Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Minatorët e Trepçës ndërpresin grevën

Pas rreth katër orë bisedimesh të cilat përfunduan para orës 2:00 të mëngjesit të së martës, është arritur marrëveshja në mes të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Haki Abazi dhe minatorëve të rinj që u pranuan në konkursin e fundit në minierën “Trepça” për ndërprerjen e grevës.

Është ndërprerë greva e minatorëve të horizontit të njëmbëdhjetë të minierës së kombinatit “Trepça” në Stantërg, ku kishte nisur në orët e mëngjesit të ditës së hënë.

Lajmin e ka konfirmuar zëvendëskryeministri Haki Abazi.

Sipas Abazit, kjo ndërprerje e grevës është bërë pasi janë diskutuar të drejtat dhe kushtet e punës.

“Mbrëmë në orët e vona e deri në orët e para të mëngjesit jemi takuar me 35 minatorë, së bashku me kryetarin e Mitrovicës, zëvendësministrin e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe drejtorin e kombinatit ‘Trepça’. Në nivelin e 11-të të minierës ‘Stan Terg’ të Mitrovicës, kemi diskutuar gjatë për të drejtat dhe kushtet në punë. Dolëm së andejmi, duke u pajtuar për të vazhduar përpjekjet zgjidhjen e problematikave të grumbulluara me dekada, në këtë sektor me rëndësi kombëtare për ekonominë e Kosovës”, shkruan Abazi në Facebook.

Po ashtu, është një grup tjetër i qytetarëve që kishin konkurruar në këtë konkurs dhe nuk janë pranuar, të cilët kanë protestuar për disa ditë para minierës së “Trepçës”.

Ata javën e kaluar kanë pasur takim me kryeministrin Albin Kurti, i cili u ka premtuar anulimin e konkursit.

Edhe  menaxheri i “Trepçës”, Basri Ibrahimi, ka konfirmuar ndërprerjen e grevës, pasi siç u shpreh ai, minatorët kanë marrë zotimin se konkursi nuk do të anulohet, por do të vazhdojë zbatimi i tij.

“Fatkeqësisht një pjesë e punëtorëve emrat e të cilëve kanë dalë në listat që janë pranuar, që kanë qenë fëmijët e ish-minatorëve, janë frikësuar se do të anulohet konkursi, dhe për këtë çështje janë ngujuar në zgafelle. Së bashku me zëvendëskryeministrin u dakorduam që konkursi do të vazhdojë dhe do të zgjidhet problemi i tyre. Mund të konstatojmë se greva është ndërprerë sepse kanë marrë zotimin që konkursi nuk do të anulohet dhe do të vazhdojë zbatimi i konkursit”, tha ai.

Ndryshe, është një grup tjetër i qytetarëve që kishin konkurruar në këtë konkurs dhe nuk janë pranuar, të cilët janë duke protestuar për disa ditë para menaxhmentit të “Trepçës”.

Monitor,  03.03.2020