info@energjia.al

Viti 2018 duket të jetë një vit tejet dinamik për sektorin energjetik parë ky në disa dimensione, së pari vijimi i zbatimit të modelit të ri të tregut të energjisë elektrike, së dyti gazsjellësi TAP dhe gazifikimi dhe së treti rifreskimi i legjislacionit tek hidrokarburet dhe gjetja e një modeli të ri për marrëveshjet dhe përfitimin shtet-investitor.

Këto ishin fokusi i konferencës së vjeshtës mbajtur në Tiranë  Associated European Energy Consultants në Tiranë si dhe Optima Legal& Financial Albania ku merrnin pjesë institucione publike, kompani ndërkombëtare me aktivitet në Shqiperi dhe eksperte te sektorit.

Tregu i energjisë dhe problemi i Kosovës

Ashtu sikurse edhe në raportin e fundit për Shqipërinë, përfaqësuesi i Sekretariati të Komunitetit të Energjisë Dirk Buschle u shpreh se Shqipëria ashtu siç ka bërë përparime ka mbetur pas me disa të tjera. Së pari prodhimi I energjisë nga burimet fosile është ende shumë larg potecialit.

Lidhur me përfitimet që ka Shqipëria nga gazsjellësi TAP ai u shpreh se Shqipëria duhet të shohë me kujdes mundësinë që ka përpara dhe të ketë kapacitetet e nevojshme për të përballuar kërkesën që mund të ketë tregu. Në këtë pikë hyn në lojë Albgaz i cili duhet të plotësoje gjithë kuadrin. Të qenurit një vend transit shfaq mundësi të pafundme për një vend si Shqipëria duke i hapur rrugë projekteve të tjera siç është gazsjellësi IAP apo një lidhje me Kosovën.

“Potenciali është i madh dhe premtues por gjithçka varet nga qeveria. Ajo që ne kemi parë është që asnjë vend s’mund të krijojë kapacitete duke menduar vetëm brenda vetes, duhet që ambicia të jetë rajonale dhe në këtë pjesë edhe përpjekja e qeverive duhet të jetë e bashkërenduar” tha Bushchle. Lidhur me kuadrin ligjor në tregun e energjisë ai u shpreh se në letër ekzistojnë pak a shumë të gjitha. Liberalizmi, organizmi, bursa e energjisë, de rregullimi. Konkretisht një pjesë  emirë e këtyre angazhimeve janë shkelur në afate.

“Bursa e energjisë pritej që të hynte në operim në 1 janar 2018 por duket se nuk do të jetë e mundur. Ne si Sekretariat gjithsesi presim që operimin ta fillojë brenda vitit 2018.procesi aktualisht ka ngecur” tha përfaqsuesi i Sekretariatit. Lidhur me problemin që Kosova ka me Serbinë dhe që ka kufizuar futjen në punë të linjës 400 kv ai u shpreh se ka një mungesë vullneti për të zgjidhur këtë ngërç dhe se negociatat ende nuk kanë dhënë asnjë rezultat.

Debat për ndryshimin e modelit të marrëveshjeve hidrokarbure

Pak ditë më parë Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri u shpreh se do të ketë një rinegocim të kontratave konceisonare në sektorin hidrokarbur. Ajo që u kuptua dukej se lidhej me një rinegocim të kontratave ekzistuese por nuk është kështu. Një panel i veçantë ku ishin prezentë përfaqësues të kompanive më të mëdha që kanë sot marrëveshje hidrokarbure me shtetin shqiptar qartësoi edhe orientimin ku po shkohet.

Së pari ishte zëvendësministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Enis Aliko i cili qartësoi se çfarë po synon të bëjë sot qeveria.

“Qeveria është duke parë marrëveshjet me investitorët e huaj për të parë shkallën e dobishmërisë së tyre meqë janë dhe kontrata të vjetra në kohë dhe mënyrën sesi ato të përditësohen për sipërmarrësit e rinj që mund të vijnë në Shqipëri për të investuar.

