info@energjia.al

Kompania publike e gazit Albgaz sh.a e cila do të funksionojë si një operator i kombinuar duke kryer veprimtarinë e operatorit të sistemit të transmetimit dhe operatorit të sistemit të shpërndarjes së gazit natyror në vend mori të mërkurën (8 tetor) certifikimin përfundimtar nga Enti Rregullator i Energjisë. Bordi i Komisionerëve miratoi si pikë të parë draft metodologjinë e tarifave që ishte kriteri kyç për të vijuar më pas me certifikimin final.

I njëjti Bord nënvizoi se tashmë Albgaz sh.a duhet që të përmbushë një sërë kushtesh duke përcaktuar edhe afatet kohore.

Rekomandimi i parë ishte ai që lidhej me anëtarët e Këshillit të Mbikëqyrjes. Sipas ERE duhet të zëvendësohen brenda 3 muajve të gjithë ata anëtarë që aktualisht ushtrojnë një funksion brenda Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Brenda 12 muajve Albgaz duhet që të tregojnë pavarësinë e audituesve ndërkohë që duhet të bëhet edhe një ndryshim tek pronësia.

Albgaz sh.a duhet që brenda një viti të kalojë me pronësi tek Ministria e Financave dhe e Ekonomisë. Ai duhet të jetë i pavarur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në mënyrë që të ruajë pavarësinë. Kjo praktikë është zbatuar edhe për Operatorin e Sistemit të Transmetimit. Në mars të këtij viti OST i kaloi ish-Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, ndërsa tani është nën varësinë e ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Vendimi i fundit i Bordit të Komisionerëve për metodologjinë e tarifave i hap rrugë kompanisë që të aplikojë për një tarifë të re nga ajo që është miratuar deri në fund të këtij viti. Në ligj është parashikuar një fazë tranzitore e cila mund të shtyjë tarifën ekzistuese në rast se aplikimi nuk bëhet në kohë. Sipas kuadrit aplikimi për tarifën e re mund të bëhet deri në 4 dhjetor.

Revista Monitor,  09.11.2017

Kryetari i komisionit parlamentar të ekonomisë, Erjon Braçe kërkoi shpjegime nga ministri i Financave për borxhet e mëdha që kompania ARMO ka ndaj Tatimeve.

“Me 24.5 miliardë lekë borxh i trashëguar doganor, ku mbi 55 për qind e tij zotërohet nga 6 kompani të përpunimit dhe tregtimit të naftës. Tre emra këtu lidhen me një grup, ARMO-n”, deklaroi Brace.

“Kryesori në atë borxh është ARMO për shkak të trashëgimisë dhe kjo erdhi si rezultat i një privatizimi aspak të duhur dhe produktin po e vuajmë edhe sot”, u përgjigj Ahmetaj.

Në fund të vitit të kaluar borxhet e ARMO ndaj shtetit arritën 160 milionë euro. Një pjesë e madhe e këtyre detyrimeve tashmë janë në procese gjyqësore, ndërkohë që borxhet para 2010-s janë fshirë nga amnistia.

Por ARMO nuk është e vetmja kompani e naftës që përbën problem për qeverinë. Edhe “Albpetrol” do t’i nënshtrohet një ristrukturimi të fortë.

““Albpetrol” do të reduktohet, do jetë një njësi teknike, shumë asete që kanë mbetur do t’u jepen investitorëve të huaj dhe pjesa tjetër e punëtorëve do të trajnohen në periudhë tranzitore me pagesë. Ne nuk mund të mbajmë më një kompani që konsumon të ardhura që vijnë nga nafta dhe nuk sjellin ndonjë gjë të madhe për publikun shqiptar”, tha ministri i Energjitikës dhe Industrisë, Damian Gjiknuri.

Aktulisht “Aplbetrol” ka mbi 2 mijë punonjës. Ndërkohë, kontratat e reja në nxjerren e naftës dhe gazit në Shqipëri do të bëhen sipas një modeli të ri, ku përfitimi i palës tonë të jetë që në hapat e parë. Me ndihmën direkte të qeverisë amerikane, Shqipëria do të përmirësojë ligjet për këtë sektor.

Top Channel,  08.11.2017

Opozita e fokusoi debatin për aktin normativ që ndryshon buxhetin e shtetit në një fenomen, sipas saj shqetësues, që ka ndodhur së fundmi në ekonomi: krijimi i borxheve të prapambetura nga sektori publik.

