Publisher is the useful and powerful WordPress Newspaper , Magazine and Blog theme with great attention to details, incredible features...

Riaktivizohet rafineria e Ballshit, 1200 punëtorë rikthehen në punë

Zv. Kryeministri Niko Peleshi dhe Ministri i Financave Arben Ahmetaj kanë zhvilluar sot një vizitë në Rafinerinë e naftës në Ballsh ku janë takuar me përfaqësuesit e grupit investitor amerikan IRTC dhe punonjësit e rafinerisë, me rastin e rifillimit të punës atje.

“Një lajm i mirë për ekonominë shqiptare dhe një premtim i mbajtur i qeverisë” e ka cilësuar Ministri i Financave rifillimin e punës në rafineri.

“Çdokush e di se çfarë ka kaluar industria e naftës, sidomos ju që e mbani mend mirë atë privatizim të dështuar dhe korruptiv që rëndoi mbi të gjitha në kurrizin tuaj si të punësuar dhe që përfunduat gati -gati në skllevër të papunë për disa vite.

Hapja e rafinerisë ka në vetvete disa lajme të mira, jo vetëm për ekonominë shqiptare, por edhe për familjet tuaja dhe investitorët, të cilët dëshiroj t’i falenderoj që bënë të mundur rihapjen e rafinerisë dhe kthimin në punë të 1200 punëtorëve”.

Ministri theksoi se ky është një premtim i mbajtur i Kryeministrit dhe qeverisë dhe përgjigjia më e mirë për SHQUP-in.

“Kryeministri ju premtoi që kjo rafineri do të punonte me çdo kusht që t’ju rikthente në punë dhe për ‎të furnizuar ekonominë shqiptare dhe industrinë e naftës dhe ja ku është, fakt. Kjo është edhe një përgjigje e denjë ndaj “kukuvajkave” të SHQUP-it që gëzimin më të madh kanë patur kur ju keni qenë pa punë dhe keni qenë pa punë për shkak të tyre dhe sot kanë dalë dhe bëjnë këngën e përditshme të kukuvajkës sepse ju po ktheheni në punë.”

Lidhur me investimin e kompanisë amerikane, Ahmetaj tha se “vetëm në vitin e parë janë 52 milionë dollarë investime që shkojnë në rinovimin e rafinerisë dhe më pas të lidhura edhe me fushat e gazit me TransAtlantik që shkojnë në gati edhe 100 milionë dollarë të tjerë që do të investohen, me riparimin e tubacioneve, me zgjerimin e operacioneve të naftës dhe të gazit dhe sigurisht që ka edhe një efekt të drejtpërdrejtë tek operacionet e Bankers sepse kërkohet furnizim në sasi të konsiderueshme për t’u përpunuar nga kjo rafineri”.

“Ne jemi shumë të kënaqur për këtë mundësi për të riaktivizuar rafinerinë dhe për t’I rikthyer këta njerëz në punë. Ka qenë një marrëveshje e komplikuar por falë bashkëpunimit të bankave dhe falë bashkëpunimit të partnerëbe të tjerë amerikanë si Trans Atlantik për fushën e gazit dhe Bankers, dhe sigurisht patëm një mbështetje shumë të madhe nga Ministri I Financave, Ministri I Energjisë dhe Kryeministri për t’I bërë bashkë këto pjesëza të komplikuara dhe të bënim të mundur rifllimin e punës në rafineri” – tha përfaqësuesi i grupit investitor në Shqipëri Harry Seargent.

Zv. Kryeministri Niko Peleshi theksoi se “kjo pamje që shohim sot këtu, pra qindra punëtorë në punë, është pamja që ne duam të shohim në të gjithë Shqipërinë. Ky ishte rasti i një plage ekonomike që u kthye shumë shpejt në një plagë sociale, mjafton t’i referohemi vetëm këtyre mbi 1000 punëtorëve që nuk kanë marrë pagat e tyre për muaj e muaj me rradhë. Po të mos ishte për kontributin e keq të politikës nuk do të mund të bëheshin bashkë në mënyrë kaq ironike, nga njëra anë një nga sektorët me potencialin më të madh të zhvillimit të vendit, sic është sektori i naftës, dhe varfëria nga ana tjetër. Sot kemi një investim të rëndësishëm në vend, rafineria ka rifilluar punën dhe këta punëtorë do të rikthehen në punë dhe ky nuk mund të mos jetë një lajm shumë i mirë për ekonominë dhe të gjithë shqiptarët”.