Modeli taksimit nuk është ndryshuar ne, ajo që po shohim ne nëse ky model taksimi është i përshtatshëm dhe nëse do të duhet të ndryshohet. Nëse  shihet e nevojshme që të ndryshohet atëherë do ndryshojnë dhe kontratat e reja që do të nënshkruhen. Aktualisht ka diskutime nëse modeli që kemi me ndarje prodhimi duke future dhe royalty është i përshtatshëm apo duhet parë një balancim më i mirë i këtyre dy komponentëve” tha Aliko.

Administratori i Bankers Petroleum Leonidha Çobo u shpreh se kompania ka investuar më shumë se 1 miliardë dollar që nga fillimi i aktivitetit të saj në Shqipëri dhe tashmë është në një fazë të re. Ajo që duhet të ketë parasysh qeveria sipas tij në vendosjen e një sistemi fiskal të ri për kompanitë që operojnë me marrëveshje hidrokarbure është që të jetë atraktiv për investitorët e rinj. Ai nënvizoi se ka nevojë për rishikim të kuadrit ligjor që është relativisht i vjetër dhe që në shumë raste ka mbivendosje dhe paqartësi.

Përfaqësuesi i Shell Upstream  Albania Rohan D’Souza u shpreh se duhet që në modelin e ri që po synon qeveria të gjendet balanca mes riskut dhe shpërblimit. “Tek risku duhet pasur parasysh që kompania mund të mos gjejë naftë ose gaz dhe kjo është diçka që ndodh, ose risku I mjedisit ku bëhet biznes. Për qeverinë vërtet Tax  Royalty është më e thjeshtë por risku në këtë rast është I kompanisë që duhet të investojë qindra miliona para dhe kjo mund të krijojë stepje. Pra shihni për modele të reja por sigurohuni për balancimin e riskut dhe shpërblimit” tha D’Souza.

Konsulenti Dael Dervishi nga ana tjetër nënvizoi se debatoi mes aktorëve të tregut është gjithmonë frytdhënës për të gjetur zgjidhjen më të mirë për Shqipërinë. “ Ishte një diskutim interesant. Ka disa çështje që kanë mbetur të pazgjidhura vitet e fundit në industrinë e naftës dhe gazit. Diskutimi i sotshëm ishte i nevojshëm sepse u ngritën problematikat qoftë nga ana e kompanive qoftë nga institucionet. Është e rëndësishme të ketë dialog. Sigurisht problemet duhet të fillojnë të zgjidhen me kontratat ekzistuese që janë lidhur para shumë vitesh dhe pastaj për kontratat e reja për blloqet e reja që do jepen nga qeveria shqiptare të bëhen mbi bazë të eksperiencës dhe diskutimeve dhe mosmarrëveshjeve mes palëve të përfshira.

Nuk është deklaruar një model i saktë ende për marrëveshjet e reja hidrokarbure. Diskutohen disa modele. I pari është “royalty” në taksë pra kompanitë të paguajnë përqindje mbi prodhimin e naftës duke evituar që në monitorim të prodhimit të ketë sa ë pak ndërhyrje. Sa më pak qeveri të ketë në marrëveshjet me investitorët aq më mirë do ishte” tha Dervishi.

Revista Monitor,  14.11.2017

Duke folur gjatë një konference me temë hidrokarburet, Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, tha se qeveria do të konsiderojë ndryshimin e modeleve të kontratave me kompanitë e naftës dhe gazit në vend.

Sipas ministrit, kudo që ka naftë dhe gaz ka përplasje mes shtetit dhe kontraktorëve privatë, por kontratat aktuale riskun e investimit ia ngarkojnë shtetit.

“Risku duhet t’u kalojë kontraktorëve. Aktualisht, vetëm kur kompania e naftës të dalë me fitim mundet shteti të marrë 50% të tatim fitimit. Modelet e kontratave duhet të ndryshohen duke u bazuar tek praktikat më të mira europiane.

Ndoshta këto kompani të tatohen edhe si bizneset e tjera, por të mbajnë vetë përsipër rrezikun e investimit dhe shteti të marrë pjesën që i takon”, tha Gjiknuri.

Ministri i Energjisë lajmëroi edhe ngritjen e Institutit të naftës dhe të gazit, të cilin ekspertët e huaj e konsideruan si një nga hallkat kryesore që duhen financuar dhe mbështetur. Ky institucion do të shërbejë si kapaciteti teknik më i mirë për të ndihmuar vendin tonë në negociatat me kontraktorët potencialë.

