info@energjia.al

Shfuqizimi i Planit të Energjisë së Pastër të hartuar nga administrata e ish-presidentit Barak Obama për të frenuar emetimet e gazeve serrë do të ndodhë zyrtarisht të martën, njoftoi Scott Pruitt, kreu i Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit.

Një kopje e planit që ka rrjedhur në media tregon se Pruitt do ta shfuqizojë planin duke cituar arsye të “tejkalimit të autoritetit ligjor të agjencisë”.

Plani i administratës Obama i publikuar në tetor 2015, u kërkonte centraleve me qymyr që të reduktonin emetimet e dyoksidit të karbonit me 32 për qind deri në vitin 2030.

Në mars të këtij viti, Presidenti Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv, që i kërkonte agjencisë “pezullimin, rishikimin ose anulimin” e planit të administratës Obama.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  10.10.2017

Për biznesin e madh, energjia e pastër është shumë premtuese. Firmat amerikane mund të kompensojnë tërheqjen e Donald Trump nga Marrëveshja e Parisit.

Të gjorat biznese të mëdha të Amerikës. Përpjekjet e tyre, për vite me radhë për të reduktuar mbetjet e karbonit, u hodhën poshtë nga ambientalistët, të cilët i konsideruan ato thjesht si “greenwashing*”, shkruan The Economist.
Tani, pas disa muajsh duke u përpjekur që të bindinPresidentin e ri pro biznesit, Donald Trump, për të mos u larguar nga Marrëveshja e Klimës së Parisit, ai praktikisht u qeshi në fytyrë të gjithëve, duke u tërhequr nga marrëveshja në fillim të këtij muaji, më 1 qershor.

Drejtuesit i druhen faktit se kjo marrëveshje nuk do të sjellë asnjë të mirë për Amerikën, përkundrazi, do të ndikojë në përkeqësimin e reputacionit të saj. Kjo është mbase një prej arsyeve kryesore se përse më shumë se 900 firma dhe investitorë amerikanë, duke përfshirë Amazon, Twitter, Target dhe Nike, hodhën firmat e tyre në një letër të hapur drejtuar Kombeve të Bashkuara, ku mesazhi kryesor ishte: “Ne vazhdojmë t’i qëndrojmë ende kësaj marrëveshjeje”.

Nënshkruesit e saj premtojnë të ndihmojnë në zvogëlimin e emetimeve të karbonit 26% deri në vitin 2025, në përputhje me premtimin e Amerikës në Marrëveshjen e Parisit. Premtimi është shumë utopik, por më mirë ky sesa të rrinë e të qajnënë heshtje pa bërë asgjë.
Dhe me të vërtetë, disa firma amerikane po e marrin aq seriozisht çështjen e ndryshimeve klimatike, saqë ato po habisin edhe të gjithë kritikët e ashpër për këtë çështje.
Krahas masave të eficencës së energjisë, dëshmia më e fortë e angazhimit të tyre është numri i projekteve të reja diellore dhe atyre të erës për të cilat po japin ndihmesën për të ndërtuar në mbarë botën.

Marrëveshjet

Kompanitë po përdorin marrëveshjet e blerjes së energjisë, në të cilat ato nënshkruajnë kontrata afatgjata për të blerë energji elektrike të pastër nga firmat që kanë sisteme diellore dhe sisteme të erës, me çmime të rëna dakord paraprakisht, në vend që të blejnë pjesën më të madhe të energjisë nga shërbimet publike, të cilat rrallëherë mund të garantojë 100 për qind energji të pastër për klientët e tyre.

Shërbimet komunale gjithashtu po nënshkruajnë marrëveshjet e blerjes së energjisësë pastër. Por në vitin 2015, më shumë se gjysma e këtyre marrëveshjeve të blerjes së energjisë së pastër të prodhuar nga era iu dhanë kompanive të mëdha, duke shpresuar që të përfitojnë nga një kredi tatimore shtetërorepërpara se të skadonte afati.
Biznesi i madh tashmë ka nxitur zhvillimin botëror të 20 gigavatëve (GW) të prodhimit të energjisë nga era dhe nga sistemet diellore. Kjo është 4GWmë shumë se i gjithë kapaciteti i energjisë së erës offshore (turbina të vendosura në det) dhe onshore (turbina të vendosura në tokë) të Britanisë.

Vitin e kaluar, firmat amerikane që kryesojnë në këtë drejtim, ishin ato të teknologjisë së informacionit, të tilla si: Amazon dhe Google. Ata e përdorin energjinë e pastër për të fuqizuar sistemet e mëdha të serverëve që kanë.
Kohët e fundit, entuziazmi po shtrihet përtej firmave të teknologjisë edhe në industritë me energji të lartë, duke përfshirë edhe prodhuesit. Ajo po zhvendoset edhe ngakorporatat e mëdha te filialet më të vogla dhe te furnizuesit, nga vendet e zhvilluara në tregjet e vendeve në zhvillim, ku kostot e energjisë së erës dhe asaj diellore po bien me ritme të shpejta.

Disa ambientalistë tani i shohin bizneset më shumë si aleatë, sesa sikundërshtarë, në luftën kundër ngrohjes globale dhe besojnë se së bashku mund të bëhen edhe më të fuqishme,veçanërisht pas përhapjes në mbarë botën të energjisë së pastër.

