info@energjia.al

Thellohet skandali me kompaninë e nxjerrjes se naftës, Bankers Petrolium. Një tjetër raport i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore ka zbuluar se Bankers ka manipuluar dokumentacionin për të shmangur pagesën e takes se tatim-fitimit edhe për vitin 2012, duke përdorur të njëjtën skemë evazioni si në vitin 2011, vit për të cilin palët do të përballen në Arbitrazh.

AKBN thotë se nga një autidimi i saj rezulton se Bankers Petrolium ka raportuar vetëm humbje në bilancet e saj, vetëm për të mos paguar tatim fitimin në buxhetin e shtetit shqiptar.

Sipas AKBN janë afërsisht 130 milionë dollarë shpenzime të fryra për 2012-ën, e prej nga rezulton të jenë shmangur 30 milion dollarë taksa.

Këto para, në vend që të përfundonin në arkën e shtetit shqiptar, kanë përfunduar ne xhepat e Bankers Petrolium, drejtuesve e pronareve të saj.

Bashkë me vitin 2011, shuma që duhet t’i paguante Bankers shtetit shqiptar përllogaritet në 90 milionë dollarë, para me të cilat do të ishin shpërblyer edhe banoret e Zharrzës, të cilët thonë se Bankers u ka shkatërruar shtëpitë dhe të gjithë zonën, duke ua bërë jetën të pamundur.

Ekspertët e AKBN thonë se për këtë mashtrim Bankers ka kryer punime me kompani të treta pa zbatuar procedurat e tenderimit, por me prokurim të drejtpërdrejtë, duke shkelur kontratën.

Në këtë mënyrë, Bankers, sipas raportit të AKBN, i ka fryrë faturat e shpenzimeve në mënyrë fiktive.  E kontaktuar nga Televizioni Klan, Bankers i kundërshton pretendimet e palës shtetërore, dhe thotë se është në pritje të vendimit nga arbitrazhi ndërkombëtar për 2011-ën.
Por AKBN dyshon se kjo skeme është përdorur për 11 vjet me radhë dhe shumat që Bankers Petrolium do të duhej t’i kishte paguar shtetit shqiptar arrin në qindra milionë dollarë.

TV KLAN,  15.03.2017

Buxheti i vendit për vitin e ardhshëm i miratuar nga Qeveria do të jetë për herë të parë 2 miliardë euro. Për tu bërë ky buxhet gati një e pesta e të hyrave janë kontribut i top dhjetë kompanive të vendit, listë kjo e kryesuar nga kompania HIB Petrol, që bënë shitjen e derivateve.

Nga të dhënat e fundit të Doganës se Kosovës, Kompania private HIB Petrol, me pronar Ibrahim Bucaliu, është aktualisht tatimpaguesi më i madh në Kosovë. HIB Petrol, është kompani e importit dhe shitjes së karburanteve.

Kjo kompani, e themeluar në vitin 1992. HIB Petrol e cila për aktivitet kryesor ka importin dhe shitjen e karburanteve, është tatimpaguesi më i madh gjatë vitit 2016, me 60 milionë euro të derdhura në arkën e shtetit të Kosovës.

Në bazë të të dhënave të siguruara nga Doganat e Kosovës, HIB Petrol kryeson dhjetë kompanitë më të fuqishme në vend të cilat kanë paguar miliona euro taksa gjatë vitit 2016.

Nga këto të dhëna del edhe një detaj tjetër, që tregon se tregu i karburanteve pavarësisht me problemeve rreth fiskalizimit, është ndër kontribuuesit më të mëdhenj në arkën e shtetit.

Përveç HIB Petrol-it si taksapaguesi më i madh në vend, në listën e top dhjetë kontribuuesve janë edhe kompani të tjera me veprimtari të ngjashme. Lab-Oil, gjatë kësaj periudhe i ka kontribuar buxhetit të vendit me 38 milionë euro, duke u renditur e treta pas HIB Petrol, listë që pasohet më pas me kompanitë Buqaj si e treta, Ex-Fis , Prima – Tobacco, e Al Petrol.