Scan tv,  07.11.2017

Përmbyllet procesi i kalimit të kontratave koncesionare për blerjen e energjisë elektrike të prodhuesve privatë nga KESH tek OSHEE. Sipas burimeve nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, me firmosjen këtë javë të Marrëveshjes së Kalimit të detyrimit për blerjen e energjisë ndërmjet shoqërisë koncesionare Energji ASHTA dhe OSHEE, përfundon një fazë shumë e rëndësishme e reformës në sektorin e energjisë elektrike, ajo e ndarjes së funksioneve për secilin operator dhe krijimin e tregut të organizuar të energjisë elektrike.

Bazuar në ligjin e ri për Sektorin e Energjisë Elektrike në prill 2015 dhe në një sërë aktesh të tjera nënligjore të dala në zbatim të tij, KESH nuk do të ketë më detyrimin e caktuar arbitrarisht të blerjes së energjisë së prodhuar nga HEC-et e vogla, por tashmë do të ushtrojë vetëm funksionet e tij natyrale si prodhues energjie, duke bërë të mundur, në këtë mënyrë, një shfrytëzim më optimal të burimeve të tij gjeneruese.

Me ndryshimet e marrëveshjes tip të blerjes së energjisë, të miratuar nga ERE, të gjitha shoqëritë koncesionare kanë firmosur kontratat e reja me OSHEE, duke i dhënë fund konfliktit të nisur nga Shoqata e HEC-eve, për pasiguritë e pretenduara prej tyre, me të cilat mund të përballeshin ata nga ky ndryshim i blerësit të energjisë.

Sipas Ministrisë së Energjisë, situata ka rezultuar krejt e kundërta, pasi      qeveria shleu të gjitha detyrimet e prapambetura prej 9.1 miliardë lekësh që shteti u kishte këtyre koncesionarëve dhe tashmë ata po paguhen rregullisht për energjinë që prodhojnë duke ju rritur likuiditetin dhe duke lehtësuar përmbushjen e detyrimeve për shlyerjen e kredive ndaj bankave.

Revista Monitor,  16.11.2016

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci raportoi sot para anëtarëve të Komisionin për Integrime Evropiane në Kuvendin e Kosovës është pyetur për disa tema të ndryshme që lidhen me fushën së cilës ai i përket si ministër.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Donika Kadaj- Bujupi e ka pyetur ministrin Stavileci për largimin e rreth 300 punëtorëve nga puna nga KEDS-i.

Bujupi tha se punëtorët janë larguar në mënyrë kolektive gjë që sipas saj përbën shkelje të Ligjit të Punës.

Stavileci po ashtu u pyet për prodhimin dhe regjistrimin e energjisë elektrike, duke u pyetur nëse duhet sa ka humbje apo ku ndodh humbja e energjisë elektrike.

“Bëhet fjalë për 300 punëtorët e KEDS-it, të cilët janë larguar nga puna brenda 3 viteve pas privatizimit, ndërkohë që në momentet diku në vitin 2012-13 kur ka filluar ai privatizim është zotuar Qeveria e asaj kohe e udhëhequr prej PDK-së që do të ketë investim prej 300 milionë euro investime dhe nuk do të ketë largime të punëtorëve, por do të ketë rritje të numrit të punëtorëve sepse bëhet fjalë për një investim të madh. Tash investimet nuk kanë ndodh, ndodhin kohë pas kohe mirëmbajtje të rrjetit por jo investime, aq më pak jo 3 milionëshe ndërkohë janë larguar 300 punëtorë dhe ky largim përbën shkelje të ligjit të punës sepse është largim kolektiv vetëm gjatë dy muajve të viti të fundit janë larguar 93 sosh”, tha ajo.

Në lidhje me këtë pyetje ministri i Zhvillimit Ekonomik tha se punëtorët kanë pasur kontrata deri në vitin 2016. Ai tha se në lidhje me këtë çështje kanë pasur takime me disa nga organizata që i përfaqësojnë punëtorët.