Ka pasur shumë fjalë dhe askush nuk ndërmerrte as më të voglin veprim, shprehet Marty Spitzer, kreu i politikave të energjisë së ripërtëritshme dhe ndryshimeve në Fondin Botëror tëMbrojtes së Kafshëve në Amerikë. Ndërsa tani, po shikohen ndryshime thelbësore.
Një shembull mjaft i mirë që mund të përmendim këtu është kompania lider në botë në prodhimin e pijeve alkoolike dhe joalkoolike (nga Budweiser e deri te Stella Artois dhe Corona) e cila i merr shumë seriozisht çështjet e mbrojtjes së mjedisit.

Energjia elektrike, që përdoret si pjesë e procesit të fermentimit të birrës për ftohjen e kështu me radhë, përbën një të dhjetën e kostove të saj, thotë Toni Milikin, oficer kryesor i qëndrueshmërisë së firmës.
Në mars të këtij viti, ajo u shpreh se do të rrisë nga 7 deri në 100 për qind burimet e ripërtëritshme të prodhimit të energjisë deri në vitin 2025, 85 për qind e të cilave do të vijnë si pasojë e nënshkrimit të marrëveshjeve të blerjes së energjisë.

Iberdrola, një nga kompanitë më ekologjike në botë, po ndërton një fermë me mullinj me erë me kapacitet 220 megavatë, në një pjesë të Meksikës ku fryjnë erëra të forta, në mënyrë që të furnizojë me energji të pastër fabrikën më të madhe të AB InBev, duke filluar nga viti 2019. Kjo kompani është optimiste që këto lloj kontratash të nënshkruhen edhe në Argjentinë, Brazil, Indi dhe Afrikën e Jugut, ndoshta edhe në Kinë.

Z. Milikin shprehet se firma e tij “do të negociojë fort” me furnizuesit e saj, siç janë ata që prodhojnë kanoçe dhe shishe alumini, duke iinkurajuar ata që të bëjnë të njëjtën gjë.
Ndërmarrjet e tjera janëedhe më të ashpra.
Walmart, shitësi më i madh në botë, u shpreh në mars se do të kërkonte që jo vetëm operacionet e tij, poredhe ato që janë pjesë e zinxhirit të tij të furnizimit, të reduktojnë në maksimumemetimet e dioksidit të karbonit, me rreth 1 miliard ton deri në vitin 2030, ekuivalente me ndalimin e qarkullimit të 211 milionë makinave në Amerikë përgjatë një viti.

Njoftimi u mirëprit nga organizatat e bamirësisë si ajo e Fondit Botëror në Mbrojte të Kafshëve(WWF), të cilat po ndihmojnë furnizuesit e kompanisë Walmart në përmbushjen e këtij qëllimi.
Kompania Apple, prodhuesi i iPhone-ve, u shpreh në prill të këtij viti, se shtatë nga prodhuesit e saj të mëdhenj botërorë kanë premtuar të rrisin prodhimin, duke përdorur energji të rinovueshme, deri në fund të vitit të ardhshëm.
Ajo po ndihmon furnizuesit të përmirësojnë efikasitetin e energjisë, por gjithashtu shpreson të ketë sjellë 4 GW të energjisë së rinovueshme deri në vitin 2020 dhe gjysmën e saj në Kinë.

Bashkimi

Disa kompani shumëkombëshe janë duke u bashkuar me njëra-tjetrën në nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve.
Për shembull, AkzoNobel, DSM dhe Philips, një treshe e firmave holandeze, janë bashkuar me Google për të blerë energji elektrike të gjeneruar nga një park me erë në pronësi të kooperativës në Holandë. Kjo nismë po përhapet me shumë shpejtësi edhe përtej stratosferës së korporatës.

Antonio Cammisecra,shefi i Enel Green Power,një nga shitësit më të mëdhenj të Marrëveshjeve për Blerjen e Energjisë, shprehet se shumë shpejt do të përdorëenergjinë e erës në fabrikat vendase të çimentos, të çelikut dhe industritë kimike të Marokut.
Ajo gjithashtu do të ndërtojë një central që do të prodhojë energji të pastër, i cili do të përdoret në një minierë ari në Afrikën e Jugut.
Në Britani, një kompani start-up, Squeaky Clean Energy, po lidh bizneset e vogla dhe të mesme me centralet që
prodhojnë energji nga era dhe nga dielli.

Hervé Touati nga Instituti Rocky Mountain, një ndërmarrje kërkimore për energjinë e pastër, beson se nxitja më e madhe për bizneset për të nënshkruar Marrëveshje të Blerjes së Energjisë është përmbushja e qëllimeve të qëndrueshmërisë, të cilat përmirësojnë imazhin e tyre publik dhe ndihmojnë në tërheqjen e klientëve, stafit dhe investitorëve.

Sipas Fondit Botëror në Mbrojte të Kafshëve (WWF), pothuajse 24 prej firmave më të mëdha të Amerikës janë zotuar se do të punojnë me 100% energji të rinovueshme në të ardhmen e afërt. Firmat e produkteve të konsumit janë edhe ato që bëjnë premtimet më të shumta në mbrojtje të mjedisit, ndërsa prodhuesit e lëndëve djegëse janë edhe ata që mbeten më mbrapa në këtë drejtim.