Gjithashtu, duhet theksuar se për kompaninë HIB Petrol tashmë kjo është bërë një traditë, pasi viteve të fundit, ajo vazhdon të jetë në krye të listës së tatimpaguesve më të mëdhenjtë në vend. Kompania Hib Petrol në vitin e kaluar po ashtu ishte shpallur tatim paguesi më i madhe, duke derdhur në arkën e shtetit mbi 52 milionë euro.

Telegrafi,  30.12.2016

Fatura e rimbursimit të TVSH për bizneset pritet të rëndohet këtë vit për shkak të investimeve në ndërtimin e gazsjellësit TAP. Flobens Dilaveri, nëndrejtor i Përgjithshëm i Tatimeve ka pohuar në  mbledhjen e Këshillit të Investimeve ku u trajtua rimbursimi i TVSH-së, se këtë vit fatura e rimbursimeve do të kaloje të 10 miliardë lekët për shkak të përfshirjes në rimbursim të gazsjellësit TAP.

“Shumat e rimbursuara të TVSH-së kanë qenë 8,9 miliardë lekë më 2014, dhe 8,5 miliardë lek janar-tetor 2016. Ndërkohë që këto ditë nga TAP nga ardhur një kërkesë prej 2,3 miliardë lekë rimbursim të TVSH-së. Kjo do të thotë që shuma totale do të shkojë rreth 10 miliardë LEK për 2016” tha Dilaveri.

Drejtori i TAP Shkëlqim Bozgo, pohoi në të njëjtin takim se TAP e ka të konsiderueshme vlerën e TVSH-së për rimbursim, që mund të shkojë deri në 30% të totalit të vlerës së rimbursuar të këtij viti. Ai tha se, TAP mirëkupton që kjo është një sfidë jo e vogël, dhe falënderon Ministrinë e Financave për vullnetin pozitiv për të mundësuar një rrugëzgjidhje të procesit.

Bozgo shprehu dakordësinë që rimbursimi në të ardhmen duhet të mbështetet tek modeli i riskut. Duke konsideruar sasinë dhe kompleksitetin e proçeseve, TAP-i ka marrë iniciativën që afatin e rimbursimit nga 30 ditë (sipas legjislacionit në fuqi), për TAP të kalohet në 180 ditë. Ai shprehu angazhimin dhe vullnetin e TAP-it për të gjetur mënyrat e duhura por thekson që rimbursimi në kohë është shumë i rëndësishëm për një projekt të tillë.

Kërkesat për rimbursim të biznesit janë rritur nga 616 në 2014 në 644 në 2016 (Janar-Tetor).

Për bizneset eksportuese, administrata tatimore po punon që rimbursimi të bëhet automatik, të paktën për ato biznese që janë certifikuar dhe kanë një besueshmëri të lartë. Dilaveri shprehu dakordësinë me rekomandimin e Këshillit që nëse subjekti i është nënshtruar një kontrolli të thelluar për një vit, administrata tatimore më pas të procedojë me lehtësira për rimbursim.

Revista Monitor,  19.12.2016

Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN ) ankimoi raportin e ekspertëve të pavarur “Price Water House Cooper”, i cili i njohu kompanisë Bankers Petroleum nivelin e atyre që njihen si shpenzime të rikuperueshme prej 57 milionë dollarë të kundërshtuar nga qeveria shqiptare.

Nëpërmjet një njoftimi zyrtar në web-site  e AKBN-së, bëhet e ditur se “pas një konsultimi të gjatë me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë dhe Avokaturën e Shtetit vendosi që të ankimojë vendimin e  ekspertëve  ndërkombëtarë në Gjykatën e Arbitrazhit lidhur me çështjen “Bankers”. AKBN beson se kjo çështje me një sensibilitet të lartë publik, ka patur vëmendjen e të gjithë aktorëve në këtë proces dhe si e tillë, do të ketë një gjykim të drejtë në Gjykatën e Arbitrazhit, pasi jemi të bindur se elementët e gjetur në raportin auditit, të hedhur poshtë nga ekspertët janë të mjaftueshëm për këtë Gjykatë që t’i  japë të drejtë shtetit shqiptar”.