“Kontratat e tyre kanë qenë maj 2013-maj 2016 por unë mendoj që edhe në kuadër të kësaj strategjisë për vitet e ardhshme do të kemi mundësi për të bërë zgjidhje të kombinuara dhe të pjesshme edhe vet KEDS-i po ma merr mendja që nëse keni pas takime me këta punëtorë iu kanë treguar se edhe aty nuk ka pasur ndonjë masë drastike pa u bërë një zgjedhje sepse u kanë paralajmëruar edhe ata për një lloj kundërshpërblimi për vitin e parë që do të thotë se ata nuk mund të riintegrohen”, tha ai.

Interesimi i kolegut të tij nga PDK-ja Fatmir Xhelili ishte humbja e energjisë elektrike. Ai kërkoi të dijë nga Stavileci se sa është humbja e energjisë që bëhet. X

Mirëpo, në këtë pyetje Stavileci nuk pati përgjigje pasi tha se për çështje të caktuara ekziston edhe arkitektura e përgjegjësive duke u shprehur se nuk është qëllimi t’i ikë përgjegjësive.

“Besoj për secilën prej këtyre pjesëve do të keni përgjigje edhe më të plota edhe me detaje dhe pastaj mundemi që në ndërkohë përsëri të diktojmë për këto por duhet pasur parasysh edhe për këto edhe për një pjesë që u fol për çështjen e çmimit për disa pyetje që ishte ndoshta e përbashkët duhet ditur që ne kemi një arkitekturë të sistemit jo pse unë dua ti iki përgjegjësive, ato përgjigje që i kam dhe në ato që mundohemi vazhdimisht të kontribuojmë për ta zgjidhur situatën siç ishte hera e fundit me Ferronikelin edhe pse papërgjegjësi direkt besoj që e kemi menaxhuar mirë situatën, ju e dini që e kemi zyrën e Rregullatorit të Energjisë që është përsëri një trupë që është jashtë kompetencës qeveritare”, tha Stavileci.

Kurse Xhavit Haliti e pyeti për basenin e qymyrit në Dukagjin, për të cilën kompania “Envidity’ ka kërkuar leje të hulumtimit nga Qeveria.

Haliti ka thënë pse duhet t’i jepet një leje e tillë e hulumtimit, kur Kosova dihet në çdo milimetër se sa thëngjill përmban dhe ku ka pasuri të kësaj lënde djegëse.

Haliti: Pse t’i jepet leje kësaj kompanie tani kur Evropa nuk e përdor thëngjillin për energji elektrike

Video “Tani unë besoj që nuk ka milimetër katror të territorit të Kosovës ku nuk dihet se sa ka qymyr dhe ku është, unë nuk e kuptoj pse duhet me i dhënë dikujt leje në emër të hulumtimit të qymyrit dhe pastaj të derivojnë kontrata me emra të ndryshëm ë cilët nganjëherë njerëzit tonë i prekin duke shfrytëzuar emra për qëllime thjesht përfitimi të veçantë mos të përmendi emra. Në krejt Evropën prodhimi i energjisë me qymyr është i ndaluar dhe mbi të gjitha as Ministria as institucionet tjera nuk kanë shfrytëzuar ose nuk e kanë bërë kontakte me publikun”, ka pyetur Haliti.

Ndërkohë, Stavileci ka deklaruar se kompania në fjalë i ka përmbushur shumë aspekte teknike e procedurale dhe se përgjegjësia për të bie në pesë ministri të ndryshme, duke i ftuar anëtarët e Komisionit që për informata shtesë t’i drejtohen edhe me shkrim apo të vijë edhe herëve tjera të raportojë në detaje.

“Për licencën e ‘Envidity’, në fakt e dini interesin publik, edhe këtu ne kemi një komitet ndërministror për partneritetin publiko-privat i cili është brenda ministrisë së Financave, pra ka një departament i cili funksionon pastaj në cilësinë e sekretariatit për komitetin drejtues të ministrave, jemi 5 Ministri dhe në këtë rast edhe kërkesat e komunave edhe kërkesat e nivelit ministror, edhe këto dyja që kanë qenë kanë ardhë në atë komitet dhe i kanë pas të plotësuara kushtet mbi bazën e kërkesave që i ka dërguar departament i BBP-së, pra janë më shumë aspekte teknike dhe procedurale dhe administrative të cilat ata i kanë përmbushur”, tha Stavileci.

