Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Tatimet: Do kontrollohet çdo pompë karburanti, si bëhet evazioni

Inspektorë të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe të Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë, kanë nisur inspektimin e subjekteve të tregtimit të hidrokarbureve në të gjithë vendin, për të çertifikuar regjimin e tyre, me qëllim zbatimin e detyrimit ligjor për regjim automatik.

“Në vijim të Urdhrit të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë, do të jemi në të gjithë Shqipërinë dhe do të sigurojmë që pompat të jenë në regjim automatik, duke çertifikuar me plumbçe, secilën prej tyre.” – tha përpara medias, Drejtoresha e Përgjithshme e DPT, znj.Delina Ibrahimaj, ndërsa ndoqi nga afër njërin prej inspektimeve, sot në Tiranë.

Zëvendës Kryeministri, z.Erion Braçe, gjithashtu i pranishëm, siguroi se qëndrimi i Qeverisë në luftë me informalitetin, evazionin fiskal dhe transaksionet e paligjshme, është i vendosur dhe i pakompromis. “ Ky process do të zhvillohet me çdo pompë karburantesh në vend, duke filluar nga shitjet me shumicë e ato me pakicë, për të garantuar respektimin e ligjit nga secili dhe të gjithë.”

Ky proces i çertifikimit të regjimit automatik në tregtimin e hidrokarbureve, është në vazhdën e Planit të gjerë operacional kundër informalitetit, i cili përgjatë gjithë muajit Gusht do të fokusohet tek karburantet, për të garantuar respektimin e rregullit “pa kupon s’ka karburant”, për të 1200 operatorët në këtë sektor, duke nisur nga më të mëdhenjtë deri tek më të vegjlit.

Skema si bëhet evazion nga kompanitë e karburanteve

Aksioni antiinformalitet ka në epiqendër disa sektorë të njoftuar si ndërtimi, turizmi e hidrokarburet, të cilët po shihen në imtësi nga plani operacional që po zbaton Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Kreu i kësaj drejtorie Delina Ibrahimaj gjatë njoftimit të rezultateve të korrikut dhe mënyrës sesi do të vijojë puna për gushtin zbardhi edhe detaje lidhur me mënyrën sesi funksionon skema e evazionit nga kompanitë e karburanteve. “Legjislacioni ne fuqi nuk lejon që karburantet të shesin në regjim manual pra nëse karburantet kanë një problem me funksionimin e pompës dhe nuk mund të printojnë kasa, ato do të duhet të ndërpresin shitjen e tyre dhe të raportojnë tek administrata tatimore apo tek kompanitë e kasave nëse ka problematikë me kasat. Gjetjet e hetimit të kryer gjatë muajve të fundit që konkluduan me arrestimin e dy personave këtë javë,  kanë konstatuar se në shumë karburante bëhen ndërhyrje në pompat e tyre duke i kaluar nga regjimi automatik në regjim manual. Qëllimi i inspektimit është pikërisht identifikimi i këtyre karburanteve dhe certifikimi i regjimit automatik. Në rast se karburantet do të gjenden se janë duke operuar në regjim manual atëherë do të bllokohen nga inspektorët e Tatimeve. Në momentin që ato janë në regjim automatik do certifikohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë dhe do të plumbosen po nga ajo. Në mënyre që nëse do të ketë raste të përsëritura të karburanteve që operojnë në këtë regjim,  inspektorët tatimorë do të kenë mundësi të verifikojnë regjimin dhe në të kaluarën.  Ne do do të prekim të gjithë territorin e vendit, janë 1200 subjekte dhe rreth 3200 pompa të cilat do të inspektohen dhe do të plumbosen” tha Ibrahimaj.

Monitor,  03.08.2019