Konflikti mes qeverisë dhe kompanisë Bankers e ka zanafillën në vitin 2011, kur AKBN pretendon se kompania ka deklaruar 299 milionë dollarë shpenzime të pajustifikuara, duke fshehur kështu rreth 57 milionë dollarë taksa.

Pas vendimit, tatimet bllokuan llogaritë e kompanisë dhe mblodhën me forcë detyrimin. “Bankers” kërcënoi me arbitrazh, por më vonë palët ranë dakord të pajtonin një ekspert të pavarur për ta shqyrtuar çështjen.

Një muaj më parë paneli i ekspertëve, i përbërë nga “Price Water House and Coopers” i dha të drejtë kompanisë kanadeze, një vendim ky që detyron qeverinë t’i kthejë asaj 37 milionë dollarë taksa mbrapsht dhe të heqë dorë nga arkëtimi i 20 milionë të tjerëve.

Sipas raportit të ekspertëve, nga 299 milionë dollarë shpenzime të pajustifikuara që pretendon AKBN se ka deklaruar “Bankers”, vetëm 22 milionë janë të tilla, ndërsa pjesa tjetër janë kosto të drejta.

Scan Tv,  22.10.2016

Kompania kanadeze e naftës Bankers Petroleum ka rënë dakord të paguajë detyrimin tek administrate tatimore, në masën 7.5 miliardë lekë, afro 54 milionë euro. Burime zyrtare nga ministria e Energjisë dhe Industrisë konfirmuan për Shqiptarja.com se pagesa do të bëhet me këste gjatë vitit të ardhshëm. Dy palët kanë rënë dakord që kompania të paguajë 10% të detyrimit dhe më pas nga 4.3 milionë dollarë për çdo muaj të vitit të ardhshëm, deri në përfundim të pagesës së detyrimit

Konflikti

Kompania ka hedhur Agjencinë e Burimeve Natyrore në Arbitrazh, duke kundërshtuar shumën e detyrimit, pasi Tatimet kanë marrë vendimin për të bllokuar një shumë të madhe fondesh, që kanë rezultuar, sipas Hetimit Tatimor, si detyrime të papaguara dhe gjoba përkatëse. Pas kësaj, pati një replikë jo të vogël midis drejtuesve të saj, duke përfshirë drejtorin ekzekutiv të kompanisë, por edhe deklarata të ministrave të qeverisë shqiptare.

Nga ana e tij, presidenti dhe CEO i Bankers Petroleum Ltd, David French, u dërgoi një letër të hapur autoriteteve shqiptare, ku konfirmonte gatishmërinë e kompanisë për të bashkëpunuar me të gjitha institucionet shtetërore në vend. Kompania mirëpret një zhbllokim të llogarive për të mundur të vijojë aktivitetin normalisht në fushën naftëmbajtëse më të madhe të vendit, deklaroi ai.

Reagimi erdhi pasi një ditë më parë, në një njoftim zyrtar, qeveria qeveria e Shqipërisë deklaroi se është e qartë për kërcënimet e bëra nga Bankers Petroleum Ltd. për të mbyllur apo kufizuar aktivitetin në zonën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës, por i kërkonte asaj të zbatonte legjislacionin në fuqi në Republikën e Shqipërisë. “Qeveria e Shqipërisë është e qartë për kërcënimet e bëra nga Bankers Petroleum Ltd. për të mbyllur apo kufizuar aktivitetin në zonën naftëmbajtëse të Patos-Marinzës. Teksa qeveria mirëpret partnerët e huaj apo vendas, pasuritë kombëtare të Shqipërisë janë një pasuri e të gjithë shqiptarëve dhe as nuk mund të keqpërdoren, as mund të përdoren si kërcënim ndaj vendit”, thuhej në një deklaratë koncise, të paraqitur publikisht nga Kryeministria.

