin e kësaj ndërmarrjeje. Por kjo nuk mjafton”, thekson LB.

Fatkeqësisht, përkundër ngulmimit të vazhdueshëm të Lëvizjes për Bashkim, Qeveria e kaluar nuk e bëri asnjë hap konkret në jetësimin e Ligjit për Trepçën.

“Neglizhenca, mungesa e guximit dhe pazaret e partive politike rreth emërimeve në bord janë shkaktarët kryesorë që Ligji për Trepçën tash e një vit të mos jetësohet”, vlereson LB.

Që të nxirret “Trepça” nga agonia, në të cilën ndodhet qe pothuajse tri dekada, që “Trepça” të bëhet vërtet njëra prej shtyllave të zhvillimit ekonomik të Kosovës, Qeveria Haradinaj sipas LB-se duhet që menjëherë t’i ndërmarrë masat për jetësim të Ligjit për Trepçën.

Hapat e parë të domosdoshëm për rigjallërim të Trepçës janë emërimi i Bordit Mbikëqyrës, si dhe regjistrimi i ndërmarrjes së re, si Shoqëri Aksionare, në regjistrin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, konkretisht të Agjencisë për Regjistrim të Biznesit në Kosovë.

Lëvizja për Bashkim vazhdon të ngulmojë që të mos përsëriten gabimet e bëra deri më tani në mënyrën e përzgjedhjes së bordeve të shumë institucioneve të tjera, dhe, nëse duam zhvillim të Trepçës dhe të Kosovës, duhet që në krye të Bordit Mbikëqyrës të caktohen ekspertë të përgatitur profesionalisht dhe të përkushtuar për zhvillim të vendit. Vetëm me një Bord të tillë Mbikëqyrës mund të vihen themele të forta për zhvillim të Trepçës.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  23.09.2017

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka vizituar Ndërmarrjen “Trepça”,  ku nga menaxheri i kësaj ndërmarrjeje, Ahmet Tmava është njoftuar nga afër me situatën dhe problemet me të cilat përballet kjo ndërmarrje.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, tha se Ligji e obligon Qeverinë e vendit që të ndërmarrë veprime të duhura të parapara me ligj.

“E mira e Ligjit për “Trepçën”, është se ju jep rol të gjithëve, ju jep rol minatorëve sepse janë aksionarë, iu jep rolin e vet përmes Bordit Menaxhues, menaxhmentit, por i jep rol dhe peshë edhe vendimmarrësve tjerë të nivelit nacional përmes Bordit Mbikëqyrës”, tha kryeministri.

Kryeministri Haradinaj tha se e mira e këtij ligji, është që të hyrat, 20 për qind e inkasimit të dividentave i kthehen komunitetit, andaj nëse të gjithë marrin pjesën e tyre të përgjegjësisë, sipas kryeministrit, “Trepça” do të jetë storie e suksesit, jo vetëm ekonomike, por edhe në dimensione tjera.

“Ne jemi të interesuar që kjo ndërmarrje në jetën tonë ekonomike, shoqërore dhe më gjerë, të shfrytëzohet si mundësi për një integrim më të mirë të kësaj treve të Kosovës, përfshirë edhe veriun, të gjenden formulat e duhura që të përfshihen të gjithë dhe ta gjejnë interesin e vet, jo vetëm në aktivizimin e njësive që u cekën, por edhe në aktivitetet e gjithmbarshme që pasojnë. Ne e kemi përfshirë edhe në planin qeverisës pasurimin e koncentratit, kalimi në një stazh tjetër më të avancuar”, tha kryeministri.

Kjo vizitë, siç u shpreh kryeministri, duhet të kuptohet si gatishmëri për zbatim të Ligjit për Trepçën.

“Është e patolerueshme të vonohet krijimi i Bordit Mbikëqyrës, por poashtu është e patolerueshme që të lejohet statusi i “Trepçës” si kompani e paregjistruar, që i ka vështirësitë në operim”, u shpreh kryeministri.

Me këtë rast, kryeministri premtoi për minatorët se temat që kanë të bëjnë me kategorizimin e pagave, me stazhin e minatorëve, si dhe punësimin e familjarëve të minatorëve do të trajtohen me seriozitetin e duhur.

Menaxheri i ndërmarrjes “Trepça”, Ahmet Tmava, fillimisht ka uruar kryeministrin Ramush Haradinaj, për zgjedhjen në krye të Qeverisë me bindjen se pritjet e kësaj ndërmarrje do të bëhen realitet nga kjo qeverisje.

Tmava e ka njoftuar kryeministrin me sfidat nëpër të cilat ka kaluar ndërmarrja “Trepça”, duke u kërcënuar edhe me proceduat e likuidimit.

“Falë Ligjit të aprovuar për Trepçën në nëntor të vitit të kaluar, “Trepça” ka shpëtuar nga procedura e likuidimit, mirëpo nuk është zgjedhur problemi, për shkak se ai ligj ende nuk ka filluar të zbatohet. Kjo na vë në një situatë të një vakumi ligjore veprues”, tha Tmava.