“Për OSHEE situata është problematike. Të paktën sipas dejtorit teknik që ka qenë në detyrë deri pak javë më parë, kompania ka detyrime të papaguara për rreth 100 milionë euro”, deklaroi deputetja Jorida Tabaku.

Por ministri i Financave, Arben Ahmetaj, ndonëse pranoi situatën e vështirë që ka shkaktuar thatësira, tha se nuk bëhet fjalë për borxhe të prapambetura.

“Sa i përket OSHEE, në dijeninë time, sot që flasim nuk ka detyrime të prapambetura. Mund të ketë shtyrje pagesash, por jo të prapambetura. Dhe ka një urdhër të ministrit të Energjitikës që detyron kompaninë të ngadalësojë pagesat për shkak të thatësirës”, tha Ahmetaj.

Kriza energjitike ishte arsyeja kryesore pse qeveria ndryshoi buxhetin e shtetit duke dhënë 3 miliardë lekë hua për KESH dhe OSHEE. Por pavarësisht shpenzimeve më të larta për energjinë, borxhi publik nuk rritet, por do vazhdojë të ulet.

“Të ardhurat janë realizuar në 103.2 për qind, ose 7.7 miliardë lekë më shumë se projeksioni. Ndërsa shpenzimet janë realizuar në 98.3 për qind. Por çka është më e rëndësishme, ndonëse në periudhë zgjedhjesh parlamentare, balanca fiskale e qeverisë në korrik është rreth 2.9 miliardë lekë suficit, për herë të parë në 27 vite”, vijoi Ahmetaj.

Top Channel,  26.09.2017

Zv. Kryeministri Niko Peleshi dhe Ministri i Financave Arben Ahmetaj kanë zhvilluar sot një vizitë në Rafinerinë e naftës në Ballsh ku janë takuar me përfaqësuesit e grupit investitor amerikan IRTC dhe punonjësit e rafinerisë, me rastin e rifillimit të punës atje.

“Një lajm i mirë për ekonominë shqiptare dhe një premtim i mbajtur i qeverisë” e ka cilësuar Ministri i Financave rifillimin e punës në rafineri.

“Çdokush e di se çfarë ka kaluar industria e naftës, sidomos ju që e mbani mend mirë atë privatizim të dështuar dhe korruptiv që rëndoi mbi të gjitha në kurrizin tuaj si të punësuar dhe që përfunduat gati -gati në skllevër të papunë për disa vite.

Hapja e rafinerisë ka në vetvete disa lajme të mira, jo vetëm për ekonominë shqiptare, por edhe për familjet tuaja dhe investitorët, të cilët dëshiroj t’i falenderoj që bënë të mundur rihapjen e rafinerisë dhe kthimin në punë të 1200 punëtorëve”.

Ministri theksoi se ky është një premtim i mbajtur i Kryeministrit dhe qeverisë dhe përgjigjia më e mirë për SHQUP-in.

“Kryeministri ju premtoi që kjo rafineri do të punonte me çdo kusht që t’ju rikthente në punë dhe për ‎të furnizuar ekonominë shqiptare dhe industrinë e naftës dhe ja ku është, fakt. Kjo është edhe një përgjigje e denjë ndaj “kukuvajkave” të SHQUP-it që gëzimin më të madh kanë patur kur ju keni qenë pa punë dhe keni qenë pa punë për shkak të tyre dhe sot kanë dalë dhe bëjnë këngën e përditshme të kukuvajkës sepse ju po ktheheni në punë.”

Lidhur me investimin e kompanisë amerikane, Ahmetaj tha se “vetëm në vitin e parë janë 52 milionë dollarë investime që shkojnë në rinovimin e rafinerisë dhe më pas të lidhura edhe me fushat e gazit me TransAtlantik që shkojnë në gati edhe 100 milionë dollarë të tjerë që do të investohen, me riparimin e tubacioneve, me zgjerimin e operacioneve të naftës dhe të gazit dhe sigurisht që ka edhe një efekt të drejtpërdrejtë tek operacionet e Bankers sepse kërkohet furnizim në sasi të konsiderueshme për t’u përpunuar nga kjo rafineri”.