Në Amerikë, kostoja e prokurimit të energjisë së erës në mënyrë direkte është pothuajse po aq e lirë sa kontraktimi për të ndërtuar një termocentral të gazit të kombinuar, veçanërisht kur përfshihen subvencionet, thotë Touati. Në vendet në zhvillim, si India dhe në disa vende të Amerikës Latine dhe të Lindjes së Mesme, çmimet e pasubvencionuara në ankandet diellore dhe ato të erës kanë rënë në nivelet më të ulëta.
Megjithatë, ka edhe komplikime me Marrëveshjet për Blerjen e Energjisë, të cilat shpjegojnë se përse rritja e tyre ka qenë më e paqëndrueshme gjatë kohëve të fundit.

Më të drejtët janë për ndërtimin e impianteve të rinovueshme në pronë të një kompanie, sepse kjo kursen koston e transmetimit dhe shpërndarjes në bazë të rrjetit. Por është e rrallë që një kompani të ketë tokë të mjaftueshme rezervë në një zonë të përshtatshme me diell ose me erë.

Më komplekset dhe më të zakonshmet janë Marrëveshjet e Blerjes së Energjisë në zona të largëta ose ato virtuale, në të cilat një kompani bie dakord të blejë një sasi energjie të gjeneruar nga era apo nga dielli nga një zhvillues i largët, i cili e ushqen atë në rrjet. Kompania merr një sasi të barabartë të energjisë nga një njësi, e cila paguhet si ndërmjetës. Transaksione të tilla e kanë shumë të nevojshme edhe prezencën e një numri të madh avokatësh, gjë kjo që i largon firmat më të vogla.
Natyra afatgjatë e Marrëveshjeve të tilla të Blerjes së Energjisë është gjithashtu një pengesë, sepse caktohet një çmim i cili në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes mund të jetë i lartë, ndërsa më vonë, çmimet e energjisë mund të bien.

Opsionet e tjera

Opsionet e tjera përfshijnë blerjen e certifikatave të energjisë së rinovueshme si dëshmi për përdorimin e energjisë së pastër, ose lidhjen e një kontrate të gjelbër me një njësi.

Megjithatë, këto opsione nuk mund të sjellin të njëjtat përfitime në lidhje me mjedisin, sepse ato nuk mund të çojnë në ndërtimin firmave që do të prodhojnë energji nga era dhe atyre që do të prodhojnë energji nga dielli.
Sipas Simon Currie i Norton Rose Fulbright, një firmë ligjore, organizatat jofitimprurëse si Fondi Botëror në Mbrojte të Kafshëve (WWF) po promovojnë “klube blerësish”, në mënyrë të tillë që të ndihmojnë në krijimin e firmave dhe standardizimin e kontratave të Marrëveshjes së Blerjes së Energjisë.

Ato gjithashtu po ushtrojnë presion edhe përsa i përket reformës rregullatore në vende si Kina dhe disa shtete të Amerikës, ku njësitë përgjegjëse ndalojnë nënshkrimin e Marrëveshjeve të Blerjes së Energjisë, sepse kanë frikë se mos humbasin rolin e ndërmjetësuesit.
Në një konferencë në Pekin më 7 qershor, Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë së Rinovueshme, një organizëm global, nisi një studim në lidhje me firma të ndryshme për të gjetur mënyrat më të mira të promovimit të korporatave të Marrëveshjes së Blerjes në vende të tilla.
Në të njëjtin event, Google foli për pengesat rregullatore me të cilat ai është ndeshur në zgjerimin përtej pesë vendeve ku ka blerë 2.6 GW, që nga viti 2010.

Këtë muaj, një aleancë pro-republikane e bizneseve të mëdha do të lobojë për shtimin e taksave për ndërmarrjet që emetojnë sasi të konsiderueshme të karbonit, si dhe për realizimin e masave të tjera për energjinë e pastër. Me një mbështetje të tillë të fuqishme, rritja e energjisë së rinovueshme mund të fitojë një ditë edhe ndaj z. Trump.

* Janë të shumta kompanitë që deklarojnë se përdorin praktika ose produkte të qëndrueshme, por që në fakt kjo nuk është e vërtetë. Termi që përdoret zakonisht për këtë është “greenwashing”, i cili përcaktohet si “akti i keqdrejtimit të konsumatorëve lidhur me praktikat mjedisore të një kompanie, ose me përfitimet mjedisore të një produkti ose shërbimi”

Revista Monitor,  24.07.2017

Europa po e humbet statusin si lider në energjinë e pastër, ndërkohë që investimet në rajon kanë rënë me 21% gjatë vitit të kaluar ndërsa shpenzimet në pjesën tjetër të botës kanë lulëzuar.

Një shifër rekord prej 328.9 miliardë dollarë është investuar në energji diellore e burime të tjera të rinovueshme në të gjithë botën përgjatë 2015-ës, tregon një raport i REN 21 apo Rrjeti i Politikave të Energjisë së Rinovueshme për shekullin e 21-të, që është një koalicion ndërkombëtar i qeverive, shoqatave të tregtisë së energjisë së rinovueshme dhe institucioneve financiare përfshirë Bankën Botërore.