“Të gjithë kompanitë që punojnë në Shqipëri, qofshin të huaja apo vendase, duhet t’u binden rregulloreve dhe ligjeve në fuqi në Republikën e Shqipërisë. Qeveria shqiptare është e vetëdijshme për detyrimin dhe të drejtën e saj që të mos lejojë cenimin e integritetit afatgjatë të pasurive të çmuara të vendit”, shtonte komunikata. Marrëveshja e arritur së fundi besohet se do të bëjë të mundur zhbllokimin e llogarive të British Petroleum nga bankat e nivelit të dytë dhe fillimin e mbledhjes për herë të parë nga shteti shqiptar të tatim-fitimit në sektorin e prodhimit të naftës.

Shqiptarja.com 05.12.2015

Kompania Bankers kërkon nga qeveria shqiptare të respektojë vendimin e lëshuar nga Gjykata e Arbitrazhit sipas të cilës duhet të ndalojë ezekutimi i vlerësimit tatimor për të hequr bllokimin llogarive bankare shqiptare të kompanisë në të kundërt Bankers do të reduktojë prodhimin e naftës deri në ndalim.

“Qeveria e Shqipërisë ende nuk e ka zbatuar vendimin e lëshuar nga Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit (ICC) për të ndaluar ekzekutimin e vlerësimit tatimor dhe për të hequr bllokimin e llogarive bankare shqiptare të Bankers. Gjykata e Arbitrazhit e lëshoi masën e sigurisë më 21 nëntor, e cila nëse do të zbatohet, do të lejojë Bankers për të operuar si zakonisht ndërkohë që procesi në Gjykatën e Arbitrazhit dhe ai i auditimit për kostot e rikuperueshme nga pala e tretë do të vijojnë. Tani, Bankers është i detyruar të konsiderojë një reduktim deri në ndalim të operacioneve të saj në Shqipëri pasi bllokimi i llogarive bankare do të fillojë të kufizojë aftësinë e saj për të paguar kontraktorët të huaj dhe vendas, mallrat që importon dhe eksportin e naftës.”-shkruan Bankers ne njoftimin e saj.

Javën e kaluar, kompania përfundoi pagesën e tatimit për rentën minerare për një anije eksporti nafte, duke liruar hapësirë në magazinimin në port.
Por ky eksport u kufizua në 85% të kapacitetit, si rezultat i fondeve të kufizuara për të paguar rentën minerare pasi vlera tejkalonte aftësitë paguese të shoqërisë. Me bllokimin e llogarive të saj bankare shqiptare, shoqëria nu ka aftësi financiare për të paguar taksat për eksport, çka mund të detyrojë shoqërinë që të reduktojë prodhimin nga fundi i kësaj jave, pasi magazinimi arrin kapacitetin maksimal.

Nëpërmjet disa komunikimeve me përfaqësues të ndryshëm të Qeverisë, kompania ka marrë garanci se qeveria ka ndërmend të zbatojë urdhrin. Përveç kësaj, Qeveria ka qenë e angazhuar në procesin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve siç tregohet nga komunikimet e saj me Gjykatën e Arbitrazhit. Pritet që Qeveria të zbatojë urdhrin për të vazhduar më pas me pjesëmarrjen në procesin e Gjykatës së Arbitrazhit. Bankers shpreson se mund të arrihet një zgjidhje e kësaj situate para ndonjë reduktimi apo ndalimi të mundshëm të operacioneve.

Bankers ka operuar në Shqipëri në 11 vitet e fundit, duke investuar mbi 1.4 miliardë dollarë në rizhvillimin dhe rehabilitimin mjedisor të fushës së naftës më të madhe të vendit. Gjatë kësaj kohe, kompania u rrit dhe u shndërrua në investitorin e huaj direkt më të madh në Shqipëri, takspaguesin më të madh të taksave, duke përfaqësuar 6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit dhe me mbi 550 Milionë dollarë taksa të paguara në vend. Kompania është një nga punëdhënësit më të mëdhenj, duke punësuar mbi 1,500 persona direkt dhe indirekt. Bankers është krenar për kontributin e tijj në Shqipëri, duke sjellë teknologjinë më të fundit perëndimore në zhvillimin e fushës së naftës dhe praktikat më të mira ndërkombëtare të biznesit në vend. Bankers vazhdon të monitorojë ngushtësisht situatën dhe do të përditësojë tregun me zhvillimet”-vazhdon njoftimin Bankers.