Stavileci u pyet edhe për çështje tjera si dërgesat postare ku Vjosa Osmani pyeti pse kur një dërgesë bëhet nga disa shtete të caktuara, ajo figuron si: Kosovë-Serbi si dhe pyetje tjera në të cilat ministri Stavileci dha përgjigje.

Telegrafi,  01.11.2016

Në letrën që Ministria e Energjetikës i dërgon koncesionarit mbi lumin Shalë, jepen arsyet e prishjes së njëanshme të marrëveshjes, duke konstatuar shkeljet që janë bërë.

Këto shkelje kanë të bëjnë me mungesën e raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis, skemës së shfrytëzimit hidroenergjetik, raportet hidroenergjetike dhe hidroteknike, si dhe ato të planit të biznesit.

Shoqëria është njoftuar disa herë për të plotësuar dokumentacionin e munguar në projektin e zbatimit të dorëzuar formalisht, por nuk e ka kryer. Një tjetër shkelje, sipas Ministrisë së Energjisë, është mosrinovimi i Sigurimit të Kontratës nga koncesionari brenda afatit të përcaktuar.

Por ndërtimi i HEC-eve në Theth është kundërshtuar edhe nga shoqëria civile, pasi ndërtimi i tyre do të shkatërronte turizmin në këtë zonë, e cila vitet e fundit po pret shumë vizitorë, veçanërisht të huaj. Në projekt ishte parashikuar ndërtimi i 6 hidrocentraleve me fuqi të instaluar 127 megavat dhe prodhim vjetor të energjisë prej 530 mijë megavat.

Top Channel,  26.10.2016

Në Luginën e Valbonës do të ndërtohen 11 HEC-e, por qeveria nuk mund të mbyllë kontratat e lidhura nga qeveria Berisha, sepse duhet të paguajë në arbitrazhe kombëtare.

Kryeministri ka replikuar me komentuesit në rrjetin social Facebook, duke u dhënë përgjigje shqetësimeve të tyre, mes të cilave dhe për HEC-et në Valbonë.

Në një prej postimeve të Ramës, një qytetar shkruan: “E vertete qe HEC-et jane firmosur ne kohen e Berishes, por kjo smund te jete alibi per ju…. Shumica ju votoi pikerisht se nuk donte te qeverisej me nga Berisha e vendimet e tij. Ndaj, nese doni te mbeteni ne histori, duhet te prishni kontratat me perfaqesuesit e HEC-eve ne Valbone, e, madje le ti demshperbleni nga taksat tona, nese vetem kjo eshte zgjidhja. Me mire te na ikin ca leke duke mbrojtur Valbonen, se sa te shkojne ne xhepat e politikaneve… Artistet dhe populli jane bashke: Mos ma prek Valbonen!”

Edi Rama: Kemi anulluar plot e plot, por jo pasi jane mbyllur kontratat sepse per nje kontrate te mbyllur, shteti duhet te paguaje ne arbitrazhe nderkombetare shume me teper se sa çfare mund ta imagjinosh ne endrren me te keqe

Shqiparja.com  05.10.2016

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, tha në studion e “Ekopolitikë” me gazetaren Aurora Sulçe se nuk do të ketë ulje të çmimit të energjisë deri në vitin 2018. Ai tha se borxhet e sektorit të energjisë janë mbi 800 mln euro.

Gjiknuri u shpreh se “furnizmi me cilësi do të jetë problem edhe për 8 vitet e ardhshme”

Gjiknuri: Energjetika u kthye në një hemorragji për buxhetin e shtetit. Detyra e parë që iu vu qeverisë është stabilizimi i këtij sektori, mbyllja e konflikteve të hapura dhe kthimi i këtij sektori që nuk gjeneronte humbje të mëdha.
Gropa në buxhet në 2013 ishte 23 mld lekë dhe këto alokoheshin nga buxheti, ndërkohë që mund të shkonin për vepra publike.

Shpëtimi që i është bërë buxhetit është gati 30 mld lekë të reja. Kjo është fatura ose efekti pozitiv.
Jepen para vetëm për investime dhe këto investime ta kthejnë këtë investim. Është hera e parë që shoqëritë e sektorit të energjisë kanë dalë me shifra pozitive. Borxhet janë rreth 800 e ca milionë euro, pra borxhet janë shumë të larta. Nuk po them se këto borxhe do të lahen për shkak të këtij bilanci, por dy gjëra mund të bëhen: Mund të ristrukturohen kreditë për të qenë të favorshme e dyta janë investimet.