Ndërkohë, shpenzimet në Europë shënuan 48.8 miliardë dollarë, në rënie nga 62 miliardë që ishin një vit më parë. Duke përjashtuar Kinën, që është investuesi më i madh në botë i energjisë së pastër, Azia ka shpenzuar më shumë për energji të rinovueshme se Europa për të parën herë gjatë 2015-ës.

Zhvendosja e investimeve për burime të rinovueshme nga ekonomitë e zhvilluara drejt atyre në zhvillim, është diçka që pritet duke marrë parasysh kërkesën e tyre në rritje për energji dhe shkurtimet në subvencione në Europë, tregon raporti.

Financimi i Gjermanisë drejt këtyre, ra me 46% kryesisht për shkak të ndryshimeve në politikat e qeverisë. Sekretarja e përgjithshme e REN 21 Christine Lins, thotë se këto rezultate janë arritur në një kohë kur çmimet e lëndëve djegëse fosile kanë qenë në nivele historik të ulët dhe burimet e rinovueshme kanë patur një disavantazh në terma të subvencioneve qeveritare.

Energjia diellore ka patur tërheqjen më të madhe me thuajse 150 miliardë dollarë investime, më shumë se të gjithë teknologjitë e tjerë të kombinuar, tregon raporti. Ndër 7 klasat e teknologjive të analizuara, rritja e investimeve është parë vetëm në  energjinë e erës dhe atë diellore. Investimet në energjinë e erës janë rritur me 4% në 109.6 miliardë dollarë dhe në energjinë diellore me 12%. 

Scan Tv,  01.06.2016

Energjia e rinovueshme do të përbëjë për rreth 40% të kapacitetit të energjisë elektrike deri në vitin 2030-të, apo sa dyfishi i pjesës që zë momentalisht në treg, tregon Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë së Rinovueshme.

Ky zgjerim do të vijë si pasojë e kostove më të lira të energjisë, thotë drejtori i agjencisë. Sipas tij, me kostot më të ulta, deri në vitin 2030, kapaciteti i energjisë së rinovueshme në sistemin global të energjisë do të arrijë në nivelin 40%, krahasuar me 22% që qëndron sot.

Sfida e burimeve të rinovueshme është arritja e një pjese të tregut që zotëron nafta, në ngrohjen dhe produktet e transportit. Me rënien e çmimeve në sistemet e energjisë diellore, enegjia elektrike e gjeneruar nga kjo po merr një nxitje.

Dubai dha një kontratë për një impiant diellor prej 200 megavat në Janar të 2015-ës, kur çmimet qëndronin në nivele rekord të ulëta prej 5.85 cent për kilovat orë. Muajin e kaluar, vendi mori një ofertë për një impant prej 800 megavat për një çmim prej 2.99 cent për kilovat orë.

Rënia e çmimeve të naftës i ka bërë lëndët e tjera alternative më pak tërheqëse, duke frenuar investimet në bio-karburantet.

“Ekziston një vrull në energjinë elektrike të gjeneruar nga burimet e rinovueshme, por ka patur një impakt negativ në investimet drejt bio-karburantëve”, shkruan Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë së Rinovueshme.

Scan TV,  30.05.2016

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry vlerësoi politikën e administratës për energjinë e pastër, duke thënë se më shumë se katër herë më tepër amerikanë janë punësuar nga kompanitë e energjisë së ripërtëritshme sesa nga industria e karburanteve fosile.

Ai vuri në dukje një shenjë inkurajuese: rritja globale e investimeve në energjinë e pastër arriti një nivel rekord, megjithë rënien e çmimeve të naftës, qymyrgurit dhe gazit.

“Kjo nuk po ndodh vetëm në vendet e industrializuara. Në fakt, ekonomitë në zhvillim si Kina, India dhe Brazili investuan më shumë në teknologji të ripërtëritshme vitin e kaluar se sa vendet në zhvillim. Vetëm Kina ka investuar më shumë se 100 miliard dollarë,” tha zoti Kerry në një forum për energjinë e pastër në Nju Jork.

Ai vuri në dukje se edhe vendet pasura me naftë si Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë angazhuar për diversifikimin e energjisë.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  06.04.2016

Pas arritjes së marrëveshjes së historike për ndryshimet kilmatike nga 196 vende muajin e kaluar në Paris, investitorët, formuluesit e politikave dhe bizneset, kanë filluar të kërkojnë mundësi për rritjen e investimeve për energjinë e pastër; synimi është që marrëveshja të vihet në zbatim, duke realizuar objektivat globale për pakësimin e gazit karbonik. Në Takimin e Investitorëve për Rreziqet Klimatike, të organizuar nga Kombet e Bashkuara, Ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Michael Bloomberg, i cili po shqyrton mundësinë e kandidimit në zgjedhjet presidenciale, bëri thirrje për veprim. Ai mbajti një fjalim para ekzekutivëve të biznesit dhe investitorëve.

Ndërsa Michael Bloomberg shqyrton mundësinë e kandidimit për president, ai vazhdon të përhapë mesazhin e tij për ngrohjen globale. Ish Kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut ka një kërkesë të thjeshtë: nxitja e ndryshimit.

“Publiku është i mërzitur me të gjithë ata që thonë: “nuk po ndodh asgjë” ndërsa ndodhin vërshime në një zonë kur nuk ka patur më parë. Ka thatësirë atje ku më parë kishte dhe nuk gjen më borë në rezortin e skive…”- tha Bloomberg.

