info@energjia.al

Në përpjekje për të nxitur zhvillimin e sektorit të energjisë, administrata e presidentit Donald Trump po konsideron tkurrjen apo eliminimin e plotë të 11 zonave të mbrojtura detare, qëllimi i të cilave është mbrojtja e 425 milionë akrave (172 mln hektarë) barriera korale, habitateve të gjitarëve detarë dhe plazheve të virgjëra.

Rishikimi është pjesë e një strategjie më të gjerë për të hapur zona të reja shpimesh për naftë dhe gaz, duke vendosur në vend të parë nevojat për energji të familjeve dhe bizneseve amerikane.

Që në fushatë, Trump premtoi nxitjen e prodhimit të karburanteve fosile, duke eliminuar rregulla për mbrojtjen e ambientit, por çudia ka ndodhur, pasi industria e energjisë në SHBA duket se nuk është e interesuar për planin më të fundit.

“Reuters” raporton se ka zhvilluar intervista me përfaqësues të industrisë, që kanë sinjalizuar hapur se kjo përpjekje nuk do të ketë sukses. Jo vetëm industria e naftës, por edhe ajo e prodhimit të energjisë nga era nuk është e interesuar për shfrytëzimin e këtyre zonave të mbrojtura detare, e një nga shkaqet kryesore është sfida kolosale që paraqesin marrëdhëniet me publikun.

Për më tepër, përparimet teknologjike e kanë bërë më fitimprurës shpimin për naftë në tokë, madje edhe në vendet e shfrytëzuara më herët, ndërsa në det ky proces vazhdon të jetë i kushtueshëm.

Shtëpia e Bardhë nuk pranoi të komentojë situatën, pasi duket se po lodhet për një plan që s’do ta përdorë askush, ndërsa sektori i energjisë u tregua mjaft diplomatik duke thënë “Faleminderit, por jo!”. Departamenti amerikan i Tregtisë pritet të japë rekomandime për zonat e mbrojtura detare muajin e ardhshëm, ndërsa mësohet se shumica e komenteve publike për çështjen janë për ruajtjen e tyre.

Top Channel,  29.09.2017

Kompanitë ruse kanë shprehur interes në modernizimin e sektorit të energjisë në Bullgari. Kjo u bë e ditur nga ministri i Energjisë, Temenujka Petkova, i cili mori pjesë në takimin e katërt të grupit të punës “Energy” që u mbajt në Moskë, pjesë e Komisionit Ndërqeveritar bullgaro-rus për Ekonominë dhe Bashkëpunimit Shkencor dhe Teknologjik.

Për shembull, PAO “Power Machines” është e interesuar në zgjerimin e mundshëm të bashkëpunimit në ndërtimin e TPP “Maritza East” 2, TPP Bobov dol, TPP Sofia si dhe në objekte të tjera të energjisë. Kompania është e gatshme të vijojë të marrë pjesë në mënyrë aktive në modernizimin e pajisjeve për Kozloduy NPP.

Rakurs Engineering ka konfirmuar gatishmërinë për të marrë pjesë në restaurimin e kapacitetit hidroenergjetik në Bullgari dhe të asistojë në zbatimin e teknologjive dixhitale në termocentralet bullgare.

Bashkimi Kombëtar për Ruajtjen e Energjisë i Federatës Ruse është i interesuar në realizimin e projekteve të përbashkëta në fushën e modernizimit kompleks të termocentraleve bullgare sipas kërkesave të reja mjedisore europane.

Aktualisht, drejtuesit bullgarë po vlerësojnë investimet që janë të nevojshme për të përfshirë teknologjitë e reja të pastrimit për dioksidin e squfurit, oksidet e azotit dhe merkurit, për të zvogëluar nivelet e ndotjes, nëse duan që impiantet të punojnë pas vitit 2021. Shifra përllogaritet rreth 1 miliard euro.

Në fushën e energjisë bërthamore, Bullgaria dhe Rusia e kanë vlerësuar të suksesshëm bashkëpunimin shumëvjeçar.

Novinite,  26.09.2017

Shqipëria ka një potencial të lartë të shfrytëzimit të energjisë diellore, për vetë klimën që ka, por investimet në këtë sektor duhet të kryhen me kujdes. Ja ku është leverdishmëria më e madhe…

Intervistë me z. Ismail Beka, Shoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar (GIZ) *

Shqipëria ka një potencial të lartë të shfrytëzimit të energjisë diellore, për vetë klimën që ka, por investimet në këtë sektor duhet të kryhen me kujdes. Z. Ismail Beka, nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar (GIZ), si një ekspert që i ka ndjekur prej një kohe të gjatë çështjet e energjisë, pohon se ky sektor, në vendet e tjera është zhvilluar përmes subvencioneve që janë dhënë nga qeveritë. Ai shton se Shqipëria nuk ka një përvojë me parqe fotovoltaike, me siguri deri tani mund të gjykohet vetëm mbi përvojën e vendeve të tjera fqinje me ne, siç është Greqia apo Italia, të cilët në 10-vjeçarin e fundit kanë ndërtuar shumë parqe fotovoltaike, që në të gjitha rastet janë me kontrata afatgjatë me çmime të subvencionuara për blerjen e energjisë.

Por, Beka shton se energjia e diellit është pa diskutim një perspektivë reale, veçanërisht në kushtet kur zhvillimet e teknologjisë janë të tilla, që kostot në investimin e pajisjeve të energjisë diellore janë në një trend ulës të vazhdueshëm. Energjia diellore është një alternativë shumë e leverdishme në kuadrin mikro, sidomos në sektorin e mikpritjes dhe turizmit, ku hotelet e vogla mund ta shfrytëzojnë atë në periudhën e verës. Investimi në panelet diellore ka eficiencë të lartë nga vetë ndërmarrjet ose familjarët, që e përdorin për nevojat e tyre. Beka është i mendimit se vetë bizneset e vogla dhe familjarët do ta çojnë përpara investimin në fushën e energjisë diellore në Shqipëri. Ata do të investojnë me burimet e tyre financiare dhe pa pritur subvencione. Më poshtë intervista:

Ka një rritje të interesit për të investuar në energjinë e diellit kohët e fundit. Si e vlerësoni ju këtë interes?