Shqiptarja.com  30.11.2015

Gjykata e Arbitrazhit e ka cilësuar si të paligjshëm vendimin e Drejtorisë së Tatimeve për të bllokuar llogaritë bankare të kompanisë së naftës, “Bankers Petroleum”.

Top Channel mësoi se Gjykata e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë lëshoi këtë të hënë një urdhër ndalimi, i cili detyron Tatimet të zhbllokojnë menjëherë llogaritë e kompanisë kanadeze.

Po kështu, urdhëri ndalon deri në një vendim të dytë që Tatimet të mbledhin me forcë detyrimin e pretenduar prej 75 milionë dollarë nga “Bankers”.

Zanafilla e konfliktit mes kompanisë kanadeze dhe Drejtorisë së Tatimeve është një raport i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.

Raporti, i hartruar pak muaj më parë, kishte dalë në përfundimin se “Bankers” kishte raportuar mbi 300 milionë dollarë shpenzime më të larta nga sa kishte bërë realisht, një manovër përmes të cilës, sipas AKBN, kompania ka ulur fitimin dhe taksat që duhet të paguajë ndaj shtetit.

Pas debateve të forta, AKBN dhe “Bankers” ranë dakord që të pajtonin një auditues të pavarur, i cili do të vlerësonte pretendimet e të dy palëve dhe do të dilte në një konkluzion përfundimtar. Por, pa përfunduar auditimi, në konflikt kanë ndërhyrë Tatimet.

Në bazë të raportit të AKBN, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka kryer vlerësim tatimor mbi “Bankers” duke i kërkuar të paguajë 75 milionë dollarë taksa shtesë, të cilat sipas institucionit ishin shmangur përmes rritjes së shpenzimeve.

Çështja kaloi në Gjykatën Administrative e cila i dha të drejtë Tatimeve dhe menjeherë pas kësaj organi i tatim taksave bllokoi llogaritë e “Bankers”.

Por, tre ditë më parë kompania kandeze e paditi Shqipërinë në arbitrazh, duke kërkuar pezullimin e aktit të Tatimeve, çka është gjykuar e drejtë nga Gjykata e Arbitrazhit, deri në një vendim të dytë.

Top Channel, 23.11.2015

Kompania kanadeze “Bankers Petroleum” njoftoi se ka paditur qeverinë shqiptare në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, për shkak të një konflikti me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve.

Zanafilla e konfliktit, i cili ka kulmuar me bllokimin nga tatimet të llogarive bankare të kompanisë kanadeze, është një raport i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.

Në raport AKBN pretendon se  kompania kanadeze ka raportuar mbi 300 milionë dollarë shpenzime të pajustifikuara, duke ulur detyrimet që duhet të derdhë në shtet.

Pas debateve të forta, AKBN dhe “Bankers” ranë dakord që të pajtonin një auditues të pavarur, i cili do të vlerësonte pretendimet e të dy palëve dhe do të dilte në një konkluzion përfundimtar.

Por pa përfunduar auditimi në konflikt kanë ndërhyrë tatimet. Në bazë të raportit të AKBN, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka kryer vlerësim tatimor mbi “Bankers” duke i kërkuar të paguajë edhe 57 milionë dollarë taksa shtesë, të cilat sipas tatimeve ishin shmangur përmes rritjes së shpenzimeve.

Por, sapo tatimet tentuan të mblidhnin këtë detyrim, kompania iu drejtua Gjykatës Administrative në Shqipëri për të pezulluar vendimin. Në shkallën e parë, gjykata i dha të drejtë kompanisë kanadeze, por pasi tatimet e apeluan çështjen, Gjykata e Apelit e rrëzoi vendimin e shkallës së parë, duke i dhënë të drejtë tatimeve.

Pas këtij vendimi, një ditë më parë, tatimet kanë bllokuar llogaritë e “Bankers” për të mbledhur me forcë detyrimin tatimor sipas vendimit të gjykatës. Por, sapo është njoftuar për këtë veprim, kompania kanadeze i është drejtuar menjëherë arbitrazhit.