Ai tha se sektori privat dhe qytetet në mbarë Shtetet e Bashkuara kanë bërë përparim të rëndësishëm, duke mbyllur 200 prej 500 termocentraleve me qymyr që kishte vendi.

Zoti Bloomberg po ashtu vlerësoi qeverinë kineze për nismën e kohëve të fundit mbi ndryshimet klimatike, përfshirë mbylljen e katër termocentraleve në Pekin.

Duke ju drejtuar investitorëve, Christiana Figueres zyrtare e Konventës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike, tha se deri në vitin 2030, kapitulli i karburanteve fosile duhet mbyllur.

“Ka një ndikim tepër të madh në se investoni për karburentet e gabuara, për sistemet e gabuara të energjisë.”

Organizatori i takimit, Ceres—një organizatë jo-fitimprurëse, që mbështet zhvillimin e qëndrueshëm, shpreson të realizojë atë që e quan “Sfida e trilionit të pastër”: një investim për energjinë e ripërtëritëshme prej 44 triliardë dollarësh, ose 1 trilion dollarë në vit, nga bizneset dhe investitorët kryesorë të botës.

Ish nënpresidenti amerikan Al Gore, i cili mbron idenë e veprimit ndaj ndryshimeve klimatike, ka argumentuar se kosto e energjisë së ripërtëritshme do të bjerë së tepërmi vitet e ardhshme, duke i dhënë vendeve të botës mundësinë për të bërë më tepër për pakësimin e gazeve. “Komuniteti i investitorëve”, – thotë Gore, “ka një rol të rëndësishëm në udhëheqjen e kësaj përpjekjeje.

Zëri i Amerikës, 07.02.2016

Me një termocentral kryesor të energjisë që po shkon drejt fundit te jetës së tij, Kosova po përballet me një krizë të furnizimit që do të ndikojë në miliona banorë. Duke vazhduar angazhimin e saj për një energji të pastër dhe të qëndrueshme, Banka Botërore tani është duke diskutuar se cila është mënyra më e mirë e financimit të vendit më tutje – a do munden burimet e rinovueshme të mbushin boshllëkun e energjisë në Kosovë, apo është qymyri opsioni i vetëm realist?

Kur është fjala për trajtimin e ndryshimeve klimatike dhe përdorimin e lëndëve djegëse fosile, ka një çështje themelore që bota ende nuk ka qenë në gjendje për ta kapërcyer. Ajo ngre kokën në çdo konference të madhe të OKB-së për ndryshime klimatike, dhe ka të ngjarë që do ta përsëri edhe në Paris në dhjetor, kur delegatët ndërkombëtarë mblidhen në një përpjekje për të nënshkruar më në fund një angazhim global, ligjor dhe detyrues për të reduktuar emetimet e gazit serrë.

Çështja është kjo: si munden vendet e avancuar perëndimore, që i kanë ndërtuar themelet e prosperitetit të tyre mbi përdorimin e pakufizuar të lëndëve djegëse fosile, t’ua mohojnë atë vendeve që duan të bëjnë të njëjtën gjë sot? Kjo pyetje ka qenë një mollë sherri në shumë negociata klimatike ndërkombëtare, dhe kjo lidhet me debate të tjera në sektorin e energjisë pasi që lëvizjet për mosinvestimin në lëndë djegëse fosile vazhdojnë të rriten.

Qymyri si lënda më ndotëse fosile me arsye ka bartur barrën me të madhe të thirrjeve për mosinvestime. Në qershor 2013 SHBA njoftoi se do të ndalojë së investuari në projekte të huaja të qymyrit, ndërsa një muaj më vonë Banka Botërore ndryshoi politikën e saj për qymyr, duke deklaruar se ajo do të mbështesë projekte të reja të qymyrit “vetëm në rrethana të rralla”, me kritere të shtrënguara duke lejuar kështu vetëm investimet e qymyrit për të plotësuar “nevojat e energjisë në vendet pa alternativa të realizueshme”.

Sektori i pazhvilluar i energjisë elektrike në Kosovë

Për disa kohë Banka Botërore e ka shqyrtuar nëse situata e energjisë në Kosovë është një nga ato me “rrethana të rralla” në të cilat do të mbështesin zhvillimin e një termocentrali të ri me qymyr. Termocentrali i propozuar Kosova C , aktualisht projekti i vetëm i qymyrit në Bankën për Zhvillim, do të zëvendësojë termocentralin Kosova A, i cili shpesh është përmendur si pika me emetimin më të madh të karbonit në Europë.

Shteti e vogël i Kosovës pa dalje në det është vendi më i varfër në Evropë pas Moldavisë, dhe rritja kombëtare ekonomike e saj 7 miliard dollarëshe është cunguar nga një sektor joefikas i energjisë që vuan për të përmbushur kërkesën e pikut. Ndërprerjet e energjisë elektrike janë një dukuri e rregullt në Kosovë, ku dy termocentrale të vjetra qymyri gjenerojnë 98% të furnizimit me energji të vendit, duke përdorur rezervat e saj të bollshme të linjitit (ose qymyr kafe), që është forma më ndotëse e karburantit fosil.
Pasi qe termocentrali Kosova A të mbyllet, që do të ndodhë në vitin 2017, do të ketë një boshllëk të madh kapaciteti prej rreth 950 MW (sipas shifrave të Bankës Botërore), si dhe do të dëmtohet sektori nga humbjet e larta teknike, komerciale, faturimi dhe sistemet e mbledhjes joefektive.