Miratimi i ligjit për energjitë e rinovueshme, përcaktimi nga ERE i një çmimi të garantuar për blerjen e energjisë nga parqet fotovoltaike dhe shprehja e një vullneti politik të Qeverisë për të mbështetur investimet në këtë sektor, ka bërë që të rritet interesi i mjaft kompanive të biznesit për të investuar me parqe fotovoltaike. Nga ana tjetër, ka edhe mjaft kompani biznesi që po e shikojnë energjinë diellore si fushë të tyre prioritare në biznes dhe po ofrojnë teknologji fotovoltaike, për zgjidhje të ndryshme. Pra në përgjithësi është rritur pritshmëria për shtimin e investimeve në energjinë diellore në Shqipëri, ndërkohë që shembuj të deritanishëm në Shqipëri me energjinë fotovoltaike janë shumë të kufizuara dhe të izoluara.

Ka një rendje të investimeve drejt parqeve të mëdha fotovoltaike. Sa me leverdi janë dhe a mund të ndodhë e njëjta gjë si me hidrocentralet, të cilët u nxitën të investonin dhe më pas qeveria u ndryshoi çmimin?

Pa diskutim që “rendja” tek aplikimet për të marrë leje për ndërtimin e parqeve fotovoltaike, ka shumë të përbashkëta me rendjen pas koncesioneve dhe projekteve të HC në vitet 2009-2012, kur më shumë se 500 persona ose biznese, shumica prej të cilëve as nuk kishin lidhje me energjinë dhe as nuk kishin burime financiare që të mund t’i realizonin investimet, filluan një garë të paparë për të marrë një licencë koncesioni për një ose disa HC-e dhe më tej kërkonin të gjenin partnerë financiarë apo të shisnin licencat.

Lidhur me leverdinë ekonomike, Shqipëria nuk ka një përvojë me parqe fotovoltaike, me siguri deri tani mund të gjykohet vetëm mbi përvojën e vendeve të tjera fqinje me ne, siç është Greqia apo Italia, të cilët në 10-vjeçarin e fundit kanë ndërtuar shumë parqe fotovoltaike, që në të gjitha rastet janë me kontrata afatgjata me çmime të subvencionuara për blerjen e energjisë.

Shumë shtete europiane kanë qenë të detyruar të mbështesin dhe të subvencionojnë çmimin e energjisë diellore dhe të erës, si dhe të energjive të tjera të rinovueshme, në kuadrin e një angazhimi 20-20-20 që i detyron këto vende që deri në vitin 2020, të rrisin me 20% energjinë e rinovueshme, të ulin me 20% përdorimin e energjisë me masa për eficiencën dhe të ulin shkarkimin e CO2 me 20%.
Por rrethanat në Shqipëri janë krejt të tjera. Shqipëria është modeli i vetëm, që aktualisht 100% të energjisë elektrike e prodhon nga burimet e rinovueshme (HC vetëm ujë) dhe me fuqinë aktuale të instaluar ka arritur që prodhimi neto i energjisë të jetë më i lartë se sa konsumi vjetor (shembull janë vitet 2012 dhe 2016).

Prodhimi vjetor neto i energjisë elektrike për vitin 2016 ishte mbi 7,1 milionë MWh, shumë më i lartë se mesatarja shumëvjeçare 1985 – 2016 prej 4,7 milionë MWh. Në periudhën 2010 – 2016, për tre vjet është realizuar prodhim neto energjie nga HC prej rreth 7 milionë MWh, aq sa është edhe konsumi vjetor në Shqipëri, sipas të dhënave zyrtare nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE).

Kujdes!

Prodhimi i energjisë elektrike nga fotovoltaikë në Shqipëri, me siguri do të zhvillohet si një komponent i rëndësishëm në harmoni dhe në mënyrë racionale me të gjithë burimet e tjera të energjisë, por në mënyrë të kujdesshme, pa pretenduar që Shqipëria të kthehet në një model të energjisë fotovoltaike.

Sistemi i prodhimit të energjisë elektrike në Shqipëri përballet me disbalancime të mëdha, nga njëra anë me faktin që prodhimi i energjisë në mbi 85% është i përqendruar në rajonet e veriut të vendit, ndërkohë që konsumatorët më të mëdhenj janë midis Tiranë-Durrës-Vlorë dhe nga ana tjetër, me diferenca të mëdha të prodhimit në periudha të ndryshme të vitit. Diferenca ndërmjet prodhimeve maksimale e minimale rezulton rreth 2.7 herë, (në muajin mars janë prodhuar 940.000 MWh ndërkohë që në shtator 332.000 MWh), duke shprehur në mënyrë të dukshme shkallën e lartë të riskut hidrologjik në stabilitetin e prodhimit të energjisë elektrike nga sistemet elektroenergjetike të mbështetur vetëm në HEC-e. (të dhëna nga Raporti i ERE-s për vitin 2016)

Muajt me prodhimin më të vogël janë muajt e verës (korrik – shtator), atëherë kur edhe kërkesat për energji rriten për shkak edhe të rritjes së konsumit familjar për ftohje, si dhe rritjes së aktivitetit të strukturave akomoduese të turizmit.
Kjo periudhë përkon edhe me nivelin më të lartë të rrezatimit diellor, edhe për pasojë të potencialit më të madh të prodhimit të energjisë nga dielli. (tabela e mëposhtme tregon të dhënat e vitit 2016, për prodhimin dhe konsumin e energjisë elektrike në Shqipëri)

monitor 796.indd

Energjia e diellit është pa diskutim një perspektivë reale, veçanërisht në kushtet kur zhvillimet e teknologjisë janë të tilla, që kostot në investimin e pajisjeve të energjisë diellore janë në një trend ulës të vazhdueshëm. Në këto kushte, prodhimi dhe përdorimi i energjisë diellore duket se do të jetë një plotësues shumë i mirë në tregun e energjisë, për tre arsye:

Së pari: energjia diellore ka rendimentin më të lartë dhe për pasojë prodhimin më të madh në muajt e verës, kur konsumi i energjisë është më i lartë, si nga konsumatori familjar ashtu edhe bizneset (veçanërisht turizmi) dhe prodhimi i energjisë nga HC është shumë i vogël.

Së dyti: Sistemet fotovoltaike do të instalohen direkt tek konsumatori fundor, pra do të jenë shumë më të vogla humbjet e transmetimit të energjisë dhe parametrat e energjisë elektrike do të përmirësohen.