“Ne jemi shumë të kënaqur për këtë mundësi për të riaktivizuar rafinerinë dhe për t’I rikthyer këta njerëz në punë. Ka qenë një marrëveshje e komplikuar por falë bashkëpunimit të bankave dhe falë bashkëpunimit të partnerëbe të tjerë amerikanë si Trans Atlantik për fushën e gazit dhe Bankers, dhe sigurisht patëm një mbështetje shumë të madhe nga Ministri I Financave, Ministri I Energjisë dhe Kryeministri për t’I bërë bashkë këto pjesëza të komplikuara dhe të bënim të mundur rifllimin e punës në rafineri” – tha përfaqësuesi i grupit investitor në Shqipëri Harry Seargent.

Zv. Kryeministri Niko Peleshi theksoi se “kjo pamje që shohim sot këtu, pra qindra punëtorë në punë, është pamja që ne duam të shohim në të gjithë Shqipërinë. Ky ishte rasti i një plage ekonomike që u kthye shumë shpejt në një plagë sociale, mjafton t’i referohemi vetëm këtyre mbi 1000 punëtorëve që nuk kanë marrë pagat e tyre për muaj e muaj me rradhë. Po të mos ishte për kontributin e keq të politikës nuk do të mund të bëheshin bashkë në mënyrë kaq ironike, nga njëra anë një nga sektorët me potencialin më të madh të zhvillimit të vendit, sic është sektori i naftës, dhe varfëria nga ana tjetër. Sot kemi një investim të rëndësishëm në vend, rafineria ka rifilluar punën dhe këta punëtorë do të rikthehen në punë dhe ky nuk mund të mos jetë një lajm shumë i mirë për ekonominë dhe të gjithë shqiptarët”.

***

Brenda dy javesh rafineria do të punojë me kapacitete të plota me 1200‎ punëtorët ndërsa nga data 1 Tetor fillon prodhimi intensiv i naftës.

Prononcimi i plotë i Ministrit Ahmetaj:

“Për mua dhe për qeverinë është një lajm shumë i mirë për ekonominë shqiptare.

Çdokush e di se cfarë ka kaluar industria e naftës sidomos ju që e mbani mend mirë atë privatizim të dështuar dhe korruptiv që rëndoi mbi të gjitha në kurrizin tuaj si të punësuar dhe që përfunduat gati- gati në skllevër të papunë për disa vite.

Hapja e rafinerisë ka në vetvete disa lajme të mira, jo vetëm për ekonominë shqiptare, por edhe për familjet tuaja dhe investitorët, të cilët dëshiroj t’i falenderoj që bënë të mundur rihapjen e rafinerisë dhe kthimin në punë të 1200 punëtorëve. 1200 qytetarë shqiptarë të cilët cdo mëngjes këto vite, nuk kishin punë për shkak të një privatizimi korruptiv dhe kriminal që e katandisi industrinë e naftës në këtë gjendje që është.

Ju premtuam që do ta riaktivizonim industrinë e naftës, ky është fakt. Kryeministri ju premtoi që kjo rafineri do të punonte me cdo kusht që t’ju rikthente në punë dhe për ‎të furnizuar ekonominë shqiptare dhe industrinë e naftës dhe ja ku është fakt. Qeveria mbështeti investitorë seriozë amerikanë për të bërë të mundur këtë investim gjigand.

Vetëm në vitin e parë janë 52 milionë dollarë investime që shkojnë në rinovimin e rafinerisë dhe më pas të lidhura edhe me fushat e gazit me Trans Atlantik që shkojnë në gati edhe 100 milionë dollarë të tjerë që do të investohen, me riparimin e tubacioneve, me zgjerimin e operacioneve të naftës dhe të gazit dhe sigurisht që ka edhe një efekt të drejtpërdrejtë tek operacionet e Bankers sepse kërkohet furnizim në sasi të konsiderueshme për t’u përpunuar nga kjo rafineri.

E theksoj që unë jam i bindur që dita e sotme është një ditë e mirë për familjet tuaja, është një ditë e mirë për ekonominë shqiptare dhe në fakt i kthen një përgjigje të denjë kukuvajkave të ShQUP-it që gëzimin më të madh kanë kur ju vuani. Gëzimi më i madh I tyre ka qenë kur ju keni qenë pa punë dhe keni qenë pa punë për shkak të tyre dhe sot kanë dalë dhe bëjnë këngën e përditshme të kukuvajkës sepse ju po ktheheni në punë.

Dua të mos e harroni asnjë ditë se janë gëzuar me mjerimin tuaj dhe sot janë trishtuar që ju jeni kthyer në punë dhe që ekonomia shqiptare po sheh një vepër të rivënë në punë nga investitorë seriozë si kjo kompani që ëshë sot me ju.