Kosova C: qymyri i ri për një epokë të re?

Termocentrali Kosova C është propozuar për më shumë se një dekadë, por rezistenca për një termocentral të ri të linjitit, e shoqëruar me një mungesë të investitorëve, solli një plan të vonuar dhe të lënë anash. Kosova C, e cila ishte planifikuar fillimisht si një strukturë 2,000 MW, e që do të kishte shndërruar vendin në një eksportues të energjisë për Ballkanin, tani është propozuar si termocentral 660 megavatësh me dy njësi që do të kërkojë 1.6 miliard dollarë për tu ndërtuar.

Në shkurt të vitit 2015 Kosova më në fund gjeti një ofertues të ndërtojë termocentralin, kur ContourGlobal zhvillues i energjisë me bazë në Nju Jork zbuloi se kishte dorëzuar ofertën e tij komerciale tek Qeveria kosovare. Edhe pse konfirmimi për dhënie të kontratës nuk është shpallur ende, nënkryetari ekzekutiv i ContourGlobal Garry Levesley tha për Reuters në muajin shkurt se dy njësitë mund të funksionalizohen në mes të viteve 2020 dhe 2021 me një jetëgjatësi 40-vjeçare.

“Nëse gjërat shkojnë mirë, pas 18 muajsh nga sot [shkurt 2015], ne do të mund të fillojmë gërmimin në tokë”, tha Levesley.

Ai gjithashtu deklaroi se projekti i ndërtimit do të krijojë 10,000 vende pune dhe operacionalizimi i termocentralit do të sigurojë punësim të përhershëm për 500 njerëz.

Pavarësisht deklarimit te Levesleyt për sigurimin e mbështetjes nga Banka Botërore dhe Bashkimi Evropian, Banka Botërore endë duke shqyrtuar mundësinë e sigurimit të një garancie me risk te pjesshëm prej 58 milionw dollarësh për këtë projekt, i cili thuhet se do të jetë 33% i financuar nga ContourGlobal, ndërsa pjesa tjetër e kostos do të mbulohet me kredi.

Garancia do të balanconte rrezikun për investitorët që janë dyshues për të investuar paratë në një mjedis jo shumë të favorshëm të investimeve në Kosovë. Por polemikat që sillen rreth projektit kanë bërë që banka të hezitojë për të sqaruar qëndrimin e saj; ajo mbetet e mbyllur në vlerësimet dhe konsultimet për ndikimin mjedisor dhe social para se të marrë një vendim, duke e lënë të ardhmen e projektit të pasigurtë.
“Asnjë vendim nuk është marrë për projektin e energjisë në Kosovë dhe asnjë vendim nuk do të merret deri sa të jenë kryer dhe konsultuar me publikun të gjitha analizat mjedisore, sociale dhe teknike, si dhe aksionarët tanë te kenë dhënë mendimet e tyre lidhur me këtë projekt”, tha zëdhënësi i Bankës Botërore në shkurt të këtij viti.

A është qymyri e vetmja mënyrë për Kosovën?

Duke pasur parasysh rrethanat, nuk është çudi që zgjerimi i planit të thëngjillit në Kosovë do të kritikohet nga ambientalistët. Linjiti është forma më ndotëse e lëndëve djegëse fosile në botë dhe dy termocentralet e linjitit në vend janë kontribuesit kryesor të më shumë se 800 vdekjeve çdo vit për shkak të ndotjes së ajrit. Kjo shkallë e të vdekurve (dhe kostot shëndetësore që qytetarët do t’i pësojnë si rezultat të djegies së thëngjillit) ka gjasa të vazhdojë në të ardhmen e afërt.

“Gjëja e fundit në të cilën ne do duhej t’i shpenzojmë paratë tona është në projekte të kota dhe të rrezikshme që kërcënojnë sigurinë e familjeve dhe komuniteteve brenda dhe jashtë vendit”, tha John Coequyt, drejtor i fushatave klimatike federale dhe ndërkombëtare në Sierra Club një grup ambientalistësh me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një nga kritikët më të zëshëm të projektit së bashku me koalicionin ambientalist kosovar KOSID.
“Banka Botërore dhe Administrata e Obamës duhet të qëndrojnë prapa premtimeve të tyre për mos financim në thëngjill, dhe të sigurojnë që taksapaguesit amerikan të mos mbajnë barrën e humbjes së bastit, atë të thëngjillit në Kosovë”, ka vazhduar Coequyt.

Megjithatë, Banka Botërore nuk bëri asnjë premtim të projekteve të reja të thëngjillit. Çështja kryesore është se a do të kualifikohet Kosova, si një nga “rrethana të rralla” të Bankës për Zhvillim pasi që nuk “ka alternativa të realizueshme” përveç thëngjillit?
Kundërshtarët e projektit, natyrisht, argumentojnë se nuk kualifikohet.