Së treti: Veçanërisht për bizneset dhe konsumatorët familjarë, do të rrisë komfortin dhe do të nxisë kursimin e përdorimit të energjisë.
Shqipëria ka relativisht çmime të larta të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë dhe bizneset, gjë që favorizojnë energjinë diellore. Me përjashtim të furrave të bukës, të gjithë bizneset e tjera kanë një çmim të lartë të energjisë elektrike nga 11 –12,4 lekë/kah, ndërkohë që kategoria e konsumatorëve familjarë është 9,5 lekë/Kwh (pa përfshirë TVSH). Me siguri, edhe në të ardhmen, ky çmim shkon drejt rritjes, çka e bën edhe më të qëndrueshme eficiencën e investimit nga vetë ndërmarrjet ose familjarët për energjinë diellore.

Prodhimi i energjisë elektrike nga fotovoltaikë në Shqipëri, me siguri do të zhvillohet si një komponent i rëndësishëm në harmoni dhe në mënyrë racionale me të gjithë burimet tjera të energjisë, por në mënyrë të kujdesshme, pa pretenduar që Shqipëria të kthehet në një model të energjisë fotovoltaike.

Objektivat strategjikë që ka Shqipëria në fushën e energjisë janë të lidhura ngushtë me tregun rajonal të energjisë, nxitjen e investimeve private për të diversifikuar prodhimin e energjisë dhe për ta prodhuar atë sa më pranë edhe konsumit në rajone të ndryshme të vendit, shfrytëzimin e burimeve të gazit (që ofron projekti TAP) për prodhim energjie dhe për industri, si dhe kryerjen e investimeve për eficiencën e energjisë dhe uljen e CO2 në bazë të angazhimeve që ka marrë Qeveria Shqiptare në kuadrin e konventave ndërkombëtare për ndryshimet klimatike.

Shqipëria ka një perspektivë afatmesme të shfrytëzojë dhe Gaz nga TAP për të prodhuar energji elektrike në termocentrale (duke filluar nga ai i Vlorës, prej 98 MW me çmime më të lira konkurruese në treg. Termocentralet me gaz përbëjnë edhe kompensatorin më të mirë në rrjet për energjitë e diellit dhe erës, të cilat kanë cikël të lartë ndryshimi midis kohës me diell dhe pa diell (dhe ditë-natë). Koha e nevojshme për të ndaluar nga puna ose për të rivënë në punë turbinat e TEC me gaz është shumë herë më e lehtë se sa çdo model tjetër i prodhimit të energjisë.
Me investimet aktuale në fushën e energjisë së rinovueshme dhe me futjen e tyre në shfrytëzim, Shqipëria do t’i mbulojë mirë nevojat e saj në rritje për energji elektrike dhe në një periudhë afatmesme do të jetë një eksportues i energjisë elektrike.

Por fakti që tregu rajonal i energjisë vazhdon të dominohet nga energjia e prodhuar nga TEC me lëndë djegëse do ta bëjë shumë të vështirë shitjen e energjisë elektrike të prodhuar nga burimet e rinovueshme, veçanërisht atë diellore. Pra do të duhet të ndiqet një strategji e qartë që në hapat e parë, për të menduar për politika të qëndrueshme afatgjatë, kur vjen fjala për masën e subvencionit dhe garantimit të çmimit të blerjes të energjisë. (Shqipëria ka marrë angazhim për çmim të garantuar të energjisë nga HC private apo koncesionarë – që arrijnë në më shumë se 600 MW fuqi të instaluar dhe po rriten më tej, si dhe premton çmim të garantuar për fotovoltaikë).

Modeli aktual

Shqipëria është modeli i vetëm, që aktualisht 100% të energjisë elektrike e prodhon nga burimet e rinovueshme (HC vetëm ujë) dhe me fuqinë aktuale të instaluar ka arritur që prodhimi neto i energjisë të jete më i lartë se sa konsumi vjetor (shembull janë vitet 2012 dhe 2016).

Panel diellorDeri tani, interesi më i madh është për parqet fotovoltaike. Po për bizneset e vogla dhe ekonominë e turizmit sa me leverdi është? Cilat mund të jenë zhvillimet më të shpejta në përdorimin e energjisë diellore në Shqipëri?

Kursimi, komforti dhe vlera e investimit janë tre kriteret më të rëndësishme për investime në fushën e energjisë diellore për konsumatorët familjarë dhe bizneseve. Pra janë vetë bizneset e vogla dhe familjarët, që do ta çojnë përpara investimin në fushën e energjisë diellore në Shqipëri. Ata do të investojnë me burimet e tyre financiare dhe pa pritur subvencione.
Hapat e nevojshëm nga Qeveria për të mbështetur nisjen e investimeve nga grupet e mësipërme mund të jenë: (i) Rregulla të qarta administrative, që duhet të përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave (ii)proces i thjeshtë i marrëveshjes me OSHEE për prodhim energjie për konsum vetjak, (iii) montimi i paneleve diellore në çatitë e banesave dhe objekteve industriale pa leje ndërtimi (me përjashtim të rasteve kur janë ndërtesa muzeore).

Me energji diellore nuk bëhet fjalë vetëm për panele fotovoltaike. Panelet diellore për ngrohjen e ujit për nevoja sanitare dhe ngrohje përbëjnë një nga prioritetet me leverdishmëri më të lartë ekonomike, veçanërisht për sektorë të tillë si ai i familjar dhe i turizmit. Kombinimi i të dy masave është shumë më efektiv.

Perspektiva

Shqipëria ka një perspektivë afatmesme të shfrytëzojë dhe Gaz nga TAP për të prodhuar energji elektrike në termocentrale (duke filluar nga ai i Vlorës, prej 98 MW me çmime më të lira konkurruese në treg

Përvoja ndërkombëtare ka treguar se është shumë më efektive të investohet në të dy rrugët: me prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme dhe me kursimin e energjisë. Çdo investim me eficencën e energjisë për të kursyer 1 Kwh është deri dy herë më i vogël se sa për të prodhuar 1 Kwh energji. Investimet me energji diellore për ngrohje-ftohje, janë pikërisht ato që i shërbejnë edhe kursimit të energjisë.

Rruga më e sigurt është investimi nga vetë bizneset dhe familjarët për nevojat e veta, në modelin e vetëkonsumit, çka e ka parashikuar edhe ligji dhe pritet të miratohet edhe kuadri rregullator.