Përmes një njoftimi zyrtar, “Bankers” bën të ditur se ka aplikuar për një vendim bllokimi në Dhomën Ndërkombëtare të Tregtisë për të siguruar mbrojtje ndaj vendimit të tatimeve, deri në përfundimin e auditimit të pavarur, siç është rënë dakord mes saj dhe shtetit shqiptar të përfaqësuar nga AKBN.

Sipas “Bankers”, procesi i auditimit ndërkombëtar nga pala e tretë vazhdon në përputhje me marrëveshjen e rënë dakord me AKBN.

Kompania kanadeze thotë se një urdhër i Gjykatës së Arbitrazhit do të lejojë që procesi në tërësi të trajtohet në mënyrë të pavarur, në përputhje me parimet e pranueshme ndërkombëtare dhe se pret që qeveria shqiptare të pajtohet me çdo vendim ndërkombëtar dhe do të mbështesë rezultatin e procesit të auditimit të palës së tretë.

Top Channel,  20.11.2015

“Bankers” ka paditur Drejtorinë e Tatimeve në Gjykatën Administrative, duke kërkuar pezullimin e vendimeve të organeve tatimore për vlerësimin e taksave të viteve 2008-2013, ku detyrimet janë shtuar me afro 500 milionë lekë. Palët e paditura nga koncesionari kanadez i naftës janë Drejtoria Rajonale Tatimore e Tatimpaguesve të Mëdhenj Tiranë dhe Drejtoria e Apelimit Tatimor. Në çështjen e regjistruar nga Gjykata Administrative më 17 shtator 2015, “Bankers Petroleum Albania” LTD kërkon anulimin dhe shfuqizimin e akteve administrative “Njoftim Vlerësimin për detyrimet tatimore datë 01.11.2012”, “Njoftim vlerësimin për kamatëvonesat datë 21.11.2012” të Drejtorisë Rajonale Tatimore të Tatimpaguesve të Mëdhenj. Po ashtu, “Bankers” në padinë e dorëzuar kërkon edhe anulimin, shfuqizimin e vendimit datë 22.02.2013 të Drejtorisë së Apelimit Tatimor, si dhe rimbursimin e shumës së detyrimit dhe kamatëvonesave prej 49 591 763 lekë të paguar. Gazeta “Shqip” disponon aktet e kontrollit, ankimin e Bankers dhe vendimin e Drejtorisë së Apelimit, e cila ka rrëzuar pretendimet e kanadezëve. Ajo që bie në sy në dosjen e “Bankers”, që përbën edhe vijën e mbrojtjes së koncesionarit, është përplasja mes dy institucioneve shtetërore, Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) dhe Drejtoria e Tatimeve. Njëri jep autorizime që “Bankers” të mos paguajë taksa për disa shërbime e punime dhe tjetri nuk i njeh.

Kontrolli

Periudhat e kontrolluara nga Tatimet për tatim-fitimin janë vitet nga 2008 deri në 2012, për TVSH-në, gusht 2008 – korrik 2013, ndërsa për kontributet e sigurimeve përfshihen nga gusht 2008 deri në korrik 2013. Për të njëjtën periudhë është kontrolluar edhe për tatimin mbi të ardhurat. Nga kontrolli ka rezultuar se në vitin 2008, faturat e shitjeve që i përkasin një subjekti tjetër janë deklaruar si shitje të tatueshme, për të cilat është llogaritur dhe TVSH. Në vitin 2006, subjekti sipas kërkesës së tij është pajisur me një autorizim në vazhdimësi nga AKBN, i cili e përjashton atë shërbim si të tatueshëm. Në vazhdimësi, subjekti ka kërkuar që të bëjë pranë Drejtorisë Rajonale Tatimore sistemimin e këtyre shitjeve duke i kaluar si të përjashtuara. Nga ana e Tatimeve, është bërë rivlerësimi i këtyre faturave, duke i klasifikuar si të përjashtuara për periudhën 01.08.2008 – 31.12.2012. Duke u nisur nga lloji i shërbimit të kryer nga shoqëria (analiza laboratorike si dhe peshëmatje malli), nga verifikimi në vend (pranë ambienteve të shoqërisë) grupi i kontrollit konstaton që këto shërbime nuk përfshihen në zhvillim dhe kërkim (për të cilat ligji përjashtonte TVSH-në) dhe si pasojë janë të tatueshme në shkallë tatimore 20%. Nga rivlerësimi, për periudhën gusht 2008 deri në dhjetor 2008, shitjet e trajtuara si të tilla janë në vlerën 3.099.754 lekë dhe me TVSH 619.951 lekë. Duke sistemuar llogarinë, sipas Tatimeve për këtë vit, shuma e tatueshme ishte 21.688.438 lekë, bëhet 24.788.188 lekë. Kështu është vepruar edhe për vlerësimet e viteve në vazhdim.