***

Brenda dy javesh rafineria do të punojë me kapacitete të plota me 1200‎ punëtorët ndërsa nga data 1 Tetor fillon prodhimi intensiv i naftës.

Prononcimi i plotë i Ministrit Ahmetaj:

“Për mua dhe për qeverinë është një lajm shumë i mirë për ekonominë shqiptare.

Çdokush e di se cfarë ka kaluar industria e naftës sidomos ju që e mbani mend mirë atë privatizim të dështuar dhe korruptiv që rëndoi mbi të gjitha në kurrizin tuaj si të punësuar dhe që përfunduat gati- gati në skllevër të papunë për disa vite.

Hapja e rafinerisë ka në vetvete disa lajme të mira, jo vetëm për ekonominë shqiptare, por edhe për familjet tuaja dhe investitorët, të cilët dëshiroj t’i falenderoj që bënë të mundur rihapjen e rafinerisë dhe kthimin në punë të 1200 punëtorëve. 1200 qytetarë shqiptarë të cilët cdo mëngjes këto vite, nuk kishin punë për shkak të një privatizimi korruptiv dhe kriminal që e katandisi industrinë e naftës në këtë gjendje që është.

Ju premtuam që do ta riaktivizonim industrinë e naftës, ky është fakt. Kryeministri ju premtoi që kjo rafineri do të punonte me cdo kusht që t’ju rikthente në punë dhe për ‎të furnizuar ekonominë shqiptare dhe industrinë e naftës dhe ja ku është fakt. Qeveria mbështeti investitorë seriozë amerikanë për të bërë të mundur këtë investim gjigand.

Vetëm në vitin e parë janë 52 milionë dollarë investime që shkojnë në rinovimin e rafinerisë dhe më pas të lidhura edhe me fushat e gazit me Trans Atlantik që shkojnë në gati edhe 100 milionë dollarë të tjerë që do të investohen, me riparimin e tubacioneve, me zgjerimin e operacioneve të naftës dhe të gazit dhe sigurisht që ka edhe një efekt të drejtpërdrejtë tek operacionet e Bankers sepse kërkohet furnizim në sasi të konsiderueshme për t’u përpunuar nga kjo rafineri.

E theksoj që unë jam i bindur që dita e sotme është një ditë e mirë për familjet tuaja, është një ditë e mirë për ekonominë shqiptare dhe në fakt i kthen një përgjigje të denjë kukuvajkave të ShQUP-it që gëzimin më të madh kanë kur ju vuani. Gëzimi më i madh I tyre ka qenë kur ju keni qenë pa punë dhe keni qenë pa punë për shkak të tyre dhe sot kanë dalë dhe bëjnë këngën e përditshme të kukuvajkës sepse ju po ktheheni në punë.

Dua të mos e harroni asnjë ditë se janë gëzuar me mjerimin tuaj dhe sot janë trishtuar që ju jeni kthyer në punë dhe që ekonomia shqiptare po sheh një vepër të rivënë në punë nga investitorë seriozë si kjo kompani që ëshë sot me ju.

Unë dua t’i falenderoj për këtë investim kurajoz dhe patjetër edhe Bankers për bashkeëpunimin sepse në finale është një marrëveshje serioze privatësh dhe patjetër edhe Trans Atlantik sepse është pjesë ndonëse jo e drejtperdrejtë, por në mbështetje të këtij operacioni shumë të madh.

Ky aset, kjo rafineri që shikoni, ka qenë, për shkak të atij privatizimi korruptiv, me taksa të papaguara, me furnitorë të papaguar, me punëtorë rrugëve. Bankat e morën këtë aset në dorë për shkak të dështimit të asaj qeverie që i gënjeu të gjithë këta punëtorë këtu. Kompania amerikane, pra investitori, e ka blerë nga bankat dhe ky aset, pra rafineria, është konceptuar si një operacion më vete, privat mes tyre, bankave dhe dy kompanive. Pronari i ri i rafinerisë është grupi amerikan, pra investitori.

Nga informacioni që morëm, 200 punëtorë kanë filluar tashmë punën‎ ndërsa brenda dy javëve të ardhshme do jenë riaktivizuar edhe 1000 të tjerët, pra në kapacite të plota. Ndërkohë në 1 Tetor fillon prodhimi intensiv i naftës që është një lajm shumë i mirë dhe sigurisht që me investimet, do shohim edhe zgjerime të operacioneve”

energjia.al  03.09.2016