Janë të gjithë parakushtet që energjia diellore të zërë një vend të rëndësishëm në bilancin e energjisë që ne konsumojmë. Në vendin tonë konsumi familjar në raport me konsumin e përgjithshëm të faturuar për klientët tariforë për vitin 2016 përbën rreth 49%. Mbi 4 milionë turistë vijnë në Shqipëri në vit. Referuar shifrave të vitit 2016 mbi 40% e tyre vijnë në muajt korrik-gusht dhe rreth 75% në periudhën maj – tetor, periudhë në të cilën edhe rrezatimi diellor është i plotë. Sfida janë: ulja e konsumit të energjisë elektrike për ngrohjen e ujit për nevoja sanitare dhe ngrohje, si dhe për ftohjen e banesave, pasi zënë rreth 46% e kostove të energjisë që harxhohen në banesa dhe hotele.

Një fushë tjetër ku energjia diellore është e praktikueshme në Shqipëri ka të bëjë me zgjidhje individuale, “ishull” ose sisteme të pavarura:
“Elektrifikimi” i staneve dhe fshatrave ekstreme malore, ku sot nuk ka energji elektrike, ose ku linjat fundore nuk arrijnë të furnizojnë me energji elektrike. Veçanërisht në muajt e verës, në të gjithë zonat alpine, ku dalin barinj dhe janë bujtina të turizmit malor.
Pompat solare të ujit dhe sistemi i vaditjes së tokës (pa pasur nevojën e baterive, pasi procesi i vaditjes së tokës është i nevojshëm në verë dhe në kohën kur nuk bie shi. Ftohja e produkteve bujqësore dhe blegtorale dhe veçanërisht të qumështit pas mjelje.

Kursimi

Përvoja ndërkombëtare ka treguar se është shumë më efektive të investohet në të dy rrugët: me prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme dhe me kursimin e energjisë. Çdo investim me eficiencën e energjisë për të kursyer 1 Kwh është deri dy herë më i vogël se sa për të prodhuar 1 Kwh energji. Investimet me energji diellore për ngrohje-ftohje, janë pikërisht ato që i shërbejnë edhe kursimit të energjisë.

Si mund të nxitet përdorimi tek ekonomitë e vogla dhe subjektet turistike? Çfarë politikash nxitëse mund të ndjekë qeveria?

Pa diskutim ka shumë përvoja ndërkombëtare që duhen studiuar me kujdes dhe për t’i kthyer edhe në praktika shqiptare. Është krejt e qartë që masat subvencionuese janë ato që e çojnë përpara zhvillimin e shpejtë të këtyre investimeve.

Ka edhe shtete që bëjnë një politikë tjetër, subvencionojnë investimin: p.sh., grant nga 30-50% e kostos së blerjes së paneleve diellore dhe të baterive akumuluese, për të nxitur vetëkonsumin në banesë, të energjisë së prodhuar.
Ajo që mund të bëjë Shqipëria, për shembull, rimbursimi i TVSH-së për investimet në energjinë diellore, kur ato kryhen nga konsumatorët familjarë ose biznese që nuk janë subjekte të TVSH.

Jo vetëm investim, por mbi të gjitha nxitja dhe mbështetja për një treg të kualifikuar pune për energjitë diellore dhe eficiencën e energjisë,
përfshirë specialitetet që formohen në universitetet teknike dhe punëtorët e kualifikuar në shkollat profesionale dhe qendrat e trajnimit profesional.

A rrezikohet të kemi një flluskë në këtë sektor, ashtu siç ndodhi me rendjen e bizneseve të ndërtimit drejt bujqësisë p.sh., ku hynë në një sektor që nuk e njihnin mirë?

Kujdes me prognozimet shumë optimiste dhe të pamatshme: nuk ka shans që investimet e fotovoltaikëve të rezultojnë të vetëshlyera në më pak se 7-10 vjet, apo nuk mund të ketë rendimente të tilla që do t’i tundonin fshatarët të “mbillnin” tokat me fotovoltaikë, pasi prej 1 ha do të merrnin 300 mijë euro në vit.
Zgjidhjet teknike janë një problem i vështirë për operatorin energjetik: stabilizues në sistemin energjetik kur të rritet pjesa e energjisë nga dielli dhe era në sistem.

Revista Monitor,  16.09.2017

Prodhimi industrial në Gjermani u regjistrua në nivele të pandryshuara gjatë Korrikut, tregojnë të dhënat e fundit. Rritja e prodhimit në ndërtim dhe manifakturë u zhbë nga rënia e sektorit energjetik.

Të dhënat sinjalizojnë se, fabrikat do të kontribuojnë me një hap më të ngadaltë në rritjen ekonomike gjatë tremujorit të tretë të këtij viti. Prej kohësh, konsumi i ka zënë vendin tregtisë dhe prodhimit si lokomotiva e ekonomisë gjermane.

Punësimi pranë kapacitetit të plotë, rritja reale e pagave dhe normat e ulta të interesit po nxisin gjermanët që të shpenzojnë.

Një ditë më parë ndërkohë, të dhënat tregonin një rënie të porosive industriale gjatë Korrikut. Sa i përket prodhimit industrial, të dhënat e Korrikut vijnë pas një rënie me 1.1% gjatë muajit Qershor.

Ekspertët shprehen se, këto të dhëna vënë në pikëpyetje forcën reale të ekonomisë më të madhe të Europës.

Sektori energjetik i ka dhënë goditjen më të madhe industrisë, pasi regjistron një rënie të prodhimit me 4.7%, që është edhe rënia më e madhe që prej Janarit të vitit 2011.

Scan Tv,  07.09.2017

Drejtoria Minerare përmbylli raportin e mbikëqyrjes për 6 mujorin e parë të vitit 2017, ku përveç lejeve ekzistuese në sektorin minerar janë publikuar edhe masat administrative ndaj subjekteve që nuk kanë përmbushur detyrimet e kërkuara. Gjithashtu jepen të dhënat mbi numrin e personave të punësuar në sektor, prodhimin gjatë 6 muajve dhe rentën minerare të paguar për këtë periudhë.

Konkretisht, sipas këtij raporti aktualisht janë aktive 630 leje minerare, nga të cilat 312 janë në grupin e mineraleve metalore.