Kundërshtimi i “Bankers”

“Bankers” e kundërshton vlerësimin dhe shprehet se ka ndjekur procedurën në lidhje me përjashtimin nga TVSH për shërbimet e ofruara ndaj shoqërisë. Fillimisht, gjatë periudhës 2008-2010, për shërbimet e ofruara, tatimpaguesi ka lëshuar fatura tatimore për të cilat ka llogaritur, paguar dhe deklaruar TVSH në shkallën standarde tatimore në masën 20%. Më pas, sapo AKBN ka lëshuar vërtetimin se kjo shoqëri është e përjashtuar nga TVSH për shërbimet e ofruara ndaj subjektit tjetër, tatimpaguesi ka vijuar me sistemimin e TVSH-së, duke riklasifikuar furnizimet e bëra nga “të tatueshme” në “të përjashtuara” dhe si rrjedhojë duke bërë dhe korrigjimin e TVSH-së. “Bankers” deklaron se shërbimet që ajo i ka faturuar shoqërisë tjetër janë aprovuar dhe certifikuar nga AKBN si të lidhura me fazën e kërkim-zhvillimit të operacioneve hidrokarbure në kuadër të kontratës që kjo shoqëri ka nënshkruar me qeverinë shqiptare. Për këtë, AKBN i ka lëshuar shoqërisë vërtetime se kjo shoqëri është e përjashtuar nga TVSH për shërbimet e ofruara ndaj subjektit tjetër. Shoqëria parashtron se ligji për TVSH-në i jep kompetencë AKBN-së për të aprovuar listën e nënkontraktorëve që i ofrojnë shërbime “Bankers Petroleum” lidhur me realizimin e fazave të kërkim-zhvillimit të operacioneve hidrokarbure, rrjedhimisht i ngarkon dhe kompetencën ekskluzive për të përcaktuar dhe autorizuar përjashtimin nga TVSH të furnizimeve nga nënkontraktorët. Sipas tatimpaguesit, vendimi i autoriteteve tatimore për t’i konsideruar shërbimet e shoqërisë si jo të përjashtuara nga TVSH është në tejkalim të kompetencave të tyre.

Përgjigjja e Apelimit

Drejtoria e Apelimit Tatimor rrëzoi vetëm gjobat e vendosura ndaj “Bankers”, ndërsa njoftimet e vlerësimit për detyrimet dhe kamatëvonesat i la në fuqi. Sipas Drejtorisë së Apelimit, tatimpaguesi fillimisht duhet të përcaktojë nëse furnizimi i tij është i përjashtuar nga TVSH apo është i tatueshëm, çka do të reflektohet në faturën tatimore që ai do të lëshojë për shitjen e kryer. Pra, momenti i lëshimit të faturës tatimore është dhe momenti i përcaktimit të tatueshmërisë së furnizimit të shërbimit apo mallit. Sipas Apelimit, autorizimet apo vërtetimet e lëshuara nga AKBN pas momentit të kryerjes së shërbimit nuk do të njihen nga Drejtoria Rajonale Tatimore. Lëshimi i autorizimit në një periudhë më të vonshme sesa momenti i lëshimit të faturës tatimore bie ndesh me parimin e “momentit të furnizimit” të përcaktuar nga ligji.

Drejtoria e Apelimit Tatimor thekson se kompetenca që ligjvënësi i ka dhënë AKBN-së është vërtetimi i kontraktorëve apo nënkontraktorëve, ndërsa tatueshmëria e furnizimeve është objekt kontrolli dhe vlerësimi nga administrata tatimore.