“Ka mundësi më të mira dhe më të lira, opsione më të mençura që emetojnë më pak gazra”, thotë Bruce Buckheit, një ish-zyrtar amerikan nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit, i cili ka qenë këshilltar për Sierra Club në rastin e Kosovës. Buckheit ka propozuar mundësinë e importit të gazit natyror nga Azerbajxhani për të mbuluar mungesën e energjisë, megjithëse do të duhej të ndërtohej një infrastrukturë krejtësisht e re e shpërndarjes së gazit për tu realizuar ky projekt.

Një hulumtimi i udhëhequr nga profesori Daniel Kammen i Universitetit Berkeley të Kalifornisë (i cili ka shërbyer edhe si këshilltar i energjisë së rinovueshme në Bankën Botërore dhe administratën Obama) sugjeron se një kombinim i përmirësimit të efikasitetit, zvogëlimit të humbjeve të energjisë elektrike, rehabilitimi i termocentralit Kosova B dhe investimet direkte në burimet e rinovueshme do të nënkuptonte një furnizim të mjaftueshëm, pa pasur nevojë për një termocentral të ri.

Nevojat e mjedisit vs nevojat njerëzore

Banka Botërore dhe vëzhgues të tjerë tregojnë një histori tjetër. Qëndrimi zyrtar i Sierra Club është se investimi për energji të pastër në Kosovë “do të jetë më i lirë, më i pastër dhe do të krijojë më shumë vende pune sesa termocentrali i propozuar i Kosovës C”, por kjo nuk adresonë problemin themelor të furnizimit jo stabil të vendit me energji elektrike.

Banka Botërore ka përmendur një mundësi të ulët të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë, ku do të mund të ndërtohej një hidrocentral në Zhur me 305 megavat, por sipas bankës do të operojë me 16% të kapacitetit, ndërsa energjia solare konsiderohet shumë e shtrenjtë. Poashtu Komisioni Evropian dhe kompania zvicerrane e energjisë së rinovueshme Repic kanë vërejtur potencial të ulët të energjisë gjeotermale dhe të erës.

Për më tepër, argumentet e përqendruara rreth faktorëve të mjedisit dhe çmimit kanë tendencë të injorojnë nevojën e domosdoshme të Kosovës për furnizimin e ngarkesës bazë, diçka për të cilën vetëm termocentralet e thëngjillit janë të përshtatshme ndërsa burimet e rinovueshme si era dhe dielli nuk janë.
Kjo ndodh kur ambientalistëve kokëfortë nevojat primare të kosovarëve (shëndeti dhe jeta e të cilëve rrezikohet nga ndërprerjet e rrymës gjatë dimrit njësoj sikurse nga ndotja e ajrit) shpesh ju duken dytësore.

“Ndryshimi i klimës dhe problemi i thëngjillit është një gjë, por çështja humanitare është një tjetër, dhe ne nuk mund t’ia kthejmë shpinën popullit të Kosovës të cilët ballafaqohen me ngrirje deri në vdekje nëse ne nuk lëvizim”, tha presidenti i Grupit të Bankës Botërore Dr Jim Jong Kim në një telekonferencë të 2014-tës.

Në asnjë rast ky debat nuk ka qenë një argumentim paralel, duke vënë investimet e pastëra kundër thëngjillit të ndotur. Edhe nëse ndërtohet, Banka Botërore dhe Qeveria e Kosovës ka paraparë gjithmonë termocentralin Kosova C si pjesë e reformave të gjera në sektorin e energjisë, duke përfshirë rehabilitimin e Kosovës B për të përmbushur standardet e pajtueshmërisë së BE-së, zhvillimin burimeve të rinovueshme, dhe përmirësimin e efikasitetit në tërësi.
Bankës Botërore i mbetet të njoftojë për mbështetjen e saj për Kosovën C, ndërsa juria është ende në diskutim nëse termocentrali i linjitit është alternativa më e mirë (apo në të vërtetë e vetmja) për të balancuar nevojat e popullit të Kosovës dhe sektorit të energjisë. Debati do të ndahet ne dy drejtime, por pjesëmarrësit në të dy anët do të bënin mirë të marrin në konsideratë nëse pozicionet e tyre me të vërtetë iu shërbejnë atyre te cilët kanë barrën kryesore në këtë çështje – popullit të Kosovës.

Autor- Chris Lo

Chris Lo shkruan për fusha të ndryshme si projektet e infrastrukturës, zhvillimin farmaceutikë dhe për fushën e energjisë në magazinën e huaj NRI Digital.

Telegrafi,  16.01.2016

Presidenti Barak Obama ka bërë një apel tjetër urgjent për masa kundër ngrohjes globale. Presidenti prezantoi dje rregullore të reja me synimin për të reduktuar çlirimin e gazit karbonit nga centralet energjetike të vendit:

Plani për Energji të Pastër që prezantoi Presidenti Obama do të pakësonte vartësinë tek energjia elektrike e prodhuar nga qymyrguri dhe do të nxiste më tej prodhimin e energjisë nga burime të ripërtëritshme.

Në bazë të planit, deri në vitin 2030 centralet energjetike do të pakësonin çlirimin e gazit karbonik 32% nën nivelet e vitit 2005. Plani redukton gazet ndotëse rreth 9% më shumë se një plan paraprak që u diskutua vjet.

Në komentet në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Obama tha se nuk mbetet shumë kohë për të marrë masa kundër ndryshimeve klimatike:

“Ne jemi brezi i parë që ndjejmë pasojat e ndryshimeve klimatike dhe brezi i fundit që mund të bëjmë diçka kundër këtij fenomeni. Kemi vetëm këtë planet për të banuar, nuk kemi alternativë tjetër”.