“Janë 13 leje bakër, 258 leje kromi, 6 leje sterile kromi, 30 leje hekur-nikel dhe nikel- silikat, 1 leje boksite, 1 leje magnez, 1 leje skorje Fe-Cr dhe nikel- sulfur, krom dhe 1 leje minerare”, thuhet në raport.

Masat administrative

Në sektorin metalor, për 19 subjekte është propozuar revokimi i lejes minerare, për shkak se nuk kanë përmbushur detyrimin për pagesën e garancisë së rehabilitimit dhe fillimin e punës. “Janë 18 subjekte të propozuara për pezullim të Lejes Minerare se nuk kanë përmbushur detyrimet e ligjit minerar, për miratimin e projekt programit. Janë marrë masa administrative për 22 subjekte se nuk kanë sjellë fare projekt program vjetor. Masa e ushtruar është 250000 lekë të reja për subjekt”, thuhet në njoftim. Sa i takon prodhimit dhe numri të të punësuarve, raporti nënvizon se prodhimi për 6 – mujorin e parë është 350228.7 ton.

“Në Sektorin Minerar Metalor janë punësuar 4242 persona, me sigurim jete 3269 persona.  Ndërkohë renta minerare e paguar për 6-mujorin e parë nga sektori metalor është 304958984 lekë dhe 1212362 USD.”

Sektori jometalor

Në sektorin jometalor është kryer matja faktike dhe dixhitalizimi i të gjitha karrierave në Republikën e Shqipërisë. Janë propozuar për revokim 51 subjekte minerare që nuk kanë paguar garancitë e rehabilitimit, si dhe janë dërguar për pezullim 16 subjekte minerare”. Gjithashtu në raport theksohet se:

-Janë njoftuara për planin e mbylljes dhe rehabilitimit, 12 subjekte

-Numri i fuqisë punëtore në sektorin jometalor është: 1478 punëtorë

-Prodhimi në total për 6-mujorin e I-rë, 2017 është: 2320755 m3

-Të ardhurat nga shitja është: 1953492556 lekë

-Renta minerare e paguar: 146214794 lekë

-Për 42 subjekte është kryer akt-verifikim dhe oponenca e projekteve të reja si dhe shtyrje afati.

Scan Tv,  04.08.2017

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, tha se sektori energjetik në Kosovë mbetet ende i brishtë për shkak të dy termocentraleve të amortizuara.

Sipas tij investimet e realizuara pritet të sjellin përmirësime për jetën e qytetarëve. “Viti 2017 duhet të jetë një vit kthese për sektorin e energjisë pasi Kosova duhet të vazhdojë të punojë për përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian. Kjo ka të bëj me zhvillimin ekonomik por edhe me përmirësimin e cilësinë e jetës. Miratimi i ligjeve të reja për energji elektrike si dhe strategjia për energji elektrike janë të arritura kaq të rëndësishme për krijimin e themeleve për të gjitha zhvillimet në sektorin energjetik”, tha ambasadori amerikan në Prishtinë.

Që prej përfundimit të luftës në Kosovë, vendi është përballur me mungesën e energjisë elektrike për shkak të, siç është vlerësuar, ‘termocentraleve të vjetruara dhe problemeve me rrjetin energjetik’.

Zyrtarisht thuhet se prej vitit 2003 deri më 2016, në termocentrale janë investuar mbi 400 milionë euro, por vlera e donacioneve të huaja nuk është bërë e njohur.

Qeveria e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë në Kosovë thanë se sektori energjetik mbetet prioritet dhe një “Strategji e Energjisë për vitin 2017 -2026”, synon që ta stabilizojë furnizimin me energji elektrike në vend, me kosto të përballueshme, me rritje të pjesëmarrjes së burimeve të ripërtëritshme, si dhe integrim në tregun regjional.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se miratimi i strategjisë ka qenë hap i domosdoshëm, pasi energjia paraqitet një ndër prioritetet kryesore për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social të Kosovës.

“Dhe ky është treguesi më i mirë që ne mund të arrijmë rezultate të cilat i synojmë, që Kosova është një vend dhe shtet stabil, një shtet ku mund të zhvillohen investime të volitshme, një shtet miqësore për investime. Dhe një shtet që mund të sigurojë të gjithë investitorët që të vijnë dhe të tregojnë vetëm këtu”, tha kryeministri Mustafa.

Në anën tjetër, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka thënë se reforma e sektorit të energjisë, që mundëson transformimin e tij dhe vënien e bazës së qëndrueshme për zhvillimin ekonomik, është e vizionuar në pesë objektiva, që sjellin investime prej 3 miliardë eurosh.

Ndërkaq, si lajm pozitiv për këtë sektor ministri Stavileci, e vlerësoi miratimin e pakos se tretë të ligjeve për energji vitin e kaluar në Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, këto ligje, janë në përputhje të plotë me direktivat e Bashkimit Evropian dhe i hapin rrugë liberalizimit të tregut.

“I hapin rrugën që të liberalizohet tregu, të liberalizohen çmimet dhe krijon mundësi që ne të kemi një treg konkurrues të energjisë elektrike gjë që është synim jo vetëm i Kosovës por i gjitha shteteve të rajonit”.

Ndryshe, përkrahje autoriteteve vendore, sa i përket investimeve në sektorin energjetik, konkretisht në ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese, siç është projekti i Termocentralit “Kosova e Re”, i ka dhënë Banka Botërore dhe përfaqësues të zyrës se Bashkimit Evropian në Kosovë.

Autoritetet në Kosovë kanë nisur prej vitesh një projekt për ndërtimin e një termocentrali të ri me një kapacitet prej afro 500 megavatësh. Ndërtimi i termocentralit ‘Kosova e Re’ pritet të nisë vitin e ardhshëm, dhe ka pasur paralajmërime se ai do ta nxjerrë nga përdorimi Termocentralin ‘Kosova A’, i cili është ndërtuar në vitet e 60-ta të shekullit të kaluar.