Nuk do të ketë ulje të çmimit të energjisë

Gjiknuri: Ka një anomali Shqipëria. Ka një raport të zhdrejtë mes tarifave të energjisë për biznesin me tarifat për konsumatorët familjarë. Ky është një problem politik. Unë them që energjia është një tarifë e cila ka kosto dhe ajo duhet të shpërndahet sipas barrës. Këto janë pakte të mëdha sociale që politika nuk ka arritur t’i bëjë.

Pra nuk keni në plan?
Gjiknuri: Për momentin…realiteti është i tillë. Deri në vitin 2018, ne kemi një projekt dhe një program strikt të monitoruar nga FMN dhe BB. Pra duhet të arrijmë objektivat,

Pas 2018-s të shpresojmë për ulje çmimi?
Gjiknuri: Ne po mendojmë të lehtësojmë konsumatorët familjarë. Mbase ka elemente të tjera të borxheve të trashëguara dhe ne po e diskutojmë këtë. Kjo do të jetë një ulje indirekte e detyrimeve që konsumatorët mund të kenë ndaj sistemit të energjisë.

Gjiknuri: Nuk pati oferta për Skavicën për shkak të akuzave të opozitës

Gjiknuri: Skavica, që përbën një problem të madh, duhet parë me shumë kujdes. Skavica është pjesë e kaskadës së Drinit. Është optimizmi për sa i përket të gjithë kaskadës. Këtu shteti ka një interes publik, sepse bëhet fjalë për rezervuarin më të madh të ujit. HEC-et e tjera janë iniciativa private, që shteti nuk ka interes t’i stimulojë, por jo se merr rol direkt për sa u përket investimeve. Nuk pati oferta për Skavicën për shkak të akuzave të opozitës.

Gjiknuri: Nuk do të jepen kontrata koncesionare në Valbonë

Gjiknuri: Këto janë kontrata të trashëguara që kanë detyrimet e tyre. Është kollaj të thuash anuloje. Të anulosh një kontratë të ligjshme dhe pasojat financiare që vijnë. Këtu do të isha pjesë e një arbitrariteti të cilën unë nuk e kam. Për sa u përket elementeve mjedisore ju kam thënë, nëse ka elemente mjedisore që mungojnë ajo duhet të atakohet në një vend tjetër. Pra nuk është Ministria e Energjetikës që të jetë përgjegjëse për vlerësimin mjedisor dhe të mund të anulojë kontratë.

Do jepen kontrata të tjera koncesionare në atë zonë?

Gjiknuri: Jo. Në zonën e Valbonës, në zonat e mbrojtura ne jemi treguar të frenuar për politikat koncesionare. Këto janë pasoja të ish-qeverisjes. Ne kemi angazhuar veten që në zona të mbrojtura mjedisore nuk do të bëjmë ndërhyrje. Brenda hapësirave ligjore, cfarë kemi mundësi t’i pengojmë, do t’i pengojmë.

Gjiknuri: Me Bankers në arbitrazh, kemi mundësi të mbrohemi.

Do të përballeni në arbitrazh me Bankers?

Gjiknuri: Ne jemi duke u përgatitur, po komunikojmë edhe me avokatët. Kuptohet që procesi ka kosto, por ne do të shikojmë të gjitha interesat e shtetit shqiptar. Morëm kohën e nevojshme edhe për të bërë ankimin.

Ku do atakoheni?

Gjiknuri: Është në një nga Gjykatat Ndërkombëtare në Zvicër. Afati për ankim është deri më 23 tetor dhe ne do të marrim një vendim deri atëherë. Ne bëmë maksimumin tonë në auditimin që i bënë Bankers që krijoi këtë konflikt dhe vlera e pretenduar nga ana jonë ishte 200 e ca mln, nëse do të pranoheshin, gjeneronin një tatim fitim për shtetin vetëm për 2011, 67 mln dollarë plus gjoba shkonte mbi 70 mln. Nëse ky raport bie pjesërisht, gjithë kjo vlerë bie.
Është bërë maksimumi për të justifikuar të gjitha shpenzimet e një kompanie nafte, por është një proces i vështirë për shkak të modeleve të këqija të kontratës, dua të them dhe këtë të negociuara nga qeveritë e mëparshme. Këto qenë kushtet dhe kuptohet me rënien e çmimit të naftës kjo bëhet më e mprehtë dhe investimet në naftë kanë rënë goxha.