Unë dua t’i falenderoj për këtë investim kurajoz dhe patjetër edhe Bankers për bashkeëpunimin sepse në finale është një marrëveshje serioze privatësh dhe patjetër edhe Trans Atlantik sepse është pjesë ndonëse jo e drejtperdrejtë, por në mbështetje të këtij operacioni shumë të madh.

Ky aset, kjo rafineri që shikoni, ka qenë, për shkak të atij privatizimi korruptiv, me taksa të papaguara, me furnitorë të papaguar, me punëtorë rrugëve. Bankat e morën këtë aset në dorë për shkak të dështimit të asaj qeverie që i gënjeu të gjithë këta punëtorë këtu. Kompania amerikane, pra investitori, e ka blerë nga bankat dhe ky aset, pra rafineria, është konceptuar si një operacion më vete, privat mes tyre, bankave dhe dy kompanive. Pronari i ri i rafinerisë është grupi amerikan, pra investitori.

Nga informacioni që morëm, 200 punëtorë kanë filluar tashmë punën‎ ndërsa brenda dy javëve të ardhshme do jenë riaktivizuar edhe 1000 të tjerët, pra në kapacite të plota. Ndërkohë në 1 Tetor fillon prodhimi intensiv i naftës që është një lajm shumë i mirë dhe sigurisht që me investimet, do shohim edhe zgjerime të operacioneve”

energjia.al  03.09.2016

Në kuadër të rifillimit të punës në rafinerinë e naftës në Ballsh, ministri i Financave Arben Ahmetaj u takua me investitorët dhe punëtorët e saj.

“Sot është një ditë e mirë për ekonominë shqiptare dhe për punonjësit e rafinerisë. Çdokush e di se çfarë ka kaluar industria e naftës, sidomos ju që e mbani mend mirë atë privatizim të dështuar dhe korruptiv që rëndoi mbi të gjitha në kurrizin tuaj si të punësuar. Hapja e rafinerisë është një lajm i mirë, mbi të gjitha për këta 1200 punonjës dhe familjet e tyre, të cilët nga sot kanë sërish një punë”, deklaroi Ahmetaj.

“Kryeministri premtoi riaktivizimin e industrisë së naftës dhe sot ky është premtim i mbajtur dhe përgjigjja më dinjitoze për kukuvajkat e SHQUP-it që sot vajtojnë për lajmin tuaj të gëzuar”, shtoi Ahmetaj.

Top Channel,  02.09.2016

Nisur nga të ardhurat e ulta në dogana në fund të vitit 2015 të cilat ishin gati 8 miliardë lekë më pak se në vitin 2014, Ministria e Financave nën drejtimin ish ministrit Shkëlqim Cani bëri një analizë, në të cilën rezultoi se evazioni në dogana kishte ndodhur kryesisht në artikujt e cigareve dhe celularëve. Ndaj edhe në relacionin e ligjit të buxhetit 2016 u njoftua se lufta ndaj informalitetit në dogana do të fokusohej në këto dy artikuj.

Por nën drejtimin e Ministrit Arben Ahmetaj, duket se lufta antinformalitet do të fokusohet tek nafta. Fokusi do të jenë nafta dhe nënproduket e saj, që nga pakica deri tek shumica, pohojnë burimet zyrtare në Ministrinë e Financave. Sipas tyre faktet tregojnë se tek këto mallra, ka hapësira për rritje të mëtejshme të përgjegjësisë tatimore.

Sipas përllogaritjeve të janarit nga ministria së Financave këtë vit do të gjenerohet TVSH e brendshme me rreth 2,8 miliard lekë si rezultat i luftës ndaj informalitetit.
Të ardhurat shtesë nga rritja e importit të cigareve me rreth 400 tonë më shumë se pritshmëria e vitit 2015( me çmimin e vitit 2015), të cilat do të gjenerojnë 622 milion lekë më shumë.

Formalizimi i tregut të celulareve nëpërmjet ngritjes së bazës së të dhënave tek Administrata Tatimore, u parashikua të kishte me efekt rreth 500 milion lek nga tvsh në vitin 2016.
Vetëm për vitin 2014, rezultojnë të jenë zhdoganuar rreth 140 mijë aparate celulare dhe po gjatë 2015 janë aktivizuar rreth 1 milion numra në sistemin e telefonisë së lëvizshme tek të katër operatorët së bashku. Duke marrë në konsideratë kohëmbajtjen mesatare (nga 15 muaj në maksimumi 2 vjet), duke iu referuar trendit më të zakonshëm të konsumatorit ndaj këtij produkti për çdo ndërrim operatori apo numri, duke marrë në konsideratë edhe faktorin reduktues të ‘port-in’ (i njëjti numër, i njëjti aparat, operator i ri), jo më pak se gjysma e këtyre aktivizimeve janë realizuar me aparate të rinj celularë.