Telegrafi,  19.04.2017

Viti 2016 solli rënien më të madhe që ka pësuar ndonjëherë industria e minierave në dekadën e fundit. Çmimet e ulëta në tregjet ndërkombëtare prekën edhe kompanitë në Shqipëri. 31 miniera u mbyllën, ndërsa qeveria është duke ulur taksat për ta shpëtuar këtë industri…

Nga Ola Xama

27 miliardë dollarë vlerësohet të jetë humbja që pësoi industria e minierave në mbarë botën, në 6 muajt e parë të këtij viti. Vlera e aksioneve për këtë sektor ra me 37%, në disa raste çmimi i mineraleve arriti në minimumet historike. Borxhi i lartë i kompanive ka detyruar disa prej tyre të falimentojnë dhe të nxjerrin në shitje asetet për të paguar punëtorët, ndërsa lufta për të ulur shpenzimet, duke shkurtuar vendet e punës, vazhdon. 40 kompanitë më të mëdha të minierave në botë arritën vlerën më të ulët të aksioneve të tyre, duke shënuar një rekord të ri botëror. Humbja në tregun e aksioneve kaloi vlerën e 400 milionë dollarëve, duke fshirë të gjitha fitimet e bëra gjatë kohës së lulëzimit të kësaj industrie.

Kjo ishte vlera më e ulët që kompanitë prekën në tregun e kapitaleve që prej vitit 2004, por kësaj here, humbja ishte më e dhimbshme. Në vitin 2015, investitorët e minierave kërkonin të rimerrnin veten pas tronditjes që pësuan çmimet dhe fitimet e tyre në krizën financiare botërore të 2008-s, e cila zgjati për ta deri në vitin 2011. Në klasifikimin që i ka bërë kompania audituese Price Water House Cooper 40 kompanive më të mëdha botërore, rezulton se në 2015-n, vlera e aksioneve të tyre është sa 1/3 e kohës së krizës ekonomike. Pas rënies të aktivitetit të tyre nga kriza, kompanitë rritën shpenzimet me shpresën për të rritur prodhimin e fitimin, por rënia e kërkesës bëri që çmimet të shkojnë në fund. Vetëm 9 prej 40 kompanive më të më mëdha në botë rezultuan me rritje të aksioneve në bursa. Nga këto, 4 kompani ishin të prodhimit të arit, duke reflektuar direkt performancën e mirë të çmimit të tij në tregjet ndërkombëtare.
2015-a ishte një vit pasues për rënien e çmimit të mineraleve. Mesatarisht, të gjithë çmimet e burimeve që nxirren nga nëntoka pësuan një goditje më të madhe, edhe se gjatë 2014-s. Performancën më të dobët e kishte nikeli, çmimi i tij u ul në tregjet globale me 41%, ndërsa hekuri ishte i dyti, duke ulur çmimin me 40%. Ari pësoi rënie modeste, në nivelet 145 në 2015-n, por mori sërish veten në tremujorin e parë të këtij viti.

Xhiro-e-disa-kompanive minerare

(Klikoni mbi tabelë për ta hapur)

Gjatë krizës globale, likuiditeti i kompanive të sektorit minerar ra shpejt dhe zgjidhja që ata gjetën ishte një plan i shpejtë për të rritur investimin në kohën që çmimet ishin të leverdishme. Borxhi i lirë u gjet për të financuar programet e investimit. Rënia e çmimeve sot ka bërë që jo të gjitha kompanitë të jenë të afta për të paguar detyrimet që kanë. Si pasojë e kësaj, tashmë problemi kryesor i aksionerëve të minierave është zgjidhja e situatës së huave. Në vitin 2015-n, borxhi total i sektorit të minierave u rrit me 3% duke kapur vlerën e 10 miliardë dollarëve. Kreditë afatshkurtra nga ana tjetër, të cilat kërkojnë shlyerjen brenda 12 muajve, janë rritur me 9%.

Përse u godit sektori minerar

Por çfarë ndikoi në rëniet kolosale dhe të menjëhershme të këtij sektori, i cili ishte një nga më premtuesit për investitorët? Përgjigjja që kushdo mund të japë në këto vite është e njëjtë për të gjithë degët dhe goditjet që merr ekonomia: rënia e kërkesës.
Kina, një nga vendet të cilat sot ka peshën më të madhe në industrinë nxjerrëse, sot po orienton ekonominë e saj mbi një bazë më afatgjatë të cilat bazohen mbi modelin e konsumatorit dhe shërbimet. Në një ekonomi globale, të gjitha rrugët mesa duket të çojnë në Kinë. Përpara një dekade, ekonomia e Kinës pati një rritje me shifra galopante, deri në 10% në një vit, çka solli një shtim të kërkesës konsumatore për materiale të ndryshme, specifikisht ato që kanë të bëjnë me ndërtimin. Minierat në mbarë botën hapën galeri të reja për të përmbushur kërkesën që vinte nga një popullatë me numrin më të lartë në botë. Zhvillimi i shpejtë i ekonomisë kineze krijoi një “super cikël” në çmime, të cilat u rritën po aq shpejt. Sot, rritja ekonomike e saj është moderuar në 6.5% në vit dhe orientimet e ekonomisë nuk janë bazike në apartamente, zyra, godina etj., por në rritjen e cilësisë dhe llojeve të shërbimeve.
Një tjetër arsye për rënien e çmimeve është edhe mbiprodhimi i mineraleve. Rënia e kërkesës nga Kina solli një sasi më të madhe të metaleve në treg, gjë e cila automatikisht bëri që aksionerët të ulnin çmimin. Çmimi i hekurit, i cili ishte metali kryesor që importonte Kina, ra me 40 dollarë për ton, vlera më e ulët që nga 2008-a.
Argument tjetër është edhe rritja e shpenzimeve, të cilat jo detyrimisht duhen bërë për shkak të koniunkturës së tregut. Nëse shumë kompani mund të ndërpresin për një periudhë prodhimin, sektori i minierave, ndryshe nga shumë të tjerë, nuk mund të pushojë prodhimin për një periudhë dhe të nisë rihapjen pas ngritjes së çmimit. Duhen disa muaj për të vënë minierën në punë dhe për të nxjerrë metalin të përpunuar. Gjendja e konservimit të tyre po ashtu kërkon shpenzime në mirëmbajtje dhe paga punëtorësh.

Minierat në Shqipëri

31 miniera në Shqipëri, sot janë në gjendje konservimi. Rënien më të madhe si pasojë e koniunkturës së tregut e patën ato të bakrit, të cilat kanë ndërprerë prodhimin e po ashtu edhe ato të nikelit dhe hekurit kanë ndërprerë kërkimin. Industria minerale ka pasur performancën më të ulët edhe në sektorin e eksporteve për gjatë këtij viti. Eksportet e grupit minerale dhe lëndë djegëse pësuan rënie në vlerën e 30 milionë dollarëve në shtator të këtij viti, krahasuar me një vit më parë. Ndërsa për të gjithë periudhën janar – shtator 2016, eksportet pësuan një rënie në vlerë prej 200 milionë dollarësh.