AKBN nuk i njeh “Bankers”-it 300 milionë dollarë shpenzime

Në vitin 2014, “Bankers Petroleum”, njoftoi qarkullim vjetor 67.3 miliardë lekë. Kompania ka paguar 9 miliardë lekë rentë minerare, nga 9.8 miliardë lekë në vitin 2013. “Bankers” ka raportuar humbje fiskale prej 12.5 miliardë lekësh në 2014-n, nga rreth 19.4 miliardë lekë që ishte humbja fiskale e një viti më parë. Që prej fillimit të aktivitetit, kompania nuk ka dalë asnjëherë me fitim. Sipas marrëveshjes hidrokarbure, fitimet tatohen me 50%. “Bankers” pranoi se ka marrë një raport nga AKBN me gjetje që mund të rezultojnë me një shumë prej 303 milionë dollarë zbritje të situacionit të mbulimit të kostove për vitin 2014. “Bankers” deklaroi se auditime të tjera rutinë nga AKBN e kanë pranuar koston për të njëjtat shpenzime të kompanisë në situacionin e mbulimit të kostove duke i aprovuar në vitet e mëparshme. “Bankers” është aktualisht duke mbrojtur të gjitha kostot dhe ka përgatitur të gjithë dokumentacionin e kërkuar mbështetës. Bazuar në auditin e fundit të AKBN-së, tatimet kanë bërë vlerësimin për balancën e taksës prej 57 milionë dollarësh, që kompania duhet të paguajë.

“Bankers” dhe qeveria do të marrin auditues ndërkombëtarë për taksat

Kompania “Bankers” njoftoi më 14 shtator se Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore (AKBN) ka pranuar të angazhojë një kompani auditimi ndërkombëtare, palë e tretë, në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mbi një auditim të hapur në lidhje me shpenzimet operative dhe kapitale të pranuara si kosto të rikuperueshme siç është deklaruar më parë edhe në bilancin financiar të kompanisë. Sipas njoftimit, audituesi ndërkombëtar do të zgjidhet me pëlqimin e të dyja palëve. “Në javët e ardhshme, palët do të zgjedhin një auditues ndërkombëtar dhe shpresojnë të arrijnë një përfundim mbi këtë çështje në muajt në vazhdim. Kjo nismë pritet gjithashtu që të zgjidhë edhe vlerësimin për balancën e taksës prej 57 milionë USD të marrë së fundmi e bazuar mbi auditimin e kryer”, njoftoi “Bankers”. “Kjo nismë përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt rritjes së transparencës në administrimin dhe rregullimin e aktivitetit të naftës dhe gazit në Shqipëri. “Bankers” e shikon këtë angazhim të autoriteteve si një moment të rëndësishëm në përmirësimin e vazhdueshëm të operacioneve tona”, komentoi David French, president dhe drejtor ekzekutiv i “Bankers Petroleum”.

Gazeta Shqip,  05.10.2015

Bankers Petroleum ka paditur Drejtorinë e Tatimeve në Gjykatën Administrative, duke kërkuar pezullimin e një akti administrativ me vlerë 24 milionë euro.

Padia, e cila është pranuar nga gjykata, duket se shënon kulmin e një përplasjeje të nisur pak muaj më parë me administratës fiskale dhe kompanisë kanadeze, që shfrytëzon vendburimin e naftës të Patos Marinzës.

“Top Channel” ka mësuar se konflikti lidhet me shumën e taksave që kompania kanadeze duhet të paguajë në institucionin shtetëror. Mësohet se pak javë më parë Tatimet i kanë kërkuar Bankers që të paguajë më shumë taksa nga sa ka deklaruar.

Burime të rezervuara thonë se bëhet fjalë për një shifër prej rreth 50 milionë dollarë, të cilat sipas Tatimeve kompania kanadeze i detyrohet shtetit. Por Bankers thotë se akti i Tatimeve është i paligjshëm dhe ky duket se është shkaku i përplasjes mes palëve.

Sot News,  02.10.2015