Fakt i cili, i përkthyer në shifra, nënkupton se janë jo më pak se 500 mijë aparate të reja vetëm gjatë vitit, ka analizuar Ministria e Financave.
Por Ministri i Ahmetaj me sinjalet e para që ka dhënë ka treguar se aksioni antiinformalitet do të ketë në focus tregun e naftës.

Revista Monitor,  09.04.2016

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj prezantoi një projektligj të ri për metrologjinë, i cili parashikon ngritjen e Inspektoriatit të Mbikqyrjes së Tregut që do të jetë autoriteti përgjegjës për për kryerjen e veprimtarive metrologjike dhe të mbikëqyrjes së tregut në vend.

Ministri Ahmetaj thotë se ky ligj shndërron këtë autoritet në institucionin kryesor sa i përket mbikqyrjes së tregut, duke përfshirë brenda tij dhe funksionet e metrologjisë.

Por deputetët në Kuvend shprehën rezervat e tyre lidhur me shkrirjen e funksioneve shkencore, ligjore dhe inspektuese brenda të njëjtit institucion. Projektligji krijon bazën ligjore për regjistrimin e të gjithë prodhuesve të produkteve të parapaketuara.

Top, Channel,  15.09.2015

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj deklaroi se rritja ekonomike e vendit është përshpejtuar, pavarësisht ambientit të pafavorshëm dhe situatës së vështirë në vendet fqinje.

“Kjo ekonomi po rritet edhe në mungesë të kreditimit. Arsyet janë të shumta, por unë numëroj tre. Së pari besimi; indekset e besimit të sipërmarrjes dhe të konsumatorit janë rritur, së dyti, është aktivizuar prodhimi i vendit dhe së treti, kemi mundur të krijojmë besim tek investitorët e huaj. Vetëm në 3-mujorin e parë të vitit 2015 arritëm të vendosim një rekord të tërheqjes së investimeve të huaja; 268 milionë euro”, deklaroi Ahmetaj.

Në një intervistë për Top Channel, kreu i Ekonomisë ka folur edhe mbi një çështje, e cila prej muajsh ka shkaktuar debate të forta jo vetëm politike, që është ajo e çmimit të naftës. Sipas tij, Shqipëria nuk i takson më fort se vendet e tjera karburantet, por diferencat në çmime shkaktohen nga taksa e qarkullimit, të cilën vendet e tjera e paguajnë mbi automjetet.

“Po marr Maqedoninë që mbi makinën ka 4-5 lloje taksash, që shpeshherë shkojnë edhe në 500-600 euro. Ne nuk e kemi këtë ngarkesë mbi çdo automjet, por kemi vendosur që për dy arsye, për të mos ngarkuar së pari qytetarët që kanë makinën me këtë taksën kaq të rëndë, e kemi futur taksën e qarkullimit proporcionalisht për ata që përdorin makinën me naftë tek litri i naftës dhe sigurisht që diferencat e vogla në çmim janë të krahasueshme”, shpjegoi Ahmetaj.

Opozita i ka kërkuar qeverisë që të ulë taksën e qarkullimit, për ta rikthyer atë në nivelin 7 lekë për litër, pasi sipas saj, kjo do të ulte çmimin për konsumatorët dhe do të  ndihmonte ekonominë.

“Unë opozitës do t’i kujtoj 726 milionë dollarë borxhe në kurriz të qytetarëve dhe biznesit, të cilat ia kanë grabitur në mënyrë arbitrare dhe ia kanë lënë në kurriz kësaj qeverie. Opozitës do t’i kujtoj situatën me energjinë elektrike dhe sistemin energjitik shqiptar, i shkatërruar që mund të fundoste jo vetëm qeverinë, jo vetëm ekonominë shqiptare, por edhe familjet shqiptare”, tha ministri i Ekonomisë.

Por veç taksave, konsumatorët shqiptarë paguajnë edhe një tjetër fenomen, atë të ngurtësisë së tregut, pasi tregtarët nuk i ulin çmimet kur ato bien në bursa.