Në bazë të anketës strukturore të ndërmarrjeve, të publikuar nga Instituti i Statistikave, vërehet një rënie e shitjeve neto për bizneset e industrisë nxjerrëse me 25% dhe një përgjysmim i vlerës së investimit.
Pavarësisht kësaj situate, me tregun e minierave në Shqipëri, 4 kompanitë VIP të këtij sektori vijojnë të sigurojnë të ardhura të mira. Fitimi për dy prej tyre rezulton me rritje për vitin 2015, ndërsa për dy bizneset e tjerë ka rënie të fitimit, por jo në nivele të mëdha.
ALBchrome, pjesë e grupit Balfin, ka fituar 5.5 milionë dollarë nga 2.9 që mori në vitin 2014. Përgjysmim të fitimit pati fabrika e pasurimit të kromit në Bulqizë. Nga 120 mijë dollarë fitim, në 2015-n fitoi 71 mijë dollarë, ndërsa Euro Trade Mineral ka fituar 1.1 milionë dollarë nga 1.6 mln që kishte përfituar në vitin 2014. Të gjitha kompanitë raportojnë një rënie të gjendjes së likuiditetit të tyre, dhe pjesa më e madhe ka rritur detyrimet.

Masat e qeverisë

Rishikimi i nivelit të rentës minerare në vjeshtë të vitit 2013 rezultoi një lajm shqetësues për këtë industri. Çështja e përdorur edhe politikisht solli menjëherë në Kuvend ligjin për rishikimin e nivelit të rentës minerare që duhet të paguanin kompanitë nxjerrëse. Pavarësisht kundërshtimeve nga grupet e interesit, renta u dyfishua për pjesën më të madhe të kompanive që punonin me minierat. Por performanca e dobët e këtij sektori ka detyruar qeverinë që të rishohë dhe një herë taksat për këtë degë të ekonomisë. Tentativat filluan që në muajin qershor, por Ministria e Financave vendosi që këto ndryshime të hyjnë në fuqi në janar të vitit 2017. Industria e përpunimit të mineraleve metalore do të përfitojë një përgjysmim të rentës nga 6% në 3% të çmimit të shitjes së tij në eksport, duke pasur si referencë çmimin në tregjet ndërkombëtare të mineralit të papërpunuar. Ulje të rentës ka edhe për bitumin dhe materialet e ndërtimit, ndërsa gurët e çmuar, nafta dhe gazi nuk do të kenë ndryshim të pagesave që bëjnë për taksën që i paguajnë pushtetit vendor.

Revista Monitor,  12.12.2016

monitor 757.indd

(Klikoni mbi tabelë për ta hapur)

Ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, administratori i OSHEE-së Adrian Çela, Prefektja Etjona Hoxha dhe zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile prezantuan sot nga qyteti i Vlorës nisjen e procesit të identifikimit dhe popullimit të adresës për çdo shtetas derë më derë në të gjithë territorin.

Gjatë këtij projekti do të mund të realizohet edhe evidentimi dhe saktësimi i të dhënave të abonentëve të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, adresa e saktë, mënyra se si janë lidhur klientët në rrjet nisur nga niveli i tensionit si dhe të dhënat për matësit.

Për llogari të Gjendjes Civile do të bëhet edhe përdorimi i bazës së deritanishme të të dhënave të Regjistrit Kombëtar të Adresave për aksesimin në terren të të dhënave të tipit gjurmë rrugësh me emërtimet përkatëse, gjurmën e ndërtesës dhe numërtimin përkatës të saj, për të bërë verifikimin dhe regjistrimin në terren të të gjithë bazës së të dhënave për sa i përket realizimit ose heqjes së gjurmës së ndërtesave si dhe shtimin e informacionit karakteristik të hyrjeve të ndërtesave, numërtimin e kateve për hyrjet përkatëse, numërtimin e apartamenteve.
Fjala e Ministrit të Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri në ceremoninë e mbajtur në Vlorë ku u lançua nisja e procesit të “Popullimit”.

Përshëndetje,

Ky proces padyshim ka qenë shumë i rëndësishëm për ne. Sektori energjitik, përmes kompanisë së shpërndarjes financon gjysmën e projektit dhe përmes tij do të bëhet edhe evidentimi i saktë i të dhënave të të gjithë konsumatorëve të energjisë elektrike. Në fakt, konsumatorët e energjisë elektrike janë të gjithë qytetarët shqiptarë, të gjitha familjet dhe bizneset. Ky proces u nis në fillim nga kompania e shpërndarjes por nuk eci pasi kishte vështirësitë e veta. Ndaj, menduam se përmes një kompanie të specializuar, me financimin tonë të mund të bëjmë të mundur që ky proces të plotësohet në kohë dhe të kemi të dhëna të plota e të sakta për të gjithë konsumatorët. Kjo do të ndihmojë në rradhë të parë konsumatorin, sepse ka patur shumë probleme edhe me natyrën e faturimit, ngatërresa në adresa, shpesh herë ndodh që faturat nuk vijnë në kohë. Në fund të fundit, kjo është një padrejtësi për qytetarët të cilët duan të jenë korrekt me pagesat e tyre dhe duan të dinë saktë e të marrin njoftimin në kohë në lidhje me faturat.

Së dyti, do ti vlejë shumë kompanisë dhe kur them këtë nuk e kam parasysh thjesht pikëpamjen ekonomike por do të ndihmojë të gjithë shtetin shqiptar. Evidentimi i plotë i të dhënave do të bëjë të evidentohet saktë se kush është klient familjar, kush është biznes apo kush është klient që nuk ekziston. Duhet ta pranojmë, ne kemi shumë të dhëna në sistem që janë fiktive dhe shpesh herë ka edhe specialist të OSHEE që sillen në mënyrë abuzive duke faturuar edhe persona që nuk ekzistojnë. Me këtë proces evidentimi do të kemi mundësinë që të luftojmë edhe këto lloj fenomenesh negative të cilat sa vijnë e bëhen edhe më të pakta.