Jeni optimist për arbitrazhin dhe çfarë kostosh ka?
Gjiknuri: Nuk dua të flas paraprakisht, por kuptohet nuk ka fitore të plotë. Kemi argumente. Arbitrazhi do të marrë ekspertizën por kjo nuk është e thjeshtë.

Gjiknuri: ARMO është një transkasion privat, ajo është një kompani e falimentuar, por nuk mund të falimentojë për shkak të legjislacionit. Shteti shqiptar nuk ka marrë rol direkt për sa i përket ristrukturimit të kësaj ndërmarrje. Kemi fasilituar që rafineria të ketë mundësi të marrë një pjesë të naftës për të përpunuar aty. Rafineria duhet të punojë, vërtet ka teknologji të vjetër, por me disa ndërhyrje mund të përmirësohen edhe produktet që dalin prej saj dhe duke qenë një transaksion privat unë rezervohem të bëj komente, aq më tepër për konflikte të karakterit privat. Një gjë është e sigurt, që qeveria shqiptare nuk ka çeduar në kurriz të shqiptarëve. Problemet do të zgjidhen ligjërisht dhe ne do të bëjmë çmos që të sigurojmë një pjesë të naftës shqiptare të shkojë në rafineritë e vendit aty ku mundësi të përpunohet.

Cilësia e naftës, a monitorohet?

Gjiknuri: Pa diskutim që monitorohet. ISHTI i ka kapacitetet për ta monitoruar.

Gjiknuri: Do të rivihen në punë asetet e bakrit.

Gjiknuri: Jemi duke punuar. Do bëjmë disa ndryshime dhe shumë shpejt do të bëhen prezente. Disa u ripanë për sa i përket çmimit të referencës. Kromi shqiptar taksohet me çmimet e 2012 dhe kjo lehtësi u bë. Sektori minerar ka vuajtur nga mungesa e investimeve për shkak të shumë faktorëve, kryesisht me çmimet ndërkombëtare, pro edhe atë parcelizim që e kemi quajtur. Ne gjatë këtyre viteve arritëm që të konsolidojmë këtë proces, duke anuluar lejet që nuk ishin më funksionale, apo jashtë çdo kriteri teknik. Definuam zonën e rrezikshme për të reduktuar aktivitetin në zonat e rrezikshme. Bëmë të mundur shtimin e investimeve në krim me hapjen e pusit të thellësisë dhe tani së fundi, kemi krijuar mundësinë e zgjatjes së minierës së Bulqizës dhe për 20-25 vite të tjera. Është rritur prodhimi i brendshëm i ferrokromit dhe kjo është një gjë shumë e mirë dhe Shqipëria po eksporton. Ka tendencë të rritjes së çmimit të ferrokromit. Me sa i shikoj tregjet ndërkombëtare, edhe pak të bakrit, do të thotë që mund të rivihen në punë edhe asetet e bakrit në Shqipëri, që kanë pësuar një lloj krize vitet e fundit dhe nuk kanë funksionuar. Industria minerare ka shanse të mira, por është vurnerabël.

Ora News,  05.10.2016

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka nënshkruar kontratë me kompaninë gjermane HPC në konzorcium me kompaninë me renome botërore Ernst & Young për ofrim të shërbimeve profesionale për zbatim të studimit të fizibilitetit të Trepçës me orientim strategjik për zhvillim të saj, me çmim prej 598,920 (pesëqind e nëntëdhjetë e tetë mijë e nëntëqind e njëzet) Euro.