Në bazë të planit të presidentit, secili shtet është përgjegjës të hartojë plane individuale për të përmbushur objektivat.

Guvernatori i Uiskonsinit Scott Walker, kandidat për zgjedhjet presidenciale, e kritikoi mbrëmë planin në një forum në Nju Hempshër.

“Nuk është Plani për Energji të Pastër, është Plani për Energji të Shtrenjtë. Do të godasë rëndë ekonominë e vendit. Shtete si Uiskonsini do të shkatërroheshin nga ky plan”.

Plani pritet të hasë në kundërshtime të forta nga kompanitë energjetike dhe Kongresi republikan, të cilët kanë ngritur argumenta lidhur me konston e reformave dhe ndikimin tek konsumatori.

Presidenti Obama u është përgjigjur kritikave duke thënë se nga ky plan famljet amerikane do të kursejnë në faturat e energjisë mesatarisht 85 dollarë në vit deri në vitin 2030.

Zëri i Amerikës, 04.08.2015

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama pritet që të zbulojë atë që ai e quajti “hapin më të madh dhe më të rëndësishëm që është marrë ndonjëherë” në trajtimin e ndryshimit të klimës.

Qëllimi i planit të energjisë së pastër është për të ulur emetimet e gazit nga termocentralet amerikane me rreth një e treta, brenda 15 viteve.

Megjithatë, kundërshtarët në industrinë e energjisë kanë paralajmëruar se do të “luftojnë” kundër këtij plani. “Presidenti Obama ka shpallur ‘luftë mbi qymyr”, burimi i më shumë se një e treta e kërkesave të energjisë në SHBA”, shprehen kundërshtarët.

Plani i rishikuar ka si synim për të ulur emetimet e karbonit nga sektori i energjisë elektrike me 32% deri në vitin 2030, krahasuar me nivelet e 2005.

Obama është shprehur se kufijtë e rinj janë mbështetur nga të dhënat që tregojnë se pa veprim bota u përball me motin ekstrem dhe me probleme shëndetësore.

“Ndryshimi i klimës nuk është një problem për brezat e rinj. Jo më. Administrata ime do të lëshojë versionin përfundimtar të planit të energjisë së pastër të Amerikës, më i madhi hap si dhe më i rëndësishmi që kemi marrë ndonjëherë për të luftuar ndryshimin e klimës”, tha presidenti i SHBA-së.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  03.08.2015

Kërkesa e konsumatorëve për energji më të pastër si dhe për teknologji të reja për kursimin e energjisë është duke transformuar sektorin elektrik. Në këtë trend të ri, furnizuesit po i japin më shumë rëndësi përfshirjes së konsumatorëve. Por duket se konsumatorët nuk interesohen shumë të kuptojnë apo të përfshihen në programet e furnizuesve.

Tregëtarët e energjisë e pranojnë se programet e tyre të edukimit të konsumatorëve nuk po kanë efekt, ndërkohë që nuk dinë se çfarë duhet të ndryshojnë, sipas një sondazhi të 144 drejtorëve kompanish furnizuese të energjisë në SHBA. Përhapja e paneleve PV rezidenciale dhe pajisjeve efiçente të energjisë janë shkaku kryesor i këtij trendi të ri të përfshirjes së konsumatorit në modelin e tregëtisë. Sipas sondazhit 76% e furnizuesve të energjisë sot i japin më shumë rëndësi edukimit të konsumatorëve. Ky tranzicion është një ndryshim i madh për industrinë e energjisë, e cila për shumë kohë ka punuar në një treg monopol.  Por vetëm 2% e furnizuesve janë të kënaqur me marrëdhëniet e tyre me klientët. Shumica e furnizuesve nuk shohin ende përfitime ekonomike nga edukimi më i mirë i konsumatorëve.  Gjithsesi, ata mendojnë se duhet të fokusohen kryesisht në masat e efiçencës së energjisë nga konsumatorët, pastaj në menaxhimin e kërkesës për energji, dhe në fund në panelet PV. Ka dy arësye përse panelet PV janë në fund të listës: së pari kanë nevojë për më shumë kapital se sa masat e efiçencës. Së dyti, shumë prodhues energjie e kanë të ndaluar të instalojnë panele PV, kështuqë i shohin si konkurrente. Shumë kompani mendojnë se nuk kanë sukses në edukimin e konsumatorëve mbi kursimin e energjisë, sepse konsumatorët e shohin veten të pafuqishëm për të ndikuar në konsumin e përgjithshëm. Një pjesë e kompanive mendojnë se nuk kanë komunikuar mjaftueshëm me klientët.

Problemi me programet e edukimit të konsumatorëve është se kompanitë nuk mund të masin saktë përfitimet nga këto programe. Kjo bën që njohja e kostos së këtyre programeve nga autoriteti mbikëqyrës të jetë problematike. Me gjithë problemet, programet e edukimit të klientëve pritet të shtohen në të ardhmen, sepse shikohen si kyç për të ardhmen e sektorit elektrik. Ato furnizues që do të jenë më të suksesshëm në edukimin e klientëve do të jenë më rentabël në tregun e energjisë.

Ekolëvizja,  23.03.2015