Arritjet në sektor, nuk dua ti përsërish por janë jashtëzakonisht të mëdha. Nuk është thjesht një arritje për sektorin por një arritje për shtetin shqiptar, një element shumë i rëndësishëm shtetformues. Mjafton tu them se disiplinimi i pagesave dhe shtimi i likujditetit në sektorin energjitik bëri të mundur rritjen e rrogave dhe pensioneve. Pse ndodhi kjo? U mbyll një gropë e madhe në Buxhetin e Shtetit dhe bëri të mundur që ato para që dikur përdoreshin për të mbuluar gropat në energji, të shkojnë tanimë për rritje rrogash dhe pensionesh, ndërtim rrugësh e shkollash. Shërbime këto shumë të nevojshme për që fatkeqësisht, qytetarët e ndershëm nuk i merrnin pasi paguanin për hajdutët e energjisë.

Ndaj, sistemi i të dhënave nuk është thjesht një ushtrim  për të saktësuar një inventar të Operatorit të Shpërndarjes por është një element shumë i rëndësishëm shtetformues. Do kemi adresat të sakta, do të dimë qartë në çdo cep të Shqipërisë se kush jeton atje, cilët janë banorët dhe cili është konsumi i energjisë elektrike. Pra të bëjmë të mundur që përfundimisht të fshijmë të gjitha të dhënat parazitare nga sistemi elektroenergjitik dhe të gjitha këto përfitime do të shkojnë në funksion të qytetarëve. Pse? Sepse kompania do të jetë më e shëndoshë, shteti do të ketë më pak nevojë për të ndërhyrë në sistemin energjitik dhe pse jo në fund të fundit, atë që kanë merak të gjithë qytetarët përsa i përket tarifave. Në të ardhmen, sa më shumë efiçencë ekonomike të kemi aq më shumë të qëndrueshme do të jenë tarifat e energjisë elektrike e nuk do kemi rritje por përkundrazi mund të kemi ulje që bëjnë të mundur stabilizimin financiar të të gjithë sektorit elektroenergjitik. Pra, shteti të mos e ketë më barrë dhe ndërkohë sektori të arrijë siç e kemi thënë të ecë me këmbët e veta.

Meqenëse këtu kemi kryetarët e bashkive dhe autoritetet lokale, do të kërkoja bashkëpunimin e të gjitha institucioneve shtetërore pasi ky proces nuk bëhet i vetëm. Vërtet kompania e specializuar do të merret me mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave por mbi të gjitha ajo do mbështetjen tonë. Mbi të gjitha është një proces qytetar dhe qytetarët duhet ta ndjejnë vet të parët se duke u formalizuar edhe në këtë drejtim si përsa i përket aspektit ekonomik, qoftë për sa i takon faturimit të energjisë por edhe përfitime të shumëfishta për shërbimet që do tu ofrohen në të ardhmen.

Dua të përgëzoj kompaninë, por mbi të gjitha edhe Ministrinë e Brendshme që e ndërmori këtë iniciativë për ta prezantuar me publikun. U angazhua me fonde konkrete për ta përfunduar sa më shpejt këtë proces. Plani është të përfundojë në pranverën e vitit të ardhshëm dhe kjo do të ishte diçka e jashtëzakonshme, që Shiqpëria të ishte si çdo vend tjetër evropian, një adresë ku dihet kush banon ku dhe të gjitha ato të dhëna do ti shfrytëzojmë gjithmonë për të mirën e publikut.

Ju uroj suksese të gjitha autoriteteve të përfshira në këtë proces, Operatorit të Shpërndarjes dhe Policisë së Shtetit e cila besoj se do të jetë një ndihmë e madhe ashtu sikurse ka qenë një ndihmë e madhe në reformën e sektorit elektroenergjitik.

Ju uroj suksese dhe ju falenderoj për mundësinë që të dhatë të komunikoj direkt me ju,

energjia.al  29.10.2016

Sektori i enegjisë elektrike ka qënë dhe më i “lakmuari” gjatë viteve të fundit. Krahas kompanive publike ka patur një interes në rritje të biznesit privat, duke parë dhe fitimet e mëdha të këtij sektori.

Sipas statistikave të disponuara nga TV SCAN, për 10 kompanitë më të mëdha të këtij sektori, të cilat zhvillojnë aktivitetin ekonomik në prodhim, shpërndarje dhe transmetim i energjisë, rezulton se xhiroja  për gjysmën e parë të vitit llogaritet në vlerën e 48.5 miliardë lekë.

Po sipas këtyre të dhënave, këtë “top listë” e kryesojnë kompanitë publike. Kështu në vend të parë renditet  “OSHE” me një xhiro prej 25.6 miliardë lekë, në vend të dytë “KESH” me 11.6 miliardë lekë, ndërsa në vend të tretë është  kompania private “GSA” me aktivitet ekonomik “tregti të energjisë elektrike” me një xhiro që llogaritet në 2.9 miliardë lekë.

Më pas renditet përsëri kompania publike “OST” me një xhiro prej 2.8 miliardë lekë. Top listën e 10 kompanive më  të mëdha në sektorin energjitik e  vijon “Aydiner Insaat” dhe “Energji Ashta” me aktivitet  prrodhim i energjisë elektrike, kompania “EFT Albania” dhe “Gen Tirana” me aktivitet tregti dhe transmetim energjie, ndërsa në vendet e fundit janë  kompanitë “Erdat Lura shpk” dhe Balkan Green Energjy” me aktivitet prodhim të energjisë elektrike.

Gjatë viteve të fundit ka patur një interes të madh në këtë fushë, sidomos në atë të ndërtimit të HEC-ve të vogla, për prodhimin e energjisë elektrike, çka në shumë raste është kthyer në debatin politik të ditës, por jo vetëm, dhe në atë me ambjentalistët.

Scan Tv,  11.10.2016

Edhe pse zhvillimi i bizneseve – të cilat për bazë kanë prodhimtarinë – do të gjeneronte vende të reja pune dhe do të ndihmonte zhvillimin ekonomik të shtetit të, ky sektor po përballet me probleme shumë të mëdha.

Sipas përfaqësuesve të bizneseve, ambienti i të bërit biznes në Kosovë nuk është përmirësuar, pasi ata ende përballen me telashe me energji elektrike, e cila është një faktor limitues për zhvillimin ekonomik.

Përgjithësisht, politikat jo të favorshme tatimore dhe energjia elektrike shihen si pengesat kryesore për prodhimin në vend.

Telegrafi,  19.09.2016