Kontrata ishte e paraparë të nënshkruhej në fillim të muajit korrik, por, lidhja e kontratës është shtyrë për shkak të një ankese në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Studimi i fizibilitetit shtrihet në dy fusha, në zhvillimin e mëtutjeshëm të Trepçës duke u mbështetur në gjendjen aktuale, zhvillimet e reja të tregut, të teknologjisë dhe përvojave të reja të modeleve biznesore për eksploatim të xeheve e deri në produkt final; si dhe do të ofroj rekomandime për qasje strategjike lidhur me zbatim të aktiviteteve të reja me vlerë të shtuar.

Veç tjerash, ky studim do të ofrojë rekomandime lidhur me alternativat më të mira për revitalizim dhe transformim të Trepçës, po ashtu do t’u  ofroj investitorëve potencial të dhënat e nevojshme dhe informacione për investimet e ardhshme.

Agjencia në vazhdimësi ka bashkëpunuar me Kuvendin dhe Republikën e Kosovës dhe ka bashkërenditur veprimet e saja për të arritur nënshkrimin e kësaj marrëveshje me kohë. AKP dhe Trepça kanë kryer tashmë një pjesë të punëve, duke përfshirë këtu analizën preliminare të kërkesave kreditore, regjistrimin e pasurisë së ndërmarrjes, dhe raportin mbi vlerësimin e rezervave minerare.

Ky studim do ti paraprijë planit të riorganizimit të ndërmarrjes Trepça, përderisa Bordi dhe menaxhmenti i AKP-së mbesin plotësisht të përkushtuar dhe zotohen se do të ndërmarrin të gjithë hapat e nevojshëm përbrenda kompetencave dhe autorizimeve të tyre për të përfunduar me sukses këtë objektivë si dhe për të arritur një zgjidhje përfundimtare sa më të favorshme për ardhmërinë e ndërmarrjes Trepça.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  24.09.2016

KEDS ditëve të fundit ka ftuar punëtorët me kontrata me afat të caktuar dhe ka vazhduar kontratat e shumicës së tyre.

Kjo ka ardhur pas një procesi të gjatë të shqyrtimit të nevojave operacionale, përmirësimeve të reja teknologjike dhe ndryshimeve në sistem.

Si një kompani private ne u nënshtrohemi proceseve të vazhdueshme për optimalizimin operacional me synim për të ulur kostot, e cila në anën tjetër ka ndikim pozitiv në tarifat dhe faturat e konsumatorëve. Këto zhvillime vijnë si rezultat i këtyre proceve por e përsërisim se shumica dërmuese e kontratave janë vazhduar.

Në të gjitha këto zhvillime ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me sindikatat për të arritur një përfundim sa më të mirë për të gjithë dhe me këtë rast i falenderojmë ata për një qasje pozitive.

Për sa I përket Kontratës Kolektive, KEDS e ka cekur edhe më parë se nuk është nënshkruese e kësaj kontrate dhe siç është theksuar edhe nga organet relevante, kjo kontratë nuk I obligon kompanitë për ta implementuar.

KEDS beson se nuk ka arsyje per proteste pasi që ka vazhduar pothuajse të gjitha kontratat.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  10.05.2016

KEK-u fton të gjithë konsumatorët që janë subjekt i ligjit për faljen e borxheve publike të shfrytëzojnë këtë mundësi të përfitimit dhe ti nënshkruajnë  kontratat.

Me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit nga KEK-u, dhe KEDS/KESCO, me 12 Prill, 2016 ka filluar edhe faza e fundit e implementimit të plotë te ligjit për faljen e borxheve publike, tani  pritet të trajtohen rreth 170.000 konsumator, të cilët sipas ligjit kanë mundësin që në afat prej pesë muajve të ardhshëm ti nënshkruajnë kontratat dhe po ashtu ti respektojnë afatet e kësteve konform ligjit dhe kontratës.

Që nga nënshkrimi i Memorandumit në mes KEK-ut dhe KEDS/ KESCO  konsumatorët kanë  filluar të drejtohen në zyrat e KESCO-s,  dhe deri me tani janë nënshkruar rreth 2,300 kontrata.

KEK-u edhe një herë i fton të gjithë konsumatorët që gjatë periudhës së mbetur pesë mujore të drejtohen në zyrat e KESCO në të gjitha distriktet në mënyrë që të përfitojnë nga Ligji për Faljen e Borxheve Publike.

Agjensia e lajmeve ekonomia,  05.05.2016