Ai e ka konsideruar si çështje me prioritet zgjedhjen e Bordit Mbikëqyrës, i cili pastaj e aprovon Strategjinë Zhvillimore dhe e bën statusin e regjistrimit të ndërmarrjes.

Pas takimit me  menaxhmentin, kryeministri ka vizituar minierën e Stantërgut, ku është pritur nga minatorët.

Qazim Jashari, drejtor i Minierës në Stanterg, i ka thënë kryeministrit Haradinaj se për t’i arritur objektivat duhet investim dhe përkrahje nga Qeveria. “Besojmë se do të filloj implementimi i ligjit, do të zgjidhet bordi dhe do të filloj zhvillimi i mbarë me projektet që janë bërë nga ekspertët vendor”, tha ai.

Shyqeri Sadiku, kryetar i Sindikatës së minatorëve, paraqiti para kryeministrit kërkesat dhe shqetësimet lidhur  me gjendjen e krijuar nga keqmenaxhimi dhe keqpërdorimi i menaxhmentit aktual.

Ai kërkoi që të bëhet ligji për pensione dhe invalidët e punës, i cili do të mundësonte që pensionet për të pensionuarit në Trepçë të jenë 70 për qind e mesatares së tri rrogave të fundit para pensionit; që punëtorëve të Trepçës t’ju njihet përvoja e punës nga vitet 90 e tutje; të arrihet një memorandum mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Sindikatës dhe Menaxhmentit të Trepçës me qëllim që t’ju mundësohet punësimi i një fëmije, të gjithë atyre punëtorëve që kanë vdekur, vdesin, pensionohen dhe atyre që nuk kanë pasur mundësi të kthehen në punë; dhe të garantohet se nuk do të ketë privatizim të Trepçës.

Kryeministri Haradinaj në fund të vizitës bashkëbisedoi me minatorët, duke u premtuar atyre zgjidhje dhe adresim konkret për pensionet të cilat do t’i trashëgojnë familjarët e tyre, mundësinë e punësimit të familjarëve të minatorëve, si dhe bursa për fëmijët e minatorëve pas rritjes së profitit në këtë ndërmarrje.

“Sapo të kthehem në zyrë do t’i përpara detyrat e mia dhe me kabinetin tim do t’i kryej këto detyra” tha kryeministri, duke premtuar se deri më 20 tetor, sërish do të vije në “Trepça” për të raportuar për realizimin e punëve që janë bërë.

Për realizimin e këtyre premtimeve, ai mori shembull arritjen e marrëveshjes me banorët e fshatrave Shipitullë dhe Hade me rastin e shpronësimit.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  21.09.2017

Në tetor bëhet një vit që nga miratimi i Ligjit për gjigantin metalurgjik “Trepça”.

Në atë kohë ky Ligj u cilësua si shpëtim për këtë Ndërmarrje, por që implementimi i tij në praktikë të paktën deri tash ka mbetur vetëm në letër.

Në fillim shkak i mosimplementimit të tij ishte mungesa e institucioneve të vendit, ndërsa tash nuk ka më arsyetime. Drejtori “Trepçës”, Ahmet Tmava, shprehet optimist se Qeveria e re do ta këtë prioritet implementimin e këtij Ligji, pasi që, sipas tij është koha e fundit për të intervenuar në rimëkëmbjen e kësaj Ndërmarrjeje.

“Ne ndodhemi në një vakum ligjor. Me ligj “Trepça” duhet të regjistrohet dhe ne nuk mund ta bëjmë këtë, sepse duhet të bëhet bordi. Gjendja jonë në “Trepçë” dihet si është. Në mungesë të ligjit po rrezikohet funksionalizimi i saj, shkaku i tij ne nuk kemi mundur ta regjistrojmë këtë Ndërmarrje, pasi që ende veprojmë me vula si ndërmarrje shoqërore. Aktualisht jemi në një status të mbijetesës dhe po shpresojmë që të marrim status zhvillimor, po shpresojmë dhe jemi optimistë që të ndryshojnë gjërat për të mirë në ‘Trepçë’”, ka thënë Tmava.

Muhamet Sadiku, njohës i rrethanave ekonomike në vend, thotë se është koha e fundit për të intervenuar.

Sipas tij, në mungesë të këtij Ligji është humbur mjaft shumë tash e sa vite.

“Implementimi i Ligjit është dashur të bëhet menjëherë e jo ta presim ketë situatë, ku gjendja në ‘Trepçë’ është shumë e keqe dhe nuk ka ndonjë vizion të qartë se si do të vazhdohet më tutje. Sipas mendimit tim, Qeveria e tanishme do të duhet që t’i përvishet punës për funksionalizimin e ‘Trepçës’ dhe ta themelojë bordin e ri, sepse pa bord të ri nuk mund të zhvillohet Ndërmarrja, nuk mund të ndërtohet vizioni i ardhshëm i saj dhe të fillojë funksionimi i saj në bazë të ekonomisë së tregut, të hapet mundësia për investitorë të jashtëm, të hapet rruga për partneritet publiko-privat”, ka thënë ai.

Gazeta Zëri,  21.09.2017