“Nuk ka situatë monopol në tregun e naftës, por shpesh shihen sjellje nga kompanitë që përpiqen të dominojnë tregun. Këtu ka nevojë për një monitorim akoma më intensiv nga strukturat qeveritare”, thotë Ahmetaj.

Ndonëse në tregjet ndërkombëtare çmimi i naftës prej muajsh është në një rënie të fortë, në tregun e brendshëm ai kanë mbetur në nivele të larta përgjatë gjithë kësaj kohe.

Top Channel,  23.08.2015

Gjatë seancës së sotme të Komisionit të Ekonomisë, ministri i MZHETSS Ahmetaj foli rreth koncesioneve, duke i konsideruar ata si forma të veçanta të partneritetit publik privat.

Komisioni diskutoi pikërisht projektligjin “Për koncesionet dhe partneritetin publik dhe privat”, i cili u miratua me shumicë votash. Ahmetaj tha se nëpërmjet këtij ndryshimi në pr.ligj është bërë i mundur zhvillimi i projekteve në fushën e bujqësisë kryesisht, por edhe të fushës së energjisë, që ligji i mëparshëm nuk i përfshinte.

“Përmes këtij projektligji synohet reduktimi i procedurave për dhënien e një partneriteti publik privat, duke eliminuar procedurat e tepërta në fazën përgatitore. Në fazën e identifikimit të projekteve, studimit të fizibilitetit dhe deri në vlerësimin e ofertave, procedurat do të kryhen nga një komision i përzgjedhur nga autoriteti kontraktor në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për ekonominë (Njësinë e Trajtimit të Koncesioneve /Partneriteteve Publike Private) dhe brenda 60 ditëve nga krijimi i këtij komisioni kryhen të gjitha procedurat e sipërpërmendura. Ky afat mund të shtyhet për shkaqe të kompleksitetit të projektit jo më shumë se 30 ditë. Po ashtu në p/ligj parashikohet zgjerimi i fushës së veprimit. Në ligjin ekzistues nuk është përfshirë si fushë e veprimtarisë sektori i bujqësisë. Nëpërmjet këtij ndryshimi është bërë i mundur zhvillimi i projekteve në fushën e bujqësisë nëpërmjet partneritetit publik privat”, tha Ahmetaj.

Projektligji synon reduktimin e procedurave për dhënien e një partneriteti publik privat, duke eliminuar procedurat e tepërta në fazën përgatitore, si dhe krijimin e një komision të përzgjedhur nga autoriteti kontraktor në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për ekonominë, për zbatimin e kontratave.

Revista Monitor, 01.07.2015

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj deklaroi se pjesa dërrmuese e hidrocentraleve të dhëna me koncesion, kanë dështuar dhe me gjasa nuk mund të ndërtohen.

“Tani nëse janë 353 koncesione dhe vetëm 53 kanë funksionuar, 300 të tjera janë abuzivë. Ato koncesione kanë dështuar për dy arsye kryesore. E para është që kanë ardhur jo me projekt, por kanë abuzuar të drejtën korruptive të kontaktit me administratën e lartë dhe me drejtuesit e ministrive. E dyta është që nuk kanë pasur financime. Të japësh koncesion dikujt pa mbështetje financiare, kjo është abuzivitet, korrupsion”, deklaroi Ahmetaj.

Qeveria thotë se përballë këtij ngërçi ka vendosur të ndryshojë ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik-privat, i cili sipas Ahmetajt nuk lejon më abuzime.

“Dikush mund të vinte me tri fletë, me tri copa letre dhe ta quante propozim të pakërkuar. Që këtu niste abuzimi. Tani administrata nuk ka për të pranuar një ofertë minimaliste. Do të duhet që ai që bën një ofertë të pakërkuar, do të duhet të bëjë një ofertë që është një paraprojekt i avancuar, ose një projekt i plotë”, shtoi ministri i Zhvillimit Ekonomik.

Veç forcimit të garancive, ligji i ri, sipas Ahmetajt, shkurton kohën e lejeve dhe procedurat burokratike për dhënien e një koncesioni nga 272 ditë që është sot, në 150 ditë.

Paralelisht ligji i ri i hap rrugë koncesioneve dhe investimeve të përbashkëta shtet-privat edhe në sektorin e bujqësisë, të cilat deri më tani kanë qenë të përjashtuara. Përballë mungesës së parave publike, Qeveria shpreson që përmes kësaj rrugë të tërheqë kapitalin privat për të financuar.

Top Channel,  01.07.2015